Dialogu kombëtar me sipërmarrjen për domosdoshmërinë e rritjes së mëtejshme të pagave në sektorin privat, vijoi sot në kompaninë, Fital Sh.p.k pjesë e industrisë së manifakturës, me rreth 1000 të punësuar, ku Kryeministri Edi Rama u takua me punonjës dhe drejtues të kësaj kompanie, prej vitesh shembull në zbatimin e praktikave të qëndrueshme të rritjes së pagave dhe në trajtimin me dinjitet të punonjësve.
Kryeministri Rama theksoi se masat e ndërmarra nga qeveria, të cilat do të shoqërohen nga të tjera në vijim janë vendosje në krahun e punonjësve për të luftuar bashkë me sipërmarrësit e përgjegjshëm logjikën e shfrytëzimit të krahut të punës.
* * *
Shumë faleminderit për mikpritjen dhe besoj që për ju nuk është keq kjo ndërprerje e punës, se bëni pak pushim!
Ndërkohë që për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që të vazhdojmë të komunikojmë dhe do ta bëjmë me shumë këmbëngulje në vijim lidhur me një situatë në të cilën koha më shumë se asnjëherë tjetër nuk pret në raport me pagat.
Ajo që është e para që dua të them është se këtu u fol për 300 punonjëset kryesisht gra, pa gratë ju do kishit marrë fund, dhe disa punonjës, por 300 që kanë themeluar së bashku me sipërmarrësin këtë biznes dhe ndërkohë vitet kalojnë dhe nevojat rriten, por edhe pretendimet e atyre që vijnë më pas që janë më të reja, që janë më të rinj rriten dhe procesi i zëvendësimit që dalëngadalë ka nisur se kjo industri u bë tanimë 30 e kusur vite që është themeluar si industri manifakture dhe edhe këtu, në këtë sipërmarrje vitet kalojnë si kudo tjetër, por ama procesi i zëvendësimit të forcave të kualifikuara të punës bëhet gjithmonë e më i vështirë, në rast se sipërmarrja nuk do të kuptojë se me këto paga nuk shkon larg.
Ashtu sikundër, në një pjesë të rëndësishme rastesh ne konstatojmë që edhe ata që e kanë një punë mendojnë dhe jo rrallë dhe largohen nga ajo punë sepse kërkojnë më shumë.
Natyrisht që pagat janë një çështje që lidhet drejtpërdrejtë me produktivitetin, pra në fund të fundit paga lidhet me çmimin. Çmimi lidhet me cilësinë e produktit dhe me tregun dhe çdo rritje pagash që shkon përtej këtij raporti faktikisht çon në falimentim.
E njëjta gjë ndodh dhe me pagat në sektorin publik mirëpo pyetja sot që shtrohet është: a janë pagat sot në sektorin privat pasqyrë e produktivitetit apo janë pasqyrë e një qasjeje kapitaliste që është në skajin e vet, se ne e kemi zgjedhur këtë sistem dhe nuk po vëmë në pikëpyetje sistemin dhe logjika e kapitalizmit është ajo që udhëheq gjithë veprimtarinë e këtij sistemi. Ama ajo që po shohim sot dhe ajo që po e ndiejnë sot të gjitha kompanitë dhe të gjitha sipërmarrjet është se në fund të ditës, nëse ti nuk ke me vete forcat e punës dhe nëse ti nuk ke me vete ata, të cilët realizojnë prodhimin apo shërbimet për të cilat ti investon, të gjithë të tjerat bëhen zero dhe kompanitë sot po shohin që burimet njerëzore, që forcat e punës po fillojnë të mungojnë.
E kemi dëgjuar prej kohesh që, “kemi vende pune, por s’kemi specialistë”, por sot kjo ka shkuar një hap më tutje. Nuk është më, “kemi vende pune, por s’kemi specialistë”, por “kemi vende pune por s’po kemi as punëtore”, pra s’po kemi as krahë të thjeshtë pune. Kjo kërkon një reagim dhe kjo kërkon një reagim të shpejtë, natyrisht duke filluar nga paga dhe ne besojmë dhe prandaj kemi ardhur këtu, kjo është një kompani, e cila nuk ka nevojë për këtë fjalim timin edhe pse pa diskutim ka nevojë për t’i rritur më tej pagat, por është një kompani, e cila nuk e ka pritur vendosjen e rritjes së pagës minimale nga shteti, por e ka vendosur pagën minimale më lartë se çfarë e ka patur shteti. Është një kompani ku ato 300 punonjëset e para sot kanë një pagë neto, pra pagë që e marrin dhe e çojnë në shtëpi 500 mijë lekë. Pra, këtu jemi pikërisht në një kompani që nuk është e vetmja fatmirësisht, ka plot të tjera që me shembullin e vet tregon se nuk është e vërtetë teoria që po u rrit paga minimale do falimentojë industria dhe duhet të mbarojë, në radhë të parë në mendjen e sipërmarrësve shqiptarë, kapitalistëve shqiptarë filli i logjikës së shfrytëzimit deri në skaj të krahut të punës. Kjo që ne po bëjmë dhe do ta shoqërojmë me masa të tjera është pikërisht një vendosje në krahun e punonjësve për të luftuar bashkë me sipërmarrësit e përgjegjshëm logjikën e shfrytëzimit të krahut të punës.
Shqipëria nuk mund të shkojë më tutje dhe nuk mund të arrijmë aty ku duam dhe ku me siguri do të arrijmë, me idenë që ka një krah pune të lirë në raport me të tjerët. Nuk e vendos më kjo zhvillimin sepse kjo faktikisht po godet palcën e ekonomisë që është pikërisht forca e punës. Po ul kapacitet për punë sepse nuk arrin dot, se ne nuk mund të pranojmë dot që paga minimale e cila nga prilli do të jetë 40 mijë lekë të jetë njësoj edhe në ndërtim.
E para, sepse kjo nuk është më pagë, kjo është shfrytëzim.
E dyta, sepse kjo është e pavërtete në raport me gjithë ciklin ekonomik dhe financiar të ndërtimit. Nuk është pasqyrë e asaj që thamë, e produktivitetit, por është pasqyre e shfrytëzimit.
Natyrisht që qeveria në këtë sistem nuk vendos dot pagat. Madje ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese të viteve më parë që e ndalon qeverinë të vendosë paga reference për çdo sektor, por ama askush nuk e ndalon qeverinë që kompanive të ndërtimit t’iu thotë: ju nuk merrni më leje ndërtimi, ju nuk pranoheni më në tendera në qoftë se keni punëtore që paguhen nën një pagë të caktuar e cila nuk do të jetë një pagë arbitrare që e vendosim ne, se kjo do të thotë pastaj ta çosh ekonominë në humnerë, por duhet të jetë një pagë e cila del nga analiza e vetë tregut dhe del nga vetë operatorët, se fatmirësisht sot ne kemi kompani të cilat ecin me këtë mentalitet që ne duam ta kenë të gjithë dhe ne po japim shembullin vetë si qeveri.
Bëmë rritjen e pagës minimale dhe rritja e pagës minimale ne na detyron të rrisim edhe pagat e tjera sepse duhet ai korrektimi i domosdoshëm që folën dy kolegët më përpara, por nga ana tjetër rritëm pagat e mjekëve specialist sepse përndryshe nuk do kemi më mjekë specialistë dhe në fund të ditës qeveria është këtu për të garantuar që në të gjithë sistemin e shërbimit shëndetësor kombëtar mjekët specialistë të jenë në dispozicion të publikut. Ne do të marrim dhe masa të tjera. Ne nuk do vazhdojmë të financojmë masivisht koston e studimit të mjekëve në rast se mjekët nuk angazhohen që për një periudhë kohe t’i shërbejnë popullit të tyre, se ne nuk financojmë me taksat e qytetarëve, studentë në mjekësi që pastaj ata të shkojnë e t’i shërbejnë popullit gjerman.
Arsyeja pse qeveria financon studime dhe mbulon kosto dhe shpenzime të studentëve është që këta studentë t’i shërbejnë popullit këtu dhe që qeveria të përmbushë qëllimet e vetë shtetit dhe misionet e funksionet e sistemeve të shërbimeve publike këtu, por qoftë e para, pra paga minimale, qoftë kjo e mjekëve, qoftë dhe paga të tjera të targetuara që ne do të rrisim siç kemi bërë më parë me pagën e gjykatësve dhe prokurorëve; sot gjykatësit dhe prokurorët e Republikës së Shqipërisë që ta dini ju, paguhen më shumë sesa ne që jemi këtu, por është bërë për të mbështetur reformën në drejtësi dhe për të mbështetur gjithë atë proces ku ne duam të kemi njerëz të cilët të zbatojnë atë që ne kemi të shkruar ne letër.
Ama jemi të vetëdijshëm që kjo nuk mjafton dhe për këtë arsye po bëjmë një analizë të thellë dhe së shpejti do të bëjmë publik një studim dhe një plan për rritjen e pagave më tej dhe nëse sot, për shembull, me mjekët specialistë, ku menjëherë u vendosëm në nivelin e lartë të rajonit, këtë duhet ta realizojmë kudo dhe kjo kompani këtu është një shembull, nisur nga taksat që ka paguar, nisur nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore që ka paguar dhe prandaj ne siç erdhëm këtu do shkojmë dhe në kompani të tjera sepse këta sipërmarrës janë aleatët tanë.
E fundit që kam është që në rast se kjo kompani punon ditën dhe të shtunave, por ama shton për ata që punojnë të shtunën, pjesë në pagë, këto janë gjëra për të cilën ne do të bëjmë çmos që punonjësit të kenë fjalën e tyre, të kenë zërin e tyre. Ne nuk mund t’i zëvendësojmë dot sindikatat dhe rolin e tyre.
Fatkeqësisht, sindikatat në Shqipëri janë fantazma. Më vjen shumë keq ta them, por kështu janë. Ama nga ana tjetër, me ato mjete që përmendi zëvendësministrja, e cila është personi i ngarkuar me të gjithë përgjegjësinë për të udhëhequr gjithë këtë proces në gjithë planin horizontal të çështjeve të punës, punësimit, të arsimit profesional, të të drejtave të punonjësve, ne mund të bëjmë të mundur që edhe ky aspekt që fola, por dhe aspekte të tjera, të jenë pjesë e marrëdhënies kontraktuale mes punonjësve dhe sipërmarrësit.
Punonjësit kanë nevojë për mbrojtje, pavarësisht se sipërmarrësi mund të jetë më i miri i mundshëm dhe këtë mbrojtje nuk mund t’ia garantojë vetë sipërmarrësi, por duhet t’ia garantojë në radhë të parë, informimi i tyre për të drejtat që kanë në bazë të ligjit.
Nga ana tjetër, vetëdija e tyre se ne sot e kemi me ligj, që nuk të shkarkon dot pa të paguar dëmet një sipërmarrës që për shembull, nuk ta jep gjithë pagën. Ne kemi raste të dhimbshme sipërmarrësish që i japin një pjesë të pagës në të zezë. Mirëpo duke të dhënë një pjesë të pagës në të zezë, faktikisht të hanë pensionin dhe të hanë edhe shërbimin shëndetësor.
Për të gjitha këto jemi këtu dhe do vazhdojmë të flasim për këto sepse në fund të ditës, kjo është dhe arsyeja pse jemi zgjedhur, që të përmirësojmë jetën e njerëzve në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo vetëm të përmirësojmë infrastrukturën, kopshtet, çerdhet, shkollat, spitalet e të tjera, por të përmirësojmë dhe këtë marrëdhënie pune dhe të bëjmë të mundur që njerëzit të paguhen më shumë dhe të paguhen në mënyrë më të sigurt. Ky është gjithë qëllimi ynë!
Dua ta falënderoj edhe njëherë bosin tuaj këtu. Në fund të ditës, sipërmarrësit janë shtylla vertebrale e gjithë procesit të zhvillimit ekonomik, por pa pjesën tjetër të skeletit dhe pa muskujt, e kanë të pamundur të funksionojnë.
Unë besoj që siç ia dhamë fjalën për ta hapur duhet t’i japim fjalën për ta mbyllur, por fjalën për ta mbyllur me disa të dhëna konkrete nga ky proces edhe nga marrëdhëniet e punës dhe të pagës këtu duke pasur parasysh një gjë; që kur ne folëm për rritje pagash, të gjitha duartrokitën, domethënë që po t’u japësh më shumë nuk do thonë jo, përkundrazi, do jenë shumë të lumtura.