Nuk ka shitje të ishullit të Sazanit

Në përgjigje të lajmeve të publikuara në mediat shqiptare dhe të huaja se qeveria i ka shitur ishullin e Sazanit familjes së presidentit amerikan Donald Trump, qeveria shqiptare sqaron opinionin publik se ky është një lajm i pavërtetë, pasi Sazani është pronë e Republikës së Shqipërisë dhe si e tillë do të vijojë të mbetet.

Qeveria informon se ende nuk kanë përfunduar negociatat për Sazanit dhe se shteti shqiptar do jetë pjesë e kompanisë së përbashkët që do të investojë dhe do të administrojë ishullin, pra shqiptarët janë të përfaqësuar nga shteti në këtë iniciativë.

Gjithashtu, janë të pavërteta deklaratat se do të jetë një resort i mbyllur dhe se ishulli do të bëhet një rezervat i privilegjuar vetëm për ata që do banojnë apo do jenë të ftuar aty.

Projekti i Sazanit ka ndryshuar në proces, si projekt ndërtimi, aty do të ketë shumë pak ndërtime dhe do të ketë një profil kulturor, artistik të rëndësishëm. Synimi është që të jetë një nga projektet më të bukura të zhvilluara në Mesdhe, i cili do t’i rrisë vlerën në mënyrë të jashtëzakonshme të gjitha investimeve në jug të vendit.