Paketa e Rezistencës Sociale – takim me importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me produktet e shportës. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Paketa e Rezistencës Sociale – takim me importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me produktet e shportës.

Cikli i takimeve me fokus Paketën e Rezistencës Sociale, vijoi sot në Doganën e Tiranës, ku Kryeministri Edi Rama bashkëbisedoi me importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me produktet e shportës, në këtë kohë sfiduese kur lufta në Ukrainë ka cenuar krejt zinxhirin e marrëdhënieve tregtare në Europë e në botë.

Në këto kushte, kur veprimtaria e importuesve dhe furnizuesve impaktohet drejtpërdrejtë, nga situata e krijuar, Kryeministri Rama bëri të ditur se qeveria do të vijë në ndihmë përmes garancisë sovrane, me qëllimin që të gjithë ata që janë përfshirë në zinxhirin e furnizimit me lëndët bazë dhe ushqimet bazë, të kenë mundësi të investojnë dhe shpenzojnë sot më shumë se zakonisht, për të pasur një rezervë ekstra, përtej rezervës normale për çdo rast.

“Ne kemi vendosur garancinë sovrane për ju, që ju ta merrni dhe ta përdorni me garanci të plotë të shtetit çdo kredi, për të marrë edhe më shumë furnizim se zakonisht, për ta patur aty për çdo rast në afat të gjatë, sepse sot për sot të gjithë depot janë plot, me mirëkuptimin e shkruar jo me fjale, që çdo gjë që do mbetet do e marrë shteti.” – u shpreh Kryeministri.

Gjatë takimit, u diskutua ndër të tjera ecuria e masave të ndërmarra deri tani nga qeveria, si pjesë e Paketës së Rezistencës Sociale.

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me produktet e shportës:

Unë erdha sot në radhë të parë për t’ju falënderuar juve dhe nëpërmjet jush edhe të tjerët që janë pjesë e së njëjtës kategori, për shkak sepse jemi realisht mirënjohës për ndjeshmërinë dhe për gatishmërinë e shprehur, jo me fjalë, por me fakte nga ana juaj, që të bëheni pjesë e kësaj përpjekjeje te përbashkët në këtë hall të madh që nuk na ka zënë vetëm ne, por ka zënë të gjithë Europën, të gjitha vendet, si rezultat i një kombinimi realisht shumë unik krizash. Nga kriza energjetike, tek kriza e zinxhirit të furnizimit për shkak të luftës në Ukrainë në radhë të parë, që ka impaktuar të gjitha marrëdhëniet tregtare në një botë që tanimë është shumë e vogël për shkak se të gjitha veprimet dhe ndërveprimet janë të lidhura.

Natyrisht që ne jemi shumë të vetëdijshëm që kjo përpjekje dhe krijimi i këtyre dy bordeve që ne kemi ngrituri për të adresuar këtë problematikë shumë të mprehtë, është një përpjekje antisistem, në sensin që nuk është e natyrshme dhe nuk është as e këshillueshme që ndërkohë që kemi zgjedhur këtë sistem të ekonomisë së tregut të lirë dhe të marrëdhënieve krejt të lira në treg, shteti të ndërhyjë për të përcaktuar marzhe fitimi, për vendosur tavane e kështu me radhe. Për këtë arsye, ne e kemi bërë këtë gjë në mënyrë të sjellshme ndaj sistemit, duke përfshirë dhe ju, por ama njëkohësish nuk është e natyrshme as një situatë e tillë lufte dhe krize që cenon drejtpërdrejtë bazën e jetesës se përditshme, që është furnizimi me energji dhe ushqime bazë.

Ju e dini më mirë se unë, ju e dini më mirë se kushdo tjetër se në çfarë vështirësie ndodhet zinxhiri i furnizimit. Ju e keni shumë të qartë edhe sesi një luftë e cila është relativisht larg, në kilometra nga Shqipëria, impakton drejtpërdrejtë veprimtarinë tuaj. Ndërkohë mjafton të hysh dhe të shohësh disa të dhëna shumë të thjeshta, mbi peshën që kanë këto dy vende te përfshira në këtë konflikt në mënyrë të drejtpërdrejtë, Rusia dhe Ukraina, agresori dhe viktima, në furnizimin me lëndë bazë të tregjeve në Europë dhe përtej saj, për të kuptuar pse-në e kësaj shtrëngese shumë të fortë.

Po shoh Netën këtu, që ka dhe një emër shumë të dashur për mua, por që është një nga personazhet e spikatur të transformimit të madh të sektorit të bujqësisë, e cila është nga eksportueset kryesore. Ajo e di shumë mirë, sikurse e dinë dhe të tjerët që janë këtu dhe të përfshirë drejtpërdrejtë me bujqësinë, se sa është rritur dhe sa probleme është çmimi i uresë, por në të njëjtën kohë, mjafton të shohësh se 80% e uresë prodhohet në Ukrainë për Europën, jo për Shqipërinë thjesht, për Europën, për të kuptuar pse-në dhe kështu janë dhe hallka të tjera të ndërlidhura.

Ajo që vlen sot për ta theksuar këtu, ju me siguri e dini, jeni informuar nga ministrja, por për edhe për të tjerë që mbase nuk e kanë dëgjuar, por edhe për publikun, është që ndërkohë ne e mirëkuptojmë shumë situatën tuaj edhe të pasigurisë në financim, por edhe të pasigurisë se përgjithshme sesa do zgjasë kjo situatë, sa do zgjasë kjo kohë dhe dakord që ne do investojmë për të siguruar në vijimësi rezerva, por çfarë do ndodhë nëse kjo situatë lehtësohet më përpara?

Prandaj ne kemi vendosur garancinë sovrane për ju, që ju ta merrni dhe ta përdorni me garanci të plotë të shtetit çdo kredi, për të marrë edhe më shumë furnizim se zakonisht, për ta patur aty për çdo rast në afat të gjatë, sepse sot për sot të gjithë depot janë plot, me mirëkuptimin e shkruar jo me fjale, që çdo gjë që do mbetet do e marrë shteti.

Pra nuk është se ju do ju mbetet aty e pa shitur dhe kështu do humbisni paratë tuaja nga një investim me një përgjegjshmëri sociale në këtë rast, jo thjesht investim biznesi, për të qenë aty në momentin që çdo gjë mund të ndodhe, mund të jetë e nevojshme. Kështu që, kjo garanci sovrane është për këtë qëllim, që te gjithë ata që janë përfshirë në zinxhirin e furnizimit me lëndët bazë dhe ushqimet bazë, të kenë mundësi të investojnë sot, të shpenzojnë sot më shumë se zakonisht, për të pasur një rezervë ekstra, përtej rezervës normale për çdo rast. Kjo rezervë ekstra është një rezervë shtetërore në të njëjtën kohë, që do të thotë, ju do e përdorni siç përdorni të gjithë rezervën tuaj, çdo gjë që do të mbetet, në rast se do mbetet për shkak të mbi furnizimit, do ta marrë shteti, pra është e garantuar. Nuk ka asnjë diskutim që ju s’do humbisni asnjë qindarkë në këtë operacion.

Tjetra, që dua të përfitoj nga rasti të them është çështja e furnizimit me energji. Gjërat janë çdo ditë dhe më keq, në pasqyrën e përgjithshme flas, të furnizimit me energji. Aq e vërtete është kjo sa të gjitha vendet po gjenden në një situatë krejt të paparashikueshme rritjeje të vazhdueshme të çmimeve të energjisë. Nga ana tjetër, problemi themelor dhe frika themelore nuk është thjeshtë rritja e kostove dhe çmimit, por është mundësia e mungesës së energjisë, që të dalësh në treg dhe mos ta gjesh. Ne kemi marrë përsipër diçka që e konsiderojmë absolutisht bazë te domosdoshme për të mbajtur një frymëmarrje normale për një kohë të vështirë për të gjithë, mos rritjen e çmimit te energjisë për të gjithë familjaret, të gjitha familjet dhe për biznesin e vogël.

Ndërkohë që për pjesën tjetër sigurisht që duke qenë që prej kohësh jemi në marrëdhënie të tregut të lirë, aty është një diskutim tjetër.

Dy gjëra dua të them. E para, që bizneset e mëdha duhet seriozisht të mendojnë për të investuar në vetëprodhim të energjisë pa pretenduar që të bëhen prodhues për të gjithë sistemin elektroenergjitik shqiptar, sepse kjo pastaj për kohën që jemi, jo në Shqipëri por në të gjithë botën, është diçka që konsiderohet e rrezikshme për sistemin, për futjen në rrjet të çdo pjese të energjisë që nuk konsumohet apo për shkëmbim energjie.

Ndërkohë që ne po përgatisim një plan për të incentivuar, për të mbështetur familjarët. Nëse familjet në një pallat do duan të investojnë për të vendosur panele diellore për përdorimin e tyre, për ujin e ngrohtë dhe njëkohësisht për bizneset, nëse do duan të prodhojnë energji për fabrikën e tyre gjatë gjithë kohës së ditës. Problemi bazë i shkëmbimit aty është mundësia për ta pasur ditën dhe pamundësia për ta pasur natën, gjë që sjell nevojën për shkëmbim, por në kushtet e një biznesi dhe një fabrike që aktivitetin kryesor e saj e ka gjatë ditës, kjo është më e arsyeshme.

Ky është njëri aspekt dhe kjo nuk ka lidhje me luftën, nuk ka lidhje me krizën, kjo ka lidhje me sot dhe me gjithmonë dhe çdo biznes i madh prodhues apo përpunues që ka një konsum më të lartë energjie sesa konsumi i zakonshëm për shkak të veprimtarisë së vet, që do të investojë për të prodhuar vetë energjinë me panele diellore, do të bëjë një investim jashtëzakonisht të arsyeshëm dhe me një përftim të madh në kohë, jo menjëherë por në kohë dhe s’do ketë më dhembje koke nga kjo anë. Sigurisht është një investim jo i vogël në fillim por në afat të mesëm dhe afatgjatë është absolutisht investim përfitues dhe për këtë, unë do doja që ju të ishit, si të thuash në pararojë dhe ne do të bëjmë çmos që të gjejmë rrugë mbështetjeje, por gjithmonë pa përfshirjen në rrjet, pra rrjete autonome për këtë kohë, sepse problematika e përfshirjes në rrjet është problematikë shumë e komplikuar. Gjithë bota e ka këtë problem dhe për këtë arsye vendet kanë limite të prodhimit të energjisë jashtë rrjetit dhe të shkëmbimit të energjisë. Ne kemi tavanin më të lartë në Europë. Krahasuar më vendet e tjera, ne jemi në pikën më të lartë të tavanit të mundësisë për të shkëmbyer, nuk mund të shkojmë më tutje.

Ndërkohë po bëjmë një studim të madh për të parë një fazë të dytë zhvillimi dhe zgjerimi të marrëdhënieve me rrjetin por ama sot për sot, edhe ky investim për vetëprodhim individual, të pavarur nga rrjeti dhe pa lidhje me rrjetin është në çdo kohë, në çdo rast në një kohë të dytë i mundur që të lidhet me rrjetin, nuk është diçka që mbetet jashtë, ama për momentin të krijon një pavarësi të plotë, kapacitet të plotë për të patur e për të mbuluar prodhimin.

Ana tjetër që dua të them është domosdoshmëria për të vazhduar të garantojmë furnizimin me energji dhe për të vazhduar t’i qëndrojmë me çdo çmim pozicionit tonë që nuk do ta rrisim çmimin e energjisë. Uroj që të jemi në gjendje ta mbajmë, nëse do vijë një moment që nuk do ta mbajmë, do të themi që deri këtu mundëm ta mbajmë dhe do të japim arsyet, por për momentin mendojmë se e mbajmë dhe sigurisht mbajtja ka një kosto të jashtëzakonshme në buxhetin e shtetit.

Ana tjetër e medaljes është nafta. Sot që flasim problemi me naftën është gjithmonë e më i mprehtë për të garantuar sasitë, jo thjesht tek çmimi, por për të garantuar sasitë. Aq i mprehtë është ky problem sa mjafton të shohim se çfarë përpjekjesh po bëjmë për të bërë me shpejtësi një transformim gjeopolitik që askush s’e imagjinonte dhe për të përfshirë Iranin në treg pas 47 vjet sanksionesh. Kjo e tregon thellësinë e problemit. Megjithatë edhe këtu ne nuk kemi qëndruar thjesht duke parë ose duke ndjekur tregun, por po bëjmë përpjekje serioze për të mbështetur në çdo rast njësoj si me ushqimet edhe furnizimin, në rast mungese. Nuk kemi ende diçka përfundimtare, por jemi në rrugë të mbarë që të kemi furnizim në rast se do duhet dhe do të mungojë. Gjëja që mund të ndodhë është që të mos ketë naftë nëpër pompa nëse kjo luftë vazhdon gjatë dhe nëse nuk krijohen burime të reja. Vendet e OPEK-ut nuk hapin rrugë për të prodhuar më shumë. Si zgjidhet? Vështirë, megjithatë e kapërcyeshme, por gjithmonë duke patur parasysh se kjo është një situatë krize, nuk është një situatë që ne të jetojmë këtu në Shqipëri sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe sikur asgjë nuk ndodh.

E fundit që kam është se ne do të vazhdojmë të mbështesim ata që janë më në nevojë. Janë mbi gjysmë milioni individë që do të përfitojnë nga mbështetja direkte e qeverisë, duke filluar menjëherë, për 3 muaj rresht. Ashtu sikundër, do të mbështesim bujqësinë me naftë pa taksa dhe këtu tek bujqësia kam vetëm një gjë për të thënë, për të gjithë ata që thonë se bujqësia “mbaroi”, “vdiq”, “nuk kapërcen dot dimrin”. 14% plus eksportet bujqësore janar-shkurt krahasuar me janar-shkurtin e vitit të kaluar, sepse bujqësia është e ndarë në dysh.

Ka një pjesë, e cila nuk bën zhurmë, por bën punë, e cila është e organizuar dhe është baza prodhuese e këtij vendi në sektorin bujqësor dhe e cila ka përmbysur shifrat në mënyrë spektakolare. Ne ishim një vend me 120 milion eksporte, qesharake. Sot jemi thuajse gjysmë miliardi eksporte, përfshirë edhe peshkimin por duhet të shkojmë patjetër tek 1 miliardë për të qenë normalë, seriozë me prodhimin tonë dhe shifra tjetër është, ne eksportonim 1 dhe importonim 7 ndërsa sot eksportojmë 1 dhe importojmë 3, pra është përgjysmuar pjesa e importit që ka të bëjë me prodhimet bujqësore dhe është rritur eksporti, që do të thotë se në treg sot kemi shumë më tepër prodhime vendase se ç’kishim para disa vjetësh.

Kjo pjesë e bujqësisë funksionon me të gjitha problematikat e veta, me të gjitha nevojat e veta padiskutim, ndërkohë që një pjesë tjetër, tek bujqësia, e individëve që qëndrojnë të vetmuar në ngastrën e tyre dhe nuk krijojmë sinergji organizimi dhe bashkëpunimi, është një bujqësi që lëngon, patjetër, se nuk ka sesi të jetë ndryshe, është e pamundur. Tjetër është fermeri që ka kontratën me Netën dhe që Neta i thotë “Unë do të ta marr gjithë mallin, urdhëro kjo është fara, këto janë imputet, kjo është mënyra se si do ta trajtosh, unë do ta marr dhe ti nuk ke asnjë problem tjetër, urdhëro lekët”, dhe tjetër fermeri që e prodhon dhe pastaj nuk di ku ta çojë se askush nuk ia merr.

Pse ndodh kjo? Sepse ai që rri vetëm, e ha ujku në këtë sektor. Ne duhet të vazhdojmë të stimulojmë sinergjitë dhe të gjithë duhet të kuptojnë se duhet të përfshihen në zinxhirin e sinergjisë. Nuk dua të zgjatem më tepër. Duke qenë se jemi këtu bashkërisht dhe nuk erdhëm vetëm për të folur vetëm ne por edhe ju dhe mendoj që është e udhës që fjala juaj të dëgjohet edhe nga publiku, duke shfrytëzuar dhe prezencën tonë, gjithkush të jetë I qartë se kjo është situatë jashtëzakonisht e komplikuar por ama në këtë situatë, e vërteta është dhe kjo është një nga gjërat më pozitive të kësaj situate, ndryshe nga çfarë thuhet dhe çfarë thashethemohet, importuesit kanë qenë realisht në një predispozitë reale dhe realisht e kanë bërë shumë më të lehtë këtë përpjekje tejet të komplikuar të vendosjes së tavaneve dhe natyrisht, këtu ka një rol të rëndësishëm pakica sepse çmimet në fund të zinxhirit, është pakica që i vendos aty kur qytetari hyn tek dera dhe falënderimin për çfarë keni bërë deri tani dhe me shpresën dhe besimin që do vazhdoni të rezistoni edhe ju sepse kjo është një lojë nervash e tmerrshme.

Mua nuk më ka bërë vaki por tani e filloj ditën me grafikët e çmimeve dhe e mbaroj ditën me grafikën e çmimeve dhe 4-5 herë në ditë shkoj e shoh atë grafikun e lëvizjes së naftës. Nuk më ka bërë vaki kurrë, duke mos pasur as patentë, duke pas ndarë mendjen se nuk do marr asnjëherë patentë vetëm për faktin se sa herë hyj në ndonjë makinë, shoh se nuk ka distancë për të mbajtur normalisht këmbët me marshe e me këto.

Faleminderit.

– Mirëdita! Për sa i përket sektorit që mbulojmë si shoqatë, pra sektori i importimit të grurit dhe përpunimit të miellit, do kisha thënë se mendojmë se kemi funksionuar me shumë rezultat, kemi arritur në bazë të furnizimit që kemi pasur të përballojmë tregun, të mos mungojë asgjë. Gjithashtu, vazhdojmë të sjellim furnizime, momentalisht nga dje po shkarkohet një anije tjetër në portin e Durrësit, sot fillon Serbia me 22 kamionët e parë. Situata e furnizimit është e normalizuar ashtu sikurse ka qenë. Problem mbetet çmimi sepse është diçka që varet nga dikush tjetër. Unë kam propozuar që në Bord të kemi dhe shoqërinë civile. T’i shohin vetë shifrat që të mos etiketohemi më dhe shifrat që ne prezantojmë janë të tilla dhe kokëforte.

Përshëndesim edhe mbështetjen nëpërmjet instrumentit financiar, garancinë sovrane, sepse me thënë të drejtën, kapitalet e qarkullimit janë trefishuar. Këto kisha për të thënë në përgjithësi dhe do thoja që pavarësisht nga situata që krijohet, ne vazhdojmë të theksojmë që sa i përket furnizimit nuk do ketë asnjë problem.

Kryeministri Edi Rama: Mua më duket ide jashtëzakonisht pozitive dhe për tu marrë në konsideratë menjëherë që mbledhja e Bordit për produktet bazë të bëhet transparente komplet dhe që vetë ju, me letrat në dorë, me një tabelë atje, të shpjegoni strukturën e çmimit, ta shohin të gjithë pastaj ata që duan të interpretojnë do vazhdojnë të interpretojnë, nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Ata që duan të bëjnë luftën me faktet, do vazhdojnë të bëjnë luftë me faktet. Për shkak të detyrës, unë mendoj që mund ta them pa ndrojtje që sot Shqipëria ka një industri të prodhimit të miellit, jo vetëm që është garante e çmimit më të lirë në rajon por është garant e një cilësie brenda të gjitha standardeve për eksport. Unë i kam vizituar një pjesë të fabrikave, kam parë edhe gjithë ciklin e zhvillimit të tyre. Para disa ditësh ishim në një fabrikë tjetër, tek vëllezërit Nela, një industri ekselence dhe po ashtu zoti Haxhiymeri dhe të tjerët që janë këtu por sigurisht, ne i përkasim një bashkësie ku çdo gjë të falet, përveç suksesit dhe ju mbartni mëkatin më të madh të mundshëm, suksesin. Për këtë arsye, do duhet të pranoni që sa herë të flitet për miell, sa herë të flitet për vaj, sa herë të flitet për çfarë prodhoni ju, në televizor, ju jeni ata që helmojnë popullin, ata që shesin krunde. E vërteta është krejt tjetër në këtë rast.

Nga ana tjetër dua ta përmend meqenëse e përmendi zoti Haxhiymeri, që hapja e kanalit me Serbinë nuk është varësi, siç është interpretuar, nuk është se mbeti puna që ne të shtrijmë dorën, ti nënshtrohemi shkjaut, por është thjesht hapja e një kanali që ka ekzistuar aty prej 20-30 vjetësh, por që ishte i mbyllur si rezultat i mbylljes që Serbia bëri, siç po bëjnë gjithë vendet e tjera. Turqia sot, një vend super mik, atë që s’ka, s’ka. Të thotë “Mos më kërko se nuk kam”, për të hapur një linjë furnizimi X. Nuk them se na e ka thënë ne, por ia thotë të gjitha vendeve dhe për shkak të Ballkanit të Hapur, me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kanalet janë të hapura, që është një gjë pozitive besoj, dhe që shpjegon, edhe pse nuk është ky vendi por meqë u hap, në fund të fundit Ballkani i Hapur është për eksportuesit shqiptarë që janë këtu dhe për importuesit shqiptarë që janë këtu dhe nuk është për politikanët dhe skemat e mëdha grandioze të gjeopolitikës së turbofolkut shqiptar. Është ekzaktësisht mundësia që ti të përfitosh nga marrëdhënie të një tregu më të madh, kaq e thjeshtë.

Këtu kemi edhe biznese të vogla dhe mbase ndonjëri prej bizneseve të vogla do dëshirojë të flasë, ashtu sikundër do kisha dëshirë të fliste ndonjëri që është i lidhur me produktin që sot është produkti me çrregullime më të mëdha në treg që është vaji dhe për shkak të saj, i përket pjesës më të errët të këtij grupi këtu nën akuzë. Nëse dikush prej jush që merret drejtpërdrejtë me vajin do mund të ndriçonte pak me arsyetimin e vet dhe me shifrat dhe faktet si qëndron puna, do ishte shumë e vlefshme. Ndërkohë, Ukraina është eksportuesja më e madhe e vajit të lulediellit, e lëndës bazë, më e madhja. Kjo i shpjegon të gjitha por një shpjegim edhe më i detajuar do ishte shumë i mirëseardhur.

Për biznesin e vogël do thosha që ne do vazhdojmë të këmbëngulim shumë fort që biznesit të vogël nuk do t’i rritet çmimi i energjisë dhe nuk do t’i vihet taksë. Jemi vendi i vetëm në rajon dhe Europë, nuk e di për botën se është e madhe, por në rajon dhe Europë që e ka zero taksën dhe zero TVSH për biznesin e vogël dhe do qëndrojmë kështu. Na ka dhënë qartësisht rezultat pozitiv kjo gjë. Me fiskalizimin gjithë problematika e mbylljes së zinxhirit garantohet, biznesi i vogël paguan sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore për secilin, që janë për ta jo për ne, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të cënohet.

Kemi parë një rritje shumë të shëndetshme të biznesit të vogël, kemi parë një rritje të numrit të bizneseve të vogla, duam që sa më shumë shqiptarë të përfshihen në këtë kategori vetëpunësimi dhe punësimi të vogël, që është baza për të vazhduar një rritje të mëtejshme. Për këtë arsye, biznesi i vogël do jetë i privilegjuari në marrëdhëniet tona me gjithë botën e biznesit. Ndërkohë, për pjesën e biznesit të madh, e thashë që garancitë, mos rritja e mëtejshme e taksës, sepse kanë taksën më të lartë në rajon, 15% dhe vetëprodhimi i energjisë.

– Sa i përket vajit, të gjithë jemi në dijeni që dy vendet që sot ndodhen në konflikt të hapur, Rusia dhe Ukraina, përbëjnë 80% të prodhimit botëror të vajit, gjë që me atë 20% që ka mbetur jashtë, është e pamundur të mbulohen nevojat. Kuptohet që nuk mund të themi sot që gjithë kjo rezervë vaji që këto dy vende disponojnë do mbetet atje apo do shkatërrohet nga lufta. Kjo rezervë vaji mund të vihet në dispozicion por kemi një fenomen tjetër mjaft problematik. Dihet që prodhimi i farës së lules së diellit realizohet në muajin mars, mbjellja e farës dhe në Ukrainë, që përfaqëson 44% të prodhimit botëror nuk po ndodh për arsye që i dimë shumë mirë. Pra, problematika e vajit do jetë diçka që do vazhdojë dhe çmimet nuk janë çmime që referohen nga prodhues apo ambalazhues shqiptarë.

Ajo çka ne mund të themi për pjesën në vijim është që angazhimi që ka marrë qeveria shqiptarë duke ofruar Garancinë Sovranë për kreditimin e shoqërive që merren me importin e vajit është tejet e rëndësishme sepse gjykojmë që është e vetmja industri e cila do krijojmë rezervat më të mëdha krahasuar me atë që ndodh me industritë e tjera. Të mos harrojmë që në fushën e drithërave, Rusia dhe Ukrainë përfaqësojnë rreth 24-25% të prodhimit botëror.

Dua të theksoj dhe diçka tjetër. Diskutohet sikur në vendet e rajonit dhe Europës vaji është shumë lirë. Absolutisht nuk diskutohet! Çmimet e vajit sot në Greqi është 4,5 deri në 5 euro. E njëjta gjë në Itali, në Gjermani është kufizuar shitja e vajit të lulediellit, vetëm një litër për frymë në muaj. E njëjta gjë në Francë, po ashtu Italia ka bllokuar çdo eksport të vajrave. Pra, kemi një situatë të vështirë në këtë aspekt.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit se këto janë, e përsëris, duhet që mbledhja e bordit të jetë mbledhje për punën e përbashkët dhe por të jenë dhe mbledhje për informimin e publikut, kështu që duhen përgatitur mirë me transparencë të plotë. Publiku të ndjekë të gjithë diskutimin që bëhet, si diskutohen çmimet, çfarë ka ndodhur në treg në javën e kaluar, çfarë rritjesh apo uljesh ka, si jemi me furnizimet, që te mos ketë asnjë lloj pasigurie, se s’ka vend për pasiguri. Ne jemi realisht të qetë nga kjo anë, ju rezervat i keni plot, por ka vend për një punë të madhe të përbashkët dhe për këtë arsye do ju vëmë në dispozicion garancinë sovrane që ju të blini më shumë, kjo nuk diskutohet.

Ne ndërkohë jemi angazhuar, ju e dini mirë, jemi angazhuar që t’ju krijojmë kushte, t’ju hapim kanale të reja për të marrë produkt nga nuk e merrni zakonisht për shkak se janë mbyllur apo ngushtuar kanalet që ju keni. Kjo është puna e përbashkët që do bëjmë dhe absolutisht që këto pastaj që “këtu është më shtrenjte se ne çdo vend të botës”, këtë do ta dëgjojmë gjithmonë ne, nuk ka për të ndryshuar kjo, jo në kohë lufte por dhe ne kohë paqeje. Këtu të huajt që vijnë çuditërisht thonë, “është lirë” dhe pastaj kur e thua këtë hidhen shqipet e internetit dhe thonë “po ata i kanë rrogat e larta”. Ata i kanë rrogat njësoj dhe atje, rrogën e marrin atje ata, nuk e marrin këtu. Me atë rrogë që marrin atje, vijnë këtu dhe thonë “këtu është lirë”, në raport me atë që është atje. Nga ana tjetër në këtë dileme e kemi zgjidhur që ’90 kur buka u rrit 10 herë brenda një nate, dhe rrogat nuk u rritën, ishin inekzistente atëherë sepse hymë në këtë sistem.

Meqë ra fjala për rrogat, para se të vinim këtu ishim me Delinën, po shikonim gjithë pasqyrën e pagave dhe ne sot vetëm nga rishikimi i pagave i kompanive dhe i bizneseve si rezultat i kërkesës së thirrjes për të nxjerrë në dritë më shumë nga paga, se ne e dimë shume mirë që pagat në Shqipëri në sektorin privat një pjesë janë në drite dhe një pjesë janë të padukshme, ne e dimë shumë mirë. Ju e dini më mirë se unë, e dini nga të tjerët se vet nuk e bëni por kjo dihet. Vetëm nga kjo ne kemi një rritje mesatare të pagës 90 mijë lekë te vjetra, 90 dollarë, vetëm nga kjo, që do të thotë që ai 90 dollarëshi aty ka qenë dhe nuk diskutohet që janë më të larta akoma dhe ne do vazhdojmë ta kërkojmë këtë gjë. Njësia që kemi ngritur ka hyrë tani në hetime dhe përfitoj nga rasti që t’i bëj thirrje të gjithëve që në deklarimin tjetër të pagave ta vënë pagën se do godasim pa asnjë tolerancë aty ku do kapim. Nëse del keq me pagat nga hetimi tatimor, pastaj do shkosh të merresh me Prokurorinë dhe ne nuk duam që kompanitë të shkojnë në Prokurori. Ne duam që kompanitë të japin kontribut në ekonomi, por ama nuk mundet dot që ne të flasim për pensione të ulëta, dhe ndërkohë të tolerohet që pikërisht pensionet të goditen nga mospagimi i detyrimeve shoqërore aq sa duhet për pagën përkatëse.

– Përshëndetje! Ne jemi përpjekur ta përballojmë këtë situatë, kuptohet ka ndikim te prodhuesit e bukës. U ndje një goditje e madhe ne fillim, pati një panik.

Ne kemi ngritur grupe punë duke bërë takime me kolegët nëpër rrethe kur vazhdimisht jemi përpjekur të mos ketë situata të agravimit të rritjes se çmimeve ose te problematikave ne furnizimin me bukë. Nuk ka patur rritje ekstreme të çmimit të bukës, flas për bukën masive, por kemi patur një ritmikë shumë të ulët që ka qënë e imponuar nga rritja e çmimit te miellit. Mielli është rritur shumë. Nuk ka qene ndonjëherë në historikun e furnizimit me këto çmime, por ne si grup i unionit të prodhimit të bukës po përpiqmi që te mos krijojmë problematika ne furnizimin dhe të ruajmë në të njëjtën kohë ekuilibrin e çmimeve.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit. Është shume ndihmuese për ne kjo.

– Unë jam përfaqësues i tregut të inputeve. Besoj që nëse ka një vullnet pozitvi, gjithçka mund të kapërcehget. Ajo që kërkoj unë është të koordinohen të gjithë instrumentet, të gjithë ata faktorë që ndikojnë. Një tymuese e hedhur në Parlament, në tregun tonë sjell…

Kryeministri Edi Rama: Po më kërkove këtë, nuk ta bëj dot.

– Unë besoj në atë që ke mekanizmat. Pastaj të tjerat…

Kryeministri Edi Rama: Tymueset e Parlamentit pritet të shtohen, jo të ulen.

– Nëse shtohen, atëherë ne na çojnë në prag të dorëzimit. Ne nuk jemi as oligarkët, as kulakët e këtij vendi, jemi heronjtë që po e mbajnë por çdo gjë ka limit. Gjeni mekanizmat. Ne edhe mund të gabojmë, edhe mund të jemi duke gabuar por nuk është momenti sot për të ngritur trekëndëshat. Shteti i ka të gjitha instrumentet që pas ta kapërcejë me sukses këtë, të na analizojë. Mendoj që do na jepni medalje.

Kryeministri Edi Rama: Edhe një herë, unë sinqerisht nuk di, as nuk e kam gjetur dot as nuk e kam parë ta gjejë njeri se si mund të neutralizohen tymueset e parlamentit të Shqipërisë, për fat të keq. Unë nuk hyj tek ata që mendojnë, jo që ju, por që në Shqipëri ka oligarkë. Në Shqipëri nuk ka oligarkë sepse është një fjalë e futur si një lloj gogoli për ti krijuar njerëzve idenë që këtu janë disa forca të errëta që po ju pijnë gjakun dhe për ta sjellë në kohë atë hijen e kulakut të dikurshëm por oligarkë në Shqipëri nuk ka, se oligarkë do të thotë njerëz të pasur, që marrin vendimet politike, këtu nuk ka. Që të ketë një njeri apo një grup njerëzish që vendosin se çfarë duhet të bëjmë ne, qeveria e Republikës së Shqipërisë, kjo nuk ekziston, e para.

E dyta, ne kemi vendosur, ne që akuzohemi për këtë kemi vendosur taksën më të lartë në rajon për më të pasurit, për bizneset e mëdha.

E treta, kur flitet për biznesin e madh, ata që e sulmojnë biznesin e madh, as nuk e kanë fare parasysh që biznesi i madh nuk është një person, sado i papëlqyeshëm, sado i pasur të jetë. Biznesi i madh është një numër shumë i madh familjesh që ushqehen nga puna që krijon ai biznes i madh.

Për të ardhur tek çështja e inputeve dhe gjithë këtyre elementëve mbështetës po themi të domosdoshme për bujqësinë, aty kemi problematika. Ne e kemi shumë të qarë dhe ju e keni shumë të qartë. Nuk është se është një zonë e pastër nga problematikat, madje ka pasur edhe problematika të rënda, natyrisht të individëve të caktuar, të kompanive të caktuara. Nuk i fus të gjithë në një thes. Me farërat ka pasur problematika të rënda, me pesticidet po ashtu dhe në këtë aspekt, Ministria e Bujqësisë ka ende shumë punë për ta disiplinuar gjithë këtë sektor.

Ndërkohë që tek çmimet, unë e dhashë një shembull. Ju me siguri mund të jepni shembuj të tjerë. Kur ureja e ka bazën më të madhe prodhuese në Ukrainë dhe kur Ukrainë është nën bomba, është e vetvetishme që çmimi i uresë do të jetë një çmim anormal, se nuk ka se si të jetë ndryshe, se nga do dali?

Kështu që oligarkë dhe kulakë jo! Heronj jo! Këtë të heroizmit mos ma kërko, se po më kërkove heroizëm pastaj këtu nuk të ndjek dot nga mbrapa. Nëse ju jeni heronj, unë nuk di pastaj se çfarë janë ata që punojnë tokën dhe çfarë janë ata që e nxjerrin djersën pa pushim realisht, fizikisht, e të tjera e të tjera. Sigurisht, të gjithë janë kontributor dhe të gjithë meritojnë respekt për kontributin që japin e unë jam 100% dakord që tymueset në Parlament janë një problem patjetër. Edhe tymueset nëpër këto serat e medias në darkë janë një problem ku rriten nga këto bimët, si i quani ju, me hormone, por nuk kemi çfarë i bëjmë, është pjesë e peizazhit.

Ju falënderoj shumë dhe shpresoj shumë që të vazhdojë ky bashkëpunim dhe bashkërisht të mund ta lehtësojmë sa më shumë publikun nga pjesa e tepërt, që është pjesa e dezinformimit, pjesa e manipulimit, pjesa e krijimit të pasigurisë përmes informacioneve dhe përmes interpretimeve që nuk kanë bazë.

Previous Hapja e Fondit të Teatrit për të Rinj është një tjetër nismë e Ministrisë së Kulturës

Leave Your Comment