Paketa e Maleve në zbatim, domosdoshmëri përshpejtimi i hartave të zonave prioritare për investime
Një diskutim i hapur u zhvillua sot lidhur mbi ecurinë e Paketës së Maleve, një nga instrumentët më të rëndësishëm për zhvillimin e territorit që bashkitë kanë në dispozicion.
Paketa e Maleve, projektligji për të cilën u miratua disa muaj më parë, është një angazhim i ri i qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit malor dhe mbështetjen e banorëve, duke krijuar kushte të favorshme për investime, punësim dhe përmirësim të cilësisë së jetës për komunitetet vendase.
Në takimin ku merrnin pjesë drejtues të bashkive të vendit dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal, Kryeministri Rama theksoi se kjo paketë është një politikë jashtëzakonisht nxitëse për të krijuar një platformë investimesh në territoret malore që synon t’i japë zgjidhje një problemi të vjetër, mbi 30 vjeçar, përmes mundësive të reja, në të gjithë vendin.
Ai nënvizoi se interesimi i lartë nga qytetarët, veçanërisht shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, tregon potencialin e madh që mbart kjo nismë.
Kryeministri tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të bashkive që të mos vonojnë në përgatitjen e hartave të zonave prioritare dhe të jenë në gatishmëri të plotë për të asistuar të gjithë të interesuarit në lehtësimin e procesit të aplikimit. “Përveçse duhet bërë urgjentisht harta, duhet të ngrini një task-forcë në çdo bashki, një task-forcë me tre persona që të ndjekin këmba-këmbës dhe t’u rrinë pronto njerëzve që shprehin interesin, që t;ua shpjegojnë, që t’i nxisin, që t’ua lehtësojnë procesin.” – udhëzoi Kryeministri.
500 përfituesit e parë të Paketës së Maleve do të gëzojnë lehtësira fiskale të plota për 10 vjet, duke mos paguar asnjë taksë apo tatim, si nxitje për investime në turizmin malor, agroturizëm dhe ekonominë rurale.