Në vijim të pjesëmarrjes në Forumin e Paqes të mbajtur në Paris, Kryeministri Edi Rama ishte një ndër diskutantët në Panelin “Mobilizimi ndërkombëtar për Observatorin për Informim dhe Demokraci” ku vendi ynë ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për aderimin në Partneritetin Ndërkombëtar për Informim dhe Demokraci.
* * *
–Së pari, dua t’i uroj mirëseardhjen kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës. Jemi shumë të kënaqur që gjendeni këtu me ne. Pati një tekst të nënshkruar nga 48 shtete dhe me këtë u bashkua dhe Shqipëria, diskutuam shumë sidomos në aspektin digjital dhe ju thatë që donit që Shqipëria të bëhej pjesë, aderonte në këtë partneritet. Është shteti i 50-të që bashkohet me ne.
Kryeministri Edi Rama: Nuk e dija që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin bërë pjesë, por mesa duket nuk mund të ketë SHBA pa pasur dhe Shqipërinë. Po shpjegoja sot paradite në të njëjtën sallë që ne u jemi besnik perandorive. Një herë e një kohë nuk mund të kishe Perandorinë Osmane pa pasur Shqipërinë, pastaj s’mund të kishe Stalinin pa pasur Shqipërinë, pastaj Mao Ce Dunin e tashme SHBA. Le të shohim si do shkojë, me të tjerët nuk shkoi shumë mirë. Është kënaqësi e vërtetë, sinqerisht që gjendem këtu sepse qysh prej disa kohësh kam qenë shumë i frustruar nga pamundësia për të përftuar një mënyrë komunikimi midis institucioneve dhe botës së medias. Më pas takova Kristofin, pata një shkëmbim shumë të drejtpërdrejtë, mësova për këtë gjë dhe mu duk absolutisht e shkëlqyer dhe shumë e dobishme, me një potencial të madh për t’i sjellë njerëzit bashkë dhe për të krijuar një hapësirë ku njerëzit nuk ndjejnë nevojën për tu ruajtur nga njëri-tjetri, por ndiejnë nevojën për të bashkëpunuar me njeri tjetrin dhe për të krijuar një hapësirë ku të gjithë kanë vendin e tyre. Kontakti im i parë me botën e medias pasi jetuam atë çka ishte një vend si Korea e Veriut e Europës, e izoluar krejt nga perëndimi dhe nga lindja, sepse për ne qoftë social imperializmi, imperializmi ishin njësoj, njësoj sovjetikët, amerikanët, kështu që kurrë nuk kishim ëndërruar as për fjalën e lirë, për median e lirë e të tilla gjëra.
Kontakti im i parë ishte kur isha këtu në Paris, aso kohe ishte hera e parë që qëndroja në Paris. Më kishin refuzuar vizën për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar. Përmes një miku këtu arrita të shkruaj një artikull për The Guardian. Me habinë time të madhe, sigurisht e kishim bërë çeljen e shtypit të lirë në Shqipëri që ishte një xhungël dhe në atë kohë shkruaja atje, për habinë time të madhe mbërrita vonë në banesën time dhe gjej një mesazh nga The Guardian, nga dikush që merrej me artikullin tim. Dhe mesazhi ishte që duam të flasim me ty sepse duam të kuptojmë nëse jeni i lumtur apo i kënaqur me titullin që sugjerojmë ne që mund të jetë i ndryshëm dhe thashë me vete si mund të më pyesin mua për të bërë një gjë që ata mund ta bëjnë vet. Për mua ishte tërësisht e pa konceptueshme. Ishte teje vonë atë natë. Të nesërmen më morën serish në telefon. Mendova që kishin lënë mesazhin dhe pastaj kishin botuar. Dhe titulli natyrisht ishte shumë normal dhe madje dhe më i mirë sesa ai që i kisha vënë unë. Iu thashë, “Pse duhet të më pyesnit? Thjesht mund ta botonit”. Gruaja nga ana tjetër e telefonit më tha: “Jo, nuk funksionojmë kështu. Na duhet të kontrollojmë gjithçka me autorin”.
Sot jetojmë në një botë që është krejt ndryshe ndaj kjo sfidë me të cilën kërkoni të përballeni është e jashtëzakonshme. Të ruash ekuilibrin midis lirisë dhe fjalës dhe njëfarë soji, të rregullosh lirinë e shtrirjes, që jo domosdoshmërish do të thotë liri fjale, por mund të nënkuptojë përhapje gënjeshtrash të gjithçkaje tjetër është një sfidë e madhe dhe është sfida e civilizimit tonë. Sepse në emër të lirisë së fjalës nuk mund të përhapen gënjeshtra si të ishin e vërteta. Thënë e gjitha kjo, jam shpresëplotë se do të jetë e mundur që gjithçka të ndryshojë dhe ashtu siç me shumë të drejtë tha ministrja, forcimi i të dyja anëve, asaj institucionale dhe atyre që bëjnë oponencë jo vetëm me atë politike, por dhe qytetare të grupeve të interesit të të rinjve të gjithkujt që kërkon të ketë një zë, është shumë e rëndësishme ndaj drejtpeshimit, nëse ka një drejtpeshim, një ekuilibër do të shpëtojë njerëzimin, do të jemi në një pozitë shumë të keqe dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt. Jam shumë pesimist për atë që mund të ndodhë nëqoftëse nuk gjendet një lloj arsyetimi dhe një ekuilibër irracional. Ndaj do doja t’i bëja jehonë krenarisë së Shqipërisë që është shteti i 50-të pas SHBA-ve. Kam përshtypjen që do ta bëjë ambasadori sepse kjo është procedura.