Fjala e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë prezantimit të paketës së re të Rezistencës Sociale:
Siç kemi komunikuar me të gjithë publikun duke nisur nga shtatori i vitit të kaluar, ne kemi qenë të përgatitur për një krizë që në atë kohë për të thënë të drejtën edhe shumë skeptikë dolën dhe thanë që kjo nuk është e vërtetë, po krijohet një aludim i pavërtetë përsa i përket tregjeve ndërkombëtare, por në fillim të vitit, duke nisur nga janari, tregjet ndërkombëtare filluan që të reagojnë ndaj konfliktit të krijuar midis Rusisë dhe Ukrainës duke krijuar efekte të jashtëzakonshme përsa i përket shitjes së energjisë në të gjitha bursat.
Shqipëria, siç dhe kryeministri e tha, është një vend i cili në të vërtetë prodhon 100% energji të rinovueshme, e gjitha kjo e bazuar nga prodhimi i kaskadës së Drinit, por ndërkohë në Republikën e Shqipërisë për të mbuluar kërkesën e konsumatorëve vendas ne kemi një mishel vjetore e cila përbëhet nga prodhimi i kaskadës, padyshim, por edhe nga importet. Sigurisht edhe në vitet më të mira hidrike, siç ka qenë për shembull 2011-ta, i cili njihet si një vit për përmbytjet e mëdha, edhe 2010-ta gjithashtu, por edhe për prodhimin vendas i cili arriti në 11 terra, në çdo rast, edhe në atë vit Shqipëria ka dalë në import pasi ky është prodhimi vjetor dhe jo prodhimi i shpërndarë nëpër muaj.
Në të gjitha rastet, duke nisur nga Qershori dhe deri në nisjen e shirave të dimrit, që korrespondon me Nëntorin, ne gjithmonë jemi të detyruar që të dalim në import dhe kjo është një arsye, pse edhe sot, pavarësisht se kemi prodhim vendas që vjen nga kaskada, ne jemi të ekspozuar plotësisht ndaj çmimeve të larta të importit.
Duhet të kujtojmë diçka. Sistemi elektro-energjetik shqiptar ka qenë i ndërtuar duke pasur brenda tij edhe katër hidrocentrale të tjera atë të Ulzës, Shkopetit dhe dy Bistricat të cilat janë privatizuar duke shkatërruar të gjithë sistemin elektro-energjetik shqiptar dhe duke krijuar këtë gropë e cila mbushet vetëm me blerjen në importe. Kjo ka ndodhur gjatë vitit 2009-2011 dhe është shkëmbyer vetëm me një tvsh të mbetur për një kompani të huaj dhe sot ato katër hidrocentrale vazhdojnë dhe prodhojnë për entitetin privat dhe madje na duhet ndonjëherë edhe ta blejmë atë sasi energjetike që dikur i përkiste Republikës së Shqipërisë.
Kthehemi tek kriza energjetike të cilën ne, siç e thashë, kemi qenë transparent dhe kemi komunikuar shpesh me publikun të gjithë problematikat që kemi hasur duke nisur nga mungesa e reshjeve për vitin e katërt konsekutiv dhe ky është një fakt që mund ta vërtetojnë të gjithë që reshje në rajon nuk ka pasur, siç nuk po ka edhe në Europë. Ky është viti i parë që Britania e Madhe dhe Gjermania kanë shpallur emergjencë për shkak të thatësirës.
Ndërkohë ne kemi marrë masat dhe kemi siguruar mbi të gjitha furnizim të pandërprerë të energjisë, ndryshe nga çka ndodhur me vendet fqinje. Gjithashtu, kemi deklaruar dhe e kemi mbajtur premtimin, për ti dhënë një mbrojtje çdo konsumatori familjar, por jo vetëm konsumatorit familjar, por edhe biznesit të vogël të cilët nuk janë ekspozuar për asnjë moment në çmimet e mishelës të cilën ne krijojmë nga prodhimi vendas dhe nga importi.
Megjithatë, sot përballë krizës e cila vetëm po thellohet dhe pavarësisht të gjitha projeksioneve që janë bërë nga entitetet europiane në fushën energjetike, ku pritej që çmimi të ishte disa fish më pak se çfarë është sot në të vërtetë nëpër bursa, kriza sapo vjen dhe po thelohet dhe për këtë arsye ne duhet të marrim masa konkrete. Jemi munduar që ta shtynim në kohë me shpresën që do të kishte një përmirësim të kësaj krize dhe do kishte një ulje të çmimeve në tregun ndërkombëtar, por jo vetëm që nuk ka pasur ulje, por gjatë muajit gusht kemi arritur një rekord të çmimit të megavatorit me 1040 euro. Ndërkohë që në gushin e vitit 2021 energjia për megavatorë tregtohej me 150 euro maksimalisht. Pra, flasim për një çmim rreth 8 herë më të lartë.
Në këto kushte ne kemi dizenjuar dhe do të shpallim sot një paketë përsa i përket emergjencës energjetike.
Kjo paketë nis me vendosjen e fashës 800 kilovatorë e cila vjen si rezultat i një analize të thellë që ne kemi bërë me të gjitha ndërmarrjet shtetërore të cilat kontribuojnë në fushën energjetike. Kjo fashë, për të dhënë numra të saktë, i përket një grupi shumë të vogël abonentësh. Mbi 96% e abonentëve familjarë konsumojnë nën 800 kilovatorë në muaj dhe në tabelën që mund të shfaqet ne kemi bërë edhe një pasqyrim sesi janë të shpërndarë përqindja e konsumit sipas kilovatorëve për familje. Në ndërkohë, kjo 4% e abonentëve familjarë përbën 19% të volumit të konsumit vendas. Vetëm 4% e abonentëve familjarë konsumojnë 19% të 100 përqindëshit të volumit që krijohet nga mishela.
Duke pasur parasysh këtë fakt gjithashtu ne kemi bërë një analizë për të dalë tek kjo fashë 800 kilovatorë dhe për të mos krijuar problematika për familjet të cilat kryejnë aktivitete shtëpiake të përditshme bazuar mbi energjinë elektrike. Është një fakt që në Republikën e Shqipërisë të gjitha familjet, bizneset e vogla, por madje edhe disa biznese të mëdha i kanë bazuar të gjitha aktivitetet e tyre mbi energjinë elektrike. Kështu që ne na është dashur të bëjmë një analizë se çfarë përfshinë konsumi i fashës 800 kilovatorë ku janë të gjitha pajisjet shtëpiake me një aktivitet normal gjatë muajit. Të gjitha këto slide ne do ti vendosim në dispozicion do të jenë të publikuara në faqen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ku të gjithë qytetarët mund ti referohen për të kuptuar sesa mund të përdorin nga kjo fashë.
Ndërkohë që sipas të gjithë llogarive tona efektet e fashës 800 kilovatorë, pra duke vendosur fashën 800 kilovatorë nga data 1 tetor në 15 muajt e ardhshëm, pra nga 1 tetori i 2022, deri në dhjetor të 2023, ne do të kursejmë 100 milionë euro. Gjithashtu parashikohet që të kemi edhe një ulje me 2.5 të konsumit të përgjithshëm të energjisë.
Diçka që i intereson të gjithë abonentët, sigurisht ata që përdorin mbi 800 kilovatorë, do të jetë çmimi që do të aplikojmë në të ardhmen. Pra, çdo kilovatorë mbi 800 kilovatorë, pra nga 801 kilovatorë e sipër, çmimi që do të aplikohet është 35 lekë për kilovatorë, plus 7 lekë tarifat e transmetimit dhe të shpërndarjes, një total prej 42 lekë. Ndërkohë që duhet ta krahasojmë me çmimin që ne aplikojmë dhe çmimin që nuk e kemi ndryshuar, pra atë çmim që qeveria shqiptare e ka mbrojtur, që është nga 0 deri në 800 kilovatorë dhe mbetet i pandryshuar 9.5 lekë. Ndërkohë duhet thënë që ky çmim do të dërgohet menjëherë në Entin Rregullator të Energjisë për tu aprovuar dhe është një çmim të cilin ne do ta mbajmë në fuqi, pra çmimi i shtuar prej 42 lekësh që i përket 801 kilovatorë e sipër do të jetë i vlefshëm deri në datën 31 dhjetor. Në datë 31 dhjetor ne do të ri analizojmë tregun, sigurisht çmimet e importit, sasinë që vjen nga prodhimi vendas për të vendosur një çmim të ri për fashën mbi 800 kilovatorë.
Ndërkohë për të arritur gjithçka që ne do të ndërmarrim në të ardhmen, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ashtu siç e kemi deklaruar do të ringrejë Task-Forcën, e cila do të ketë si synim uljen e humbjeve në rrjet, kontrollin e të gjitha faturave dhe matjeve të tyre, monitorimi në terren i punonjësve të OSHEE-së dhe padyshim të gjitha masat e eficencës së energjisë nëse do të zbatohen. Të vendosur në këto kushte kur importi ka arritur çmime stratosferike, kur situata hidrike nuk është e mirë në këto momente, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën, çelësi për të pasur sukses në përballimin e kësaj sfide të re, e kësaj krize me të cilën po përballet e gjithë bota është padyshim kursimi. E kemi thënë disa herë, e kemi përsëritur, kemi nisur një fushatë prej disa javësh, por sigurisht është me të vërtetë e vështirë ndoshta për tu perceptuar kur fatura vazhdon dhe vjen me të njëjtin çmim. Përsa kohë abonenti ka këtë mbrojtje që është ofruar nga Qeveria Shqiptare përmes paketës sociale, ndoshta e ka të pamundur që të kuptojë çfarë në të vërtetë po ndodh.
Nga ana tjetër, edhe fakti që ne nuk kemi aplikuar dhe nuk do të aplikojmë në Republikën e Shqipërisë ndërprerje energjetike sërish e bën të vështirë perceptimin e kësaj krize. Por, ka ardhur momenti që të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë për të kursyer. Nëse ne kursejmë 1% të konsumit total të energjisë kjo do të ishte ekuivalente e 28 milionë eurove në vit. Pra, vetëm 1% e energjisë i korrespondon 28 milionë eurove sipas çmimit të mishelës. Kështu që të gjithë së bashku ne duhet të fillojmë dhe të reagojmë dhe të ndërmarrim masa përsa i përket kursimit të kësaj energjie.
Por, gjithashtu Qeveria përveç thirrjes për kursim, do të kontribuojë përsa i përket dhe një subvencioni të rëndësishëm. Një familje shqiptare konsumon nga 20 deri në 30% të energjisë për ngrohjen e ujit. Për këtë arsye ne kemi vendosur përmes Agjencisë së Eficiencës së Energjisë që të nisim një projekt, i cili do të nisë me 2 mijë abonentë dhe më pas sipas ecurisë së këtij projekti që unë jam e sigurtë që do të jetë një projekt i cili do të gjejë zbatim menjëherë dhe qytetarët do të kenë mundësi që të aplikojnë për këtë në mënyrë transparente, ne do të vazhdojmë edhe pas 31 marsit me fazën e dytë të projektit. Ky projekt konsiston në mbështetjen financiare 70% të kostos për vendosjen e paneleve diellore në tarracat e pallateve dhe si rrjedhojë ngrohjen e ujit, që konsiston në një ulje të konsumit energjetik me 20 deri në 30%. Ky do të jetë një proces i cili do të fillojë në 1 tetor, me garën e parë e cila i drejtohet prodhuesve dhe instaluesve, për të marrë çmimin më të mirë të tyre dhe për të bërë një listë të shkurtër me entitete të cilët do të ofrojnë këtë shërbim. Më pas në 1 nëntor Agjencia e Eficiencës së Energjisë do të hapë një platformë ku të gjithë qytetarët do të aplikojnë për të marrë këtë grant dhe për të ndërtuar impiantet e tyre të ngrohjes së ujit. Gjithashtu Task-Forca do të monitorojë nëse i gjithë procesi, pra nga marrja e grantit deri në instalimin dhe prodhimin e energjisë është bërë ashtu siç duhet. Në rast se ky proces do të jetë i suksesshëm në 31 mars ne do të lançojmë paketën e dytë edhe me më shumë familje.
Duhet thënë gjithashtu që kemi vendosur të nisim nga vetja për të dhënë shembullin më të mirë. Institucionet publike konsumojmë 5% të konsumit total në vendin tonë. Për këtë arsye një ulje me 15% e konsumit mujor është targeti që ne duam të arrijmë. 1% ulje e konsumit total vjetor në sistemin energjetik, ashtu siç përmenda edhe më lart, është ekuivalente e 28 milionë eurove. Për këtë arsye në të gjitha institucionet shtetërore, ne do të kërkojmë emërimin, pra brenda stafit, gjetjen e një personi i cili ka sensitivitet dhe do ta marrë këtë detyrë për ta kryer ashtu siç duhet, që do të quhet administratori i energjisë, që duhet të kujdeset për të arritur tragetin që do ketë çdo ndërmarrje, çdo institucion për të ulur konsumin energjetik me 15% të faturave aktuale.
Gjithashtu duhet pasur parasysh që ne duke nisur nga data 14 shtator do të jemi në çdo shkollë, duke nisur nga Tirana. Ne mendojmë që edukimi i brezit të ri, krijimi i sensitivitetit të brezit të ri përsa i përket kursimit të energjisë, do të jetë gjithashtu një çelës i suksesit për këtë fushatë. Së bashku me Ministren e Arsimit unë do të nisë në datë 14 nga shkollat e Tiranës me një grup të rinjsh dhe të rejash, punonjës të OSHEE-së, të KESH-it, të OST-së, të cilët janë ofruar në mënyrë vullnetare për të dal në çdo klasë dhe për të ndarë me fëmijët sesi duhet kursyer energjia dhe pse është e rëndësishme sot të kujdesemi për kursimin e energjisë. Këto janë masat kryesisht që ne do të fillojmë të zbatojmë që sot dhe në ditët në vazhdim do të komunikojmë me ju për çdo detaj tjetër i cili është i rëndësishëm.