Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në përfundim të Konferencës Ministeriale të Drejtësisë BE-Ballkani Perëndimor, që u zhvillua në Mal të Zi, shprehu angazhimin e Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi drejtësie më efikas dhe gjithëpërfshirës. Konferenca u fokusua në drejtësinë digjitale, integrimin e Inteligjencës Artificiale dhe bashkëpunimin ndërkufitar në fushën penale. Ky event, i organizuar nga presidenca hungareze dhe i mikpritur nga Ministri i Drejtësisë të Malit të Zi, bashkoi Ministrat e Drejtësisë së Ballkanit dhe BE-në.
Në fjalën e tjj Ministri Manja theksoi se drejtësia digjitale dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale janë hapa të rëndësishëm në modernizimin e sistemit të drejtësisë, duke siguruar një akses më të lehtë dhe më efikas për qytetarët.
Manja vuri në dukje sfidat e digitalizimit dhe nevojën për një kuadër ligjor të fortë me besimin se këto masa do forcojnë sistemin e drejtësisë dhe rrisin besimin e qytetarëve. “Me Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030, Udhërrëfyesin e Shtetit të së Drejtës, Drejtësinë Elektronike dhe zhvillimin e kuadrit ligjor për Provat Elektronike, që pritet të hyjë në fuqi në 2026, jemi të angazhuar të ndërtojmë një sistem drejtësie transparent dhe gjithëpërfshirës”, u shpreh Manja.
Përfundimi me sukses i kësaj Konference Ministeriale përbën një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar sistemin e saj dhe për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët. Shqipëria vazhdon të punojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të arritur këto objektiva ambicioze, duke e vendosur vendin në rrugën e modernizimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm.