Qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat për të përballuar situatën e krijuar në vend si pasojë e efekteve të agresionit rus në Ukrainë.
Në interpelancën e zhvilluar në Kuvend për këtë çështje, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u shpreh se qeveria po tregohet e kujdesshme për të mbështetur shtresat më në nevojë dhe për të marrë masat e duhura në kohën e duhur, në mënyrë që kjo krizë të përballohet me sukses dhe efektet e saj në ekonomi të jenë minimale.
Ministrja informoi se është hartuar Paketa e Rezistencës, e cila i vjen në ndihmë 576 mijë përfituesve, të cilët nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve, pasi të ardhurat e tyre janë të pamjaftueshme për ta përballuar këtë rritje.
“Si e bëmë ne llogaritjen e 3 mijë lekë për 3 muaj për 576 mijë përfitues? Inflacioni i çmimeve të ushqimeve brenda shportës totale të konsumit të familjeve shqiptare në muajin shkurt, në krahasim me muajin shkurt të vitit të kaluar, është 6.9 %. Duke marrë parasysh një mesatare të konsumit të familjeve shqiptare, ky inflacion është i përkthyer në një masë shpenzimesh prej 2.500 lekësh në muaj. Për këtë arsye ne vendosëm që për të gjitha këto kategori familjesh të cilat janë në nevojë, t’i japim 3 mijë lekë në muaj për 3 muaj”, tha Ibrahimaj.
Nga ana tjetër, Ministrja sqaroi se qeveria ka mbrojtur qytetarët dhe bizneset e vogla duke mos rritur çmimin e energjisë elektrike, ka mbrojtur transportin publik nga rritja e çmimeve të karburanteve, ashtu si edhe ka mbrojtur fermerët nga kjo rritje, si kategori të cilat preken më së shumti.
Sa i përket propozimeve për heqjen e TVSH për produktet e shportës, Ministrja Ibrahimaj bëri me dije se një masë e tillë nuk do të çonte në ulje të çmimeve, pasi 60 % e konsumit të familjeve shqiptare shkon në produkte të cilat janë pa TVSH. Edhe në të kaluarën, sipas Ministres, masat fiskale të përjashtimeve apo të reduktimeve të TVSH nuk kanë pasur reflektimin e duhur në uljen e çmimeve për konsumatorët.
“Kjo është arsyeja pse ne nuk do të ndërhyjmë në sistemin e taksave. Kjo është arsyeja pse ne duam të subvencionojmë dhe të ndihmojmë ato familje të cilat janë më në nevojë, me të gjithë masën e rritjes së çmimeve. Por nuk mund të ndërhyjmë në një sistem fiskal për të mos marrë ato rezultate të dëshiruara. Ne kemi marrë masa për të rritur subvencionet pikërisht që të mos prekim sistemin fiskal, që të mos shkatërrojmë sistemin fiskal”, tha Ibrahimaj.
Lidhur me propozimin për heqjen e akcizës së karburanteve, Ministrja Ibrahimaj tha se akciza e karburanteve në Shqipëri është më e ulët se sa në vendet e rajonit dhe direktiva e BE-së, ndaj nuk mund të ndërhyhet.
Referuar krahasimeve me masat që kanë marrë vendet e tjera të rajonit për përballimin e krizës, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë argumentoi se këto vende, si Mali i Zi, Serbia apo Maqedonia e Veriut, kanë një përqindje të të ardhurave ndaj GDP-së më të lartë se sa Shqipëria, për shkak se barra dhe përqindjet e taksave në këto vende janë më të larta se sa në vendin tonë.
“Kjo është dhe arsyeja pse ato ndërmarrin politika të reduktimit të taksave. Ne nuk kemi të njëjtin sistem. 95 mijë biznese në Shqipëri nuk paguajnë asnjë taksë. E vetmja taksë që i paguajnë shtetit janë kontributet e sigurimeve shoqërore, që nuk janë taksa të biznesit por janë taksa të qytetarëve, janë kontribut për pensionet e ardhshme që ato do të marrin”, vijoi Ministrja.
Sa i përket Bordeve të cilat janë krijuar nga qeveria, Ministrja Ibrahimaj sqaroi se ato janë krijuar me qëllim transparencën dhe monitorimin që çmimet për produktet e karburanteve dhe produktet kryesore të shportës së konsumatorit të mos jenë abuzive, në kushtet e një krize të krijuar nga lufta në Ukrainë.
Fjala e plotë e Ministres Ibrahimaj:
E nderuar kryetare e seancës,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë,
Unë jam sot këtu para jush për të hedhur dritë mbi ato që sapo deputeti Spaho tha. E filloi fjalimin duke folur për një përqindje të rritjes së çmimeve, ndërkohë që ne do të presim për daljen e shifrave zyrtare të INSTAT për inflacionin për muajin mars, i cili ende nuk ka dalë. Ne jemi duke monitoruar çmimet vetë, çdo ditë, në marketet kryesore, ne qendrat e të gjitha qyteteve dhe çmimet nuk janë rritur me 40 %. Ka disa produkte të shportës të cilat realisht janë rritur, po, dhe do të presim fundin e muajit me qëllim që të shohim nëse kjo rritje është realisht 40 %.
Ju folët për një papunësi masive, ndërkohë që është fakt që papunësia gjatë gjithë viteve të kësaj qeverisjeje ka ardhur në rënie. Papunësia në vitin 2013 ka qenë 16.4 %, ndërkohë që sot është 11.4 %. Këto janë fakte që nuk maten nga qeveria, por nga institucione të pavarura me metodologjisë statistikore ndërkombëtare.
Ju thatë që pagat kanë ardhur në rënie. Në vitin 2013 paga mesatare ka qenë 45 mijë lekë, ndërkohë sot është 59 mijë lekë.
Ju thatë se është e gabuar të thuash që çmimet i vendos tregu. Jo zoti Spaho, nuk është e gabuar. Në një ekonomi tregu, çmimet sigurisht që i vendosur tregu. Çmimet nuk i vendos qeveria. Ne kemi krijuar Bordet për transparencën me qëllim që të monitorojmë që këto çmime të mos jenë abuzive, që të mos jenë spekulative dhe të monitorojmë që marzhet e fitimit, për ato produkte që janë kryesore për shportën e konsumatorit shqiptar, por edhe për produktet e hidrokarbureve, si naftën, benzinën dhe gazin, të jenë në marzhe minimale. Pse? Sepse sot jemi në luftë, sot jemi në hapat e para të një krize ekonomike globale dhe sot nuk është koha për të fituar, por është koha për të rezistuar.
Paketa që kemi përgatitur është Paketa e Rezistencës dhe rezistencën duhet ta tregojnë të gjithë aktorët, duhet ta tregojnë të gjithë ato që munden dhe të parët janë bizneset e mëdha, biznese të cilat kanë mundësi që të tregojnë rezistencë n këto momente. Por rezistencë nuk tregojnë dot të gjithë qytetarët.
Prandaj Paketa që ne kemi propozuar është një Paketa e cila i drejtohet të gjithë atyre shtresave të cilat janë në nevojë. I drejtohet 576 mijë përfituesve, të cilët nuk mund ta përballojnë dot rritjen e çmimeve pasi të ardhurat e tyre nuk janë të mjaftueshme për ta përballuar këtë. Si e bëmë ne llogaritjen e 3 mijë lekë për 3 muaj për 576 mijë përfitues? Inflacioni i çmimeve të ushqimeve brenda shportës totale të konsumit të familjeve shqiptare në muajin shkurt, në krahasim me muajin shkurt të vitit të kaluar, është 6.9 %. Duke marrë parasysh një mesatare të konsumit të familjeve shqiptare, ky inflacion është i përkthyer në një masë shpenzimesh prej 2.500 lekësh në muaj. Për këtë arsye ne vendosëm që për të gjitha këto kategori familjesh të cilat janë në nevojë, t’i japim 3 mijë lekë në muaj për 3 muaj.
Nga ana tjetër, ne kemi mbrojtur të gjithë qytetarët dhe të gjithë bizneset e vogla shqiptare, të cilët nuk mund të përballojnë një rritje të çmimeve të energjisë elektrike, sepse energjia elektrike në Shqipëri është një treg i rregulluar, ndryshe nga tregu i karburanteve, i cili është i parregulluar dhe funksionon në ekonomi tregu, pra çmimi përcaktohet në bazë të kërkesës dhe ofertës.
Në vendosëm që në fund të vitit të kaluar, që kur kriza energjetike filloi të shfaqej, që nuk do të ndryshonim çmimin e energjisë për konsumatorët dhe për bizneset e vogla dhe këtë premtim ne e kemi mbajtur. Kostoja e këtij vendimi në buxhet deri më sot është 38 miliardë lekë, 10 miliardë që u alokuan direkt vitin e kaluar për blerjen e energjisë dhe 28 miliardë lekë që janë alokuar gjatë këtij viti. Nuk janë pak, por ama garantojnë që konsumi i energjisë elektrike në shportën e familjeve shqiptare do të vazhdojë të mbajë atë peshë që ka pasur, që do të thotë mesatarisht 5 %. Nëse ne do të reflektonim çmimin real që duhet paguar, që qeveria paguan për energjinë elektrike, për prodhimin dhe importin e energjisë elektrike, kjo peshë do të shkonte mbi 20 % dhe jemi të bindur që të gjithë qytetarët nuk mund ta përballojnë këtë peshë.
Nga ana tjetër, dëgjova, kemi parë dhe kemi lexuar më shumë kujdes propozimet e opozitës përsa i përket rezistencës dhe masave që duhet të ndërmarrë qeveria ndaj krizës. Shoh propozime për ulje taksash, për pezullim taksash dhe për rritje përfitimesh. Unë nuk e kam bërë llogarinë në buxhet të këtyre propozimeve tuaja, por nuk funksion kështu. Sistemi i taksave në një vend nuk funksionon me emocione, nuk funksion me vendimmarrje të marra prej një situate e cila ka një muaj që ekziston, nuk funksionon pa parashikime. Ne kemi marrë masa për të rritur subvencionet pikërisht që të mos prekim sistemin fiskal, që të mos shkatërrojmë sistemin fiskal.
Unë dua t’ju kujtoj që të ardhurat ndaj GDP-së kanë ardhur në rritje me këtë qeveri, ndonëse për pjesën më të madhe të bizneseve dhe për pjesën më të madhe të qytetarëve taksat janë ulur. Në vitin 2013 të ardhurat ndaj GDP-së ishin 24.2 %. Sot janë 27.5 %. Kjo është e gjithë punë e bërë nga ana e kësaj qeverie për miradministrimin fiskal, duke u kujdesur që çdo para të paguhet nga ato që duhet të paguajnë. Ju vërtet thoni që Maqedonia e Veriut ka marrë këto masa, Mali i Zi këto masa, apo Serbia këto masa. Por a e dini ju se sa është përqindja e të ardhurave ndaj GDP-së në këto vende? Në Bosnje është 41 %, në Malin e Zi është 43 %, në Maqedoninë e Veriut është rreth 30 %, ndërkohë që në Serbi është 41 %. Dhe a e dini ju pse është më e lartë? Sepse barra dhe përqindjet e taksave në këto vende janë më të larta në Shqipëri. Kjo është dhe arsyeja pse ato ndërmarrin politika të reduktimit të taksave. Ne nuk kemi të njëjtin sistem. 95 mijë biznese në Shqipëri nuk paguajnë asnjë taksë. E vetmja taksë që i paguajnë shtetit janë kontributet e sigurimeve shoqërore, që nuk janë taksa të biznesit por janë taksa të qytetarëve, janë kontribut për pensionet e ardhshme që ato do të marrin.
Ne kemi një tjetër sistem fiskal. 60 % e konsumit të familjeve shqiptare shkon në subjekte të cilat janë pa TVSH. Pra, heqja e normës së TVSH për produktet e shportës nuk do të çonte në një ulje të çmimeve. Sot, por edhe në të kaluarën, të gjitha masat fiskale të përjashtimeve apo të reduktimeve të TVSH që janë ndërmarrë në vite nuk kanë pasur reflektimin e duhur në uljen e çmimeve për konsumatorët. Kjo është arsyeja pse ne nuk do të ndërhyjmë në sistemin e taksave. Kjo është arsyeja pse ne duam që të subvencionojmë dhe të ndihmojmë ato familje të cilat janë më në nevojë, me të gjithë masën e rritjes së çmimeve. Por nuk mund të ndërhyjmë në një sistem fiskal për të mos marrë ato rezultate të dëshiruara.
Ju propozuat të heqim akcizën e karburanteve. A e dini ju se akciza e karburanteve në Shqipëri është më e ulët se sa në vendet e rajonit? A e dini ju se akciza e karburanteve në Shqipëri është më e ulët se sa direktiva e BE-së? Direktiva e BE-së për naftën parashikon 45 lekë, ndërkohë që ne e kemi nën nivelin 37 lekë. Pra taksimi i karburanteve në Shqipëri është një taksim i drejtë, i cili vjen në përputhje me ideologjinë tonë që ai që konsumon më shumë duhet të paguajë më shumë. Ne nuk mund të kthehemi mbrapa në kohë dhe të ndryshojmë filozofitë tona fiskale për arsye të një krize e cila sapo ka filluar.
Nga ana tjetër, ne kemi vendosur që të mbrojmë të gjithë transportin publik nga rritja e çmimeve të karburanteve. Kemi vendosur të mbrojmë fermerët nga rritja e çmimeve të karburanteve, sepse këto janë kategoritë të cilat preken më së shumti nga kjo, ndërkohë që familjet që mund të suportojnë dhe mund të mbajnë këtë çmim do të vazhdojnë të paguajnë karburantet siç është me çmimet e tregut.
Ne kemi krijuar Borde me qëllim transparencën se si ky çmim karburantesh vjen dhe pse rritet dhe ulet. Është bursa që e ndikon çmimin dhe nuk është qeveria dhe në këtë moment nuk është as tregu, pasi gjithë tregtarët kryesorë kanë vendosur që të operojnë me marzhe minimale vetëm për të mbuluar kostot operative të tyre.
Janë shumë e shumë fakte të tjera që ju përmendët që në fakt nuk janë të vërteta.
Kjo qeveri ka treguar se nuk pret propozimet e opozitës për të marrë masa dhe aq më pak protesta për të marrë masa. Kjo qeveri gjatë krizës dhe mbylljes së pandemisë mori të gjitha masat e nevojshme dhe koha e tregoi që ato ishin masat e duhura, pasi Shqipëria, ndryshe nga shumë vende të tjera, doli nga recesioni që në tremujorin e fundit të vitit 2020 dhe në vitin 2021 ka një rritje të parashikuar prej 8.7 %.
Shqipëria, nëpërmjet masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, arriti që të rikuperojë të gjitha vendet e punës brenda vitit, ato të humburat në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit 2020, ndërkohë që vende të tjera patën një rikuperim më të ngadaltë.
Shqipëria, vetëm prej masës së marrë për mos rritjen e çmimeve të energjisë elektrike pati një inflacion më të ulët gjatë vitit të kaluar, ndryshe nga gjithë vendet e tjera të rajonit dhe të botës. Inflacioni në vend për muajin shkurt është 3.9 %, ndërkohë që të gjithë vendet e rajonit kanë një inflacion më të lartë dhe kjo nuk vinte nga kriza, nuk vinte nga lufta, por vinte nga kërkesa e shtuar në tregjet ndërkombëtare, nga rritja ekonomike që të gjitha vendet kanë pasur. Ndërkohë që në Shqipëri ky inflacion nuk është përcjellë në normat e gjithë vendeve të tjera dhe kjo është dhe falë masave fiskale dhe monetare që shteti ka ndërmarrë.
Dje Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit me qëllim që të veprojë ndaj rritjes së çmimeve dhe ndaj krizës që po vjen. Nga ana tjetër, në të tilla raste, teorikë ekonomike thonë se qeveritë duhet të kufizojnë shpenzimet dhe është ajo që ne kemi bërë.
Ne, nëpërmjet një Akti Normativ i cili do të prezantohet para jush nesër në komision parlamentar, kemi shkurtuar shpenzimet operative dhe ato shpenzime kapitale të cilat nuk janë të domosdoshme. Ne marrim masa të cilat janë të matura, të cilat marrin parasysh edhe përshkallëzime të krizës. Ne nuk mund të marrim të gjitha masat që ditën e parë sepse nuk është kjo që qeveria bën. Qeveria duhet të tregohet e kujdesshme, duhet të marrë masat e duhura në kohën e duhur, me qëllim që të mos lërë në baltë askënd dhe kjo është ajo që bëjmë ne.
Përsa i takon gjendjes së Rezervave, bazuar në nenin 5, pika 4, të ligjit 9900, gjendja apo sasia, nomeklatura e Rezervave, kanë karakter sekret dhe nuk mund të bëhen publike. E megjithatë, unë mund t’ju them se Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale parashikon blerjen e 370 ton artikuj ushqimorë, me një fond buxhetor i cili është 5.6 herë më i madh se sa vitin e kaluar dhe me një fond për prokurim që është 8.8 herë më shumë se sa viti i kaluar. Gjithashtu në vazhdimësi, Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale mbështet, sipas legjislacionit në fuqi, një kategori familjesh. Për muajin janar kjo kategori ka qenë 2192 familje.
Nga ana tjetër, kemi marrë masa në bazë të legjislacionit në fuqi për Rezervat e Naftës dhe të Karburanteve. Në bazë të ligjit 8450, Për përpunimin e naftës dhe të gazit dhe nënprodukteve të tyre, si dhe në bazë të VKM-së 808, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka marrë të gjitha masat për të njoftuar, për të rikujtuar të gjithë tregtarët me shumicë, të cilët kanë detyrime për mbajtje 90 ditë rezervë të shitjes së një viti më parë, dhe ka kërkuar raportim nga të gjithë këto kompani.
Pra, siç e shihni, janë marrë të gjitha masat për përballimin e situatës që do të vijë. Ne jemi duke hartuar skenarë të cilët janë deri diku të parashikueshëm për çfarë do të vijë më tutje dhe jemi të përgatitur që të ndihmojmë ato që janë më shumë në nevojë dhe të bëjmë të mundur që ekonomia shqiptare të mos rrëzohet, të mos dalë e dërrmuar nga kjo krizë që po vjen.
Nga ana tjetër ju përmendët në fjalën tuaj dhe reduktimet e përdorimit të energjisë elektrike. Po, sigurisht që do të ketë reduktime kudo, aty ku janë të pa dëmshme, aty ku janë të parrezikshme, aty ku konsumi mund të evitohet patjetër që do të evitohet. Ka dhe vende të tjera të botës që kanë marrë masa në kuadër të reduktimit. Ka vende të cilat kanë ulur nivelin e temperaturave të ngrohjes për ngrohjet qendrore që kanë nëpër shtëpi. Ka vende që kanë marrë masa të ndryshme. Ne vetë kemi reduktuar buxhetet e të gjithë ministrive të linjës, diku me 10 %, duku me 20 %, për të gjitha shpenzimet operative që lidhen me ato shpenzime që mund të evitohen.
Me këtë dua të them që të gjitha pikat e ngritura nga ana juaj janë adresuar nga qeveria dhe ne do të tregohemi të kujdesshëm me qëllim që masat tona të mos ndalojnë këtu dhe të bëjmë të mundur që të përballojmë me sukses edhe këtë krizë, siç kemi përballuar pandeminë dhe tërmetin.
Faleminderit.