Rrugëtimi drejt Shqipërisë Turistike 2030, përmes shifrave dhe fakteve të këtij sezoni turistik, që ende po vijon – ishin tema e një takimi të zgjeruar, me drejtues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të strukturave të lidhura me turizmin, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës Blendi Gonxhe.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se rritja në numër e turistëve nuk është më prioriteti i parë, duke u zëvendësuar me një prioritet edhe më të rëndësishëm që është cilësia. Përmes shembullit të eurobarometrit të realizuar së fundmi nga Komisioni Europian, Kryeministri tha se ka një përmirësim të perceptimit për Shqipërinë, falë zhvillimit të turizmit.
“Rritja në numër për ne nuk është më prioriteti i parë. Për ne prioriteti i prioriteteve është rritja e cilësisë dhe rritja e numrit të vizitorëve dhe turistëve që konsumojnë më shumë këtu në vendin tonë. Një gjë do theksoj nga të dhënat për të thënë se turizmi dhe Shqipëria turistike ndihmon kombin tonë në aspektin e imazhit ndërkombëtar dhe ndihmon perceptimin e të tjerëve për ne. Ka një përputhshmëri shumë interesante midis rritjes së numrit të vizitorëve dhe përmirësimit të perceptimit. Sjell këtu si shembull Francën që në eurobarometrin e bërë së fundmi nga Komisioni Europian për të parë pëlqyeshmërinë e vendeve kandidate në sytë e popujve të shteteve anëtare, ka një perceptim pozitiv për Shqipërinë të popullit francez, që as mund të imagjinohej deri jo shumë vite më parë, kur Shqipëria dhe shqiptarët në Francë shikoheshin si një vrimë e zezë që sillnin dele të zeza.” – u shpreh mes të tjerash Kryeministri.
Duke vlerësuar standardet e arritura tashmë në turizëm, Kryeministri adresoi paralelisht disa sfida të cilat do të trajtohen me emergjencë, siç janë plazhet “e dhunuara” nga abuzuesit e ndërtimeve pa leje, për të cilat do të ketë një mënyrë të re administrimi.
“Në tërësi ne duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, t’ua heqim nga dora privatëve. Ata, të cilët janë mësuar të dhunojnë plazhet me shezllonë të ngjitur me njëri-tjetrin dhe me bishta çadrash të mos marrin mundimin të aplikojnë fare. Shumë shpejt do të nxjerrim dhe gjithë planin e ri për gjithë bregdetin dhe në bashkëpunim me gjithë bashkitë do të kuptojmë ekzaktësisht se cilat plazhe bashkitë do t’i marrin tërësisht, por dy janë të sigurta Ksamilin dhe Dhërmiun.” – theksoi lidhur me këtë aspekt Kryeministri Rama.