Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi kërkoi kthimin në shtëpitë e tyre të tre policëve kosovarë të rrëmbyer nga forcat serbe në veri të Kosovës. Duke folur në Ministerialin e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s që po mbahet në Bruksel, ministri Peleshi theksoi se forcat ushtarake apo policore të Serbisë nuk kanë të drejtë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Ai nënvizoi se në këtë moment duhet të shikohet me prioritet dhe urgjencë kthimi në shtëpitë e tyre të tre policëve kosovarë të rrëmbyer.
“NATO duhet të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e FSK-së si një institucion themelues që do të garantonte siguri për të gjithë qytetarët. Njohja e Kosovës dhe integrimi i saj euroatlantik janë hapa të rëndësishëm drejt garantimit të stabilitetit të qëndrueshëm në rajonin tonë”, – tha Peleshi.
Ndërkaq, ministri Peleshi theksoi gjatë fjalës së tij edhe rëndësinë që Aleanca duhet t’i japë Rajonit të Ballkanit. Ai dënoi sulmet e fundit të dhunshme kundër trupave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës. “Ne mbështesim plotësisht mandatin e KFOR-it dhe punojmë intensivisht me aleatët për të parandaluar një përshkallëzim të situatës, duke kontribuar në të njëjtën kohë për lehtësimin e dialogut Prishtinë-Beograd”, – shtoi më tej Peleshi.
Lidhur me zhvillimet në Ukrainë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mbështeti propozimin e ri për formimin e Këshillit NATO-Ukrainë, i cili tregon vendosmërinë e palëkundur si Aleancë, duke zbatuar standardizimin e NATO-s në sektorin e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Në këtë ministerial, Shqipëria theksoi rëndësinë e proceseve transformuese të NATO-s në përballje me sfidat gjithmonë e në ndryshim të mjedisit të sigurisë. Vendi ynë garantoi mbështetjen për zhvillimin e planeve rajonale dhe të gjithë familjes së planeve të shkurajimit dhe mbrojtjes, për të garantuar Aleancën nga kërcënimi rus dhe ai i grupeve terroriste.
Ministri Peleshi vuri në dukje se Shqipëria do të vijojë të mbështesë me një qasje gjithëpërfshirëse masat për forcimin e deterencës dhe mbrojtjes, duke rritur edhe më tej kontributin tonë në misione, operacione dhe aktivitete, në tokë dhe në det. “Ne mbështesim modelin e përmirësuar të forcave të NATO, po përshtatim sistemin e gatishmërisë dhe do të kontribuojmë në zbatimin e planeve duke përshtatur praktikat tona dhe vendosur në dispozicion infrastrukturën kritike si ajo e Bazës së Kuçovës dhe Portin e Porto Romano”, – u shpreh ministri Peleshi.
Ministri i Mbrojtjes siguroi vendet aleate se Shqipëria në vitin 2024 do të dedikojë 2% të GDP për Mbrojtjen duke u investuar gjithmonë e më shumë në këtë drejtim. Ai mbështeti Planin e Veprimit të NATO-s për Prodhimin e Mbrojtjes për rikuperimin e kapaciteteve.
Gjatë punimeve të këtij takimi, ministri Peleshi zhvilloi dhe takime informale me përfaqësuesit e industrisë së mbrojtjes si dhe u takua me homologët të vendeve të ndryshme, ku u diskutua për çështje në interes të rritjes dhe bashkëpunimit në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes.