Paketa Fiskale 2026: Reformë pa rritje taksash, me prioritet rritjen ekonomike dhe formalizimin

Paketa Fiskale 2026, një paketë prej tetë projektligjesh të ndërtuara në përputhje me Programin Qeverisës 2025-2029, synon rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe krijimin e një sistemi fiskal më të thjeshtë, më transparent dhe më efikas. Ajo nuk parashikon rritje taksash, por mbështet sipërmarrjen, sektorët prioritarë dhe formalizimin e ekonomisë.

Dy projektligjet kryesore të këtij viti: Marrëveshja e Paqes Fiskale dhe Falja e Detyrimeve Tatimore e Doganore, hapin një fazë të re bashkëpunimi me biznesin, duke korrigjuar deklarimet dhe duke lehtësuar mbylljen e detyrimeve të vjetra, pa ofruar amnisti për subjekte nën hetim apo në proces penal. Marrëveshja e Paqes Fiskale, e vlefshme për periudhën 2026-2028, mundëson rritje të deklarimeve të rregullta dhe aplikim të normës së reduktuar të tatimit prej 5% mbi rritjen e fitimit të tatueshëm mbi 18%, si dhe vetkorrigjimin e pasqyrave financiare të tre viteve të fundit me të njëjtën normë. Ndërkohë, skema e faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore synon mbylljen e borxheve të grumbulluara: borxhet mbi 10 vite fshihen tërësisht; detyrimet 5-10 vjet shlyhen pjesërisht me 50% ose 75% të principalit, ndërsa pjesa tjetër e borxhit, gjobat dhe kamatëvonesat falen. Për borxhet 0-5 vjet, detyrimet paguhen të plota dhe fshihen gjobat e kamatëvonesat, me afat pagesash deri më 31 dhjetor 2026.

Për bujqësinë prezantohet për herë të parë një skemë moderne e kompensimit të TVSH-së, e harmonizuar me praktikat evropiane. Fermerët do të përfitojnë kompensim prej 10% të vlerës së faturave të shitjes së prodhimit bujqësor dhe blegtoral, me pagesa drejtpërdrejt nga Administrata Tatimore çdo gjashtë muaj. Efekti financiar parashikohet 1.5 miliardë lekë në vitin 2026 dhe mbi 3 miliardë lekë çdo vit, nisur nga 2027, duke nxitur prodhimin vendas, formalizimin e zinxhirit të vlerës dhe rritjen e të ardhurave të fermerëve.

Qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësinë të rivlerësojnë pasuritë e paluajtshme me një normë të reduktuar tatimore prej 5%, nga 15% që është aktualisht, duke i përafruar vlerat me tregun dhe duke nxitur formalitetin në transaksione.

Paketa parashikon masa të reja kundër informalitetit, veçanërisht në aktivitetet online. Bizneset që operojnë në internet do të kenë detyrim të publikojnë të dhënat identifikuese në faqet e tyre, ndërsa AKEP mund të pezullojë faqet që nuk zbatojnë rregullat. Masat administrative ashpërsohen edhe për aktivitetet e paregjistruara, duke synuar trajtim të barabartë dhe reduktim të abuzimeve.

Një tjetër komponent i rëndësishëm është reduktimi i përdorimit të parasë fizike. Transaksionet cash midis bizneseve kufizohen deri në 100,000 lekë, ndërsa shitjet ndaj konsumatorit mund të kryhen me para në dorë deri në 500,000 lekë. Mbi këto nivele kërkohen pagesa bankare ose elektronike. Bizneset në sektorin e turizmit dhe transportit duhet të sigurojnë forma alternative të pagesave elektronike deri më 30 maj 2026, ndërsa të gjithë subjektet e tjera deri më 31 dhjetor 2026.

Për të nxitur sportin, kulturën dhe kërkim-zhvillimin, projektligji për tatimin mbi të ardhurat zgjeron kategoritë që përfitojnë nga njohja si shpenzim i zbritshëm sa trefishi i shumës së sponsorizuar, deri në 5% të fitimit para tatimit. Përfshihen ekipet sportive, federatat dhe sportistët me tituj, ndërsa të ardhurat nga sponsorizimet përjashtohen nga tatimi. Për kërkim-zhvillimin rritet nga 3% në 5% kufiri i shumës së fitimit të njohur për sponsorizime.

Nga viti 2026, familjet me fëmijë nën 18 vjeç do të përfitojnë zbritje prej 48,000 lekësh për çdo fëmijë në Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, duke ulur ndjeshëm normën efektive të tatimit. Efekti financiar vlerësohet rreth 1.5 miliardë lekë, që i shtohen drejtpërdrejt buxheteve familjare.

Paketa Fiskale 2026 përfaqëson një instrument reformues dhe të balancuar, të konceptuar për të nxitur rritjen ekonomike, forcuar formalizimin, mbështetur sektorët prioritarë të zhvillimit, fuqizuar sipërmarrjen dhe qytetarët, modernizuar administratën fiskale, si dhe për të afruar më tej Shqipërinë me standardet evropiane.