Përurohet shkolla e re e Vaqarrit, Manastirliu-Veliaj: Hapen kantieret edhe në 4 shkolla të reja në Tiranë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Përurohet shkolla e re e Vaqarrit, Manastirliu-Veliaj: Hapen kantieret edhe në 4 shkolla të reja në Tiranë

Hap dyert shkolla e re “Bedri Llagami” në Vaqarr, një shkollë e rindërtuar me infrastrukturë moderne dhe që do t’u shërbejë 600 nxënësve të kësaj zone.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishin sot në ceremoninë e inaugurimit të shkollës së bashkuar që hap dyert për nxënësit nga cikli 1 deri në 12.

Shkolla e re është pajisur me laboratorë të avancuar të fizikës, kimisë, informatikës dhe biologjisë, duke nxitur kërkimin shkencor dhe eksplorimin kreativ tek nxënësit. Laboratorët modernë do t’i japin mundësinë nxënësve të eksperimentojnë dhe të zgjerojnë horizontet e tyre në fushën shkencore.

Përveç hapësirave të dedikuara për kërkimin shkencor, biblioteka e shkollës shërben si një qendër e rëndësishme e dijes, ku nxënësit mund të zhyten në botën e librave dhe të zhvillojnë dashurinë për leximin.

“Shkolla juaj mban emrin e mësuesit të parë të shkollës shqipe në këtë zonë, Bedri Llagamit, dhe sot jemi krenare që emrin e mësuesit të parë të kësaj shkolle ta mbajë me kaq shumë krenari me këtë infrastrukturë të rilindur, struktura moderne që kjo shkollë ofron, duke filluar nga biblioteka e shkollës, me laboratorët e shkencave që duhen gjithashtu që t’i fuqizojmë përgjatë vitit të ri shkollor 2024-2025 dhe sigurisht për ta bërë këtë shkollë, një shkollë model në të gjithë zonën. Dhe kur flasim për shkollat nuk shohim më diferencë, nëse kjo është një shkollë është në një zonë rurale apo kjo është një shkollë që është në një qendër të kryeqytetit.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Për ciklin 2024-2025, tha Ministrja Ogerta Manastirliu janë 100 shkolla që pritet të përfundojnë procesin e rehabilitimit dhe modernizimit, duke u bërë modele të cilësisë dhe inovacionit në fushën e arsimit. Kjo përpjekje synon të sigurojë një mjedis më të mirë dhe më të përshtatshëm për mësimdhënie dhe mësim nxënie, duke u përgjigjur nevojave të ndryshme të nxënësve dhe mësuesve.

“Jam e bindur që kjo shkollë nuk e përmbyll të gjithë zotimin që kemi bërë përsa i përket modernizimit të infrastrukturës shkollore. Për ciklin 2024-2025 do të jenë 100 shkolla të cilat do të përfundojnë nga pikëpamja e rehabilitimit dhe modernizimit të tyre infrastrukturor. Po përmbyllim dhe vlerësimin për thirrjen e hapur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për infrastrukturën arsimore për të gjitha bashkitë e vendit.”, tha Ministrja e Arsimit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u shpreh: “Kemi një paketë tjetër shkollash që ne do të fillojmë. Është një lot i madh, i cili ka të bëjë me shkollat e Astirit, një komunitet i cili prej kohësh është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Në këtë partneritet 50 me 50, pra gjysmat qeveria, gjysmat bashkia, ne do të fillojmë 4 shkolla tek Astiri në të dyja anët e Lanës. Të njëjtën gjë duam të bëjmë tek zona e Liqenit të Thatë, të njëjtën gjë do të bëjmë në Sauk”.

Të gjitha këto investime shkojnë në një linjë me mbështetjen që qeveria ka dhënë dhe jep edhe për mësuesit. Konkretisht duke filluar nga muaji korrik, mësuesit do të përfitojnë nga një rritje e konsiderueshme e pagave. Ministrja e Arsimit dhe Sportit shtoi se kjo rritje pagash vjen si pjesë e një angazhimi më të gjerë për të mbështetur zhvillimin profesional të mësuesve.

“Duke filluar dhe nga muaji korrik do të jetë viti ku për mësuesit do të kemi rritjen e konsiderueshme të pagave. Nga ana tjetër edhe edukimi në vazhdim, zhvillimi profesional i mësuesve për ne ka një rëndësi shumë të veçantë. Programi Kombëtar i Zhvillimi Profesional i Mësuesve tashmë është formësuar. Universitetet tona do t’i kemi krahë për krah për zhvillimin profesional të mësuesve për edukimin e tyre në vazhdim. Jemi duke punuar për të gjithë modulet e trajnimeve që do të fillojnë brenda muajit mars, duke filluar me mësuesit e matematikës, të shkencave, të gjuhës shqipe dhe të teknologjisë. Duke përfshirë përgjatë këtij viti 4000 mësues, të cilët do të trajnohen për shkenca, gjuhën dhe teknologjinë dhe duke iu mbështetur për të rritur rezultatet, por gjithashtu edhe që nxënësit tanë të kenë arritje më të larta dhe të vazhdojnë të zhvillohen dhe të mbështetet pikërisht nga mësuesit e tyre”, tha Manastirliu.

Previous Vendet e Ballkanit Perëndimor bashkojnë forcat kundër korrupsionit