Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në Forumin e Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes “Schuman”, me temë “Së bashku më të fortë në një botë të paqëndrueshme”, që u mbajt në Bruksel më 20 dhe 21 mars.
Ministri Peleshi mori fjalën në panelin me temë “T’i përgjigjemi së bashku krizës”, ku foli për ndryshimin e sigurisë ndërkombëtarë pas agresionit rus në Ukrainë: “Imazhi i sigurisë ndërkombëtare ka ndryshuar thellësisht. Agresioni i pandërprerë rus ndaj Ukrainës ka nxjerrë në pah rëndësinë e sigurisë si një çështje politike. Pas tronditjes së skenës së sigurisë, konfliktet e mundshme të fjetura dhe çështjet e pazgjidhura ndërmjet shteteve janë bërë gjithnjë e më delikate. Vendet me të drejtë janë bërë më vigjilente dhe po ndërmarrin hapa për t’u përgatitur për konflikte të mundshme duke rritur kapacitetet e tyre të mbrojtjes”, – u shpreh ministri Peleshi.
Sipas ministrit Peleshi, krizat e mëdha zakonisht e çojnë historinë në një nyje kritike dhe nevoja për zgjidhje oportune sjell në skenë idetë e mëdha inovative. Ai shtoi se ky forum mbahet pikërisht në një kohë kur paqja dhe siguria janë në kërcënim, ndaj shtoi ai: “Le ta kthejmë nevojën për zgjidhje në një shtysë për një kapërcim të qëndrueshëm në mënyrën sesi përgatitemi për të parandaluar krizat, në vend që të përballemi me pasojat e padëshiruara”.
Ministri i Mbrojtjes vuri theksin tek përpjekjet dhe investimet që po bën Shqipëria në bashkëpunim me SHBA, BE dhe NATO sa i përket sigurisë kibernetike: “Forcimi i sigurisë kibernetike, kjo fushë e re luftarake, kërkon investime në infrastrukturë si edhe në kapacitetet njerëzore dhe duhet të zhvillohet në një kohë të shkurtër dhe njëkohësisht me një buxhet mjaft të madh”, – tha ministri.
Duke theksuar se vendet duhet të jenë më vigjilentë ndaj kësaj lufte të re, me të cilën Shqipëria u përball vitin e kaluar, z. Peleshi tha se: “Përvoja e Shqipërisë mund të shërbejë si një ‘epruvetë’, ose shembull për vendet e tjera evropiane apo dhe vetë strukturat evropiane. Natyra e disa krizave shkon përtej kontrollit dhe aftësisë së një shteti të vetëm, pavarësisht nga fuqia apo pasuria e tij. Lufta kibernetike është një shembull klasik. Duke qenë se kjo lloj lufte nuk njeh kufij, luftimi i saj brenda kufijve të një vendi është i pasuksesshëm”.
Ministri i Mbrojtjes foli edhe për rrezikun që i kanoset Ballkanit Perëndimor nga një përhapje e mundshme e konfliktit në Ukrainë: “Ballkani Perëndimor sot ndihet i kërcënuar si nga ndryshimet gjeopolitike globale, por veçanërisht nga rreziku që mund të krijohet nga përhapja e mundshme e luftës në Ukrainë. Ka vende që nuk kanë njohje reciproke, si Kosova dhe Serbia dhe ka vende ku dallimet etnike mund të krijojnë destabilitet, si Bosnja dhe Hercegovina. Për më tepër, prania e ndikimit rus në median dhe politikën e disa vendeve të rajonit ka shkaktuar shqetësim. Përballë këtyre rrethanave e vetmja mënyrë për të siguruar paqen dhe stabilitetin është pjesëmarrja në ‘të njëjtin klub’, integrimi i përbashkët në strukturat euroatlantike. Në dallim nga njëri – tjetri kostoja e izolimit është edhe më e madhe se kostoja e integrimit. Dialogu Kosovë – Serbi dhe marrëveshja e pranuar reciprokisht së fundmi mund të lehtësojnë ‘pranverën’ e shumëpritur mes dy vendeve dhe të sjellin një epokë të artë të paqes dhe përparimit të garantuar për rajonin në familjen evropiane”, – u shpreh në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.