Panele Diellore për ngrohjen e ujit për konsumatorët familjarë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Panele Diellore për ngrohjen e ujit për konsumatorët familjarë

Deklarata e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku:

Përshëndetje të gjithëve,

Ashtu siç e kemi njoftuar në fillim të muajit shtator, përveç të gjitha masave të tjera që kemi marrë për kursimin e energjisë dhe për të mitiguar një situatë energjetike emergjence që e kemi shpallur duke nisur nga fillimi i këtij viti, ne kemi vendosur që të ndërmarrim një sërë nismash të tjera, të cilat sigurisht shkojnë sipas planit tonë kombëtar dhe strategjisë për energjinë dhe klimën, por padyshim sot janë më të nevojshme se kurrë. Kemi diskutuar me të gjithë ekspertët dhe sipas të gjitha analizave dhe të dhënave, na rezulton se 20% e konsumit mujor në faturën e çdo abonenti familjar i përket konsumit që vjen nga ngrohja e ujit.

Për këtë arsye po ndërmarrim një hap të parë, një hap të parë i cili do të ndihmojë qytetarët edhe për të ulur konsumin, pra për të paguar më pak edhe në faturat e tyre aktuale, por edhe një hap që kontribuon edhe në klimën e vendit tonë që padyshim parametrat tona janë më të mira se të vendeve të tjera, duke qenë se emetimet e CO2 në Republikën e Shqipërisë vijnë vetëm për shkak të trafikut të automjeteve dhe jo të industrisë siç ndodh në vendet e tjera, megjithatë ky është edhe një hap sensibilizues i cili do të edukojë edhe brezat e rinj për të ardhmen.

Për të nisur këtë proces të ri ne kemi vendosur që ta dizenjojmë sipas disa fazave për të krijuar transparencë dhe për të qenë të drejtë me të gjithë, qoftë me ofruesit e paneleve diellore, për ngrohjen e ujit apo instaluesit, qoftë edhe me qytetarët të cilët do të aplikojnë. Është e rëndësishme që të themi që ky është vetëm një hap i parë i këtij programi, i cili nis me 2 mijë familje, pra me 2 mijë familjarë të cilët do të aplikojnë për të pasur këto njësi gjeneruese të energjisë elektrike përmes ngrohjes diellore. Por nga ana tjetër ky, duhet thënë që është vetëm hapi i parë për këtë fundvit.  Më pas dhe sigurisht edhe sipas ecurisë të programit që ne mendojmë që do të jetë një program për të cilin qytetarët do të tregojnë shumë interes, sepse edhe para se ta nisnim vetëm nga lançimi që ne kemi bërë në fillim të shtatorit kemi pasur pyetje dhe kërkesa nga shumë prej tyre, pasi të vlerësojmë situatën, ne do të vazhdojmë edhe me paketa të tjera të këtij programi për të pasur një target që kalon mbi 20 mijë abonentë familjarë, të cilët do të pajisen me panele diellore për ngrohjen e ujit që do të konsistojë në një mbështetje nga buxheti i qeverisë me 70%.

Ky do të jetë një proces i cili do të udhëhiqet dhe do të ndiqet nga Agjencia e Efiçencës Energjetike, një agjenci e re e cila është ngritur vitet e fundit, që është e mbushur plot me energji pozitive për shkak të vajzave dhe djemve që kontribuojnë çdo ditë aty, një agjenci e cila duhet të implementojë të gjithë politikat e reja që ne kemi në fushën energjetike, duke nisur nga diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë elektrike, duke folur gjithmonë për burimet e energjisë së rinovueshme.  Kështu që kjo Agjenci e cila ka hedhur hapat e parë edhe në edukimin e publikut përsa i përket programeve, edhe në disa programe pilot për prodhimin e energjisë, e kemi parë edhe nëpër rrugët kryesore të Tiranës apo edhe në sisteme të tjera, pra në disa ujësjellësa apo shkolla ku ata kanë kontribuar dhe bashkëpunuar me autoritetet, por sot ne kemi kënaqësinë që të bëjmë publik një program i cili me të vërtetë në të ardhmen do të luajë një rol të rëndësishëm në Republikën e Shqipërisë përsa i përket gjenerimit, vetë prodhimit të energjisë nga familjarët, por siç thashë gjithashtu më pak emetime dhe padyshim një sensitivitet më i lartë si kursejmë energjinë dhe si e prodhojmë vetë atë.

Po kaloj në detaje të cilat ne do ti sqarojmë edhe në ditët në vazhdim, do të bëhet një komunikim i herë pas hershëm nga përfaqësuesit e Agjencisë së Efiçencës së Energjisë, megjithatë ne sot po japim të gjithë procedurën sesi do të vazhdojnë fazat.

Në datën 1 tetor Agjencia ka hedhur hapin e parë. Faza e parë konsiston në garën që do të kryhet përmes subjekteve të cilët janë të interesuar për të ofruar panelet e prodhimit të energjisë diellore për ngrohjen e ujit, gjithashtu dhe instalimin e këtyre paneleve. Në ndërkohë gara do të jetë e hapur nga data 1 tetor deri në datën 18 tetor. I gjithë aplikimi bëhet online. Nëse vizitoni faqen e Agjencisë së Efiçencës së Energjisë do të gjeni një link ku shpjegohet çdo hap sesi çdo subjekt duhet të dorëzojë dokumentacionin e duhur online pra duke uploduar dhe më pas duhet të keni parasysh që të gjitha këto dokumente që ju do të hidhni në linkun përkatës do të merren, do të analizohen dhe do të vlerësohen nga një komision i ngritur nga Agjencia e Eficiencës së Energjisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Më pas do të shortlistohet një grup i subjekteve të cilat përmbushin kushtet teknike që janë shumë të qarta dhe të vendosura në faqen e agjencisë, gjithashtu janë vendosur dhe kushtet financiare, pra sa është tavani i cili duhet të jetë kosto e çdo njësie që do të instalohet në godinat e familjarëve që do të aplikojnë pastaj në fazën e dytë pranë Agjencisë së Eficiencës së Energjisë.

Pasi të përfundojmë fazën e parë, në 1 nëntor, Agjencia e Efiçencës së Energjisë do të ketë një listë të konsoliduar të këtyre subjekteve që ofrojnë shërbimin e cila do të shpallet në faqen e saj. Duke nisur nga 1 nëntori, qytetarët do të kenë të dejtë që të fillojnë dhe të aplikojnë përsa i përket programit të vendosjes së njësive gjeneruese të energjisë nga dielli për ngrohjen e ujit.

Kjo fazë e dytë konsiston në kërkesën e qytetarit për tu bërë pjesë e projektit dhe Qeveria Shqiptare, përmes Agjencisë së Efiçencës së Energjisë, do të mbuloj 70% të kostos së produktit. Qytetari do të zgjedhë nga lista një nga subjektet fituese dhe do ti drejtohet subjektit për të vazhduar punën me të duke kryer pagesën vetëm të 30% të kostos së produktit dhe më pas, pasi të jenë përfunduar të gjitha hapat, kontrata mes tyre, pjesa e studimit dhe projektimit, instalimi dhe menjëherë pasi të futet në punë kjo njësi gjeneruese, subjekti i cili ka lidhur kontratën me qytetarin do të marrë dhe do të kompensohet nga Agjencia e Efiçencës së Energjisë me 70% e mbetur të kësaj njësie gjeneruese. Qytetari do të jetë i qetë dhe nuk do të ketë asnjë detyrim tjetër ndaj subjektit i cili do të vazhdojë të gjithë procesin për tu rimbursuar me Agjencinë e Efiçencës së Energjisë.

Ne shpresojmë që 2000 njësitë e para gjeneruese të ezaurohen brenda vitit 2022 dhe të kemi mundësi që në janar të vitit 2023 ne të hapim një fazë tjetër të programit. Synimi ynë është që të arrijmë 10 mijë njësitë gjeneruese deri në 31 mars. Dua të sqaroj edhe disa teknikalitete të tjera për publikun sesi ne do të konstatojmë që e gjithë marrëdhënia midis qytetarit i cili ka aplikuar dhe subjektit ofertues është e rregullt dhe që njësia është në gjenerim. Ne do ta bëjmë këtë verifikim përmes Task Forcës, pra kur subjekti do të dorëzoj dosjen për rimbursim pranë Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, Agjencia për Efiçencën e Energjisë në një kohë të caktuar prej 5 ditësh dhe jo më shumë, do ti kërkoj Task Forcës verifikimin që njësia gjeneruese është operacionale dhe qytetari po merr shërbim përmes kësaj njësie.

Kështu që i kemi menduar siç duhet të gjitha hallkat. I gjithë procesi do të jetë transparent, është diçka që duhet të theksojmë që edhe vetë qytetari nga data 1 nëntor kur të filloj edhe të aplikoj në faqen e Efiçencës së Energjisë do të shikoj numrin që i përket. Pra secilit qytetar do ti tregohet në momentin e aplikimit se i sajti është në aplikim pasi siç kemi deklaruar kjo fazë e parë e projektit do të jetë e mundur për 2 mijë abonentë, kështu që qytetari i cili aplikon do të shikoj që është aplikuesi i 200 apo i 220 dhe kështu me radhë derisa të plotësohet numri i aplikimeve për pjesën e parë të programit me 2 mijë njësi. Edhe kjo është menduar dhe me të gjithë mundësitë dixhitale që ne kemi sot që të jetë sa më transparente që qytetarët të mos mbeten në dorë dhe në gjykimin e asnjë nëpunësi, por të kenë një marrëdhënie direkte online duke aplikuar, duke upload të gjithë të dhënat që i kërkohen nga sistemi dhe më pas duke u regjistruar aplikimi i tyre dhe duke ju dhënë e drejta që ata të zgjedhin kë subjekt duan si ofertues të shërbimit nga lista që do të bëhet publike pas një gare gjithashtu transparente që ka nisur në 1 tetor dhe përfundon në 18 tetor dhe që Komisioni do të shpallë fituesit e subjekteve ofertuese të shërbimit në 1 nëntor.

Kjo është procedura e përgjithshme e programit që ne do të nisim për subvencionin me 70% të abonentëve familjarë të cilët do të dëshirojnë të instalojnë në ndërtesat e tyre njësinë gjeneruese të ngrohjes së ujit e cila konsiston sipas të gjitha analizave tona në 20% të konsumit mujor të çdo familjeje.

Synimi ynë është që t’ju mbështesim në këtë moment krize. Synimi ynë është që të rrisim sensibilitetin e të gjithë qytetarëve dhe padyshim synimi ynë është që të plotësojmë të gjithë strategjinë kombëtare për energjinë dhe për klimën.

Shumë faleminderit për vëmendjen. Ne do të jemi në dispozicionin tuaj si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Agjencia për Efiçencën e Energjisë, do të jenë atje në dispozicionin tuaj për çdo pyetje që ju do të keni, por gjithashtu përdorni edhe linkun që tashmë është publik në të gjitha faqet tona sociale për tu informuar më tej.

Previous Rindërtimi, Golem, dorëzohen çelësat e apartamenteve të reja të banimit

Leave Your Comment