Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 7 – mujore (Janar – Korrik 2023) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.
Të ardhurat totale për 7 – mujorin e vitit 2023 u realizuan në masën 103 % të planit të të njëjtës periudhë.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për 7 – mujorin e vitit 2023, arritën në rreth 326.5 miliard LEK me një realizim në 91 përqind të planit të të njëjtës periudhë. Krahasuar me vitin 2022 shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë +4.6 përqind më të larta ose rreth +14.2 miliard LEK më shumë.
Niveli i sufiçitit për periudhën 7 – mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 45.46 miliard LEK nga rreth 1.38 miliard lekë suficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i suficitit rezultonte në masën prej rreth 15 miliard LEK.
Performanca Paraprake 7 – Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve
Të Ardhurat
Të ardhurat totale për 7 – mujorin e vitit 2023 u realizuan në masën 372 miliardë Lekë ose 103 % të planit të të njëjtës periudhë. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me +44 miliard lekë ose +13.6% më shumë.
Grafiku 1: Të ardhurat e Përgjithshme (në milionë Lekë)
Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)
Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 318.7 miliardë lekë, 29.3 miliardë ose 10.1% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, si dhe 12.8 miliardë ose 4.2% më shumë se plani 7-mujor për vitin 2023.
Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 121.7 miliardë lekë, 862 milionë lekë ose 0.7% më pak se 7 mujori 2022, si dhe 6 miliardë lekë ose 4.7 % më pak se plani i të ardhurave doganore për 7 mujorin e vitit 2023.
Të ardhurat nga TVSH në import për 7 mujorin rezultojnë 82.9 miliardë lekë, 3.2 miliardë lekë ose 3.7 % më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 4.8 miliardë ose 5.5% më pak se plani për 7 mujorin 2023.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 31.9 miliardë lekë, 2.8 miliardë lekë ose 9.5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022, si dhe 529 milionë lekë ose 1.6% më pak se plani i akcizës për 7 mujorin 2023.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.8 miliardë lekë, 803 milionë ose 30.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe realizim në masën 66.1% kundrejt planit për 7-mujorin 2023.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 5.1 miliardë lekë, 355 milionë lekë ose 7.5% më shumë se 7 mujori 2022, si dhe realizim në masën 106.8% kundrejt planit.
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 7 mujorin 2023 u realizuan në masën 197 miliardë lekë, 30.1 miliardë ose 18.1% më shumë se 7 mujori i vitit të kaluar, si dhe 18.7 miliardë lekë, ose 10.5% më shumë se plani i 7 mujorit 2023.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 26.5 miliardë lekë, 4.7 miliardë ose 21.6% më shumë se 7 mujori 2022, si dhe 2.6 miliardë ose 11% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 7 mujorin 2023. Rimbursimet për periudhën 7 mujore 2023 janë 10.8 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 16.2% më shumë se 7 mujori 2022, si dhe 660 milionë lekë ose 6.5% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 7 mujorin 2023.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 37 miliardë lekë 9.5 miliardë lekë, ose 34.8% më shumë se 7 mujori 2022, si dhe 8.2 miliardë lekë ose 28.5% më shumë se plani i 7 mujorit të vitit 2023 për Tatimin mbi Fitimin.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 33.1 miliardë lekë, 7.4 milardë lekë ose 28.8% më shumë se 7 mujori 2022, si dhe 5 miliardë ose 18% më shumë se plani i 7 mujorit 2023.
Taksat nacionale, për peridhën 7 mujore 2023 u realizuan në masën 20.8 miliardë lekë, 3.2 miliardë lekë ose 13.3% më pak se 7 mujori 2022, si dhe 4.7 miliardë lekë ose 18.5% më pak se plani për 7 mujorin 2023.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 79.7 miliardë lekë, 11.7 miliardë lekë ose 17.2% më shumë se 7 mujori 2022, si dhe realizim 110.5 % të planit për 7 mujorin 2023.
Shpenzimet
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën shtatë mujore të vitit 2023, arritën në rreth 326.5 miliard LEK me një realizim në masën 91 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 ky zë ka rezultuar 4.6 përqind më i lartë ose rreth 14.2 miliard LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për periudhën 7 mujore të vitit 2023 u realizuan në masën 46.8 përqind të planit vjetor.
Shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 97.1 përqind dhe 71.6 përqind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 53 përqind dhe 29.5 përqind të tij.
Shpenzimet korente për periudhën 7 mujore të vitit 2023 rezultuan në rreth 289.9 miliard LEK, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 9.1 përqind më i lartë ose 24.2 miliard LEK më shumë.
Shpenzimet kapitale për periudhën 7 mujore të vitit 2023 paraqesin një realizim në masën rreth 36.5 miliard LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky zë rezulton 5.7 përqind më i ulët ose rreth 2.2 miliard LEK më pak.
Niveli i sufiçitit për periudhën 7 mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 45.5 miliard LEK nga rreth 1.4 miliard LEK suficit i planifikuar për këtë periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i suficitit ka rezultuar 198 përqind më i lartë ose rreth 30.2 miliard LEK më shumë.
Grafiku 3: Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti/suficiti – Plan vs Fakt (në milion Lekë)
Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)