Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi gjatë vizitës në shkollën 9-vjeçare “Sulë Harri” në Elbasan, ka informuar në lidhje me nismën “Toka në Shkollë”, një nismë që mbështet zhvillimin e aftësive të nxënësve për kultivimin e kulturave bujqësore.
Në një postim në rrjete sociale ministrja shprehet se një nga nismat e reja që janë ndërmarrë në Ministrinë e Arsimit është pajisja e të gjitha shkollave me miniparcela, ku nxënësit nën drejtimin e mësuesve të tyre të zhvillojnë aftësitë praktike për kultivimin, me synim lidhjen e fëmijëve dhe të rinjve me natyrën dhe traditat, si një mjet për edukimin mjedisor dhe jo vetëm.
“Në 850 shkolla nga 1378 në të gjithë vendin, i kemi tashmë hapësirat e duhura në oborret e tyre për ta zbatuar këtë nismë. Në shkollat ku kjo është e pamundur, në bashkëpunim me bashkitë do të përcaktojmë zona të lira në parqe apo parcela në afërsi të shkollave” – shkruan znj. Kushi, e cila shton se së shpejti do të ketë një udhëzues të detajuar për zbatimin e kësaj nisme në çdo shkollë të vendit, në mënyrë që nxënësit të mësojnë dhe përfitojnë sa më shumë prej saj.