Në vigjilje të Vitit të Ri 2023, Këshilli i Ministrave miratoi paketën e re mbështetëse për 1 milionë individë në të gjithë vendin, të ndara sipas kategorive; pensionistë, nënat kryefamiljare, punonjësit me uniformë, bluzat e bardha, punonjësit e administratës etj.
Duke e konsideruar si “Pakoja e Madhe”, Kryeministri Edi Rama u shpreh se paketa anti-inflacion do të jetë një lehtësim për daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë.
Pakoja e Madhe parashikon mbi 8 miliardë lekë dhe të gjithë individët e përfshirë do ta përfitojnë atë në ditët e para të janarit.
Pensionistët
Pakoja e madhe përfshin 8000 Lekë të reja për çdo pensionist që do t’i përfitojnë ato në muajin Janar. Kjo nuk është mbështetja e fundit ekstra për pensionistët në vitin 2023.
Qeveria shqiptare parashikoi në politikat e saj fiskale që pensionistët do të jenë përfituesit e parë nga taksa e jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë, që u miratua në Kuvend me paketën fiskale 2023.
Nënat kryefamiljare
6700 nëna kryefamiljare që aktualisht përfitojnë ndihmë ekonomike, do të kenë shtesë 20 mijë lekë. Përmes Pakos së Madhe, Këshilli i Ministrave mbështeti këtë kategori me qëllim lehtësimin e barrës ekonomike në këto momente ku ndihet në të gjitha vendet pasojat e inflacionit të luftës.
Kjo nuk është e vetmja mbështetje për nënat në 2023, sepse prej 1 janarit nënat me tre e më shumë fëmijë, do të përfitojnë nga politika e re e mbështetjes për nënat e papuna me fëmijë nën 18-vjeç, të cilave do t’i garantohen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore nga shteti për 5 vitet e para të fëmijës.
Punonjësit e administratës
Këshilli i Ministrave, përmes Pakos së Madhe, mbështeti me 20 mijë lekë të reja punonjësit e administratës që përfitojnë një pagë bruto nën 60 mijë lekë. Përfitues do të jenë sanitarët, shoferët, punonjësit e shërbimeve mbështetëse të shtetit etj.
Në këtë kategori përfshihen 27 mijë e 249 vetë; 1181 zjarrfikës, 3267 infermierë, 6045 mësuese dhe edukatore, 2200 ushtarë bazë dhe mijëra nëpunës të shkallëve të ulëta të administratës. Me këtë mbështetje ekstra, familjet e tyre s’do ta ndjejnë dimrin me shqetësimin e inflacionit të luftës mbi konsumin e tyre të përditshëm.
Pakoja përfshin edhe ata me pagë bruto mbi 600 mijë lekë – duke përjashtuar nivelet politike të administratës. Janë 11 mijë infermierë, 5411 mjekë, 30 mijë e 693 mësues dhe edukatorë, 15 mijë e 384 punonjës sigurie, punonjës të policisë së burgjeve si dhe 14 mijë e 318 nëpunës që do të marrin nga 10 mijë lekë të reja.
Efektivët e forcave të këmbësorisë
Pavarësisht se kanë paga më të larta se sa 60 mijë lekë bruto, efektivët e Forcave të Këmbësorisë të vlerësuar edhe me certifikatën si forcë ekselence e NATO-s, do të jenë përfitues të Pakos së Madhe të mbështetur në shumën 20 mijë lekë.
Gjithashtu Këshilli i Ministrave mbështeti po me të njëjtën pagesë efektivët e Forcave Speciale Delta, Renea, Ndërhyrja e Shpejtë, Njësia Operacionale apo Zjarrfikësit.