Pirdeni: Sistemi i prokurimit publik drejt epokës së transparencës, automatizimit dhe standardeve evropiane
Gjatë aktivitetit “30 vjet Prokurime Publike – Shqipëria, lider rajonal në modernizimin e sistemeve të prokurimit”, i cili u zhvillua paralelisht me “Javën e Integritetit”, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi se sistemi i prokurimit publik në vend ka kaluar nga një mekanizëm teknik, burokratik dhe i manipulueshëm në një qasje të re të përdorimit të fondeve publike. Sipas saj, transformimi po udhëhiqet nga teknologjia, transparenca dhe linjëzimi me standardet evropiane, duke krijuar një sistem që së shpejti nuk do të varet nga individët, por nga vetë mekanizmat e automatizuar për vlerësimin e riskut.
Pirdeni njoftoi se prej një viti po zbatohet një bashkëpunim trepalësh mes Ministrisë së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Agjencisë Kombëtare kundër Korrupsionit në Itali, për ndërtimin e një procesi të dedikuar të vlerësimit të riskut në prokurimin publik. Ky bashkëpunim shkon përtej digjitalizimit dhe automatizimit, duke synuar përafrimin e legjislacionit, forcimin e analizës së riskut dhe rritjen e integritetit në sektorët më të ekspozuar.
Ministrja bëri të ditur se qasja sektoriale për vlerësimin e riskut ka nisur në tatime e dogana dhe aktualisht po zgjerohet në sektorin e shëndetësisë. Këtë javë, në bashkëpunim me partnerët zviceranë dhe Institutin e Qeverisjes së Bazelit, institucion nga më prestigjiozët në fushën e analizave antikorrupsion në Evropë, do të prezantohet vlerësimi i riskut për sistemin shëndetësor.
Ajo kujtoi se dy javë më parë është finalizuar analiza 8-mujore e vlerësimit të riskut të korrupsionit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, e realizuar me asistencën e Bashkimit Evropian. Analiza ka evidentuar flamujt e kuq të korrupsionit dhe masat që duhet të merren, duke u fokusuar te transparenca dhe lufta kundër abuzimeve në sektorin e pronave.
Pirdeni shtoi se Shqipëria po ecën drejt përputhshmërisë së plotë me standardet e BE-së për prokurimet publike. Ajo u shpreh se kapitulli 5 i negociatave, që lidhet me këtë fushë, pritet të jetë ndër të parët që do të mbyllet, duke garantuar një standard të qartë ku çdo shpenzim publik është i mbrojtur, çdo procedurë e gjurmueshme dhe çdo vendimmarrje e matshme.
Në këtë transformim, Ministrja theksoi rëndësinë e kapaciteteve njerëzore. Gjatë dy viteve të fundit, Agjencia e Prokurimit Publik dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike kanë trajnuar 2400 zyrtarë publikë në 21 module të prokurimit, ndërsa 400 prej tyre janë certifikuar si specialistë të fushës. Sipas Pirdenit, kjo rrit sigurinë juridike për pjesëmarrësit në procedurat e prokurimit, por edhe për vetë zyrtarët që drejtojnë proceset, duke u dhënë atyre më shumë garanci, profesionalizëm dhe besim në rolin e tyre në administrimin e fondeve publike.