Nuk kemi të ardhme tjetër, përveç krijimit të sinergjive dhe çeljes së dyerve të universiteteve europiane këtu në Tiranë, përmes universiteteve tona - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Nuk kemi të ardhme tjetër, përveç krijimit të sinergjive dhe çeljes së dyerve të universiteteve europiane këtu në Tiranë, përmes universiteteve tona

Rankimi i institucioneve të arsimit të lartë dhe rëndësia që merr ky proces në shumë dimensione, si atë informues dhe orientues, – ishte tema e bashkëbisedimit të radhës mes Kryeministrit Edi Rama dhe rektorëve të universiteteve publike dhe jopublike në vend, të zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Kryeministri vlerësoi punën e rektorëve dhe hapat inkurajuese në procesin e ndërkombëtarizimit të universiteteve, si dhe evidentoi një shtysë domethënëse në drejtim të aksesit të fondeve europiane. Sa i përket procesit të rankimit, Kryeministri theksoi nevojën e përmbushjes së të gjitha kushteve për të pasur një rankim shumë më dinjitoz dhe shumë më pranë asaj që realisht ofrojnë kapacitetet akademike të vendit.

* * *

Përshëndetje! Shumë faleminderit! Ky është një takim që vjen në vijim të një tjetër takimi, një takimi të radhës në atë forumin tonë të arsimit të lartë, së bashku me rektorët e universiteteve publike, si dhe me përfaqësuesin e pjesës së universiteteve jopublike, edhe pse unë asnjëherë nuk kam qenë dakord me këtë term pasi mendoj që edhe universitetet që financohen nga privatët janë universitete publike, por të financuara nga privatët. Megjithatë, ky term kështu ka mbetur dhe duhet ta respektojmë siç është ligjërisht – pra, me të gjithë rektorët e universiteteve publike dhe jo publike, – për të diskutuar një problematikë shumë të rëndësishme, e cila ka të bëjë me, nga njëra anë, rankimin e universiteteve tona dhe nga ana tjetër, një vlerësim të plotë të gjithë kritereve të ligjshmërisë kur jemi në një fazë që do ta quaja të ndërmjetme, pas reformës së arsimit të lartë, fillimit të zbatimit të saj dhe në funksion të thellimit të kësaj reforme, jo më në aspektin ligjor, por në aspektin e modernizimit të mëtejshëm të të gjithë sistemit tonë universitar.

Përpara sesa të them disa fjalë më shumë lidhur me sa përmenda, dua t’iu bëj me dije që, sikundër e kishim diskutuar me rektorët, në takimin  e Pragës, të atij që është pagëzuar si Komuniteti i Ri Politik Europian, unë e kam ngritur temën e universitetit si një temë që duhet konsideruar nga Bashkimi Europian për t’u trajtuar dhe për t’u adresuar, pa pritur që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të Bashkimit Europian, që do të thotë që ne kemi, si vende kandidate dhe që negociojmë me Bashkimin Europian anëtarësimin tonë, një akses të pjesshëm në sistemin europian të arsimit të lartë dhe në financimet përkatëse. Këtë ju e dini më mirë.

Ndërkohë që, universitetet e vendeve të Bashkimit Europian, me aksesin e plotë në atë sistem, kanë nga njëra anë, mundësinë e krijimit të menjëhershëm të sinergjive mes tyre dhe nga ana tjetër, edhe mundësinë e financimeve ekstra për këto sinergji që ato krijojnë, gjë që për ne, sot për sot, është e pamundur për shkak se nuk jemi anëtarë të Bashkimit Europian.

Ne kemi çelur një proces, të quajtur të “ndërkombëtarizimit të universiteteve” dhe për hir të vërtetës, unë dua t’i falenderoj rektorët sepse shikojmë hapa shumë inkurajues. Ashtu sikundër, dua t’i falenderoj edhe për faktin që ka një shtysë domethënëse në drejtim të aksesit të fondeve europiane për atë pjesë të sistemit që ne mund ta aksesojmë qysh sot si një vend kandidat dhe një vend negociator.

Pa iu marrë kohë me fakte dhe shifra, dua ta risjell në vëmendje një shifër shumë domethënëse të universitetit të Tiranës, i cili e ka rritur numrin e përfituesve nga fondet europiane nga më pak se 50 përfitues në më shumë se 400 përfitues, pra pedagogë nga këto financime do të thotë gjysma ose mbase pak më shumë se gjysma e gjithë numrit të përgjithshëm, – mos gabohem rektor-, të pedagogëve të universitetit. Kjo është dicka e jashtëzakonshme, po të marrim parasysh kohën e shkurtër në të cilën ka ndodhur dhe natyrisht, është impakti i drejtpërdrejtë i lidershipit të ri të universitetit të Tiranës dhe i qasjes së re që po formësohet hap pas hapi, me gjithë problematikat e veta, duke bërë që kapaciteti ynë financues për kërkimin shkencor të rritet në mënyrë shumë të ndjeshme.

Ministrja ka shumë më tepër të dhëna sesa kaq dhe mbase do t’i ndajë me ju, por unë e sjell këtë shembull këtu në funksion të asaj që thashë pak më parë; treguesi është shumë i qartë. Ne, në sistemin tonë universitar kemi shumë më tepër kapacitete sesa çka qenë e mundur të lexohen në sytë e opinionit publik, por edhe në sytë e opinionit më të interesuar si rezultat i një periudhe shumë të gjatë amullie dhe prapambetjeje në trajtimin e burimeve njerëzore.

Sot, ky është një nga efektet më të rëndësishme të reformës, është një nga efektet më të rëndësishme edhe të kësaj qasjeje dhe të nxitjes për ndërkombëtarizim. Ne nuk kemi të ardhme tjetër, përveç krijimit të sinergjive dhe çeljes së dyerve të universiteteve europiane këtu në Tiranë, përmes universiteteve tona.

Rritja eksponenciale, do thosha, në këtë fazë të fundit, edhe e programeve të përbashkëta, por edhe e programeve në gjuhën angleze, kemi bërë një hap, që është hapi i parë; duhet shoqëruar nga shumë hapa të tjerë, por që është shumë domethënës.

Përsëri, këtu dua ta përshëndes punën e bërë nga universiteti i Tiranës.

Për t’u kthyer tek tema, është absolutisht e dukshme që reformimi, si rezultat i ligjit të ri të arsimit të lartë, po sjell një impakt në metodat e mësimdhënies, në menaxhimin dhe ofrimin e mundësive të reja për studentët, të gjitha këto marrë, gjithmonë, relative në raport me startin pas reformës dhe jo në raport me ku duhet të jemi. Për mua, edhe këtu edhe në çdo drejtim tjetër, Shqipëria është në të njejtin raport; dita me natën në raport me nga jemi nisur, nata me ditën në raport me ku duhet të shkojmë.

Edhe procesi i financimit tregon që jemi në drejtimin e duhur, pavarësisht se duhet akoma më shumë shfrytëzim i hapësirës së autonomisë, jo thjeshtë si hapësirë lirie, por edhe si një hapësirë përgjegjësie.

Çështja që shtrohet sot është që pavarësisht përparimit real, konkret, pikërisht pse raporti ynë me të ardhmen është ende shumë i zhdrejtë, renditja e universiteteve shqiptare në hartën globale, edhe për shkak të një kohe shumë të gjatë të humbur përpara reformës, është e papranueshme, thjesht e papranueshme.

Lajmi i mirë, sipas nesh, pas analizës së bërë dhe mbi çfarë rezulton nga impakti i reformës, rezulton që është një renditje që nuk pasqyron kapacitetet. Ky është lajmi i mirë, nuk pasqyron kapacitetet. E solla shembullin e aksesit në financimet e fondeve europiane, madje, në ato projekte në të cilat Universiteti i Tiranës ka aksesuar fonde europiane, ka disa projekte, ku është lider universiteti i Tiranës, që është diçka që ndodh për herë të parë. Njohja e lidershipit të universitetit të Tiranës në bashkëpunim me universitete të tjera europiane që janë të rankuara shumë më lart flet që kapacitetet ne i kemi shumë më të mira sesa çfarë tregojnë pamja dhe niveli i rankimeve tona absurde, shumë poshtë.

Prandaj, gjëja që kemi vendosur është që të merremi  shumë seriozisht me këtë aspekt dhe të merremi me këtë aspekt do të thotë që të marrim një e nga një, të gjitha kushtet që duhen përmbushur, që ndonjëherë janë kushte fare elementare, për të pasur një rankim shumë më dinjitoz dhe shumë më pranë asaj që realisht ofrojnë kapacitetet tona akademike.

Për shembull, një nga pikat që duket si “Çfarë është kjo” është përmbushja e disa standarteve përsa i përket aspektit të qasjes digjitale të universiteteve, jo në procesin mësimdhënës, por në paraqitjen e tyre. E thënë me një fjalë, website. Në një vend që, me shumë krenari e them, së fundmi rankohet i 8-ti në Europë dhe i 19-ti në botë për shërbimet publike digjitale, Shqipëria, atëherë, përfshirja e universiteteve në këtë rrjedhë dhe integrimi i universiteteve me këtë sistem, flas nga pikëpamja e kualitetit, besoj se është gjë e thjeshtë për t’u bërë, mjafton që ne të koordinohemi dhe të funksionojmë bashkarisht në këtë drejtim se nuk ka asnjë shkencë të jashtëzakonshme në këtë pikë.

Vetëdeklarimi i të dhënave, të matshme dhe cilësore, të dhënat nga pyetësorët, nga algoritmet përpunuese në web apo nga informacionet e mbledhura drejtpërdrejtë, ka të bëjë drejtpërdrejtë me rankimin e universiteteve.

Të gjitha institucionet vendimmarrëse marrin përmes kësaj një panoramë të përgjithshme mbi të dhëna të besueshme, të aksesueshme, të verifikueshme, të cilat ndihmojnë në evidentimin, qoftë të cilësisë të ofertës e qoftë dhe të problematikave që ka oferta në raport me të gjithë konkurrentët, po themi, të tjerë, se kjo është një botë e madhe konkurrence.

Bordi i Akreditimit ka hartuar dhe Sondazhin Kombëtar të Studentëve, që të vlerësojë performancën e institucionit të arsimit të lartë në kuadër të mësimdhënies, mësimnxënies, kompetencave, me rezultatet e të cilit po krijohet dhe një raport përkatës.

Ministrja do të hyjë më në detaje në këtë drejtim, por është shumë më domethënëse ajo që kemi sot si një terren ku kanë filluar të duken frytet e para të reformës, që është potenciali dhe që është pasja në dispozicion e kapaciteteve akademike shumë më të respektueshme sesa çfarë është krijuar për shumë vite me një perceptim të caktuar.

Nuk dua të hyj në detaje të tjera. Dua vetëm të them që ky është një proces që ne duam ta bëjmë bashkarisht. Nuk duam ta bëjmë në mënyrë të njëanshme, por bashkërisht. Ashtu sikundër, bashkërisht duhet të adresojmë një problem shumë serioz që lidhet me fazën e dytë të reformës. Flasim për sinergji europiane, është njëra anë dhe për këtë, sot për sot beteja kryesore është e qeverisë në instancat ndërkombëtare dhe përgjegjësia kryesore është përsëri e imja, e ministrisë së Jashtme, e ministrisë së Arsimit për të bindur Bashkimin Euopian, në kuadrin e Komunitetit të ri Politik Europian që është koha për ta hedhur këtë hap themelor për të ardhmen e arsimit dhe jo për ta lënë, bashkë me të tjera si diçka që do ndodhë vetëm kur të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian se do të ishte një gjeneratë tjetër e lënë, po themi, pa mbështetjen e mundshme, që është mbështetja nga Bashkimi Europian, që është mbështetja nga gjithë fondi i sistemit të arsimit të lartë të Bashkimit Europian.

Fjala vjen, një tjetër element shumë i thjeshtë për të rritur rankimin; pasja e një numri të caktuar universitetesh nën një ombrellë. Një shembull dhe shpresoj të mos kthehet ky shembull në një arsye për të filluar një polemikë. Universiteti i Tiranës mund të rritet menjëherë me shpejtësi në rankimin e vet, nëse ka brenda mjekësinë. Tani këto janë dy universitete të ndara dhe po prek mjekësinë që është një nga krenaritë të sistemit tonë aktual akademik për të gjithë kapacitet që ka dhe për produktin që nxjerr, gjë që e tregon fakti që të diplomuarit nga universiti ynë i mjekësisë gjejnë vend në çdo sistem shëndetësor të Europës pa problem. Për të mos krijuar një terren polemike të panevojshëm në këtë moment, duke sjellë universitet e tjera si shembull, por ama për një gjë duhet të biem të gjithë dakord, nuk mundet dot ne, një vend kaq i vogël, me këto potenciale që kemi, që sado të mëdhaja qofshin prapë janë potencialet e një vendi të vogël, që të kemi në të gjithë territorin e Shqipërisë, universitete gjeneraliste, që i bëjnë të gjitha dhe që për shkak të faktit që bazohen tek nevoja për financim të drejtpërdrejtë, shtojnë ujë e shtojnë miell, duke shtuar mediokritetin dhe duke i hequr vetes mundësinë që të jenë ekselenca në një drejtim të caktuar, apo në dy apo tre drejtime të caktuara dhe jo në të gjitha drejtimet e mundhsme, kjo është gjë shumë e thjeshtë. Ajo që ndodh është që ne po humbasim kohë, po humbasim vite në pritje të diçkaje që nuk do ndodhë kurrë, që këtë ta bëjnë vetë universitetet. Nuk e bëjnë dot, për shkak se janë të shtrënguara nga kushte të caktuara financiare dhe nga konjuktura të caktuara të brendshme që lidhen me punësimi i këtij, punësimi i atij, po të bëhet kështu atëherë duhet të iki ky, sic banalizohen vizionet dhe projektet e mëdha në terrenin e një vendi të vogël.

Duhet të jemi të përgatitur dhe duhet të punojmë në një drejtim që, pa i hequr asgjë askujt, të krijojmë kushte që të gjithë të përfitojnë më shumë duke u bërë shumë më tepër tërheqës, qoftë për tregun e brendshëm, qoftë për sistemin e arsimit të lartë europian.

Gjëja që kemi parë dhe që kemi dëgjuar nga të gjitha kontaktet që kemi bërë deri më tani për ta nxitur ndërkombëtarizimin, e thashë, është që në 90% të rasteve duhet të përballemi me pyetjen “Po pse ky universitet bën gjithë këto gjëra, duke pasur një gjeografi të ngushtë dhe duke pasur një territor në të cilin është e qartë që mund të profilizohet shumë më mirë në dy-tre drejtime sesa të hapet me të gjitha”. Pse duhet të ketë juridik në të gjithë Shqipërinë? Pse duhet të ketë infermieri në të gjithë Shqipërinë?

Këtë ne duhet ta përballim sepse kështu siç është ky sistem nuk na çon larg. Jo vetëm nuk na çon larg, por i bën gjithmonë e më pak tërheqëse degë e dyer të caktuara universitetesh, të cilat pastaj detyrohen të ulin komplet pritshmërinë për cilësinë e atyre që marrin dhe të bëjnë një kompromis fatal për cilësinë e arsimit duke thënë “Jo, një pjesë do t’i marr edhe me pesa, sepse më duhen” ose  “duhet t’i marr me patjetër” e vijnë tek ne kërkesat “Ulni mesataren, ulni kërkesën se na duhen njerëz se përndryshe nuk e mbajmë dot”.

Si qenka kjo? Duhet ta shohim në të kundërt gjënë dhe i kemi të gjitha mundësitë për ta parë në të kundërt. Faktikisht, tani që jemi në kushtet kur po shohim që me hapa të vegjël, por me hapa kuptimplotë edhe kërkimi shkencor po rritet, edhe mundësitë për kërkim shkencor po zgjerohen, edhe mbështetja financiare për kërkimin shkencor po rritet dhe do rritet vit pas viti, ne patjetër që duhet të shikojmë nga cilësia sepse vetëm kështu do mund të mbajmë më shumë vajza dhe djem që mbarojnë shkëlqyeshëm nëpër gjimnaze për të studiuar këtu dhe vetëm kështu ne do të bëjmë atë që sot mund të duket si utopi, por që është komplet e realizueshme për të pasur studentë të huaj këtu. Këtë na e kanë thënë të gjithë. Në të gjitha vendet e perëndimit që ne kemi takuar, na kanë thënë “Ne duam të krijojmë këto lidhje sepse duam që edhe studentë tanë, vendas apo të huaj nga vende të tjera të Europës që vijnë tek ne, të mund të vijnë edhe atje sepse kemi nevojë për zgjerim të kapaciteteve ofertuese. Shumë e thjeshtë.

Këto kisha unë për të bërë hyrjen në këtë temë. Ministrja do flasë më konkretisht e pastaj, me shumë kënaqësi, do dëgjojmë këdo prej jush që ka diçka për të thënë.

 

* * *

(pjesë nga bashkëbisedimi me rektorët)

– Dy probleme do shtroja. Para disa ditësh shkuam në Universitetin e Janinës për të lidhur një marrëveshje me Universitetin tonë. Ajo që më bëri përshtypje, zyra e rektorit. “Ne nuk e kemi lyer mirë universitetin”, – tha, “por hajde shikoni laboratorët”. Dhe 1/3 e fondeve e merrnin nga qeveria, 2/3 i nxirrnin nga projektet pedagogët. Ai kishte një universitet që merrej me shkencë.

Unë jam mësues i fizikës. Sot besoj që shumica e dinë se cilët janë studentë  me mesatare që shkojnë në degën e matematikës dhe fizikës. Nëse këto 50 vjet kanë shërbyer këta që shikon nga mbrapa, kush do tu japi matematikë dhe fizikë nipërve tuaj?  Mendoj që qeveria krahas masave që ka marrë, ka nevojë për të vënë dorën më mirë. Matematika e fizika do jenë baza për të gjitha shkencat e tjera nëse duam vërtetë që të merren me punë shkencore, qoftë inxhinieri fizik, qoftë i ndërtimit dhe ka nevojë që mësuesit që do venë të kenë paga vërtetë më të larta, të diferencuara nga të tjerët. Faleminderit!

Kryeministrit Edi Rama: Faleminderit shumë për ndërhyrjen, e meqë ju prekët disa gjëra jashtë teme, por shumë brenda temës së përbashkët, unë dëshiroj të them, së pari, ai raporti që ju thatë, 1/3 financim i shtetit, 2/3 financime të garantuara nga vetë universiteti, është thelbi i drejtimit që ne e kemi marrë, por që akoma jemi larg së pasuri të konsoliduar.

Ne patëm një diskutim me rektorët për çështjen e pagave dhe duhet të jetë shumë e qartë që bota akademike, bota universitare është diçka ndryshe nga gjithë pjesa tjetër, që do të thotë, Universitetet nuk janë gjimnaze, nuk janë shkolla 9-vjeçare. Trupat pedagogjike nuk janë trupat e infermierëve apo të mjekëve, as të punonjësve të policisë apo të ushtarakëve e kështu me radhë, që janë trupa, të cilat mbahen vetëm me pagën e shtetit dhe që përgjithësisht, them përgjithësisht sepse tani me reformën e autonomisë spitalore do të diferencohen edhe pagat e mjekëve, sipas performancës, por janë përgjithësisht uniforme. Universiteti është midis jetës përpara sesa siç thuhej dikur, “të hyjmë ne jetë” dhe hyrjes në jetë, që do të thotë është midis shtetit dhe tregut. Që do të thotë, universiteti duhet ta ketë pjesë të ADN-së së vetë thithjen e të ardhurave nga tregu. Të jetë një aktor në treg, ashtu sikundër të jetë edhe një magnet për të thithur fondet nga të katërt anët për kërkimin shkencor, për projekte e të tjera. Kjo sjell domosdoshmërinë që ne të kuptojmë që koha kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniforme sepse kërkojnë sindikata, ka mbaruar bashkë me reformën e arsimit të lartë, e cila është e shkruar autonomia është liri, është dhe përgjegjësi. E tha ministrja, ne është hera e fundit që bëjmë rritje page uniforme. Do të mbështesim më shumë ata që i sjellin më shumë shoqërisë e ata që janë në gjendje t’i ofrojnë më shumë studentëve. Nuk ka rrugë tjetër. Patjetër që nuk mund të ketë rritje page për universitetet që të mos jetë një rritje page e kombinuar, midis mbështetjes së shtetit dhe të ardhurave që universiteti i garanton, jo nga tarifat e studentëve, ajo është një bazë, por nga futja si aktor në treg. Prandaj ai komponenti i tretë komplet i munguar duhet të jetë e do të jetë për ne prioritet.

Kampuset universitare sot, ju e dini më mirë se unë, unë për shkak të kësaj detyre kam parë dhe jam përpjekur të mësoj sa kam mundur, por ju e dini shumë më mirë, kampuset universitare, sot nuk janë fjetore. Pra, kemi mësimin, kemi dhe fjetoren, por janë dhe hapësirat ku takohet universiteti me biznesin dhe tregun. Në kampuset universitare, sot është e padiskutueshme kudo prania e bizneseve të interesuara për t’u afruar tek universiteti, që ta shfrytëzojnë kërkimin shkencor aty brenda për interesat e veta e sigurisht të paguajnë për këtë. Unë jam i bindur që Universiteti Bujqësor me reformën që po bën, me qasjen e re falë lidershipit të rektorit, është një nga kontributet më të rëndësishme të Partisë Demokratike në jetën e vendit rektori, por unë e çmoj për atë që bën dhe bashkëpunojmë më së miri, do të jetë vendi ku kampusi do të sjellë aty kompani të cilat do të jenë të interesuara për të marrë dijen e universitetit dhe për të rritur të ardhurat e tyre duke paguar mbrapsht universitetin, e para.

E dyta, çështja e bursave, e ngriti ministrja. Ne kishim një sistem i cili ishte qëllim mirë, i nisur nga qeveritë e mëparshme për bursat e ekselencës në shtete të tjera. Financonim deri vjet një shumë të konsiderueshme parash, për rreth 20 veta, me idenë që t’i shkollojmë këta jashtë në universitetet më të mira të botës kuptohet, shqiptarë me xixa, me pesë yje, e këta ne të na kthejnë mbrapsht kontribut. Të tërë këta kanë ikur. Të tërë, pasi kanë firmosur marrëveshjen që unë do shkoj atje e do vij t’ia kthej atdheut. Të tërë të ikur!  Atëherë për çfarë do duhet ne të vazhdojmë t’i financojmë këta? Kur as nuk përgjigjen, të thonë që jam këtu. Sigurisht, kanë oferta fantastike të menjëhershme se në ato universitete ku shkojnë të gjithë mezi presin ti marrin, ti fusin nëpër kompanitë më të mëdha të botës. Kjo për ne është e papranueshme që një vend si i yni që nuk hyn tek vendet e pasura por hyn tek më pak të pasurat, të financojë me para kapital njerëzor që e marrin kukudhët e mëdhenj të kapitalizmit botëror, kjo nuk ka më sens. Atëherë ne të gjithë këtë fond e kemi kthyer për studentët këtu dhe nga 20, ne mund të shkojmë deri në 400, të cilët do të paguhen me rrogë minimale. Pagë minimale, si student e kështu përsëri vlerësojmë meritën. Ashtu sikundër ne nuk mundet dot të furnizojmë me mjek Gjermaninë. Paguajmë ne, ua bëjmë gati, vjen gjermani kur thonin filmat, edhe na i merr. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Kuptohet pra është tregu që vendos, nuk ka diskutim, ne nuk mund ti ndalojmë. Për fat të mirë sot nuk kemi mungesë mjekësh në republikën e Shqipërisë, as mungesë infermierësh, që ta dëgjojnë të gjithë me këtë rast që mos dukem sikur po qahem që nuk kemi. Përkundrazi, kemi akoma në listë pritje mjekë dhe infermierë që presin të punësohen. Por, Italia sot ka 40 mijë mjekë dhe infermierë mungesë. Ne nuk do presim të shkojmë në atë stad. Kështu që e para, diplomën e mjekët nuk do ta japim sapo të mbarosh shkollën. Do shkosh një herë t’ia kthesh popullit tënd atë që ka bërë për ty, pastaj do marrësh dhe diplomën e pastaj shko ku të duash, sipas afateve të caktuara. Për më tepër, e dimë shumë mirë se si në shumë vende, mjekët që janë standardi më i lartë i shërbimit human, nuk i marrin diplomat menjëherë por duhet të tregojnë dhe që janë të zotë tu shërbejnë njerëzve përveç se të japin provime, se nuk mund të vazhdojë kjo histori kështu. Ashtu sikundër, do vazhdojmë siç kemi filluar betejën në nivel ndërkombëtar në komunitetin e ri politik europian, për pjesën që fola për universitetet, do vazhdojmë të kërkojmë mbrapsht të na e kthejnë investimin. Duan t’i marrin në Gjermani, t’i marrin, por duhet të kthejnë investimin. Nuk mund të paguajë populli shqiptar për mjekët e Gjermanisë. E nuk është vetëm Gjermania se ka dhe vende të tjera. E kam fjalën që Bashkimi Europian, duhet të gjejë formën që të kthejë diçka në mënyrë që… e nëse ne kemi mundësi edhe për vete, edhe për Europën, nuk ka problem. Nxjerrim më shumë, me të njëjtën cilësi, duke krijuar sinergjitë me universitetet e tyre, pra duke u dhënë mundësi që të kenë diploma të së njëjtës vlerë, jo vetëm kur dalin nga universiteti i mjekësisë, por dhe nga mjekësia në Durrës, por dhe nga të tjera burime. Ama ne nuk mund të jemi në këtë pozitë pasive, kjo është çmenduri. Tregu atje ka një kapacitet thithës dhe ka një ofertë që jo ne, por po ju them Italia, 40 mijë sot mungesa.

E fundit, ju e prekët atë dhe prapë këtu vijmë tek prioritizimi i financimit, se ashtu siç thashë patjetër që ne duhet të financojmë më shumë aty ku shoqëria merr më shumë, për ti dhënë edhe mesazhin të tjerëve që nuk mundet dot të rrini në pozita pasive e të vazhdoni me furnizimin e mediokritetit për të mbajtur disa njerëz me rroga në punë. Lëvizni dhe bëhuni pjesë e nivelit mesatar e lartë, duke ofruar diçka tjetër. Po ashtu, ne nuk mund të presim që tregu të vlerësojë matematikën e fizikën, se matematika e fizika duhet siç e thatë ju për të garantuar të tjera, por në vetvete ose i shkojnë sistemit arsimor, pra nuk janë degë ku kush nuk do të bëhet mësues thotë, “po shkoj atje se do rrëzoj Ajnshtajnin”. Atëherë çfarë duhet? Duhet që ne të shtojmë financimin për ato degë e ti bëjmë ato degë atraktive pikërisht duke marrë ne më shumë përsipër, sepse mjekësia është atraktive vetë. Gazetaria, komunikimi, hyjnë tek 3-4 të parat që janë atraktive sepse ka treg dhe thonë ata që hyjnë, po shkoj atje, po marr disa dije e po shkoj nëpër media, nëpër departamente. Informatika ka treg, por matematika e fizika janë vlera themeltare që duhen kultivuar në një formë tjetër, kështu që për të gjitha këto arsye, duke parë gjithë këtë panoramë në mënyrë të plotë, na duhet të reformojmë përsëri sistemin, në aspektin e krijimit të një sistemi universitar i cili të jetë në gjendje të përmbushi kushtet për tu rankuar në mënyrë dinjitoze. Ne nuk mund të kemi një nga 10 universitetet më të mira të Europës, por Universiteti i Tiranës duhet të jetë një ndër 200 të parat në Europë se përndryshe nuk ka kuptim. Atëherë, kjo është ambicie e madhe por është e realizueshme. Nëse Universiteti i Tiranës sot ka 8 projekte që është lider në sinergjitë me universitete të Bashkimit Europian, me financimet europiane, kjo do të thotë që kapacitetet janë. Por si do ta çojmë ne Universitetin e Tiranës në 200 të parët? Do ta çojmë duke ndjekur pikërisht një nga një, të gjitha kushtet që duhen e duke plotësuar të gjitha kushtet që duhen e duke financuar më shumë. Atëherë unë do t’i ftoja disa nga universitetet të bëjnë një reflektim. Janë të destinuara ti bashkohen Tiranës, nuk ka rrugë tjetër. Sot është vonë. Janë të destinuara ti bashkohen Universitetit të Tiranës e të jenë filiale, nuk ka rrugë tjetër. Ose janë të destinuara të ndryshojnë komplet strategji dhe të fokusohen në gjëra që i bëjnë vetëm ata. Për çfarë do shkojë në një province të Shqipërisë një student nga Tirana? Në rast se nuk është ndonjë i dëshpëruar. Për çfarë do shkojë? Vetëm nëse shkon në Universitetin e Tiranës, pavarësisht se mund të jetë në një provincë, ose nëse atje merr diçka që nuk e merr dot në një vend tjetër. Këto të dyja, tjetër gjë nuk ka asnjë shans e prandaj gjëja që na ndodh është që pastaj gjendemi përpara një papunësie rinore që sot është shumë më e ulët për hir të vërtetës së sa ishte por që është një papunësi e investuar, sepse i ke dhënë një iluzion, duke i thënë, “shko atje, merr një diplomë”. Për çfarë i duhet ajo diploma? Universitetet nuk mund të jenë si skuadër futbolli të kohës së dikurshme, se tani skuadrat e futbollit marrin të huaj, por si skuadrat e futbollit dikur. Elbasani, elbasanasit. Shkodra, shkodranët. Gjirokastra, gjirokastritët. Tirana, tironsit, nuk funksionon mendoj unë, e nuk është se po them një gjë të madhe se kjo është një gjë që dihet. Këtu universitetet kanë një gë që e kanë të pamundur të mos e mësojnë nga jopubliket, që quhen sipas ligjit. Jo publiket kanë më shumë larmi. Është fakt. Janë të pozicionuara pjesa më e madhe në Tiranë, dakord, por kanë më shumë larmi studentësh, flas krahinash. Pse? Sepse ofrojnë diçka që e çojnë studentin të thotë, “do shkoj atje për këtë gjë”.

E fundit fare për pagat. Ka dhe një element tjetër. Ne jemi të detyruar që paralelisht me rankimin të bëjmë një rivlerësim ligjor të thellë të të gjitha universiteteve. Është bërë një vlerësim i parë ligjor disa vite më parë por nuk është e thënë që dikush që i ka plotësuar të gjitha 7 vjet përpara, t’i ketë prap të gjitha të plotësuara. Kështu që do të bëjmë një vlerësim të thellë të të gjithë universiteteve, publike e private, paralelisht me këtë procesin e rankimit, për të parë deri në fund konformitetin me ligjin, jo thjesht si një gjë teknike, por si esencë. Në funksion të performancës. Sa kemi ne pedagogë për shembull, e kuptoj shumë mirë që për shkak të një  page që është ende jo plotësisht e kënaqshme në universitetin publik, shkojnë në universitete private e aty tjetër deklarohet, tjetër marrin. Është fakt. Nuk po them të gjithë, por është fakt. Nuk mund ta pranojmë ne të kemi pedagogë të regjistruar në librin e pagave sikur punojnë në fason. Se nuk e ha njeri, është shumë e rëndë kjo. Dakord, është një periudhë kohore, por edhe në këtë aspekt ne do t’i bëjmë një thirrje paraprakisht universiteteve private, por dhe pedagogëve që në rast se ka mospërputhje midis pagës së deklaruar e pagës së marrë, duhet ta korrigjojnë, sepse procesi do të shkojë në kontrollin e pasurisë, vetvetiu, siç e bën gjithë bota. Nëse më tregon që ke kaq dhe ndërkohë ke 2 vetura, e këtë e atë, atëherë më fal, ku i gjen këto? Natyrisht që nuk i gjen nga aktivitetet kriminale, i gjen nga fshehja e të ardhurave. Realiteti i vërtetë i pagës është ndryshe, që të jemi shumë të qartë. Po të shohim gjithë këtë financim të shtuar, flas për universitetin e Tiranës, më shumë se 400 pedagogë nga afro 800 që ka universiteti që kanë akses në financime të huaja dhe natyrisht të merituara plotësisht dhe i heqim kapelën, e duam që të marrin edhe më shumë, e po të shohim edhe dy punësimin me universitetet private, një pjesë e të cilit është ca në të bardhë, e ca në të zezë, jemi në tjetër realitet e pastaj ai 7% duket shumë, në raport me zjarrfikësit të cilëve paga iu rrit 7% e të cilët meritojnë shumë më tepër por meritonin që tani të kishin 15%. Pse nuk e morën 15%? Se nuk ishte mundësia tani, në buxhetin e ri të vitit që vjen, zjarrfikësit do kenë një pagë shumë më të lartë, domethënë një rritje shumë më të lartë se 7% për shkak se me zjarret merremi gjithmonë e më shumë ne dhe gjithë bota dhe ata futen në zjarr. Tani më fal, duhet të kemi dhe një sens të realitetit, duhet të lëmë dhe një radhë në nevojtarët e sotëm të këtij vendi mendoj unë.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Është e vërtetë që ne kemi rënë dakord që një grup i përbashkët, por qëllimi është që roli i universitetit të jetë parësor në këtë grup, të na japë mundësinë që të bëjmë një projeksion ku e duam ne arsimin e lartë në vitin 2030 dhe natyrisht që për të bërë një projeksion të realizueshëm, është e domosdoshme që të punojmë bashkarisht dhe është e domosdoshme që universiteti të ketë rol kryesor se mund ta bëjmë ne projeksionin në mënyrë të njëanshme, por mund të jetë krejt i papërputhur me çka universiteti vetë shikon si të mundur, e para. E dyta, jo një projeksion si një program partie apo program elektoral, por një projeksion si bazë për t’u marrë vesh qartë se për të arritur ku biem bashkarisht dakord, këto janë detyrat e njërës palë dhe këto janë detyrat e palës tjetër, që të mos rrimë të spekulojmë sipas konjukturave apo më keq akoma, që të mos shfrytëzojmë momente si ky, që është një moment kur kemi hyrë zyrtarisht, besoj unë është diçka e ditur, në një epokë të re kërcënimi, jo Shqipëria por gjithë dynjaja në këtë anë të botës ku jetojmë ne.

Duke pasur një projeksion të tillë dhe duke pasur, mbi bazën e këtij projeksioni, edhe një hartë të rrugës për të arritur aty biem dakord se duhet të arrijmë në 2030, jemi shumë të qartë pastaj se kush bën çfarë dhe jo vetëm kush bën çfarë, por edhe brenda për brenda sistemin universitar, cilat janë kushtet që duhet të plotësosh për të qëndruar në këtë pozicion apo pse duhet të lëvizësh në një pozicion tjetër, apo tjetër e tjetër. Flas për universitetet kur flas për pozicione. Pa bërë këtë, mos kërkoni më nga ne të rrisim rrogat. Duhet të biem dakord për këtë, që partneriteti të jetë strategjik dhe të jetë i balancuar që të vijmë tek ajo që çfarë kontributi duhet të japë shoqëria përmes taksave në mënyrë direkte, por ama çfarë duhet të marrë mbrapsht shoqëria duke dhënë këtë kontribut. Këto të dyja duhet të shkojnë paralelisht dhe nuk flasim për të bërë një projekt për pas një viti apo dy vjetësh, flasim për të bërë një punë që brenda vitit duhet të marrë një formë të atillë që pastaj ta hedhim për diskutim dhe menjëherë nga fillimi i vitit të ardhshëm të biem dakord që “Kjo është” dhe kjo është ajo që kërkohet nga ju dhe kjo është ajo që ju mund të kërkoni nga ne apo kushdo qoftë, këtu në vendin tonë, në mënyrë që spekulantët dhe manovrimet “Hajde ta shtyjmë dhe këtë vit e pastaj shohim vitin tjetër”, apo “Hajde ta shtyjmë njëherë pastaj shohim” të mos kenë më hapësirë sepse këtu koha është realisht flori dhe ne duhet realisht ta mbështesim njëri-tjetrin. Ashtu sikundër, unë besoj që edhe ky format që u krijua sot për të diskutuar fillimin e punës për rankimin, që është absolutisht diçka që do të bëhet, jo paralelisht me akreditimin, por do t’i shkojë pas akreditimit, nuk diskutohet se çdo rankojmë ne, universitete apo programe që kanë programe të paakredituara, nuk bën sens.

Këtë format, ne, siç kemi Komitetin e Politikave me rektorët dhe një përfaqësues nga universitetet jopublike, ta kthejmë në një forum që të paktën tre herë në vit të mblidhet për të diskutuar çdo gjë që ju e konsideroni të rëndësishme, që dhe zëri i universiteteve jopublike të vijë më i plotë, të vijë në kor, siç vjen zëri i universiteteve publike.

E fundit për atë që u tha, Bordi i Akreditimit është i pavarur dhe nuk besoj se ka dyshime për këtë; është thellësisht, totalisht i pavarur. Ka qenë, por tani është edhe më. Është ngritur siç e keni parashikuar në ligj. Unë nuk jam autor i ligjit, një nga autorët foli, sapo, është rektor aktualisht, nuk ishte atëherë. Këtu ka edhe ndoshta të tjerë që kanë marrë pjesë. E kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur këtë shqetësimin e kohës.

Është mirë që ne, në takimin e ardhshëm të Komitetit të Politikave të ftojmë Bordin e Akreditimit, të vijë dhe të ballafaqohet me ju me faktet sipas tyre dhe sipas jush dhe ku qëndrojnë problematikat që mund të adresohen me kohën, se ne nuk mund ta themi dot a bëhet shpejt a bëhet vonë. Këtë nuk mund ta themi ne. Ne mund të ndihmojmë ose mund të mbështesim, duke parë bëtë ballafaqim.

Kështu që, në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Politikave, ulemi, ftojmë edhe Bordin. Mundësisht, kryetarja e Bordit, që është një zonjë shumë e nderuar, të jetë prezent. Të tjerë mund të jenë edhe në Zoom, nuk ka problem, por të bëjmë një ballafaqim për këtë. T’u japim dhe atyre kohë të përgatiten e të vijnë me argumenta dhe ju t’i ballafaqoni argumentat me ta sepse e thënë siç unë e dëgjoj, është problem, por duhet të dëgjojmë edhe këmbanën tjetër që të kuptojmë, për shkembull, pse zgjasin këto procese dhe si mund të përshpejtohen, nëse mund të përshpejtohen.

Përsa i përket tarifave për akreditimin, prapë dhe kjo është pjesë e autorësisë, copyright e keni ju. Po, po por për fat të mirë që kur e bëtë reformën, nuk e bëtë siç bëheshin dikur ligjet, për vete se i bënin ligjet për vete pastaj e hanin me ligjet e tyre. Ju nuk e keni menduar kështu, kështu që ne nuk na akuzoni dot. Megjithatë, edhe këtu prapë e shikojmë, nuk ka problem sepse edhe sikur të jetë e shkruar nga ju, nuk është e shkruar në gur. Kështu që, ju e bëni, ju doni ta zhbëni, hajde të flasim si, në mënyrë që të mos bëjmë gjëra thjeshtë të momentit.

E fundit që kam unë për rankimin, ne duam që, e para njëherë, ta bëjmë bashkarisht sepse për këtë e bëmë takimin, që do të thotë të ndërtojmë bashkarisht rrugën se mbi cilin model do bazohemi, çfarë modelesh do kombinojmë sepse mesa unë kam parë, duke u përgatitur për këtë takim, ka modele edhe të kombinuara dhe patjetër, si do bëhet, kush do ta bëjë, që të mos ndodhë ajo gjëja e tmerrshme që bëhemi 3 palë shqiptarë që nuk merremi vesh me njëri-tjetrin, me Bordin e Akreditimit kemi eksperiencë fantastike në aspektin e profesionalizmit dhe të pavarësisë. Edhe me rankimin besoj mund të ndërtojmë një strukturë që të jetë fleksibël, transparente dhe e pavarur. Mund ta bëjmë dhe për këtë duhet të biem dakord bashkarisht.

Është shumë e rëndësishme që këtë lloj arbitri ta pranojnë lojtarët, se në qoftë se lojtarët nuk pranojnë arbitrin dhe nuk pranojnë rregullat e lojës, atëherë bëhet më e vështirë. Për këtë do bëjmë një proces.

Ju jeni, realisht, të mirëseardhur të jepni sugjerime. Edhe për çështjen e akreditimit, unë mendoj që do ishte mirë që paraprakisht, secili prej jus hqë ka rezerva, kritika, sugjerime, t’i bëjë me shkrim dhe ne tua japim antërëve të Bordit që kur t’i ftojmë të vijnë të përgatitur dhe ta dinë se për cfarë janë të thirrur në kauzë dhe pastaj ata të sjellin gjithë përgjigjet e tyre, reagimet e tyre, të thonë se cfarë ata mendojnë se mund të ndryshojë apo pse ata mund të mendojnë që kjo nuk duhet të ndryshojë e kështu me radhë.

E fundit fare, sa i përket asaj diferencimit që u përmend këtu, unë nuk jam njeriu i duhur, me thënë të drejtën, për të folur këtu sepse unë kam pasur, personalisht, një qasje ndryshe pak nga cfarë vendosën reformatorët për këtë. Për mua, diferencimi midis universiteteve publike dhe jo-publike është i madh dhe i padrejtë por si Kryetar i Partisë Socialiste, unë këtu ndalem. Ndërkohë që, për ta shtjelluar edhe pak, unë mendoj që nëse ne do të kemi një sistem që të jetë me integritet, që të jetë eficent dhe që të jetë i garantuar, nga pikëpamja e certifikimit të standarteve, atëherë kjo diferencë duhet ngushtuar. Minimalisht, duhet ngushtuar. Nuk po them të jetë e njëjta gjë sepse dihet që ata që vijnë në universitete private janë njerëz që kanë mundësi më shumë sesa një pjesë e madhe e atyre që shkojnë në universitete publike, por gjithsesi unë mendoj që diferenca është e madhe.

Ky është thjesht një opinion i imi dhe nuk ka asnjë vlerë në këtë moment sepse në këtë moment kështu i kemi kornizat dhe mbi këto korniza do punojmë. Ama, nëse sistemi do të konsolidohet dhe nëse do jetë e padyshimtë edhe cilësia, edhe transparenca, edhe eficenca e këtyre institucioneve, atëherë do duhet të rishikohet e gjithë skema. E ripërsëris, për mua, sidomos në kontekstin shqiptar që ne e dimë shumë mirë “kush bën çfarë” sepse një pjesë e madhe janë po ato pedagogë, që do të thotë po ato kapacitete, atëherë përderisa të kemi një sistem të tillë dhe kjo është bisedë e parakohshme, por nëse do arrijmë në këtë sistem, ne duhet të ndryshojmë edhe koncept. Kjo publike dhe jo-publike është një ndarje që qysh në fillim krijon një problem, ndërkohë që universitet që janë shërbim publik për të gjithë, financohen nga shteti disa, financohen nga privati disa të tjera,kjo është diçka tjetër. Ky është shërbim publik, nga i cili ne duhet të kërkojmë maksimumin njësoj dhe nëse kërkojmë maksimumin njësoj, atëherë duke marrë parasysh dallimet, duhet të ngushtojmë diferencimin për t’i dhënë më shumë fuqi ekselencës dhe cilësisë, sesa sasisë dhe mediokritetit.

Previous Mbledhja e KKIE, Ministrja Xhaçka: Raporti pozitiv i KE, shtysë për ta bërë realitet sa më shpejt anëtarësimin tonë në BE