“OSHEE Charge”, shërbimi i ri publik për karikimin e mjeteve elektrike me energji të pastër

Shqipëria do të nisë ngritjen e rrjetit publik të karikimit për automjetet elektrike, përmes projektit të ri kombëtar “OSHEE Charge”, i prezantuar sot nga Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Projekti synon të mbështesë kalimin drejt transportit të qëndrueshëm dhe reduktimin e ndotjes, duke siguruar pika karikimi në zona strategjike dhe me energji nga burime të rinovueshme.

Stacioni i parë do të ndërtohet në hyrje të Tiranës, në segmentin TEG-Farkë dhe do të përfshijë 10 njësi karikimi të shpejtë (fast charger), me kapacitet për të karikuar deri në 20 automjete brenda 10 minutave. Qëllimi është zgjerimi i rrjetit përtej Tiranës, duke mbuluar korridoret turistike dhe zonat urbane ku aktualisht mungon infrastruktura e karikimit.

Balluku u shpreh se shërbimi do të ofrojë çmime konkurruese dhe energji të prodhuar tërësisht nga burime të rinovueshme, si pjesë e tranzicionit të gjelbër në transport dhe përputhjes me objektivat e Bashkimit Evropian. Ajo vuri në dukje se tregu aktual i karikimit është ende i parregulluar dhe me kosto të larta, për shkak të mungesës së një kuadri të unifikuar për rishitjen e energjisë.

Ministrja shtoi se në vijimësi prioritet mbetet përgatitja e Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, liberalizimi i plotë i tregut të energjisë dhe zgjerimi i prodhimit nga burimet e rinovueshme përmes ankandeve transparente.

“OSHEE Charge” vlerësohet si një hap drejt ndërtimit të një rrjeti kombëtar karikimi, që mbështet transportin elektrik dhe përmirëson cilësinë e ajrit në qytete.