Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në konferencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi “Ruajtjen e Paqes dhe Sigurisë në Ukrainë”.
Ministrja Xhaçka u shpreh se misionet për gjetjen e fakteve tregojnë një brutalitet të tmerrshëm kriminal kundër popullatës civile ukrainase, ndërsa theksoi se Komuniteti Ndërkombëtar duhet ta mbajë Rusinë përgjegjëse për këto akte.
“Veprimet e Rusisë janë një shkelje skandaloze e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Lufta në Ukrainë dhe përpjekja flagrante e Rusisë për të pushtuar dhe aneksuar pjesë të territorit të Ukrainës janë veprime që të kujtojnë ditët e errëta të fashizmit dhe stalinizmit. Ne dënojmë rrugën e re të konfrontimit të Rusisë duke shpallur një mobilizim të pjesshëm në Rusi, duke mbështetur organizimin e “referendumeve” të paligjshme në 4 territore ukrainase të pushtuara aktualisht dhe duke kërcënuar sërish me përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë. Ne duhet të punojmë për të garantuar përgjegjësi të plotë për atë që Rusia po bën në Ukrainë, si një mënyrë për të ofruar drejtësi por edhe për të parandaluar mizoritë e ardhshme”, tha ajo.
Në këtë takim ishin të pranishëm: Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres; Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, Karim Khan; Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Ministrat e Jashtëm nga vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit.