Ditën e sotme, Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Agjencinë për Media dhe Informim (MIA), organizuan një takim informues me të rinjtë që janë pjesë e praktikës profesionale pranë institucioneve të kësaj ministrie, mbi të drejtat themelore, transparencën institucionale dhe integrimin europian, e ku përfshirja e tyre në këtë diskutim synon të forcojë ndërgjegjësimin mbi reformat ligjore dhe të lehtësojë aksesin në drejtësi për qytetarët.
Kjo pasi Ministria e Drejtësisë ka një rol kyç në forcimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore, në kuadër të procesit të integrimit europian. Referuar kësaj, raportimi për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, mbetet një nga angazhimet kryesore të institucionit, duke pasqyruar progresin e reformave në drejtësi dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Nga ana e saj, Agjencia për Media dhe Informim, luan një rol të rëndësishëm në përçimin e politikave shtetërore dhe forcimin e transparencës institucionale, duke informuar qytetarët mbi reformat dhe progresin e Shqipërisë, në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Ndërlidhja e këtij misioni të MIA-s, me veprimtarinë e Ministrisë së Drejtësisë, është thelbësore për të siguruar një qasje gjithëpërfshirëse ndaj reformave në drejtësi dhe për të inkurajuar angazhimin qytetar – veçanërisht të të rinjve – në proceset institucionale dhe demokratike.
