Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare!
Ndjesë, por nuk rri dot pa e thënë që mua sot më vjen turp.
Më vjen turp që Shqipëria është i vetmi vend i NATO-s dhe i Europës ku protestohet për pasojat e para të luftës në Ukrainë. Që kërcimi i lartë i çmimit të naftës është pasojë e luftës, këtë e mohojnë vetëm ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë dhe pastaj, ata të tjerët që dëgjojnë nga ata, që bëjnë sikur nuk kuptojnë dhe e përsërisin.
Që kjo qeveri nuk ka pritur luftën apo protestat që ta tregojë ndjeshmërinë e saj thellësisht sociale, këtë e tregojnë shumë gjëra, për ata që duan të shohin dhe të dëgjojnë, por së fundmi e tregon më troç se çdo gjë tjetër në këto 8 vite e kusur fatura juaj e energjisë. Fatura e energjisë së çdo familjeje shqiptare dhe të çdo biznesi të vogël në Shqipëri.
Prej muajsh tanimë, asnjë familje shqiptare dhe asnjë biznes i vogël nuk e paguan vetë faturën e energjisë por të gjithë e paguajnë bashkë me qeverinë. Aktualisht, me çmimin e rritur së fundmi përtej kulmit të çdo imagjinate, nga 52 euro për magavat/orë vjet, në 550 euro për megavat/orë, qeveria i bie të paguajë thuajse 80% të faturës së energjisë suaj, në çdo familje shqiptare dhe në çdo biznes të vogël.
Këtë nuk e ka bërë asnjë qeveri tjetër, të paktën jo në këtë kontinent ku jetojmë ne. Qeveritë e tjera, nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, Greqinë, Itali e gjetkë ka rritur çmimin e energjisë.
Ne u zotuam se nuk do ta rrisnim çmimin, dhe kur u zotuam, kur as na e priste mendja që do vinte dhe lufta që ta ngrinte në ajër si me shkelma.
Si ta imagjinonim? Vetëm luftën kishim mangut pas tërmetit dhe pandemisë, bashkë me krizën e çmimit të energjisë që i parapriu luftës.
Megjithatë, ja ku po i qëndrojmë zotimit dhe duam t’i qëndrojmë me të gjtiha fuqitë. Por, mesa kuptoj, jo të gjithë, nuk e di se sa janë, e dinë se çfarë do të thotë “Me të gjitha fuqitë”.
Me të gjtiha fuqitë do të thotë që me këtë çmim të çmendur, ne të derdhim deri në fund të vitit 650 milionë euro për faturat e energjisë të 762 mijë familjeve rezidente në Shqipëri dhe të 95 mijë bizneseve të vogla që hapin kanatin çdo ditë në Shqipëri. Ndërsa, me mesataren e çmimit të rritur gjatë krizës, që është skenari më i pranueshëm ndër skenarët e çmendur, kjo do të thotë që deri në fund të vitit, qeveria duhet të derdhë 295 milionë euro për të kompesuar diferencën mes çmimit real dhe çmimit të paprekur për familjet dhe bizneset e vogla në Shqipëri sepse këto para dikush do duhet t’i paguajë.
O do t’i paguani ju, të gjithë, përfshirë dhe mua nëse flasim për familje, por nuk po përfshihem për të mos krijuar asnjë keqkuptim ose do t’i paguajë qeveria, dhe këtu bëhet fjalë për një shumë astornomike.
Mjafton të shohësh sipërfaqësisht buxhetin e shtetit që të kuptosh se cfarë do të thotë kjo. Mjafton ta shumëzosh me disa herë çmimin që ke në faturë, – merreni sot faturën e energjisë bëni një shumëzim me 3, 4, 5, nuk po them me 6 apo 7 sepse shumëzim 7 ka qenë deri ditët e fundit, – për të kuptuar që kjo qeveri është krejt e kundërta e shëmbëlltyrës që shajnë dhe akuzojnë ata që protestojnë në emër të popullit me dritën e iPhone.
Në emër të cilit popull shahet dhe akuzohet një qeveri në gjuhën më vulgare, me një aritmetike më të ububushme se ajo 7×7=42, kur pa bërë asnjë lloj llogarie dhe duke sajuar fakte krejt të paqëna, i kërkohet të heqë dhe taksat e naftës.
Kë komunizëm do ulin poshtë këta njerëz, që pas 30 e kusur vitesh nga rënia e komunizmit dhe nga vendosja në Kushtetutë të ekonomisë së tregut, akuzon qeverinë se ngre çmimet, edhe sot, kur e tërë bota po përballet me rritjen e çmimeve si pasojë e luftës dhe kur as vetë “jelekët e verdhë” nuk po dalin që ta djegin Parisin, dhe rritja e çmimeve në Paris është shumë më e lartë sot si pasojë e luftës sesa ajo rritje e çmimit përmes një takse të veçantë, që kërkonte të vinte presidenti i ri i Francës kur morën Parisin dhe i vunë zjarrin.
Nuk dalin sepse ta zhgarravisësh sot Shqipërinë në sy të botës kur tërë protestuesit e botës i kanë dhënë kohë, kohës duke pranuar hisen e tyre të taksiratit të luftës, duhet të mos kesh minimumin jetik të moralit dhe të arsyes njerëzore, në raport me vendin tënd, me kombin tënd, me shtetin tënd, që janë rreshtuar në krah të atyre që po vriten, që po shkatërrohet, po shpërngulen dhe nuk po i ngrenë duart lart.
Taksat e naftës nuk do të hiqen, dhe këtë nuk ka protestë me drita iPhone dhe bllokim rrugësh me goma X5 që e zhbën.
Taksat e naftës nuk do të hiqen sepse çmimi i energjisë nuk do të rritet. Ky është thelbi i moralit dhe arsyes së kësaj zgjedhje.
Duhet ta fusin mirë në kokë të gjithë ata që flasin pa u informuar, por duke përpsëritur si në jerm fakte krejt të sajuara se ato 650 milionë euro, në rastin më të keq ose ato 290 milionë euro në rastin më të mirë që do duhet t’i paguajmë deri në fund të vitit për të mos ngarkuar asnjë familje shqiptare dhe asnjë biznes të vogël me një faturë të rëndë energjie, nuk kemi mundësi t’i paguajmë nëse ndërkohë mbajmë taksat më të ulëta në rajon, se në Europë po e po, qoftë për individin e qoftë dhe për biznesin e vogël, kemi edhe kontributet më të ulëta shëndetësore dhe shoqërore në rajon, se në Europë nuk diskutohet, e me radhë. Jo vetëm kaq, jo vetëm do t’i mbajmë, por siç do ta shihni nga paketa e Rezistencës Sociale, do vijojmë të ulim akoma më tutje taksa mbi pagat, por për ata që realisht kanë nevojë për mbrojtje dhe jo domosdoshmërisht kanë veturë.
Për mua e për qeverinë, çështja themelore sot nuk është si të mos na dhëmbë koka kur mbushim veturën me naftë, por e para si të mos faturohet kriza energjetike mbi asnjë familje apo biznes të vogël, por qindra e mijëra shqiptarëve që përgjithësisht nuk kanë as vetura, as iphone dhe nga ana tjetër, për ne është e rëndësishme si të mos u dhëmbë koka nga çmimi i biletës atyre qindra e mijërave qytetarëve që nuk lëvizin me katër rrota personale apo familjare dhe hipin në autobus.
E meqë ra fjala, meqë jemi këtu, qeveria do të paguajë vetëm 50% të shpenzimeve të zakonshme për naftë të të gjithë funksionarëve që kanë një automjet shtetëror në dispozicion, që nga unë, tek ministrat, tek deputetët e deri tek drejtuesit e tjerë të administratës. Pjesën tjetër të shpenzimeve, të gjithë le ta paguajnë nga xhepi i tyre nëse nuk kursejnë dot. Është shumë e thjeshtë.
Tani, kjo është një faturë energjie dhe është fatura, që të mos, se emri nuk ka rëndësi, është fatura e një konsumatori familjar. Ky konsumator familjar, ja ku e kemi këtu, në faturë ka një çmim i cili është 4229 lekë të reja. Ndërkohë real, këto ditët e fundit, ka qenë 7 herë më i lartë. Pra urdhëroni. E nëse nuk do kishim vendosur ne mburojën financiare për këtë familje e si për këtë, për të gjitha familjet e republikës së Shqipërisë, çmimi në këtë faturën këtu do ti vinte në shtëpi 29 743 lekë ose 297 mijë lekë, reali, i krizës energjitike që nuk ekziston. Kjo do të thotë që qeveria për të mos e rritur asnjë qindrakë çmimin, atë 9.5 lekëshin për KËh për çdo familje, para se të fillonte kriza, paguan këtu në këtë faturë, qeveria, paguan as më shumë e as më pak por 254 mijë lekë. Doni të hiqni taksat e naftës dhe t’ia faturojmë gjithë dynjasë pensionistë, invalidë, paraplegjik, tetraplegjik, të verbër, familje me ndihmë ekonomike, famailje me të ardhura të ulëta apo dhe mesatare, gjyshe, gjyshër, prindër, baballarë, nënat, se diku dikush do mbajë më shumë barrë apo jo?
Urdhëroni dhe një faturë tjetër, kjo është një faturë energjie nga një ndër 95 mijë faturan e energjisë të biznesit të vogël. Kjo faturë e biznesit të vogël, është këtu, ka një çmim, i cili është 16 450 lekë të reja. Pra, çmimi që do të paguajë biznesi. Çmimi real këtu është 119 040 lekë, që do të thotë, 1 milionë e 194 mijë lekë atëherë si i bëhet? Bëhet që këtu futet qeveria dhe paguan këtë diferencën këtu. 138 880 lekë të reja në muaj për konsumin e faturës së energjië, qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Për të mos rritur asnjë qindarkë çmimin 9.5 KËh, kur çmimi me të cilin ne faktikisht e sigurojmë energjinë është 61 lekë, e që të jemi shumë korrekt, përtej kësaj rritje astronomike me 7 herë e konstatuar ditët e fundit, mesatarja e subvencionimit të çmimit janar – shkurt ka qenë 5 herë më e madhe se sa çmimi që keni marrë ju të gjithë në faturë, mesatarja. Pra, qeveria mbase nuk ka bërë sa duhet zhurmë për atë që po bën, mbase shumëkush nuk e ka pasur mendjen edhe ta dëgjojë sepse faktikisht qeveritë gjykohen dhe dëgjohen për atë që ndodh, kurse për atë që nuk lënë të ndodh, edhe nuk gjykohen, edhe nuk dëgjohen, por ne nuk po lëmë të ndodhë diçka që do të ishte çdo të ishte. Nuk po e lëmë ne të ndodhë, i jemi vënë në krah si asnjë qeveri më parë, as si ne vetë më parë, familjeve dhe bizneseve të vogla, duke marrë përsipër pesëfishin e barrës financiare të faturës së energjisë. Asnjë qeveri nuk e ka bërë këtë. As edhe një. I sfidoj, le të ma tregojnë. Ne e bëjmë pikërisht sepse unë nuk jetoj as i izoluar nga populli, as me kurriz nga ky popull dhe kjo qeveri nuk ka një metër tjetër për ti matur gjërat nga metri i popullit. Të tjerët, kolegë në rajon e në Europë, nuk dua të sjell emra, më thonë kjo është një çmenduri financiare, por çmenduri është edhe kriza e tregut të energjië, çmenduri është edhe lufta, çmenduri është edhe pandemia dhe përveç këtyre çmendurive që u ranë të tërë popujve mbi kokë, këtij populli i ra edhe taksirati i një çmendurie më shumë që ishte tërmeti, i cili dërrmoi ata që e pësuan drejtpërdrejtë por rëndoi psikologjikisht të madh e të vogël, këtu dhe jashtë, prandaj ne do të rezistojmë. Qeveria bashkë me ju do të rezistojë sa të mundemi, kështu, si deri tani, e ju do të keni nga hera e parë që do të vijë fatura tjetër e energjisë, transparencë e kësaj çmendurie financiare të shkruar aty, me përgjegjësi të plotë institucionale dhe morale ndaj jush që të shikoni që ndërkohë që ju do të vazhdohet të kërkohet të paguani aq sa keni paguar gjithmonë, pjesën tjetër nuk do t’ju kërkohet ta paguani ju, do ta paguajë qeveria, të cilës i kërkohet gjithçka për çdo gjë, gjithmonë, madje i kërkohen edhe gjëra që nuk ka lidhje fare me demokracinë dhe me lirinë e tregut, por pulsi i kësaj qeverie është në një gjatësi vale me pulsin e këtij populli, duan apo nuk duan ata që nuk duan dhe që gënjejnë, abuzojnë, shajnë, sajojnë, fabrikojnë fakte të paqena, ngrenë akuza të paskrupullta, si ajo e atyre 430 milionëve të famshëm, për të helmuar sa më shumë njerëz dhe për të ngrënë sa më shumë nga mishi i tyre i helmuar, i njerëzve që nuk kanë as kohën, as vëmendjen, as mundësinë të përqendrohen, që të kuptojnë shifra, të lexojnë fakte dhe që kanë dhe ca ustallarë pastaj që i tërheqin për hunde, ka gjithë këto vite, por që edhe bombat mbi Ukrainë dhe mbi tregjet e energjisë, të naftës, të grurit, të vajit, të shfrytëzohen për politikë, duke u shfaqur të maskuar si shoqëri civile apo si bamirës apo patriotë, rrethuar nga turma të nxjerra rrugëve nga ato hienat non grata të shpallura apo të pashpallura, nga foltoret apo fallxhoret e bashkuara në bunkerin e lirisë, ky është një turp, ky është një kulm, të cilin Shqipëria e rreshtuar aty ku e ka vendin dhe shqiptarët, populli shqiptar i rreshtuar aty ku i takon, nuk ia kanë borxh askujt. Luftën as nuk e nisi Shqipëria, as nuk e ndal dot Shqipëria e askush nuk e di dot se sa mund të zgjasë dhe çfarë kusuresh më shumë akoma mund të na rezervojë por ama Shqipëria dhe shqiptarët që janë shqiptarë edhe në ditën më të keqe, duhet ta përballojnë këtë sfidë ndaj të keqes me të paktën të njëjtin dinjitet që ato mijëra e mijëra familje shqiptarësh nga më të varfrit, të goditura nga tërmeti, pa dallim bindjesh, pa dallim origjine, krahine, dialekti e ku di unë se çfarë, e përballuan humbjen e gjithçkaje sa hap e mbyll sytë e ja ku janë, kthehen çdo ditë në shtëpi të reja. Nuk kishin asgjë e jo më naftë për X5.
Ndërkohë që ne, siç nuk i lamë vetëm asnjë ditë ato mijëra e mijëra familje, siç nuk lamë vetëm askënd më shumë në nevojë se sa të tjerët, gjatë fazës ë akute të pandemisë dhe siç nuk kemi lënë vetëm prej muajsh tanimë, ,ashtu me durim, me sforcim, duke qëndruar ditë të tëra, netë të tëra pa gjumë, me sytë e skuqur duke i gjëmuar çmimeve të energjisë, ashtu ne nuk do të lëmë vetëm askënd. Përderisa sot kemi përballë një kuçedër të krizës energjitike që mund të gllabërojë të dy pensionet menjëherë, dy pensionistëve të vetmuar, menjëherë, me një faturë, apo mund të gllabërojë gjithë pagat e një dyqani të një biznesi të vogël, ne do të mbrojmë në radhë të parë ketë vijë të frontit por nuk do lëmë vetëm as ata që goditen më fort nga rritja e çmimeve të shportës, as ata që goditen nga rritja e çmimeve të transportit publik dhe as ata që marrin paga deri në 50 mijë lekë të reja, se është bërë dhe një modë në këtë zhargonin e rrugës e të gjuhës së lëshuar që pagat në Shqipëri janë 300 mijë lekë, pagat në Shqipëri ka ca që thonë se janë 250 mijë lekë. Jo! Nuk është kështu. Në Shqipëri janë pagat minimale 300 mijë lekë. Ka paga 400, ka paga 500, ka dhe më shumë dhe faktet flasin krejt ndryshe dhe ata të cilët bërtasin më shumë nuk janë ata që kanë 300 mijë lekë, as 3 milionë lekë. Që të jemi shumë të qartë.
Të mohosh pasojat e luftës e të kërkosh të nxjerrësh gështenja në zjarrin e pasojave të saj do të thotë të mos kesh as dinjitet, as karakter e argumente jo e jo por vetëm urrejtje, inate, delire, që ushqehen nga politika e paturpësisë apo nga paturpësia e paditurisë në kërkimin e paturpshëm të manipulimin e njerëzve të shqetësuar. Tu thuash njerëzve që nuk ka asnjë krizë të energjisë por është një sajesë e qeverisë që kërkon t’ju vjedhë, sapo qeveria del dhe paralajmëron qysh në krye të herës krizën energjitike, kjo do të thotë të jesh pa dinjitet, do të thotë të jesh pa karakter, do të thotë të jesh i paskrupullt moral. Tu thuash njerëzve që Shqipëria i prodhon vetë të gjithë energjinë që duhet për nevojat e veta, nuk ka nevojë të importojë energji, por importi i energjisë bëhet për të vjedhur qeveria, kjo do të thotë të mos kesh as din, as iman, as një minimum respekti për njerëzit të cilët ke shansin tu flasësh se e ke një mikrofon dhe e ke një kamera përpara. Tu thuash njerëzve që Shqipëria e prodhon në vend të gjithë naftën që i duhet por e shet qeveria jashtë për të vjedhur e për ti hapur rrugën oligarkëve që ta importojnë e të vjedhin sëbashku, do të thotë të jesh fiks ashtu siç të do hasmi i këtij populli kur thoshte at Gjergji i pavdekshëm.
Dikush këtu në këtë faqe më shkruante, sot u bë katër ditë protestë, plotësoi kërkesat sa nuk është vonë. E vërteta është që nuk kam pritur asnjë protestë, nuk e kemi pritur as çmendjen e çmimit të energjisë, për të paralajmëruar krizën energjitike, duke marrë mbrapsht shumë sharje, akuza, përqeshje nga ata që nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë, por sidomos nga ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë.
Dhe jo vetëm dola unë e paralajmërova “do kemi krizë energjitike’ por ne vepruam menjëherë që askujt mos t’i hynte në xhëp ajo krizë, e cila sot nga ekspertët botërorë po quhet pandemia e re.
Unë nuk prita asnjë protest, që në fillim të kësaj jave të dilja atje bashkë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë e t’ju paralajmëroja se brenda javës dhe ja ku jemi sot brenda javës, qeveria do të kishte gati skenarët e përballimit të pasojave të luftës mbi çmimet dhe që të jem tërësisht i drejtëpërdrejtë se sot është dita për të folur shumë drejtëpërdrejtë dhe mbase më shumë se zakonisht që gjithësesi, unë përpiqem ta bëj gjithmonë, siç isha me komentuesin në fjalë, që dhe katër ditë, katër muaj, por dhe katër vjet të zgjasë kjo protestë asnjë gjë tjetër nuk do të bëj, përveç shprehjes së keqardhjes për militantët e bunkerit të lirisë që krijojnë turmën sharëse e ulëritëse dhe për disa folës që këndojnë të gjitha këngët, poshtë dritares sa herë kujtojnë se u hap sheshi për të bërë përshesh dhe u erdhi dita që të përmbysin klasën politike. Klasa politike, të gjithë njësoj domethënë, të gjithë hajdutë, të gjithë gënjeshtarë.
Unë mund të kem shumë të këqija të tjera, por vjedhja nuk është njëra prej tyre e po ua them hapur fare, tek çdokush që më akuzon për vjedhje, unë shikoj një hajdut apo kandidat për hajdut, sepse nuk mund t’i thuash tjetrit hajdut në ajër, pa e njohur, pa e ditur, pa asnjë provë, pa asnjë fakt nëse ti vetë nuk je hajdut, nëse ti je nuk je potencialisht një hajdut, nëse do kesh gjë në dorë.
Ndërsa gënjeshtra, unë nuk ju them kurrë atyre që më kanë bërë nderin e jashtëzakonshëm të besimit për t’i udhëhequr.
Unë nuk di të udhëheq duke i gënjyer ata, me të cilët bëjnë betejat dhe përballen me vështirtësitë, por përkudrazi unë besoj se kushti themelor për t’i fituar betejat është e verteta. E vërteta është një ilaç i hidhur, sidomos kur gjërat nuk shkojnë mirë, sidomos kur ka krizë, por është i vetmi ilaç që për t’u bashkuar për fitoren e një beteje e jo më të një lufte si kjo luftë, ku ne ndodhemi, e cila mbi Ukrainë hedh bomba ruse, ndërsa këtu ka sjellë faturat e çmimeve të rritura si me sustë.
Apeli im përsëri është se këtë luftë duhet ta përballojmë të bashkuar e jo të ndarë. Të bashkuar te të vërtetat. Ne mund të kemi opnione të ndryshme, por s’ mund të kemi fakte të ndryshme, ashtu sikundër çmimet e ngritura janë një fakt që nuk mund ta diskutojmë.
Edhe kriza e çmimit të energjisë si kriza më e mprehtë e kësaj lufte është një fakt që nuk mund ta diskutojmë se pastaj nuk merremi dot vesh, flasim komplet në dy gjuhë të ndryshme.
Faktin që Shqipëria nuk e prodhon të gjithë energjinë që i duhet, madje as në vitin me rreshjet më të larta dhe prandaj duhet të importojmë me se s’bën, ne nuk mund ta diskutojmë se ky është fakt.
Nuk mund të diskutojmë as faktin që Shqipëria nuk e prodhon në vend as diesel- in, as benzinën e nafta jonë eksportohet kryesisht për bitum.
As faktin që Shqipëria ka taksat më të ulëta në rajon mbi pagat dhe është i vetmi vend në Europë i cili e ka zero taksën dhe zero tvsh për biznesin e vogël, ne nuk mund ta diskutojmë.
Me faktet nuk luftohet, mbi faktet debatohet, por faktet njihen, pranohen dhe pastaj debatohen. A mund ta bëjmë nën zero apo e kemi mbi zero taksën e tvsh-në për biznesin e vogël.
Dakortësia mbi këto dhe të tjera fakte, na ndihmon të zgjedhim strategjinë e duhur për të fituar edhe këtë luftë. Në radhë të parë fare njëherë, pa e vënë në diskutim faktin se kjo është një luftë dhe se në luftë nuk mund të ankohesh si në paqe. As ka qeveri në botë që të jep mundësinë të jetosh pa e ndjerë fare çfarëdo ndryshimi sado të dhimbshëm që imponon lufta.
Sot, ne kemi përfunduar, kemi miratuar paketën e rezistencës sociale për të vazhduar ta përballojmë goditjën e krizës energjitike, pa e rritur çmimin për familjet dhe për biznesin e vogël, si dhe për të kompensuar goditjen nga çmimet e shportës të atyre janë më pak të mbrojtur.
Paketa e Rezistencës Sociale ka 7 pika:
-Së pari, ne do të derdhim menjëherë 3.6 miliardë lekë ose 36 milionë dollarë për të indeksuar pensionet. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve.
-E dyta, për 434 mijë përfitues qyterare e qytetarë të këtij vendi, ne do të kompensojmë me lekë në dorë, rritjen e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të përllogaritur përpara goditjes është 25 mijë lekë të vjetra plus.
Qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra për 3 muaj rresht si kompensim për rritjen çmimeve të shportës, për:
-pensionsitët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale,
-pensionistët e invaliditetit,
-pensionistët që jetojnë vetëm, (në kuptimin individualisht apo në çift)
-Persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike.
Pra, 434 mijë përftues nga kjo paketë rezistence për 3 muaj do të marrin 90 mijë lekë, 30 mijë lekë në çdo muaj sepse këta janë ata, që duhet normalisht të flasin dhe këta janë ata që dëgjojmë ne, në radhë të pare. Këta janë ata me të cilët jetoj unë çdo ditë, këta janë ata për të cilët mendoj unë edhe kur ata që vijnë bërtasin këtu, flenë gjumë dhe gërhasin.
3- Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa, do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD, e cila do të derdhet menjëherë. Ju lutem shumë të gjithë atyre që dalin në bulevard për të mbrojtur fermerët dhe që në fshat kanë shkuar vetëm për të ngërë qingja të pjekur, – mësojeni mirë fermerët e Republikës së Shqipërisë, jo ata të cilët kanë dhe ata ato partitë e tyre, kanë dha ata nxitësit e tyre, janë dhe ata peng I hijenave të tyre, por fermerët e Republikës së Shqipërisë e kanë naftën pa taksa. Mund të rritet sa të dojë çmimi, taksat ata nuk i paguajnë.
E dyta, kjo bëhet mbi bëzen e regjistrimit të NIPTI-t dhe kritereve minimale dhe e treta jemi gati ti mbulojmë të gjithë fermerët që janë atje në punë dhe që janë ata të cilët, i kanë ndryshuar fytyrën bujqësisë shqiptare, jo fytyrën që duket në ekranet e atyre që kanë të tjera qëllime për Pse-në e hapjes së ekraneve dhe përfshrjes në botën mediatike, por fytyrën e atyre që duket në pasyrën e ekportit.
Ky vend eksportonte 120-130 milionë dollarë në vit. Ky vend eskporton thuajse gjysmë miliardë në vit, prodhime bujqësore që shkojnë në Bashkimin Europian dhe në katër anët e botës, dhe ky gjysmë miliardi është bërë me punë, është bërë duke punuar dyfishin e tokës bujqësore që punohej deri përpara shtatë-tetë vjetësh, falë edhe mbështetjes së dhënë nga qeveria, falë edhe hapjes së kanaleve të bllokuar të kullimit dhe ujitjes e kështu me radhë.
E fundit që kam, ky vend importonte 7 dhe eksportonte 1, sot importon 3 dhe eksporton 1. Është një përmbysje e madhe e deficitit.
-E katërta, qeveria do mbështeë të gjithë shqiptarët që përdorin linja urbane qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit, qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit e qoftë kur hipën në një autobus për të shkuar nga një qytet në tjetrin. Këta janë ata, të cilët goditen dhe këta janë ata që ne marrim në mbrojtje.
-E pesta, do ta tërheqim, pra do e sjellim 2 muaj përpara futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si dhe uljen e taksës mbi pagat nga 1,5 deri në 2 milionë lekë të vjetra. Që do të thotë, 56% e atyre që në Shqipëri jetojnë me punë dhe paguhen me pagë, paguajnë 0 taksë mbi pagën, dhe nuk janë të gjithë që marrin 300 mijë lekë, e 300 mijë lekë nuk do marrin më, sepse,
-e gjashta, do tërheqim dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do bëhet 320 mijë lekë të vjetra.
-E shtata dhe e fundt, por kjo jo për nga rëndësia, por sepse i rikthehem kësaj sepse kjo është lufta e madhe e përditshme e jona për të mos u rrëzuar, energjia. Është pika më e nxehtë e gjithë frontit.
Kemi vendosur menjëherë të shtojmë 20 miliardë të tjera, 200 milionë dollarë, financimin e mburojës së çmimit të energjisë që të vazhdojnë familjet dhe bizneset e vogla të paguajnë, sikur këtu nuk ka ndodhur asgjë, energjinë elektrike.
Miq,
Jemi përsëri në vështirësi, si me tërmetin, si me pandeminë, por kjo është më e keqe akoma dhe sidomos nëse zgjat pafund, por ama, jo për fajin e Shqipërisë, por për fajet e dikujt që kërkon ta ktheje Europën në kohët më të zeza të shekullit të kaluar, të cilat, ne shqiptaret, dhe këtu flas për shqiptarët që i kanë jetuar e jo për ata që nuk i kanë jetuar dhe i fyejnë viktimat e komunizmit, duke folur për komunizëm sot.
Ne kemi kaluar më zi se të gjithë popujt e tjerë të Europës, por edhe këtu duhet të bashkohemi tek e vërteta, duke nisur nga e vërteta se lufta që na ka përfshirë përmes rritjes së çmimeve nuk është film, nuk është as larg nesh. Sot është rritja e çmimeve, por ne duhet të jemi shumë të përgatitur për çdo përkeqësim të mundshëm sepse është luftë dhe ne nuk mund të bëjmë dot asgjë tjetër, përveçse ta përballojmë me kurajo, dinjitet dhe me durim.
Nëse ne nuk arrijmë dot ta përballojmë dot me kurajë, dinjitet dhe durim kaq sa deri tani, më falni por, çfarë do bëjmë ne më tutje nëse gjërat përkeqësohen edhe shumë më keq?
Më thonë që “Mos i jep popullit pesimizëm, jepi shprese”. Shpresa lind nga e vërteta. Ai burri atje që po i tregon botës se çdo të thotë të jesh i pari i një vendi, ai shpresën tek triumfi nuk e ushqen me idenë që më e mira do bëhet vetë. Ai shpresën tek triumfi e ushqen me të vërtetën që mund edhe të japi jetën atje.
Prandaj, atyre që më thonë, “Shiko se ti vetëm fut panik, ti vetëm fut alarm, s’di t’i japësh popullit shpresë”, populli është një fjalë shumë e madhe dhe me popullin do ta mbyll, por dua t’ju them që shpresa është tek e vërteta.
Si mund t’ja themi vetes, në ndërkohë që ata, të cilët jan nën bomba dhe raketa vdesin, shkatërrohen, ndahen me përdhunë nga trungu familjar, shpërngulen nga toka e tyre, se ne nuk duam të kemi asnjë dhimbje koke më shumë sesa kur nuk kishte luftë fare dhe se ne na çmend tabela e cmimit të naftës? Si?
Disa arrijnë të thonë që nuk duhet t’i kishim vendosur sanksione Rusisë, meqë ata duhet ta blejnë naftën më shtrenjtë, mirëpo përsëri e vërteta na duhet për t’u bashkuar tek fakti dhe fakti është se njësoj po goditet nga rritja e çmimeve edhe kush nuk ka vënë sanksione.
Shikoni Turqinë. Në Turqi çmimi i energjisë sapo është dyfishuar, me gjithë inflacionin shumë të lartë prej disa kohësh që e ka përfshirë.
Shikoni Serbinë, ku i ka kërcyer çmimet, pavarësisht se as Turqia e as Serbia nuk kanë vënë sanksione. Shkoni edhe në Australi, shikoni Australinë që nuk është as në kufi me Ukrainën, nuk është as në Ballkanin Perëndimor, nuk është as në Europë. Si ka mundësi që atje çmimi i energjisë ka kërcyer, nafta, grupi e të tjere? Si shpjegohet kjo? Si mund të imagjinohet që në Shqipëri nuk ka as krizë energjetike, as pasoja lufte, por e gjithë ajo që gjithë botës i ndodh për të njejtat arsye, Shqipërisë i ndodhka për një arsye tjetër, për shkak se qeveria vjedh! Vjedh energjinë, vjedh naftën, vjedh dhe grurin, bashkë me oligarkët.
Kjo e vjedhjes del nga zorrët e atyre që janë mësuar të vjedhin, këtë di t’iu them unë, ose atyre që ëndërrojnë të vjedhin sepse nuk gjej asnjë shpjegim tjetër.
Ne nuk mund të jemi këta. Ne nuk jemi këta dhe Shqipëria sot është diçka krejt tjetër nga ata që dalin në rrugë për të krijuar të njëjtën gjë që kanë kërkuar gjithmonë, sherrin, përçarjen, rrëmujën, mundësisht kaosin, në atë përmbysjen e ëndërruar dëshpërimisht. Kaq dëshpërimisht sa tani kush i udhëheq, e di që është i djegur, i diskredituar dhe nxjerr përpara disa me demek fytyra të reja sepse edhe një kryefytyrë e re që ishte u dogj dhe u diskreditua edhe ajo.
Unë jam këtu për t’ju mbrojtur të gjithëve, ashtu siç ma kërkon detyra që ma ka besuar shumica e siç kam qënë këtu me ju dhe për ju, pavarësisht kahjeve kur keni humbur shtëpitë, apo kur na mbylli të gjithëve brenda pandemia.
Ju kam thënë ”Do t’ja dalim dhe do dalim më të fortë” dhe ashtu ka ndodhur. Jo sepse e kam thënë unë, por për një arsye tjetër, sepse në këtë vend ka një popull që është më i mençur dhe më i fortë se unë dhe çdo individ që flet në emër të tij, ka një popull që nuk jeton në internet, ka një popull që të jep ujë në bisht të lugës dhe ta mat kokën me pe, kur i thonë fjalës.
Unë ia kam borxhin durimin dhe përkushtimin tim pikërisht këtij populli që nuk bëhet ujk, duke kërkuar çdo mjegull, nuk bëhen as mish për top për ata që mblidhen këtu poshtë zyrës në emër të tij dhe thonë “Erdhi populli këtu”. Jo, populli nuk vjen këtu ,të paktën nuk ka ardhur tani këtu.
Sinqerisht fare, më lejoni ta them këtë, të ishte për shqipet që fluturojnë duke përbuzur të vërtetën, faktet dhe deri edhe punën e tjetrit, më besoni që nuk do harxhoja asnjë orë e jo më vite të tëra pa gjumë në krye të kësaj detyre.
Lufta nuk është as e majtë, as e djathtë.
Faktet nuk janë as të majta e as të djathta. Por nuk është as i majtë e as i djathtë as karakteri i një populli dhe i çdo individi.
Shqipëria nuk është as e majtë e djathtë. Prandaj, luftën duhet ta bëjmë të bashkuar, jo të ndarë. Ta bëjmë të bashkuar edhe këtë luftë, të bashkuar tek faktet, të bashkuar tek bindja se kjo është një tjetër sprovë e madhe karakteriale, të cilën ne duhet ta fitojmë me se s’bën, cilado të jenë dhimbjet që duhet të përballojmë dhe të dalim me se s’bën edhe më të fortë pikërisht sepse i kemi kaluar të gjtiha dhimbjet së bashku.