Përfundon operacioni për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga Siria

Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre tre të mitur dhe një 79-vjeçare, u riatdhesuan më 26 gusht nga Siria, në kuadër të operacionit të koordinuar nga institucionet shqiptare për kthimin e shtetasve që ndodhen në zonat e prekura nga konflikti.

Shtetasit e riatdhesuar mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, ku u pritën nga Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Koordinatorja Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, përfaqësues të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe të strukturave të tjera të angazhuara në proces.

Pas mbërritjes në Shqipëri, të riatdhesuarve do t’u ofrohet asistenca e nevojshme dhe do t’u kryhen vlerësimet shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë në mënyrë të koordinuar procesin e akomodimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri.

Operacioni u realizua përmes koordinimit ndërmjet institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vlerësoi bashkëpunimin e autoriteteve të huaja, veçanërisht atyre siriane, për përfundimin e procedurave dhe sigurimin e tranzitit të shtetasve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, përgëzoi institucionet e përfshira në Task-Forcën ndërinstitucionale për koordinimin e operacionit, ndërsa konfirmoi vijimin e punës për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen ende në Siri.