Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, mori pjesë në eventin e prezantimit të gjetjeve të anketimit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) “Mjedisi i biznesit në Shqipëri 2023”.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, zj. Delina Ibrahimaj, Presidenti i FIAA, z. Alessandro D’Oria, si edhe Drejtorja Ekzekutive e FIAA, zj. Marinela Jazoj.
Ministri vlerësoi anketimin e realizuar nga FIAA, i cili vëren përmirësim të ndjeshëm në vlerësimin e përgjithshëm të klimës së të bërit biznes dhe pritshmëritë për përmirësim të mëtejshëm.
“Përmirësimi i një sërë treguesve të anketimit, si ato që kanë të bëjnë me administratën tatimore e doganore, nivelin e transparencës, konkurrencën, si edhe nivelin e burokracisë me të cilën përballen bizneset, dëshmojnë se kemi pasur rezultate pozitive në këtë drejtim”, tha z. Mete, ndërsa pohoi se mbeten ende hapësira për përmirësim të mëtejshëm.
Ministri u shpreh se qeveria mbetet e angazhuar përmes politikave dhe nismave të caktuara për të rritur aftësimin profesional dhe për të stimuluar pjesëmarrjen e të rinjve në tregun e punës.
- Mete theksoi se forcimi i komunikimit dhe bashkëpunimit mes qeverisë dhe bizneseve është thelbësor për të ndërmarrë reforma dhe politika të qëndrueshme, të cilat do t’i shërbejnë vendit në periudhën afatgjatë.
Gjatë fjalës së tij, Ministri deklaroi se ecuria ekonomike e vendit ka qenë pozitive pavarësisht sfidave dhe shprehu angazhimin e qeverisë për të vijuar më tej me thellimin e proceseve të dixhitalizimit, zgjerimin e shërbimeve online, ri-inxhinierimin e shërbimeve dhe derregulimin, për të përmirësuar më tej klimën e biznesit.
Kohët e fundit qeveria ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh ligjore për përafrimin e legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Europian. Një kuadër i plotë ligjor dhe i përafruar me direktivat evropiane është një garanci më shumë për investitorët, pasi i ndihmon ata të jenë më të mbrojtur dhe të orientojnë siç duhet planet e tyre të investimeve.
Në këtë drejtim, Ministri informoi se po punohet për hartimin e një kuadri të ri ligjor të unifikuar për investimet, i cili synon ta bëjë Shqipërinë akoma edhe më tërheqëse për investitorët e huaj, duke stimuluar investimet në përgjithësi dhe investimet në sektorët prioritarë.
Fjala e Ministrit Ervin Mete:
E nderuar zj. Ministre
I nderuar z. D’Oria
Zonja dhe Zotërinj,
Është kënaqësi të jem këtu në këtë event që tashmë është kthyer në traditë nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA).
Forcimi i komunikimit dhe bashkëpunimit mes qeverisë dhe bizneseve është thelbësor për të ndërmarrë reforma dhe politika të qëndrueshme që do t’i shërbejnë vendit në afatgjatë.
Ndoqa me vëmendje prezantimin e anketimit dhe më vjen mirë që ka përmirësime të ndjeshme në disa sektorë kryesorë siç ishte përgjithësisht vlerësimi i klimës së të bërit biznes dhe pritshmëritë për përmirësim të mëtejshëm.
Gjithashtu, përmirësimi i një sërë treguesish në anketimin e realizuar, si ato që kanë të bëjnë me administratën tatimore dhe doganore, nivelin e transparencës, konkurrencën, si edhe nivelin e burokracisë me të cilën përballen bizneset, dëshmojnë se kemi pasur rezultate pozitive në këtë drejtim.
Sigurisht që ka hapësirë për përmirësim të mëtejshëm. Niveli i kualifikimit të punonjësve të rinj dhe aksesi në forcën e kualifikuar të punës janë dy aspekte të evidentuara në anketimin tuaj, për të cilat kërkohet më shumë angazhim edhe nga ana jonë përmes politikave dhe nismave të caktuara për të rritur aftësimin profesional dhe për të stimuluar pjesëmarrjen e të rinjve në tregun e punës.
Ekonomia shqiptare është duke ecur në një trajektore pozitive, gjë e cila u konfirmua edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, ku së fundmi Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar rishikuan në rritje parashikimet e tyre për rritjen ekonomike për vitin 2023.
Gjithashtu, janë inkurajuese shifrat e rritjes së investimeve të huaja në vend, si edhe të dhënat e fundit lidhur me numrin e turistëve, ku në periudhën janar-shtator rreth 8.3 milionë vizitorë të huaj kanë ardhur në Shqipëri.
Vitin e kaluar Investimet e Huaja Direkte kapën një shifër rekord prej 1.3 miliardë euro dhe trendi vijon të mbetet pozitiv, ku 6-mujorin e parë investimet e huaja direkte arritën afro 700 milionë euro.
Sektorët që po përfitojnë janë ato ku potenciali i rritjes së produktivitetit është më i lartë, si industria nxjerrëse, turizmi, teknologjia e informacionit, si edhe industria automotive.
Qeveria shqiptare ka qenë dhe mbetet e angazhuar për të thelluar më tej proceset e digjitalizimit, zgjerimit të shërbimeve online, ri-inxhinierimin e shërbimeve, derregullimin dhe përmirësimin më tej në këtë kuadër të klimës së biznesit.
Reformat e ndërmarra, edhe sipas anketimit tuaj, kanë dhënë rezultate dhe më vjen mirë që rezulton se koha e procesimit të dokumenteve është ulur. Është kursyer kohë dhe janë reduktuar orët e pritjes dhe kishte rezultate pozitive edhe në rimbursimin e TVSH-së.
Ne jemi duke avancuar gjithashtu me një kuadër rregullator ligjor që i përafrohet Bashkimit Europian pasi një kuadër i tillë është një garanci më shumë për investitorët dhe i ndihmon ata të jenë më të mbrojtur dhe të orientojnë më drejt planet e tyre të investimit.
Në këtë drejtim, po punohet gjithashtu për hartimin e një kuadri të ri ligjor për një ligji të unifikuar të investimeve, i cili synon ta bëjë Shqipërinë akoma edhe më tërheqëse për investitorët e huaj, duke stimuluar investimet në përgjithësi dhe investimet në sektorë prioritarë.
Sidoqoftë, të gjitha këto nuk do të ishin të mjaftueshme, pa një forcë pune të kualifikuar dhe sot, jo vetëm Shqipëria dhe rajoni, por edhe më gjerë, kanë një nevojë të madhe për burime njerëzore që t’i përgjigjen cikleve të zhvillimit dhe orientimit të kërkesës ndaj ofertës së tregut të punës.
Kjo nevojë dhe qasje u evidentua edhe me nënshkrimin nga ana e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor të Marrëveshjes Rajonale për Njohjen e Ndërsjellët të Kualifikimit Profesional, falë së cilës do të lehtësohet edhe më tej lëvizja e profesionistëve, duke siguruar shfrytëzim më të madh të potencialit të burimeve njerëzore në vendet e rajonit.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të nderuar investitorë,
Forcimi i frymës së bashkëpunimit mes qeverisë dhe biznesit është domosdoshmëri dhe ne jemi sot bashkërisht për një qëllim, për përmirësimin e klimës së biznesit, zhvillimin e ekonomisë dhe ndërmarrjen e reformave për ta shtyrë vendin drejt avancimit ekonomik dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Eksperienca juaj, njohuritë e fituara, lidhjet që ju keni me kompani dhe emra të njohur ndërkombëtarë janë të rëndësishme për të zhvilluar më tej kapacitetet njerëzore, për të orientuar siç duhet kapitalin financiar, si edhe për të diversifikuar portofolet e investimeve. Të gjitha këto me synimin për ta bërë Shqipërinë një vend më të konkurrueshëm dhe më atraktiv për investimet.
Shumë faleminderit dhe suksese!