Efektivë të Forcës Detare, pjesë e Forcave të Armatosura i janë bashkuar prej kohësh aksionit të autoriteteve vendore për pastrimin e plazheve në këtë sezon veror.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu së bashku me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektuan punën që po bëhet në disa prej plazheve, pjesë e bashkive Himarë dhe Sarandë.
Ministri i Mbrojtjes theksoi se bashkëpunimi më intensiv, mes të gjitha autoriteteve, të cilat kanë fushë të veprimit të tyre detarinë është i rëndësishëm për mirëmenaxhimin të vijës bregdetare, veçanërisht gjatë këtij sezoni veror që ka shënuar numër të lartë turistësh: “Është absolutisht e nevojshme që Roja Bregdetare, sidomos në sezon, të ketë një koordinim shumë të madh me Njësinë Detare të Policisë Kufitare dhe me bashkitë, të cilat duhet patjetër të mobilizohen në këto zona që mund të jenë me akses të vështirë, por duhet që patjetër të kenë një kontroll të territorit dhe në këto plazhe që janë shumë të frekuentuara”, – u shpreh ministri Vengu.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku e cilësoi si të nevojshme ndërhyrjen e Forcave të Armatosura në këto momente për t’i dhënë një zgjidhje të shpejtë situatës, për shkak të sezonit turistik: “Ne e konsiderojmë në këto momente të një rëndësie të veçantë ndërhyrjen e ushtrisë, qoftë nga toka, me trupat që mund të ndihmojnë bashkitë, por qoftë dhe nga deti. Ndërkohë që do të duhet, nga çfarë po kuptohet, që pas përfundimit të sezonit të bëjmë një analizë të mirëfilltë të të gjithë situatës për të nxjerrë mësime nga ky numër i shtuar, sepse çdo vit nga sa kuptohet ne arrijmë që të identifikojmë të tjera pika të dobëta që dalin në sipërfaqe. Sezoni i vitit të kaluar u mbyll me sukses, u mitiguan të gjitha problematikat, që u vunë re gjatë atij sezoni, por këtë vit me një numër të shtuar, një numër ekspansional për Shqipërinë të vizitorëve, sigurisht ne po zbulojmë pika të tjera të dobëta, të cilat nuk kanë qenë shfaqur më parë dhe duhen mitiguar sa më shpjet, brenda këtij sezoni. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur për sezonin tjetër”, – tha Balluku.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu vuri theksin edhe te reforma e administrimit detar: “Roja Bregdetare është nga ato forca që i ka të gjitha kapacitetet në det dhe, për pasojë, i bie edhe përgjegjëisa të koordinojë edhe më mirë dhe më shumë. Një element që e kemi vënë re sivjet dhe që duhet të marrim masa për vitin tjetër ka të bëjë me mënyrën se si në portet dhe vendbregëzimet e jugut trajtohen detyrimet e anijeve, jahteve të mëdha dhe kapitenëve të tyre, për të deklaruar mbetjet e ngurta, mbetjet e lëngëta në mbërritje dhe në largim. Ky është një instrument, i cili është shumë i domosdoshëm dhe zbatohet më së miri edhe në portet e konsoliduara dhe duhet të gjejmë një mënyrë për ta zbatuar edhe në vendbregëzimet e vogla”, – theksoi ministri i Mbrojtjes.
Gjatë inspektimit, ministri i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministrja, biseduan me kryebashkiakun e Sarandës, Oltion Çaçi dhe forcat në terren, me të cilët theksuan edhe nevojën e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe operatorëve turistikë.