Përfundon Ministeriali i Mbrojtjes së vendeve të Iniciativës SHBA - Karta e Adriatikut, në Tiranë, ministri Vengu: Shqipëria mbështet politikën e dyerve të hapura, prioritet anëtarësimi i Kosovës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Përfundon Ministeriali i Mbrojtjes së vendeve të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut, në Tiranë, ministri Vengu: Shqipëria mbështet politikën e dyerve të hapura, prioritet anëtarësimi i Kosovës

Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare dhe vëzhguese të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatiku (A-5) u mblodhën në Tiranë, për të diskutuar një sërë çështjesh të rëndësishme, që shtrohen në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë për Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Ky ministerial u bashkëdrejtua nga ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, z. Pirro Vengu me pjesëmarrjen e posaçme të ndihmëssekretares amerikane të Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare znj. Celeste Wallander.

Teksa vlerësoi rëndësinë e këtij forumi, ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu, i shprehu ndihmëssekretares së Mbrojtjes znj. Wallander mirënjohjen e qeverisë shqiptare për angazhimin e paçmuar të SHBA në zhvillimet politike, të sigurisë dhe atyre të mbrojtjes në vendin tonë, por gjithashtu në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministri Vengu ndau në përfundim të këtij ministeriali temat kryesore të diskutimeve mes përfaqësuesve të lartë të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut: “Patëm mundësi të ndaleshim mbi ndërlikimet në ambientin strategjik të sigurisë në kontinentin europian përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Theksuam dhe njëherë rilevancën e Kartës së Adriatikut dhe çdo vendi anëtar, në mënyrë të veçantë rolin e pazëvendësueshëm të SHBA në rajon”, – u shpreh ministri i Mbrojtjes në deklaratën përbashkët, pas mbylljes së punimeve të ministerialit.

Pjesë e diskutimeve të ministerialit të A-5 ishte edhe sulmi i fundit në veri të Kosovës: “Shqyrtuam një sërë rreziqesh dhe sfidash me karakter hibrid dhe një vëmendje të shtuar mori sulmi kriminal i pak ditëve më parë në Zubin Potok, ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës. Ndërkohë që gjej rastin të përsëris solidaritetin tonë me shtetin e Kosovës, të gjitha vendet dënuan këtë sulm të rrezikshëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe kërkuan sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë”, – theksoi ministri Vengu.

Ndër të tjera në këto diskutime, sipas ministrit të Mbrojtjes, u fol edhe për ri-energjizimin e Kartës së Adriatikut, duke parë dinamikën gjeopolitike dhe ndryshimin e vazhdueshëm të ambientit strategjik të sigurisë: “Kjo, – theksoi ministri Vengu duke jetësuar Politikën e Dyerve të Hapura të Kartës – dhe për ne anëtarësimi i Kosovës mbetet prioritet absolut, por dhe për të qenë më pro-aktiv në angazhime të përbashkëta në NATO, specifikisht në Forcat e Përparura të Aleancës në Europën Juglindore; Misionin për trajnimin, asistencën dhe mbështetjen për forcat ukrainase; Misionin e NATO-s në Irak; por dhe kontribues në agjendën e sigurisë dhe mbrojtjes së përbashkët të Bashkimit Europian, si psh. në misionin ALTHEA në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Një pikë e rëndësishme e këtij takimi ishte edhe diskutimi mbi zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes, në përputhje me procesin e planifikimit të mbrojtjes së NATO-s, por dhe mbi investimet e Shqipërisë në industrinë ushtarake, rrjetin infrastrukturor, si dhe ndërveprueshmërinë mes forcave ushtarake. Sipas ministrit Vengu, këto do të përbëjnë një kontribut domethënës të vendeve tona për forcimin e qëndrueshmërisë kombëtare dhe mbrojtjes kolektive në zonën euroatlantike.
Me përfundimin e këtij ministeriali, mbyllet edhe angazhimi i vendit tonë për këtë vit sa i përket kësaj iniciative.

Gjatë 2024 Shqipëria mirëpriti një sërë eventesh të nivelit të lartë politiko-ushtarak në kuadër të Balkans CHODs, SEDM dhe pikërisht SHBA-A5, duke u kthyer në një pol për bashkëpunimin rajonal në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Previous 112 – vjetori i Forcave të Armatosura, Vengu: Të punojmë për të modernizuar dhe rritur më tej kapacitetet operacionale