Përshëndetje të gjithëve!
Jemi këtu sëbashku me ministren e Financave dhe të Ekonomisë, me kryetaren e bashkisë, me përfaqësuesin e zyrës së delegacionit të Bashkimit Europian dhe me një numër të caktuar punëdhënësish, sëbashku me agjencitë ndërmjetësuese të punësimit, qofshin ato publike apo private, për të ekspozuar përmes prezencës sonë dhe komunikimit përmes mediave, një realitet i cili është realiteti i një kërkese në rritje të kompanive shqiptare dhe të biznesit shqiptar, që nga biznesi i madh, deri tek biznesi i vogël, për të pasur punonjës, për të punësuar njerëz, të cilët natyrisht në këtë kohë, në zhvillim të strukturës së ekonomisë duhet të kenë dhe aftësi të caktuara.
Vetëm në këtë shesh, ku ka të pranishëm 63 punëdhënës, ka kërkesë për 1500 të punësuar. Pra në 63 kompanitë këtu të përfaqësuara, ka një hapësirë për punësim dhe një nevojë për punësim për 1500 persona.
Ndërkohë që në hapësirën jashtë këtij panairi, nga Drejtoria Rajonale e Punësimit këtu në Durrës, janë dhe 600 vende të tjera të lira të vëna në dispozicion të të gjithë atyre që kërkojnë të punësohen.
U bë një barcaletë e përsëritur shpesh ajo që dikur u tha në publik, lidhur me faktin që punë ka por nuk ka profesionistë, sot kjo është në fakt ajo që mund ta ndeshësh në çdo derë, të çdo kompanie dhe që në fakt është një problem që thellohet si rezultat i nevojës së kompanive për të pasur një kualifikim më të lartë të punonjësve dhe si rezultat i faktit që Shqipëria ekspozohet gjithnjë e më shumë në një treg ndërkombëtar eksportesh dhe importesh. Ashtu sikundër ekspozohet gjithnjë e më shumë falë faktit që është një terren me ende shumë potencial të pashfrytëzuar në funksion të turizmit. Është shumë e qartë që i gjithë zinxhiri ekonomik i prodhimit apo i shërbimeve të vendit tonë, ka nevojë për një rritje të cilësisë së hallkave përbërëse përveç se edhe për shtimin e tyre dhe faktikisht kjo është arsyeja pse ne si qeveri jemi angazhuar ende më shumë për të rritur mundësitë për trajnim, për të rritur mundësitë për aftësim, për të rritur komunikimin me sektorin privat në funksion të rritjes së aftësive përmes trajnimeve të vazhdueshme.
Ndërkohë që sot kemi një platformë digjitale e cila është në dispozicion përmes shërbimeve tanimë plotësisht online të e-albania, e cila krijon mundësi për të gjithë që të orientohen në fushën e punësimit apo në fushën e arsimimit profesional apo dhe të trajnimeve profesionale.
Dua të theksoj edhe dy gjëra të tjera.
Së pari, në mars të vitit 2022, e këto nuk janë anketime, këto janë statistika të nxjerra nga regjistri i punës në Republikën e Shqipërisë, pra janë të dhëna që janë gjeneruar nga regjistri ku janë të gjithë të punësuarit si taksapagues apo si kontribuues në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, e janë 13 mijë të punësuar më shumë se sa në marsin e vitit 2021, ky është fakt.
Ashtu sikundër, është fakt që në 4 mujorin e parë të këtij viti falë dhe gjithë përpjekjes së bërë në bashkëpunim dhe në mirëkuptim me biznesin, për korrektimin e pagave, sot kemi një pagë mesatare të rritur me 8%.
Në mbyllje, dua t’ju them të gjithëve se sigurisht, është gjithmonë një mundësi për të bërë një zgjedhje midis punësimit këtu në vendin tonë dhe ikjes për të kërkuar punë gjetkë, por patjetër që gjërat nuk janë ashtu siç duken, qoftë në njërin aspekt, qoftë në aspektin tjetër. Vërtetë në emigracion ka rroga më të larta por në emigracion ka dhe shpenzime shumë më të larta. Ashtu sikundër pavarësisht se këtu apo atje, në fund të ditës, vlera e aftësive personale, e aftësive për punë, është e pazëvendësueshme dhe kjo është arsyeja pse ne e kemi rritur shumë vëmendjen dhe mbështetjen dhe patjetër që kemi rritur shumë dhe rezultatet në aspektin e formimit profesional dhe sot kemi aktualisht afro 20 mijë nxënës të regjistruar në shkollat profesionale, sikundër është 6600 numri i personave të papunë që kanë ndjekur kurset e formimit profesional në qendrat tona të formimit profesional gjatë vitit 2021 dhe të cilët në një pjesë të konsiderueshme pastaj janë aftësuar e kanë mundur të punësohen.
Ne duam të vazhdojmë të gjithë sëbashku në këtë drejtim.
E di që nuk është e lehtë, e di që në rrugën e punësimit e në funksion të plotësimit të ambicies e të nevojës për të rritur pagën duhet punë, duhet aftësi, por di po ashtu që sot, mjafton të bëjë kushdo qoftë dëshiron një xhiro në të gjithë infrastrukturën hoteliere të qytetit të Durrësit, për të parë së pari që ka nevojë të ethshme, jo nevojë të zakonshme, por të ethshme për krah pune, në të gjitha pozicionet, që nga kamerierët e nivelit më bazik deri tek menaxherët e po ashtu për të parë se pagat janë në fakt një realitet krejt ndryshe nga ai që përflitet, prej nuk e di se sa vitesh, sipas së cilit paga në Shqipëri është maksimumi 300 mijë lekë. Jo nuk është kështu, e kundërta është e vërtetë!
Në Shqipëri pagat vazhdojnë të rriten në mënyrë të qëndrueshme, edhe pse ende duhet të jenë shumë më të larta, kjo nuk ka pikë diskutimi, por nga ana tjetër në Shqipëri sot, sa më shumë ke për të ofruar në aspektin teknik dhe profesional, aq më të lartë e ke mundësinë e pagës. Mjafton të shohim se çfarë nevoje të madhe ka tregu sot për krah pune të kualifikuar në sektorin e teknologjisë digjitale, në sektorin e informatikës, sa nevojë ka sot në të gjithë sektorët horizontalisht për teknikë, për njerëz që mund të mos e kenë mbaruar universitetin, por që kanë aftësi të caktuara profesionale për të kuptuar se shanset e punësimit dhe mundësisë për të pasur një pagë e cila rritet vijimisht sipas rritjes së aftësive të tua në vendin tonë, janë duke u zgjeruar.
Me falenderimin për të gjithë organizatorët dhe posaçërisht për të gjithë ato kompani që erdhën dhe ekspozuan këtu nevojat e tyre, unë dëshiroj që të përfitoj nga rasti që t’i nxis të gjithë ata të cilët kanë nevojë të punësohen, që së pari mos ta presin punën ta sjellë shteti në shtëpi. Së dyti, të mos kërkojnë medoemos punë shteti, por të shikojnë drejt sektorit privat dhe së treti të kuptojnë se nuk vlen një diplomë juridiku nga ato të shumtat që janë shpërndarë pa kriter dhe pa karar deri kur në një farë mënyre u risistemua sistemi, për të mundur që të gjesh një punë nëse nuk fokusohesh ashtu siç bën e gjithë bota, ashtu siç bëjnë dhe ata që mbarojnë juridikun edhe në vendet më të zhvilluara që jo të gjithë arrijnë të futen në profesionin e tyre duke shkuar për tu aftësuar profesionalisht dhe për të qenë në gjendje që të kenë çfarë t’i ofrojnë tregut të punës, në mënyrë që të mund të marrin mbrapsht atë që ata kanë ambicie dhe atë që ata meritojnë sipas asaj që i ofrojnë tregut të punës.
Faleminderit!