Një pagë më e lartë inkurajon punësimin/ Ibrahimaj: Bashkëpunim me biznesin për rritjen e pagave - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Një pagë më e lartë inkurajon punësimin/ Ibrahimaj: Bashkëpunim me biznesin për rritjen e pagave

Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizoi një takim të zgjeruar me sipërmarrjen, për të diskutuar mbi çështjen e rritjes së mëtejshme të pagave në vend dhe vendimin e qeverisë për rritjen e pagës minimale në nivelin 40 mijë lekë duke nisur nga data 1 prill 2023.

Të pranishëm në këtë takim ishin Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zv.Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, përfaqësues të bizneseve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi se rritja e pagës minimale është e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, burimi kryesor i të cilëve janë të ardhurat nga paga; është e rëndësishme për biznesin sepse ndikon në kostot e prodhimit;  por është e rëndësishme edhe për rritjen e punësimit dhe mbarëvajtjen e ekonomisë në tërësi.

Ministrja argumentoi se vendimi për rritja e pagës minimale u morr pas një konsultimi të kryer për industritë që realisht preken nga kjo rritje, siç është industria përpunuese, dhe pas një analize të të numrit të të punësuarve në këto industri.

“Nevoja e ndërhyrjes për pagën minimale u analizua shumë mirë dhe e kuptuam që ka sektorë të cilëve paga minimale u prek realisht produktivitetin dhe ka sektorë të tjerë ku rritja e pagës minimale është thjesht formalizim. Kjo është arsyeja pse ne vendosëm të të bashkëpunojmë me biznesin dhe qeveria vendosi të subvencionojë atë kosto shtesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore, duke qenë se jemi këtu që këto vendime t’i marrim bashkë, që të ndajmë koston me ata të cilët realisht nuk arrijnë ta përballojnë këtë kosto”, tha Ibrahimaj.

Ministrja u shpreh se një prej sfidave në vijim lidhet me pagën mesatare në vend, në mënyrë që ajo të rritet në një tjetër nivel. Por duke qenë se problematikë kryesore në këtë drejtim është formalizimi dhe kostot e larta të prodhimit, Ministrja Ibrahimaj informoi se së shpejti do të nisë një raund konsultimesh me biznese të sektorëve të ndryshëm, me të cilët do të diskutohet mbi nivelin e pagave.

Sipas Ministres Ibrahimaj, qeveria dhe biznesi duhet të bashkëpunojë në mënyrë që Shqipëria të mos jetë më atraktive për pagat e ulëta dhe fuqinë e lirë punëtore, por për produktivitetin dhe fuqinë e kualifikuar punëtore.

“Bizneset duhet të vijnë në Shqipëri për punonjës të kualifikuar dhe për cilësi dhe këtë mund ta bëjmë të gjithë bashkë. Qeveria mund të bëjë shumë në këtë drejtim, duke incentivuar ato sektorë të cilët duan të rrisin produktivitetin e tyre, duan të mbyllin zinxhirin e vlerës së produkteve brenda vendin tonë dhe duke shtuar vlerën e shtuar në vend dhe jo duke e çuar vlerën e shtuar jashtë. Ne kemi mbërritur në pikën që duhet ta ngremë nivelin e ekonomisë sonë në një shkallë tjetër dhe unë jam e bindur që këtu mes nesh ka biznese që ndajnë të njëjtin mendim me mua”, tha Ibrahimaj.

Një prej objektivave kryesorë të qeverisë ka qenë dhe mbetet rritja e pagave, ku paga mesatare thuajse është dyfishuar në krahasim me 2013, kur ka qenë 259 euro, ndërkohë që në vitin 2022 arriti në 576 euro.

Ndërkohë, për t’i ardhur në ndihmë biznesit dhe qytetarëve, paga minimale është rritur në mënyrë të vazhdueshme, nga 22 mijë lekë në vitin 2013, ajo do të bëhet 40 mijë lekë nga data 1 prill ose 82% më e lartë.

Nga ana tjetër, qeveria ka rritur në vazhdimësi dyshemenë për kufirin e pataksueshëm të pagës minimale. Në vitin 2020 ky prag ishte 30 mijë lekë; në korrik 2022 u ndryshua në 40 mijë lekë dhe do të shkojë në 50 mijë lekë, duke bërë Zero taksimin e pagave nën këtë nivel. Kjo është një masë që mundëson që çdo qytetar që siguron më pak të ardhura sesa ky tavan të MOS paguajë tatim mbi të ardhurat nga paga.

 

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur sot këtu. Ju jeni njerëz të biznesit dhe puna juaj ju kërkon të jeni të pranishëm në biznes. Megjithatë, tema që diskutojmë sot është e rëndësishme në shumë drejtime. Është e rëndësishme për ju sepse prek kostot tuaja të prodhimit, është e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë pasi pagat janë burimi kryesor i të ardhurave të tyre, por është e rëndësishme dhe për të gjithë mbarëvajtjen e ekonomisë. Paga është një çmim që ndikohet nga kërkesa dhe nga oferta.

Kur ne vendosëm të bënim këtë rritje të pagës minimale e filluam duke bërë një konsultim me ato industri të cilat realisht preken nga rritja e pagës minimale, kryesisht industria përpunuese. Bëmë një analizë edhe se sa është përqindja e të punësuarve ndaj totalit të të punësuarve të pagës minimale dhe pamë sektorë ku absolutisht nuk paguhet me pagë minimale, si ndërtimi, i cili 30 % të të punësuarve të tij e ka me pagë minimale, ndërkohë që pamë edhe një sektor tjetër që është akomodimi dhe hoteleria që 50 % të të punësuarve të tij e ka të deklaruar me pagë minimale. Ne jemi të vetëdijshëm që kemi një mungesë të fuqisë punëtore. Nga takimet me bizneset por edhe si qytetarë dhe konsumatorë e kuptojmë që në sektorin e hotelerisë dhe akomodimit nuk ka të punësuar me pagë minimale, pasi nuk ka individë që shkojnë në këtë sektor për pagë minimale. Pagat nuk janë 34 apo 40 mijë lekë, por janë minimalisht 70-80 mijë lekë për të punësuarin bazë në sektorin e akomodimit dhe hotelerisë. Nuk po ndalem te ndërtimi që abolutisht në realitet i ka më të larta se sa niveli 80 mijë lekë.

Pra, nevoja e ndërhyrjes për pagën minimale u analizua shumë mirë dhe e kuptuam që ka sektorë të cilëve paga minimale u prek realisht produktivitetin dhe ka sektorë të tjerë ku rritja e pagës minimale është thjesht formalizim. Kjo është arsyeja pse ne vendosëm të të bashkëpunojmë me biznesin dhe qeveria vendosi të subvencionojë atë kosto shtesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore, duke qenë se jemi këtu që këto vendime t’i marrim bashkë, që të ndajmë koston me ata të cilët realisht nuk arrijnë ta përballojnë këtë kosto.

Sfida jonë nuk mbaron këtu, sfida jonë është që pagat mesatare të shkojnë në një nivel tjetër. Ne aktualisht kemi një nivel të pagës mesatare ndjeshëm më të ulët se sa rajoni dhe jam e bindur që edhe këtu problematikë kryesore është formalizimi, por edhe kostot e larta të prodhimit.

Ne do të fillojmë një raund konsultimesh me bizneset të sektorëve të ndryshëm me të cilët do të diskutojmë çështjen se ku mund të arrijë paga në atë sektor pa e prekur dhe pa e cënuar produktivitin. Sigurisht partnerë me ne do të jenë ato biznese të cilët janë larguar nga informaliteti, ato biznese të cilët kanë vendosur dhe kuptuar që informaliteti nuk është zgjidhja e së ardhmes.

Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku që Shqipëria të mos jetë më atraktive me paga të ulëta dhe fuqinë e lirë punëtore, por ne duhet të jemi produktivë dhe ne duhet të luftojmë për fuqinë e kualifikuar punëtore. Bizneset duhet të vijnë në Shqipëri për punonjës të kualifikuar dhe për cilësi dhe këtë mund ta bëjmë të gjithë bashkë. Sigurisht që qeveria mund të bëjë shumë në këtë drejtim, duke incentivuar ato sektorë të cilët duan të rrisin produktivitetin e tyre, duan të mbyllin zinxhirin e vlerës së produkteve brenda vendin tonë dhe duke shtuar vlerën e shtuar në vend dhe jo duke e çuar vlerën e shtuar jashtë, siç është sektori i fasonerisë që kemi pasur deri tani. Është e rëndësishme që punonjësit të ndjehen të vlerësuar, të trajnohen dhe të shohin biznesin si një mundësi për rritjen e potencialit të tyre dhe jo si një stanjacion dhe mos mbrojtje e të drejtave të tyre.

Ne kemi mbërritur në pikën që duhet ta ngremë nivelin e ekonomisë sonë në një shkallë tjetër dhe unë jam e bindur që këtu mes nesh ka biznese që ndajnë të njëjtin mendim me mua.

Previous Ministrja Kushi nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për Sportin me Poloninë