Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi së bashku me përfaqësues të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë për Arsimin Parauniversitar, në kuadër të nismës për “Sigurinë në Internet” prezantuan manualin e ri gjatë një bashkëbisedimi me nxënës, mësues dhe punonjës të shërbimit psiko-social në shkollën “Sinan Tafaj” në Tiranë. Ky manual i kushton një rëndësi të veçantë marrëdhënies mësues-prind-nxënës për sa i përket ndërgjegjësimit, si dhe parandalimit të rreziqeve që fëmijët mund të hasin në internet.
Pas shumë takimesh të organizuara me ekspertë të Ministrisë së Arsimit, drejtues shkollash, mësues e prindër, ky manual vjen si një hap më tej në përpjekje për të rritur më shumë sigurinë për nxënësit.
Znj. Kushi gjatë takimit theksoi se kur flasim për këtë temë, nuk kemi parasysh vetëm anët negative të përdorimit të internetit si bullizmi kibernetik, ngacmimet seksuale, vjedhjen e të dhënave personale, apo varësinë nga lojërat online, por kemi parasysh edhe qëndrimin me orë të tëra në internet i cili sjell dëme në shëndetin fizik e mendor.
Ministrja tha se të rinjtë duhet të shpenzojnë më shumë kohë me sport në natyrë, duke komunikuar ballë për ballë me njëri-tjetrin, për të parandaluar obezitetin, mbylljen në vetvete apo depresionin. Manuali i ri shërben për të garantuar shëndetin, qetësinë dhe mirëqenien e nxënësve, duke dhënë informacion të plotë mbi të gjitha rreziqet që mund t’i vijnë atyre.
Znj. Kushi thekson se vitin e ardhshëm shkollor do të ndërmarret një fushatë ndërgjegjësimi gjithëpërfshirëse dhe një plan konkret veprimi në të gjithë vendin në kuadër të kësaj nisme.