Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në prezantimin e Vrojtimit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri “Mjedisi i biznesit në Shqipëri 2021-2022”.
Në fjalën e saj, Ministrja shprehu angazhimin e qeverisë për përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit në vend dhe në këtë kuadër, vrojtimi i realizuar nga FIAA i vjen në ndihmë pikërisht këtij angazhimi, në mënyrë që të merren vendimet e duhura dhe në funksion të zgjidhjes së problematikave të biznesit dhe investitorëve të huaj.
Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se Ministria e Financave dhe Ekonomisë konsideron me seriozitet rekomandimet e ndryshme që vijnë nga shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë.
Duke iu referuar publikimit “White Book” të FIAA, Ibrahimaj tha se nga 138 rekomandime që përmban ky publikim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka adresuar 56 prej tyre, duke i integruar në planet e punës të saj, ndërsa 65 rekomandime janë ezauruar në nivel teknik dhe presin të përfshihen në planet e punës.
“Nga 138 rekomandime, vetëm 17 kanë mbetur ende në proces pune. Kjo tregon se ne jemi të angazhuar që klima e biznesit të përmirësohet dhe vrojtime si ky që u prezantua sot janë shumë të rëndësishme për ne, në mënyrë që të marrim vendimet e duhura dhe të shohim se ku janë problematikat që investitorët e huaj shohin në ambientin e biznesit në Shqipëri”, u shpreh Ibrahimaj.
Klima e biznesit ndër vite është përmirësuar dhe këtë e dëshmojnë edhe shifrat, ku numri i investitorëve të huaj që ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik në Shqipëri ka ardhur gjithnjë e në rritje.
“Vetëm këtë vit ka pasur rreth 60 biznese të huaja që janë regjistruar dhe duke marrë parasysh situatën në të cilën ndodhemi, pasigurinë në të cilën ndodhemi për të ardhmen, mendoj se është inkurajuese që ka investitorë që vendosin të vijnë në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë punën tonë me reformat e nisura, qoftë në taksim, qoftë në sistemin gjyqësor, qoftë në përmirësimin e klimës së biznesit në vazhdimësi”, u shpreh Ministrja.
Vrojtimi i FIAA nxjerr në pah disa problematika që perceptohen nga investitorët në vendin tonë, ku nuk mungojnë edhe gjetjet pozitive, pasi krahasimi bëhet me vitin 2019.
“Duke marrë parasysh vitet e vështira që kemi kaluar dhe situatën e vështirë që po kalojmë, mendoj se rezultatet janë inkurajuese me qëllim që ne të vijojmë reformat që kemi filluar”, tha Ministrja.
Një prej gjetjeve të vrojtimit lidhet me kualifikimin e forcës punëtore. Lidhur me këtë, Ministrja theksoi se kualifikimi i forcës së punës është në fokus të MFE dhe institucioneve të saj të varësisë, të cilat kanë shtuar punën për realizimin e këtij qëllimi.
Ibrahimaj u ndal edhe në çështjen e reformës në drejtësi, e cila trajtohet edhe në Vrojtimin e kryer, dhe shprehu bindjen se implementimi i plotë i saj do të ketë një impakt shumë pozitiv në klimën e biznesit.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve,
Një nga eventet e para ku unë kam marrë pjesë në pozicionin tim si ministre ka qenë pikërisht eventi i FIAA-s dhe prezantimi i “White Book”, i cili përmbante një sërë rekomandimesh shumë të vlefshme për përmirësimin e klimës së biznesit.
Konkretisht, në Librin e FIAA-s “White Book” janë 138 rekomandime që i referohen propozimeve të studimit për përmirësimin e klimës së biznesit. Duke qenë se kjo është një çështje shumë e rëndësishme për politikë bërjen dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, menjëherë pas marrjes së “White Book” ne u angazhuam, ashtu si edhe për rekomandime të dhomave të tjera të tregtisë, të nisnim një punë të përbashkët për adresimin e këtyre rekomandimeve.
Gjatë muajve të fundit kemi punuar intensivisht dhe unë dua të falënderoj stafin e FIAA-s dhe ekspertët, të cilët kanë qenë të angazhuar t’i kthejnë përgjigje grupit të punës së MFE, me qëllim e adresimin e këtyre rekomandimeve. Jam e kënaqur t’ju them që prej 138 rekomandimeve, ne tashmë kemi adresuar rreth 56 prej tyre, të cilat janë të integruara në planet e punës të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. 65 rekomandime janë të ezauruara në nivel teknik, pra presin për tu përfshirë në planet e punës, por janë të pranuara dhe të ezauruara, ndërkohë që 17 prej tyre që janë pak më të komplikuara janë ende në proces trajtimi për periudhën në vijim. Ato kryesisht kanë të bëjnë me ligjin e falimentit dhe kuadrin rregullator të përgjithshëm financiar, pra do të marrë pak më shumë kohë se sa rekomandimet afatshkurtra. Pra nga 138 rekomandime, vetëm 17 kanë mbetur ende në proces pune. Kjo tregon se ne jemi të angazhuar që klima e biznesit të përmirësohet dhe vrojtime si ky që u prezantua sot janë shumë të rëndësishme për ne, në mënyrë që të marrim vendimet e duhura dhe të shohim se ku janë problematikat që investitorët e huaj shohin në ambientin e biznesit në Shqipëri.
Unë e dëgjova më vëmendje prezantimin e bërë, shterues, ku praktikisht janë prekur të gjithë elementët që kanë rëndësi për ne dhe janë e bindur që me rekomandimet që do të vijnë në “White Book” të radhës do të ketë pjesë të këtyre problematikave që dolën sot. Megjithatë, si ish eksperte e statistikash jam e kënaqur të shoh që vrojtimi, ndonëse është një vrojtim perceptimi dhe ndonëse kishte një vit që nuk kryhej, sepse është një krahasim me vitin 2019, në pjesën më të madhe të përgjigjeve, për pyetjet që janë të njëjta si në vitin 2019, ka zhvillime pozitive. Duke marrë parasysh vitet e vështira që kemi kaluar dhe situatën e vështirë që po kalojmë, mendoj se rezultatet janë inkurajuese me qëllim që ne të vijojmë reformat që kemi filluar.
Një nga problematikat kryesore që pashë është sigurisht aksesi në punë të kualifikuar dhe edukimi i forcës punëtore. Ky është një problem i cili evidentohet jo vetëm në vrojtim, por edhe në të gjithë takimet që ne kemi zhvilluar me bizneset në fusha të ndryshme.
Kualifikimi i forcës së punës është një prej qëllimeve që ne kemi dhe kjo është arsyeja pse kemi shtuar punën për përgatitjen e studentëve, të cilët duhet të kenë në fokus IT dhe dixhitalizimin, duke qenë se kjo është një ato fusha të cilat më së shumti kërkohet në tregun e punës sot.
Nga ana tjetër, të gjithë institucionet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që lidhen me punën janë të angazhuara. Një prej tyre, AKPA, është përpjekur të marrë sa më shumë informacion nga biznesi, jo vetëm nëpërmjet vrojtimeve, por edhe nëpërmjet vendeve të lira të punës dhe kërkesës reale që ka për profesionistë në vend. Jemi duke ri parë të gjithë kurikulat e arsimit profesional, pasi jam e bindur që investitorët e huaj kanë kërkesa jo vetëm për forcë pune të kualifikuar në IT apo industri të ndryshme, por edhe për personel të kualifikuar nga shkollat profesionale. Pra, është një nga prioritetet tona.
Nga vrojtimi del se një nga të vetmet fusha që ishte më rënie ishte sistemi gjyqësor. Por, nëse shohim me detaje pyetjet për sistemin gjyqësor, pritshmëria për të ardhmen është pozitive dhe gjithsesi kishte një përmirësim në nivel.
Kjo është një tjetër reformë që ne kemi ndërmarrë dhe që do të vijojë, pasi jemi të bindur për implementimin e kësaj reforme. Jam e bindur se me përfundimin e saj, ku e kam fjalën dhe me plotësimin e vendeve vakante që janë sot në sistemin gjyqësor, do të ketë një impakt shumë pozitiv në klimën e biznesit. Sigurisht që një investitor i huaj, para se të marrë vendimin për të investuar në një vend, problematikën kryesore e ka të lidhur me situatën dhe sigurinë politike, si dhe me sistemin e drejtësisë, pasi gjatë viteve investitorë të mëdhenj kanë pasur problematika me zgjidhjen e proceseve gjyqësore apo përfundimin e tyre. Mendoj se situata sot është më e mirë dhe me përfundimin e reformës në drejtësi, kjo gjë do të shkojë drejt përmirësimit.
Ka shumë elementë të tjerë për të cilët do të doja të flisja. Shifrat e rritjes së numrit të investitorëve të huaj në Shqipëri në vitet e fundit, por edhe ato të gjashtë mujorit të parë të këtij viti, janë domethënëse. Vetëm këtë vit ka pasur rreth 60 biznese të huaja që janë regjistruar dhe duke marrë parasysh situatën në të cilën ndodhemi, pasigurinë në të cilën ndodhemi për të ardhmen, mendoj se është inkurajuese që ka investitorë që vendosin të vijnë në Shqipëri.
Ashtu siç u përmend edhe sot këtu, kjo krizë vjen me pasoja, por edhe me oportunitete. Nga bisedat që kemi bërë me bizneset, kriza e fundit energjetike shfaq disa oportunitete për bizneset shqiptare. Kostot e transportit janë rritur që prej pandemisë dhe vazhdojnë të jenë të larta duke qenë se çmimet e karburanteve vijojnë të jenë të larta. Kjo do të thotë se ka oportunitet në këtë moment për të investuar në Shqipëri, duke qenë se jemi shumë afër tregjeve evropiane, shumë më afër se sa vendet aziatike apo aty ku më parë bizneset investonin.
Desha të përmend edhe procesin e anëtarësimit në BE. Ka një punë të vazhdueshme e të gjithë institucioneve qeveritare drejt tregjeve më të hapura, drejt uljes së barrierave të tregtisë, drejt rritjes së cilësisë së shërbimeve të ofruara nga qeveria, gjë që vërehej dhe në vrojtim ku kishte një perceptim më pozitiv ndaj institucioneve.
Në përfundim, dua të theksoj se ne do të vazhdojmë punën tonë me reformat e nisura, qoftë në taksim, qoftë në sistemin gjyqësor, qoftë në përmirësimin e klimës së biznesit në vazhdimësi.
Faleminderit për ftesën dhe për inputin e mirë që na jepni për të bërë punën tonë sa më mirë.