Nuk ka rrezik sigurie në repartin e oksigjenit të Spitalit Bashkiak Lushnjë

Në përgjigje të akuzave se përmes dokumenteve zyrtare iu është raportuar drejtuesve të Spitalit Bashkiak Lushnjë mungesa e sigurisë teknike, shpërthime bombulash dhe rrezik në repartin e oksigjenit të spitalit, Drejtoria e Spitalit Bashkiak Lushnjë sqaron opinionin publik se dokumentacioni i cituar i përket periudhës para 31 dhjetorit 2024.

Drejtoria mohon të ketë pasur deri më tani avari teknike apo shpërthime në këtë repart.

Autoritetet përgjegjëse informojnë se reparti i oksigjenit nuk ka të parashikuar një pozicion formal përgjegjësi në organikë, si dhe për nevoja organizative është ngarkuar një punonjës teknik me arsim përkatës, në përputhje me praktikat funksionale të institucionit.

Fikëset e zjarrit janë të instaluara dhe funksionale. Bombulat e oksigjenit furnizohen nga operatori kontraktues, i cili mban përgjegjësinë për gjendjen teknike të tyre.

Ndërkohë që zhvendosja e pavijoneve për shkak të rikonstruksionit është kryer sipas një plani të miratuar, duke respektuar standardet teknike dhe me dijeni të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.