Ministri i Mbrojtjes z. Niko Peleshi u takua në Bruksel, me ministrin e Mbrojtjes së Ukrainës z. Rustem Umierov. Gjatë këtij takimi, z. Peleshi dhe z. Umierov biseduan mbi situatën aktuale në Ukrainë dhe rëndësinë e mbështetjes nga Aleanca, si një element thelbësor në rezistencën ndaj luftës me Rusinë.
Ministri Umierov, shprehu mirënjohjen ndaj vendit tonë dhe falënderoi për mbështetjen e gjithanshme që Shqipëria i ka ofruar Ukrainës, qysh prej fillimit të luftës.
Lufta në Ukrainë ishte fokus kryesor i Takimit të Ministrave të Mbrojtjes, të mbledhur në selinë e NATO në Bruksel.
Vijimi i mbështetjes së vendeve të Aleancës ndaj Ukrainës, në zbatim të vendimeve të Samitit të Vilnius u diskutua fillimisht në një takim të veçantë të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën, që u mbajt në fillim të Takimit formal të Ministrave të Mbrojtjes se NATO, ku morën pjesë mbi 50 vende të ndryshme aleate dhe partnere të NATO. Gjatë këtij takimi u theksua nevoja imediate për mbështetjen e Ukrainës me kapacitete ushtarake si: sisteme armatimi, artileri dhe municione të kalibrave të ndryshëm me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës kritike të saj, nga agresioni rus.
Në kuadër të punimeve të ministerialit, një vëmendje të veçantë mori Takimi i Këshillit NATO – Ukrainë, i zhvilluar për herë të parë në nivel të ministrave të mbrojtjes, me qëllim afrimin e saj me Aleancën, duke shënuar një kapitulli të ri në marrëdhëniet NATO – Ukrainë. Në ndërhyrjen e tij ministri Peleshi rikonfirmoi se Shqipëria do të vazhdojë ndihmën e saj politike, ushtarake dhe humanitare për Ukrainën: “Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me qeverinë dhe popullin e Ukrainës dhe mbështesim aspiratat e tyre për t’u anëtarësuar në NATO ”, – u shpreh ministri Peleshi.
Gjatë takimit, vendet aleate mbajtën qëndrim të unifikuar për vijimin e kontributeve, si dhe ruajtjen e solidaritetit dhe kohezionit në mbështetje të popullit ukrainas dhe luftës së tij. Gjithashtu, mbështetje të palëkundur në rrugëtimin e Ukrainës drejt integrimit euroatlantik.