Platforma “ExportON”, Ibrahimaj dhe Salla prezantojnë politikat e reja për rritjen e eksporteve

Qeveria ka prezantuar platformën “ExportON”, një nismë që synon forcimin e eksporteve dhe orientimin e ekonomisë drejt prodhimit vendas, investimeve dhe rritjes së qëndrueshme, përmes monitorimit të performancës së kompanive eksportuese dhe publikimit vjetor të të dhënave mbi ecurinë e eksporteve, me qëllim mbështetjen e politikave ekonomike dhe adresimin e nevojave të sektorit. Platforma kombëtare e dialogut për eksportet shqiptare, e iniciuar nga AIDA – Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, është konceptuar si një mekanizëm i qëndrueshëm bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike dhe bizneseve eksportuese.

Sipas Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, eksportet shqiptare kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë pesë viteve të fundit, me eksportet e shërbimeve që përbëjnë rreth 85% të totalit, ku turizmi ka peshën kryesore. Ndërkohë, politika e re industriale synon të forcojë prodhimin vendas dhe të rrisë rolin e eksporteve të mallrave.

Në kuadër të platformës “ExportON”, parashikohet edhe lançimi i një programi për diplomacinë ekonomike në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe krijimi i produktit “Made in Albania”, për të cilin pritet miratimi i ligjit përkatës gjatë këtij viti. Ndërkohë, programi i nxitjes së eksporteve i miratuar në fund të 2025, mbështetet në katër shtylla kryesore: ndërgjegjësimin dhe mbështetjen e eksportuesve, thjeshtimin dhe digjitalizimin e procedurave, përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe forcimin e financimit përmes instrumenteve kombëtare dhe evropiane.

Një nga masat kryesore do të jetë krijimi i një dritareje unike për eksportuesit, e cila do të lehtësojë procedurat doganore dhe bashkërendimin mes institucioneve. Paralelisht, po punohet për harmonizimin e standardeve me tregun e përbashkët evropian dhe për mbështetjen financiare të industrisë, përfshirë rolin e Bankës së Zhvillimit dhe instrumenteve të garancisë për uljen e kostove dhe të rrezikut të eksportit.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka njoftuar masa për forcimin e kontrollit ushqimor dhe rritjen e standardeve, si pjesë e përgatitjeve për integrimin evropian. Brenda vitit 2026 pritet digjitalizimi i plotë i kontrollit ushqimor, modernizimi i laboratorëve dhe forcimi i pikave të inspektimit kufitar, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe lehtësimin e eksporteve.

Sektori bujqësor synon që deri në vitin 2030 eksportet të arrijnë në 1 miliard dollarë, përmes mbështetjes financiare, investimeve në përpunim dhe përdorimit të skemave kombëtare dhe fondeve IPARD. Për vitin 2026 janë planifikuar rreth 2 miliardë lekë investime, me grante deri në 50% dhe instrumente garancie për bizneset agropërpunuese.