Faleminderit të gjithëve që gjetët kohën për të ardhur sot, duke qenë se ju jeni dhe vetë persona që qëndroni në bizneset tuaja, duke qenë se jeni në krye të bizneseve të vogla.
Unë do ta filloja aty ku kryeministri e la. Sot ne flasim për çmimin, pasi padyshim qytetarët janë sensitiv ndaj çmimit, ndaj asaj që paguan, sidomos ju që mbani këto biznese dhe keni kaluar sprova duke nisur nga 2019 me tërmetin, më pas me pandeminë, por që Qeveria sigurisht ka qenë gjithmonë aty për t’ju mbështetur.
Tani përballeni me një situatë të re që ka të bëjë me këtë krizë ekonomike botërore, sigurisht të nxitur edhe nga lufta në Ukrainë. Por, e vetmja gjë që ju deri më sot nuk jeni përballë është padyshim kriza energjetike. Kriza energjetike e cila ka nisur në fund të verës të 2021, kur ne filluam të përballeshim me çmime importi shumë të larta, duke patur parasysh se në Republikën e Shqipërisë pavarësisht se çfarë thuhet ne nuk e prodhojmë dot të gjithë energjinë që është e nevojshme në vend. Pra ne prodhojmë në vitet e mira kur kemi reshje, që ky vit nuk është nga ato, se siç e shikoni vetë po mbaron dimri dhe nuk kemi pasur ditë të vërteta me shi apo reshje të vërteta të rënda dëbore. Në vitet e mira ne prodhojmë rreth 70 deri në 77% të energjisë që vendi konsumon gjatë vitit, ndërkohë që në vitet e thata, siç është ky vit, prodhojmë deri në maksimumi 50% të energjisë, pjesën tjetër Republika e Shqipërisë e merr përmes tregjeve ndërkombëtare të energjisë, që quhet importimi i energjisë.
Vjet në këtë periudhë, është diçka që kryeministri e përsërit, por është mirë që ta themi thjesht për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, 1 megavat orë ne e blinim me 52 euro, ndërkohë që sot 1 megavat orë blihet me 550 euro. Sigurisht ka luhatjet e veta, duke qenë se është një krizë më shumë e nxitur nga gjeopolitika sesa nga arsye të tjera ekonomike, kështu që në varësi sesi situata gjeopolitike lëviz, kështu lëviz dhe ky çmim dhe kemi parë javën e fundit luhatje shumë të mëdha. Megjithatë 550 është një çmim rekord.
Çfarë është e trishtë për t’u thënë në këtë rast është që çmimi nuk do kthehet kurrë në 52 euro për megavat orë. Pra nga të gjitha analizat që bëjnë, nga Sekretariati Europian i Energjisë, por edhe institucione të tjera që merren me tregun energjetik, fatkeqësisht ne nuk do të vijmë kurrë në parametrat që ishim mësuar për të blerë energjinë në import, pra në një çmim shumë më të ulët nga ky që përballemi sot. Sigurisht kemi shpresë që me stabilizimin e gjendjes të mos përballemi më me 550 euro në treg, por me një çmim më të lirë. Dje tek bisedonim dhe shikonim që projeksionet që mund të vijnë në të ardhmen mund të shkojnë 280, 260 na u duk si dritë shprese. Pra dikur as nuk e imagjinonim që mund të shkonte mbi 120 dhe sot presim që të ulet të paktën në 280 për tu bërë i përballueshëm. Megjithatë ajo çfarë ne kemi bërë, kemi rritur maksimalisht operimet në kaskadë, por sigurisht kjo nuk mund të zgjasë përgjithmonë, duke qenë se koha nuk po na ndihmon dhe niveli kaskadës padyshim në këto momente është në nivelet kritike të tij dhe ne shumë shpejt, në rast se nuk do të kemi një ndryshim të motit, do të jemi të varur 100% nga importi në muajt e ardhshëm, por unë shpresoj shumë që të kemi edhe një ndryshim të prurjeve në kaskadë.
Ajo çka ndodh është të kthehemi tek ju, tek fatura juaj dhe tek problemi i përditshëm. Sot energjia që ne tregtojmë kushton rreth 61 lekë për kilovat orë, në ndërkohë që abonentët familjarë paguajnë vetëm 9.5 të kësaj shume dhe diferenca mbulohet nga shteti. Në rastin tuaj ju paguani 14 si fashë e biznesit të vogël ose 04 siç ne e quajmë dhe pjesa tjetër mbulohet nga shteti. Kemi vendosur gjithashtu që të mbrojmë bizneset e lidhura në tensionin e mesëm. Kemi bërë një marrëveshje me ta që do ta ridiskutojmë në fund të muajit maj, pasi gepi që ne mbulojmë, diferenca që ne mbulojmë në rastin e tyre është akoma dhe më e madhe, dhe për këtë arsye në fund të muajit maj do të ri ulemi në tryezë për të biseduar me ta, pasi dhe nga ana ligjore bizneset e lidhura në tensionin e mesëm duhet të kishin dalë në treg të lirë që në fillim të muajit janar. Por ky ka qenë një vendim i Qeverisë Shqiptare dhe ka qenë një vendim që siç ju thashë ka nisur nga vera e vitit 2021, pra për të mos ekspozuar askënd në Republikën e Shqipërisë ndaj çmimeve të reja të bursës energjetike. Kështu që duke marrë këtë vendim edhe para se kriza të mahisej dhe të kuptonim se çfarë po ndodhte dhe me shportën, me naftën, sepse tani ka filluar të bëhet prezente për njerëzit, ju duhet të dini që jeni mbrojtur nga një paketa masash të marra nga Qeveria Shqiptare që në fund të verës së vitit të kaluar.
Për t’jua bërë pak më të kuptueshme, unë kam zgjedhur disa fatura sot, për t’ju dhënë shifrat sesi do të ishte në rast se ne nuk do të kishim marrë masat për të mbrojtur si brezin familjar, ashtu edhe atë të bizneseve të vogla dhe atë të lidhur në tensionin e mesëm. Kam marrë faturat konkrete tuajat që jeni prezent këtu thjesht për t’ju bërë që të kuptoni sesi ka ndodhur.
Nuk e di nëse doni që t’ju referoj me emra, megjithatë Marigleni, nuk po vazhdoj më tej, kjo është fatura e muajit janar, kemi zgjedh muajin janar, pasi muaji mars akoma nuk është prodhuar si faturë dhe muaji shkurt është një muaj me disa ditë më pak, kështu që morëm muajin janar që është një muaj që ka, le të themi, një sjellje përsa i përket edhe konsumit, edhe pagesës, një sjellje mesatare ekuivalente të të gjithë vitit. Në muajin janar abonenti ka konsumuar 1419 kilovat orë të cilët i janë faturuar me shifrën 25 mijë e 969 lekë. Sipas llogaritjes me 14 lekë dhe me mbrojtjen që i është dhënë nga paketa që Qeveria ka tashmë në funksion prej muajsh. Pra muaji janar i 2022 konsumi mujor 1479 kwh, vlera e faturës pa TVSH është 21 348, me TVSH është 25 969 dhe në ndërkohë kostoja e energjisë të konsumuar në treg të lirë është 56 754 lek. Diferenca që është mbuluar nga shteti në këtë rast është 35 406 lek. Do të vazhdoja me një faturë tjetër, Ferdinand Çela, i cili konsumin total për muajin janar të vitit 2022 e ka pasur 6523 kilovat orë, të cilat i përkthehen në një faturë me TVSH prej 110 mijë lekë. Në ndërkohë konsumi mujor pra 6523, vlera në faturë është 91 322 lek, kostoja e energjisë së konsumuar në treg të lirë është 247 482 lek dhe diferenca e cila mbulohet nga shteti është 156 160 lek. Po i referohem sipas faturave me lekë të reja. Në ndërkohë unë kështu mund të vazhdoj me të gjitha faturat e tjera. ConArch shpk me një konsum prej rreth 17 mijë megavat orësh, i kuotuar me një faturë 306 681 lek, pra rreth 3 milionë lek. Në ndërkohë fatura pa TVSH është 2 555 679 lek, kostoja e vërtetë e energjisë është 6 831 841 lek, ndërkohë diferenca që ne kemi mbuluar është 4 276 162 lek. Kështu janë të gjitha faturat që ne i kemi analizuar thjesht për ta bërë më konkrete në rastin tuaj sesi funksionon.
Do ndaloj vetëm një moment tek ajo që kryeministri tha që ministrja do ta shpjegojë më mirë. Sot çështja që ne diskutojmë është padyshim çështja e çmimit. Është çështja e paketës së rezistencës që Qeveria Shqiptare e ka shpallur. Është çështja që energjia ka prej muajsh që subvencionohet nga Qeveria, por në ndërkohë duhet të kuptojmë që jemi para një fakti shumë serioz dhe të vështirë që ka të bëjë me mungesën e sasive energjetike në treg, siç është nafta dhe gazi, ashtu dhe sasia energjetike që kryesisht në Europë në këto momente për shkak edhe të thatësirës po prodhohet nga TEC-et me bazë gazin apo naftën. Pra është një cikël i cili e ka futur të gjithë sistemin energjetik, jo vetëm pra energjinë elektrike, por edhe naftën dhe gazin, është një cikël i brendshëm dhe një cikël vicioz ku njëra afekton tjetrën. Ajo çka ne na tensionon sot dhe ajo çka Qeveria po punon është sigurimi i sasive, qofshin këto energjetike dhe qofshin këto të naftës dhe të gazit. Ne e kemi thënë dje me Ministren e Financave, edhe në Bordin e Transparencës së Tregut të Naftës. Kemi sqaruar se ne në këto momente kemi filluar si qeveri të punojmë për të siguruar sasi nafte dhe gazi edhe jashtë këtij tregu privat, për të pasur mundësi që të mbulojmë, me aq sa do mundemi, nevojat që do të ketë tregu në rast se ne do të përballemi me mungesën.
Mungesa është ajo çfarë na kanoset sot. Mungesa për të mos u kthyer edhe njëherë, asnjëri nga ju që keni bizneset e vogla, tek gjeneratorët, si njëherë e një kohë në vitin 2007 apo në vitin 2011 tek gjeneratorët, tek inverterat, tek probleme të tjera të cilat afektojnë direkt bizneset tuaja. Një pjesë e juaja ka kafe dhe restorante. Mungesa energjetike do të ishte shkatërrim për biznesin tuaj sepse ju e keni të bazuar, pra produkti juaj del vetëm përmes energjisë elektrike dhe zgjidhjet me gaz apo me naftë, përsa i përket kuzhinës apo aspekteve të tjera do të ishin po aq të kushtueshme apo do përballeshit dhe atje me mungesën. Mungesa është rreziku më i madh i cili na kanoset sot. Punën që ne po bëjmë po e bëjmë për të krijuar rezervat tona qoftë të naftës, qoftë të gazit, por edhe të energjisë elektrike dhe këtë po e arrijmë përmes disa kontratave që ne i quajmë kontrata shkëmbimi ose kontrata depozitimi të energjisë elektrike, pra jo vetëm blerje momentale, por edhe shkëmbim, edhe depozitim me partnerë për të pasur kështu mundësi dhe për ti tërhequr në momentet kur Europa do të përballet me mungesën. Shumë shtete kanë dhënë tashmë urdhër për ndalimin e eksporteve të naftës. Nuk tregtojnë më as naftë dhe as gaz dhe kjo po shkon dhe në eksportet energjetike. Pra vendet po mundohen ti mbajnë sasitë energjetike brenda portofolit të tyre, duke qenë se po përgatiten për një situatë akoma më të keqe.
Ne shpresojmë shumë që gjithçka të ndryshojë. Ne shpresojmë shumë që paketa e rezistencës për 3 muaj e ardhshëm të jetë e mjaftueshme për të dalë nga kjo krizë, megjithatë duhet të jemi të gjithë të përgatitur që kjo krizë nuk kontrollohet dot as nga Qeveria jonë dhe nga ç’duket as nga Bashkimi Europian. Është një situatë gjeopolitike jashtë fuqive tona, kështu që ne duhet të jemi të përgatitur edhe për më të keqen, por siç ja kemi dalë deri tani unë jam e sigurt që ne do t’ia dalim prapë.
Shumë faleminderit!