Në përfundim të mbledhjes së dytë të përbashkët mes qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe firmosjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit mes vendeve, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri Dritan Abazoviç dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:
Kryeministri Edi Rama: I nderuar kryeministër! I dashur Dritan! Në radhë të parë dëshiroj të shpreh falënderimet edhe në emër të gjithë delegacionit tonë, jo për formalizëm diplomatik, por sepse edhe njëherë, ne e kemi ndjerë në vetë të parë ngrohtësinë e mikpritjes dhe afrimitetin vëllazëror mes nesh.
Dua ta përsëris edhe këtu atë që thashë gjatë mbledhjes se Shqipëria dhe Mali i Zi janë më shumë sesa fqinj dhe mund të bëjnë shumë më tepër sesa ç’kanë bërë deri më sot.
Ne takohemi në një moment shumë sfidues për mbarë Europën dhe për vendet tona dhe në këtë kontekst, përveç sfidave të drejtpërdrejta, vlera e kësaj ngrohtësie dhe kësaj vëllazërie në fqinjësi bëhet edhe më e madhe.
Kemi qenë së bashku, kemi vizituar Kievin dhe presidentin Zelensky në respekt të mandatit tonë si kryeministra të dy vendeve që janë të rreshtuar qysh në ditën e parë të agresionit rus në krah të Ukrainës, të dy vende që janë tërësisht të linjëzuara me Bashkimin Europian, të dy vendeve anëtare të NATO-s dhe si vizita jonë në Kiev, si përpjekjet tona të përbashkëta në të gjitha këto fronte, janë themeli i një marrëdhënieje që ka një potencial të jashtëzakonshëm për tu thelluar dhe fuqizuar më shumë.
E vërteta është që vitin e kaluar, krahasimisht me të këqijat e përbashkëta të një lufte e cila ka nisur jo thjesht për të copëtuar Ukrainën, por mundësisht për të gjunjëzuar Europën përmes kthimit të energjisë në armë dhe nxitjes eksponenciale të inflacionit, ne kemi përjetuar disa momente shumë të mira në aspektin e ecurisë sonë drejt integrimit të plotë në Bashkimit Europian.
Kemi parë se si Bashkimi Europian është bërë më i hapur dhe më i ndjeshëm më në fund, gjeopolitikisht ndaj rajonit. Kemi parë sesi më në fund Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i çelën negociatat. Kemi parë sesi më në fund Republika e Kosovës mori një datë për liberalizimin e vizave. Kemi parë më në fund se si Bosnje dhe Hercegovinës iu dha statusi kandidat. Ashtu sikundër kemi parë që për herë të parë në historinë e saj BE-ja u spostua jashtë kufijve të BE-së për të mbajtur një Samit në Tiranë apo sesi në Malin e Zi u mbajt Këshilli për Stabilizim dhe Afrim me BE-në.
Të gjitha këto janë pozitive, por BE-ja është një korsi e përbashkët, shpejtësia e të cilës, në këndvështrimin tim, lidhet pandashmërisht me korsinë e bashkëpunimit rajonal dhe në këtë pikë, Shqipëria dhe Mali i zi janë plotësisht të angazhuara.
Unë dëshiroj ta falenderoj kryeministrin për angazhimin e tij në vetë të parë për gjithë këtë proces, ashtu sikundër dëshiroj ta falenderoj edhe për shprehjen e dëshirës për të organizuar një samit të Ballkanit të Hapur në qershor këtu në Malin e Zi, në ndërkohe që procesi Procesi i Berlinit do të ketë samitin e vet ne Tiranë në fillim të vjeshtës. Data për tu përcaktuar së shpejti në takimin që unë do të kem në Berlin me kancelarin Scholz.
Unë këmbëngul që Ballkani i Hapur dhe këtu kemi dakordësi të plotë me Kryeministrin e Malit të Zi, është i domosdoshëm për të jetësuar në një ritëm më të shpejtë të gjitha ato që janë parime dhe kërkesa që burojnë nga Procesi i Berlinit. Kaq e thjeshtë është kjo dhe natyrisht që edhe në këtë samit të radhës, pasi të japin dakordësinë dhe të tjerët, do të ftohen që të gjithë që të jenë pjesë.
Nuk ka asnjë kundërshtim mes të dyjave, janë dy nisma plotësisht komplementare, të cilat kanë nevojë për njëra-tjetrën, kanë shumë nevojë për njëra-tjetrën.
Ne nuk mund të mjaftohemi me lidershipin e Berlinit, në një proces që është një proces i Ballkanit, por duhet që të vëmë fuqitë tona të përbashkëta për të jetësuar ato parime dhe ato ide të cilat janë themeli i Procesit të Berlinit dhe kur vjen puna tek jetësimi, ky është problem ynë kryesor dhe më vjen shumë mirë që kemi firmosur një marrëveshje shumë të rëndësishme në aspektin e jetësimit të vizioneve dhe të planeve, që është marrëveshja për ndërtimin e urës mbi Bunë, e cila do ta kthejë distancën mes Malit të Zi dhe Shqipërisë ose më saktë Ulqinit dhe Velipojës në 300 metra, nga dhjetëra e dhjetëra kilometra, një absurditet.
Kjo nuk është një marrëveshje e thjeshtë, kjo është një marrëveshje jetësimi e bazuar në projektin e zbatimit është realizuar nga FSHZH. Projektin e zbatimit e kemi realizuar me fondet tona, tani me fonde të përbashkëta do të bëjmë edhe urën se siç i thashë edhe Dritanit, këtu në Mal të Zi i keni rrogat më të larta dhe nuk shkon që tua paguajë Shqipëria edhe urën.
Ndërkohë lajmi tjetër shumë i mirë është që ka filluar puna për konsorciumin mes Shqipërisë, Malit të zi, Bosnjë-Hercegovinës e Kroacisë për gazsjellësin Adriatiko-Jonian, i cili duhet të përshpejtohet dhe mund të përshpejtohet vetëm përmes ndërveprimit sepse është një vepër që kalon në shumë kufij dhe në shumë vende. Ne kemi probleme kur ndërtojmë një vepër brenda kufirit tonë, tani parafytyroni sesa më sfiduese është të ndërtojmë një vepër jashtë kufijve tanë, brenda dhe jashtë.
E treta, që është po kaq e rëndësishme është dakordësia për të fuqizuar më tutje bashkëpunimin në aspektin e fondeve, e thithjes së fondeve për projekte ndërkufitare dhe këtu kemi rënë dakord të angazhojmë drejtpërdrejtë njerëzit, ashtu sikundër dhe për të sinkronizuar punën për hekurudhën dhe për Korridorin Blu. Në të dyja Shqipëria ka ecur, por është shumë e rëndësishme që dhe Mali i Zi të shtyjë nga ana tjetër sepse përndryshe, financueshmëria e këtyre projekteve bëhet më e vështirë pasi me të drejtë, financuesit pyesin: “po mirë do ta çoni hekurudhën deri në kufi, po pastaj si do bëhet? apo do zbresin nga treni dhe do marrin varkën për të çuar mallrat më tutje?”
E fundit qe kam, por jo nga rëndësia, është që ky potencial i jashtëzakonshëm bazohet në një histori kuptimplotë mes shqiptarëve dhe malazezëve, mes Shqipërisë dhe Malit të zi, mes të dy anëve të kufirit, ku e kam thënë dhe një herë, mos gabohem në një tjetër konferencë shtypi më parë, këtu në Mal të Zi, deri në vitin 1945 lëvizje përmes liqenit. Në arkivën e fotografive ka plot fotografi të dinastisë Marubi për mjetet lundruese që qarkullonin njerëzit nga liqeni dhe një nga rrëfimet e gjyshes sime e cila ka lindur dhe është rritur në Shkodër ishte ky, që në Mal të Zi shkohej përmes liqenit, me lundrim.
Sot, ne ende nuk e kemi këtë dhe prandaj kemi vendosur që ta hapim rrugën me një jaht të kryeministrit të Malit të zi, i cili nëqoftëse na mban të dyve, do të jetë një jaht i denjë për të kaluar nga njëra anë, në tjetrën dhe për të lajmëruar që hapet lundrimi, por pasi të bëjmë disa detyra shtëpie që kanë të bëjnë me thellimin në disa pika të lumit dhe për t’i dhënë fund dhe një historie tjetër, që kryeministri i Malit të Zi, i cili disponon këtë gomonen e vogël, duhet të shkojë të marrë leje në Tivar, të presë 24 orë që ta miratojnë lejen ata që punojnë atje, pastaj kur të futet në Shqipëri, duhet të hyjë fshehtas, me mbështetje deputetësh të Shkodrës, që të mos e kapë policia dhe i vetmi fakt, e vetmja arsye që nuk i ka ndodhur edhe Dritanit ajo që ndodhi me profesor Petraq Milon, është që Dritani njihet nga “krifa e luanit’’ dhe nuk e ngatërron njeri.
Dhe dua me këtë rast, përtej shakasë, ta falënderoj për faktin që qysh në sekondën e parë, të daljes së asaj videos së shëmtuar i ka telefonuar profesorit, i ka shprehur ndjesën, ai dhe Ministri i Brendshëm. Janë marrë të gjitha masat në raport me personat në fjalë dhe e gjitha kjo është bërë me xhentilesë maksimale, por edhe me urtësi maksimale. Këto janë raste që ndodhin. Mund të ndodhin edhe në ndonjë rast, patjetër, shqiptarëve me policinë shqiptare, apo malazezve me policinë malazeze, por këto janë raste që shërbejnë si burim frymëzimi për të gjithë “patriotët” dhe “heronjtë” në potencë të rajonit tonë. Këto janë rastet që mezi i presin për të ndezur flakën e nacionalizmit dhe për të kërkuar që të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike me fqinjin e radhës dhe kjo është arsyeja pse ne na duhet shumë më tepër bashkëpunim rajonal, na duhet shumë më tepër bashkëpunim pa kufi, jo se çdo popull, si çdo pyll, do të shpëtojë nga derrat e vet ndonjëherë por sepse sa më shumë që hapësira të jetë e përbashkët aq më pak derrat do mund të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve tona.
Faleminderit!
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç: Mirëdita të gjithëve! Kam nderin dhe kënaqësinë të mirëpres kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Edi Rama dhe të gjithë ministrat në qeverinë e tij të cilët sot ishin mysafirë në Podgoricë në mbledhjen e përbashkët të cilën qeveria e Malit të Zi e organizoi me qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
Sot nga Podgorica dërguam një mesazh të bukur, mesazhin e bashkëpunimit, mesazhin e dedikimit të të ardhmes të përbashkët e cila do të bazohet në zhvillimin ekonomik dhe për atë që do të jetë bashkëpunimi më i fuqishëm në të gjitha segmentet kur flasim për të dy qeveritë.
Jam krenar që kemi vendosur nënshkrimet për ndërtimin dhe krijimin e projektit të madh infrastrukturor, urës në Bun, e cila jo vetëm do të lidhë dy shtetet por do të mundësojë që të bëhet një produkt i ri turistik edhe për Malin e Zi, por edhe për Shqipërinë.
Synimi ynë është që njerëzit të kenë akses më të lehtë që të zvogëlojnë trafikun në veçanti gjatë muajve të verës, por edhe për perspektivën e cila do të jetë zhvillimi i kësaj zone të tërë, të jetë në nivel më të lartë.Folëm dhe për lundrueshmërinë e lumit të Bunës. Kryeministri Rama ndërmori disa hapa për të mundësuar lëvizjen e papenguar në lumin Buna dhe pas Luftës së Dytë Botërore kur u ndalua së ekzistuari kjo linjë në mes të Ulqinit dhe Shkodrës, e tani do thoja mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, që pas 70 apo 80 viteve të rikthehet përsëri.
Pra, dëshirojmë të bëjmë çdo gjë edhe në segmente të tjera edhe kur bëhet fjalë për shëndetësi, edhe mbrojtje, edhe kur bëhet fjalë për punë të brendshme, kur bëhet fjalë për bujqësi dhe peshkim.
Ne dëshirojmë thjesht të themi që Mali i Zi dhe Shqipëria e shohin perspektivën e madhe në raportet e ndërsjella dhe bashkëpunimin e ndërsjellë e cila duhet të rezultojë me jetesën më të mirë të qytetarëve të vendeve.
Ne jemi të dedikuar drejt integrimit europian. Të ardhmen e përbashkët e shohim në Bashkimin Europian dhe dëshirojmë të japim kontribut që prej këtu të dërgohet edhe ky mesazh.
Që të mos ta zgjat, me siguri do ketë dhe pyetje, mendoj që raportet që ka qeveria e Malit të Zi me qeverinë e Republikës së Shqipërisë janë shembull për Ballkanin Perëndimor.
Besoj që këtë shembull duhet ta ndjekin dhe vende të tjera në rajon dhe qeveria e Malit të Zi do të jetë e përkushtuar që mbledhje të përbashkëta të organizojë dhe me vende të tjera fqinje. Pse? Sepse kjo është mënyra më e mirë që njerëzit të njohin njëri-tjetrin, të nënshkruajnë marrëveshje të rëndësishme dhe të kuptojnë se sa problemet tona janë të ngjashme në disa situata thuajse të njëjta dhe të kuptojnë që të gjithë së bashku mund të kemi prosperitet.
Dëshirojmë të krijojmë një të ardhme tjetër, një të ardhme me prosperitet, të fokusuar në biznes dhe dëshirojmë që temat negative që kishte me bollëk në Ballkanin Perëndimor të mbesin prapa nesh.
Unë dhe njëherë i falenderoj të gjithë ministrat që erdhën sot, nga njëra dhe tjetra anë, faleminderit mikut tim Edi Rama për mirëkuptim dhe besoj që Shqipëria dhe Mali i Zi sot me krenari mund të thonë që raportet e tyre janë ngritur në nivele më të larta. Edhe deri më tani ishin të mira, por me marrëveshjet konkrete kemi arritur të rezultojmë dhe të faktojmë marrëveshjen tonë. Qytetarët nga ne presin që më shumë të punojmë për infrastrukturë, për progres ndërsa gjërat të cilat janë negative t’i lëmë pas vetes dhe thjesht të shikojmë drejt të ardhmes.
Faleminderit!
* * *
– Pyetja është e përbashkët për të dy kryeministrat. Zoti Rama, zoti Abazoviç teksa ju sot mbyllet mbledhjen ndërqeveritare, nënshkruat marrëveshje, memorandume bashkëpunimi, ndërkohë dy liderë të tjerë të Ballkanit perëndimor pritet sot të ulen në Bruksel. Bëhet fjalë për presidentin Aleksandar Vucic dhe kryeministrin Albin Kurti. A do ti bashkohet Tirana dhe Podgorica zyrtare qëndrimit të BE që Kosova dhe Serbia duhet të pranojnë planin franko-gjerman pa asnjë kusht, pa asnjë marrëveshje. Një plan i cili pritet në të ardhmen të çojë drejt njohjes së pakushtëzuar të pavarësisë së Kosovës?
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç: Faleminderit për pyetjen! E vërtete është, sot kemi dy takime të rëndësishëm. Unë mendoj se dhe ky është i rëndësishëm, por jo ndoshta aq sa në Bruksel por ka të bëjë me të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Pra, jam shumë i qartë. Ne sot kemi nisur një mesazh se jemi të gatshëm për bashkëpunim. Besoj se këtë mesazh që e nisim prej Podgoricës është mesazh universal edhe për shtete të tjera dhe sa i përket qeverisë së Malit të Zi, ajo maksimalisht e përkrah dialogun mes Serbisë dhe Kosovës dhe mendon se plani franko-gjerman është një plan i mirë se duhet të kemi normalizim në rajon. Normalisht nuk është çështja jonë dhe ne nuk kemi të drejtë të themi se kush ka për të bërë, si ka për të vepruar politikisht, por ajo çka është ardhmëria jonë, e gjithëve, është në bashkëpunim, është në mirënjohje, është në respekt të shteteve të ndryshme dhe jam mëse i sigurt se në fund çdokush do të jetë në dobi. Në dobi do të jetë çdokush nëse bëjmë diçka, çka kërkon dhe faktori ndërkombëtar, çka kërkon dhe populli që jeton këtu dhe banorë të çdo shteteve në Ballkanin Perëndimor, atëherë mendoj se çdokush do jetë në dobi. Çdokush do jetë në humbje nëse vazhdohet statusi që ishte deri tani, një status quo ku ka tensione ndërmjet shteteve të ndryshme dhe ku sëbashku nuk e nisim një mesazh unik. Mesazhi i Podgoricës, normalisht Edi do të përgjigjet në emër të qeverisë së Shqipërisë, por mesazhi i qeverisë tonë është se ne mbështesim dialogun, ne mbështesim marrëveshjen dhe ne mbështesim atë çka është ardhmëria pro europiane e gjithë Ballkanit Perëndimor. Ne nuk mbështesim politiken e ndasive, politikën e nacionalizimit, politikën e konflikteve, ajo është çfarë ne nuk mbështesim. Ne mbështesim politikën e mirënjohës, marrëveshjes, progresit ekonomik, bashkëpunimin, respektin ndaj shteteve dhe kjo është ideja. Unë jam i sigurtë, dua të besoj se dhe liderët, edhe të Serbisë dhe të Kosovës këtë gjë duhet ta kuptojnë, sa më parë që e kuptojnë këtë çështje, ajo ka për të qenë një bust i madh për gjithë rajonin, status quo nuk di çfarë i sjell dikujt mirë, por normalisht nuk është e jona të komentojmë çfarë kanë qenë relacionet brenda qeverisë në rajon. Ne mbështesim marrëveshjen, ne mbështesim dialogun dhe në mbështesim bashkëpunimin.
Kryeministri Edi Rama: Shqipëria nuk është superfuqi siç është Bashkimi Europian apo siç janë Shteteve e Bashkuara. Në këndvështrimin tim as Mali i Zi nuk është super fuqi, por kjo nuk më takon mua ta them, kështu që nuk na takon ne, nuk i takon Shqipërisë t’ju thotë palëve në dialog: “pa kushte, me kushte”. Kjo është një çështje që i takon palëve në dialog. Janë ata që vlerësojnë, janë ata që kanë përgjegjësinë për të vendosur për vendet e tyre dhe janë ata që paguajnë kostot e vendimmarrjeve të gabuara. Ajo që unë mund të them dhe nuk po them asgjë të re, është që nuk ka absolutisht asnjë rrugë tjetër. Çdo rrugë tjetër është iluzion që i krijohet popullit për politikë, për vota, për luftëra të brendshme, por që nuk ka lidhje me të ardhmen. Unë dua shumë të shpresoj dhe jam me gjithë zemër dhe me gjithë mendjen i angazhuar që të lutem që çështja mes Serbisë dhe Kosovës të hyjë në rrugën e një dialogu pa kthim dhe më shpejt sesa vonë të jetë një çështje e të dyja vendeve dhe të mos jetë nevoja që superfuqitë t’i marrin për veshi sa herë që grinden në oborrin mbas shkollës.
Mendoj që marrëveshja e bazuar në planin franko-gjerman për aq sa unë e njoh planin është më e mira gjë që ka qenë ndonjëherë në tavolinë, por ky është thjeshtë një opinion. Unë respektoj sovranitetin e dy palëve për të vendosur për veten e tyre dhe natyrisht, kur vjen puna në këtë rast, është e pashmangshme që Shqipëria, qeveria e Shqipërisë, unë personalisht të jemi në krah të qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve të Kosovës të cilave unë i uroj me gjithë zemër dhe me gjithë mendjen kthjelltësi, vendosmëri dhe sukses.
– Keni përmendur ndërtimin e urës në lumin Buna. Kur është paramenduar ndërtimi dhe fundi i ndërtimit, a i keni të siguruara financat dhe nga cilat burime ndoshta. Pyetje për të dy!
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç: Faleminderit! Kjo ishte marrëveshja qendrore të cilën e kemi nënshkruar e urës. Ju e dini që kjo ide varion madje dhe disa animime i kemi treguar, në këtë kontekst është pak më i shtrenjtë sesa e kemi menduar herën e parë. Radhën e parë nuk është aq spektakolare. Mendoj se do të kushtojë rreth 20 milionë euro dhe nëse ndahet përgjysmë nuk është shumë. Do të mundësojmë financimin nga buxheti kapital. E kemi pikën e hapur, kemi edhe mjete rezervë për këtë çështje mirëpo në vitin e parë nuk do paguhet pjesa e plotë, vlera e plotë, por do të jepen vetëm mjetet fillestare. Tashmë kemi biseduar që do t’i ndajmë dhe kjo të bëhet në disa vite. Pra pagesa të bëhet në disa vite. Kështu që mos të jetë asnjë ngarkesë e tepruar për dy vendet tona. Janë 73 km në mes të Ulqinit dhe Velipojës. Ura do të jetë 300 metra. Kemi trafik të jashtëzakonshëm në pikën kufitare Sukubinë – Muriqan, trafik të jashtëzakonshëm gjatë verës dhe unë mendoj se shumica e këtyre mysafirëve do të kalojnë në aksin e ri rrugor. Do të ketë benefite të drejtpërdrejta në GDP-në e njërit apo tjetrit shtet. Unë shumë flas për investime mirëpo unë nuk e di që diçka mund të jetë më efektive e më e lirë për nga vlera se kaq, pra që mund të jetë projekt më efektiv e që të jetë kaq e lirë për nga vlera marrëveshja që ta paguajmë 50%-50% që është shumë në rregull, është e drejtë. Pala shqiptare e ka bërë projektimin, e ka liruar Malin e Zi nga këto shpenzime, nuk janë as këto shpenzime të vogla dhe unë shpresoj që shpejt do të vijnë në fazën që do të hapim tenderin në mënyrë që të zgjedhim ofertuesin më të mirë në aspektin financiar dhe për konstruksionin financiar nuk duhen shpenzuar shumë fjalë sepse më besoni që një projekt të tillë për tre vjet mund ta paguajë administrata vendore e jo buxheti i shtetit.
Mendoj që është me rëndësi të fillohet dhe shpresoj që tashmë kemi kaluar në një fazë të rëndësishme. Do të jetë Komisioni Ndërshtetëror i cili do të bëjë të gjitha kontrollet në terren, kemi dhe marrëveshjen rreth pikës kufitare Pulaj-Shën Koll dhe kjo pikë kufitare do jetë në funksion të kësaj ure dhe besojmë që tërë zonën do ta jetësojmë. Do bëjmë diçka që ekziston në shumë vende të botës të cilët jetojnë afër njëri-tjetrit që mund të drekoni nën plazhin e madh dhe të flini në Shqipëri ose anasjelltas, pra të jeni të akomoduar në Tivar apo Ulqin dhe të shkoni një vizitë njëditore pa asnjë problem në Shqipëri. Mendoj që kjo do jetë shumë atraktive për mysafirët dhe turistët tanë.
Dhe një fakt tjetër. Kemi plazhin e madh 10-12 kilometër plazh ranor i cili është tërësisht i boshatisur, edhe Shqipëria plazhin e vet, hapësirë po ashtu e boshatisur në pjesën më të madhe. Ndoshta pse të mos mendojë dikush një Antalya e re në këtë zonë? Plazhi është shumë i mirë, terreni shumë i mirë, klima shumë e mirë. Mendoj që dhe punimet infrastrukturore në këtë hapësirë nuk janë aspak të komplikuara sepse është zonë komplet fushore. Mendoj që është projekt shumë i dobishëm që do hapë një vizion të ri, do ta hapë një vizion i cili duhet të nisë të iniciojë ciklin e madh të investimeve sidomos në aspektin e plazhit të madh të Bunës apo të ishullit të Bunës.
Kryeministri Edi Rama: Mua më vjen keq që nuk flas dot në gjuhën tuaj siç bën Dritani që kush e pyet shqip i përgjigjet shqip dhe kush e pyet malazezisht i përgjigjet malazezisht, por Dritani është fenomen i rrallë dhe nga ata që unë njoh në ditët e sotme, mbase është i vetmi që edhe pse i flet shkëlqyeshëm të dyja gjuhët, nuk ngatërron këmbët sipas gjuhëve kur ecën. Kështu që, unë po ju përgjigjem shqip, në të vetmen gjuhë që i njoh këtij rajoni.
Faleminderit njëherë sepse pyetja më bëri të ndjehem në shtëpi sepse dhe gazetarët në Shqipëri, kur thua për një projekt, thonë “Sa kushton”? Të krijojnë ndjesinë sikur gati-gati do iu kërkohet ta paguajnë ata. Këtë projekt do ta paguajnë të dyja qeveritë dhe është një projekt i cili, siç e tha dhe kryeministri, ka një vlerë të jashtëzakonshme sepse më në fund do të lidhë dy anë të një kufiri që faktikisht është 300 metra, sa është ura. Ndërsa në realitetin e hidhur të fqinjësisë sonë, është me dhjetëra kilometra ku ka dhe të papritura, siç e tregoi rasti i profesor Milos.
Sa i përket realizimit, projekti i zbatimit është gati. Sfida është që të ndërtojmë pa humbur kohë një procedurë që është hera e parë që ndodh, që janë dy qeveri që hapin një garë, e cila do jetë garë ndërkombëtare padyshim, me një komision të përbashkët, kështu që të dyja ekipet juridike të dy Kryeministrive do të angazhohen menjëherë për të shkruar gjithë procedurën dhe mënyrën sesi do të ndërtohet komisioni i përbashkët i kësaj gare dhe pastaj do të përcaktohet fituesi dhe do të ndërtohet ura.
Projektin do ta bëjmë të njohur që nesër, sepse e kemi gati dhe do të shikoni që është një projekt vërtetë i bukur dhe ambicioz, nuk është urë për të kaluar një fushatë elektorale, por urë për shumë e shumë vite dhe që ka sfidën e vet në atë zonë. Shtoj dhe diçka tjetër lidhur me territorin. Për ne është jashtëzakonisht e vlefshme kjo urë sepse dhe me ndërtimin e rrugës nga Shëngjini në Velipojë dhe me këtë lidhje rritet shumë lëvizshmëria dhe ne reciprokisht fitojmë shumë në industrinë tonë turistike por kjo urë nuk zëvendëson urën tjetër që do të ngrihet më pas kur të bëhet lidhja e plotë e Korridorit Blu.
Besoj që koha do ta provojë që ky është një projekt i domosdoshëm ndërsa për zonën bregdetare kemi rënë dakord që të punojmë për të hapur një tjetër konkurs për një masterplan, një konkurs ndërkombëtar për ta vizionuar të gjithë zonën ndërkufitare në aspektin e zhvillimit të turizmit. Është një zonë fantastike, shumë e bukur, e pashfrytëzuar, delikate nga pikëpamja natyrore që kërkon një ndërhyrje jashtëzakonisht precize dhe me kualitet të lartë për ta kthyer në një magnet tjetër të ri të turizmit.
E fundit, ajo që kemi folur dhe në mbledhje dhe kemi diskutuar me Dritanin shpesh është që të dyja vendet tona kanë harxhuar gjatë gjithë viteve energjitë për bregun e detit. Mali i Zi është bërë një vend lider dhe shembull në rajon në këtë aspekt por është e pabesueshme dhe e pajustifikueshme që ne nuk kemi vënë në shfrytëzim liqenin; është një pasuri e jashtëzakonshme dhe është zero e shfrytëzuar, në mos nga disa që hedhin ndonjë dinamit për të vrarë ndonjë peshk të pafajshëm, vënë ndonjë rrjetë për të ndaluar qarkullimin e peshqve të padëshiruar e nuk e di çfarë tjetër bëjnë. Është një situatë të cilën ne duam ta përmbysim.
Pse nuk e kemi bërë dot deri tani është pyetja? Sepse problematika kryesore është tek koordinimi. Ne nuk e kemi kulturën e koordinimit në organizimin e punëve, as brenda për brenda shteteve jo më pastaj. Tek ne, nuk e di në Malin e Zi, por nuk ma ha mendja të jetë ndryshe përderisa jemi komplet një lloj gjindje që flasim gjuhë të ndryshme, por edhe ministri me ministri kanë kulturën e republikave që flasin me njëra-tjetrën sikur janë anëtare të Kombeve të Bashkuara jo sikur janë dy ministri në një qeveri.
Kjo është sfida. Kjo është sfida dhe pa dashur të kthehem tek Ballkani i Hapur, kjo është arsyeja pse duhej Ballkani i Hapur; për të pasur mekanizma ndjekjeje të përditshme dhe koordinimi. Pa ato nuk ka Berlin, nuk ka Paris, nuk ka Bruksel, nuk ka Ëashington që na shpëton ne, se Moskë e Pekin jo e jo.
– Meqenëse kryeministri Edi Rama e dha një koment për incidentin në pikën kufitare, pyetjen po ia drejtoj kryeministrit Abazovic. Çfarë masash po merr qeveria e Malit të Zi për të garantuar siguri për shtetasit shqiptar në pikat kufitare me Shqipërinë në kushtet kur ky incident dhe publikimi i videos nuk ka ngritur shqetësimin vetëm në Shqipëri, por edhe për shtetasit shqiptarë në Malin e Zi?
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç: Shkurt, mua më vjen shumë keq që ka ndodhur ky incident. I kam kërkuar falje profesorit, masat i kemi marrë menjëherë dhe janë arrestuar aktorët e këtij incidenti. Më vjen shumë keq që ka ardhur deri në këtë çështje dhe çdokush që vjen nga Shqipëria dhe jo vetëm, kushdo që vjen në Malin e Zi është i mirëseardhur.
Nuk kam qejf të politizohet kjo çështje sepse kjo nuk ka të bëjë me politikën zyrtare, ka të bëjë me një moment katastrofal. Unë e ftoj profesorin të vijë, i kam kërkuar falje për çështjen dhe është mëse i mirëseardhur. Mund të them se dhe atë ditë që ka ndodhur ky incident edhe çdo ditë me mijëra njerëz kalojnë kufirin pa kurrfarë problemi. Ndonjëherë ndodhin dhe këto ngjarje. Ata njerëz që kanë një përgjegjësi për atë çfarë ka ndodhur do dënohet, ligji do të zbatohet.
Ndoshta ka qenë një keqinterpretim dhe ndoshta nga ana ime, se dikush ka prishur apo jo radhën. Unë i kam marrë të gjitha informacionet, mendoj që profesori nuk e ka prishur radhën, përkundrazi, mirëpo ka ndodhur që është bërë viktimë e gjithë e këtij incidenti. Mua më vjen shumë keq edhe një herë. Besoj se të tilla pamje nuk kanë për t’u përsëritur më dhe e përsëris një mesazh personalisht, gjithmonë nga ana e Malit të Zi dhe çdokush pa marrë parasysh a është turist apo kush ka dhe ndonjë lloj biznesi tjetër, është i mirëseardhur në shtetin tonë.
Kryeministri Edi Rama: Unë s’dua të bëj polemikë, por nga e nxirrni ju nga Tirana që shtetasit shqiptarë në Mal të Zi janë shumë të shqetësuar dhe që i gjithë Mali i ZI dhe e gjithë Shqipëria kanë një shqetësim të thellë?
Unë nuk mendoj që është kështu dhe dua ta përsëris: arsyeja kryesore për të cilën të gjithë duhet të ndihen krejtësisht të qetë në këtë marrëdhënie, është se, jo vetëm vullneti i të dyja palëve, jo sot, po ka vite, është 100% pozitiv, nuk ekziston ndonjë gjë që mund të thuash se e ushqen këtë lloj sjelljeje, ndërkohë që kur ndodhin raste të tilla, në cilëndo shfaqje, në cilindo sektor, sigurisht që ato bëjnë lajm, patjetër dhe lajmi është lajm, shumë mirë që bëjnë lajm sepse duhen marrë masa, por nuk duhet shkuar përtej, sepse këto janë raste tipike, ku siç e thashë më parë, kinse patriotët, kinse nacionalistët dhe ata që jetojnë me pishmanin që nuk u është dhënë mundësia të bëhen heronj, janë gati të ndezin zjarr.
Unë nuk jam shprehur për këtë, ekzaktësisht për këto arsye që po them, sepse është një rast totalisht sporadik. Më ka mjaftuar fakti që që në minutën e parë, që e kam, marrë në telefon kryeministrin, kam dëgjuar nga kryeministri që ndërkohë i kishte bërë të gjitha gjërat që duhet të bënte, edhe kërkimin e ndjesës për profesorin, edhe fillimin e procedurave për personat përgjegjës, edhe vendosjen në dispozicion të çështjes nga ministri i Brendshëm që edhe ai e ka telefonuar profesorin, dhe e gjitha kjo është bërë me klas, me xhentilesë dhe me urtësi dhe kjo sepse kështu është marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Kështu që, në rast se pastaj pyetja pa dashje është “Kur do pushkatohen ata që e bënë këtë punë?”, në dijeninë time Mali i Zi e ka hequr dënimin me vdekje sepse është në Këshillin e Evropës dhe do hyjë në Bashkimin Evropian.
Unë jam i bindur që Dritani mund të donte dhe t’i pushkatonte, por nuk e bën dot.
-Përshëndetje! Pyetja është për të dy kryeministrat. Zoti Rama, ju thatë që në qershor do të mbahet Samiti i Ballkanit të Hapur në Podgoricë. Kur është dakordësuar kjo gjë dhe a do të thotë kjo që Mali i Zi do të integrohet dhe do të bëhet pjesë e kësaj iniciative dhe nëse po, kur saktësisht? Dhe pyetja e dytë, nëse mund të na thoni nëse Shqipëria ka njoftuar apo konsultuar Malin e Zi gjatë ndërtimit të tre hidrocentraleve të reja në lumen Cen? Dhe për kryeministrin Abazovic, në këtë rast a mund të bëjë Mali i Zi për këtë gjë, a mund të ndërmarrë një gjë meqë kemi pritur zgjedhjen e Gjykatën Kushtetuese. Ta komentojë zoti Abazovic faktin që nuk kemi fituar 4 përfaqësues të gjykatës kushtetuese sepse nuk është zgjedhur përfaqësuesi i pakicave kombëtare, pakicës shqiptare më konkretisht?
Kryeministri Edi Rama: Jo, unë desha vetëm të saktësoj. Unë nuk thashë në Podgoricë sepse nuk është caktuar qyteti. Unë shpresoj jo në Podgoricë, por diku pranë detit, por është vendimmarrje e kryeministrit. Ndërkohë që po ashtu thashë që kryeministri ka shprehur dëshirën për ta bërë këtë dhe u mundova ta them dy herë, po e them dhe për të tretën herë, mos kërkoni asnjë lloj dore të fshehtë në nismën e Ballkanit të Hapur, asnjë. Mos shihni pas Ballkanit të Hapur, as kinezë, as rusë, as marsianë, madje mos shihni as gjermanë.
Ballkani i Hapur është nismë e jona për të jetësuar, zbatuar, implementuar parimet dhe objektivat e Procesit të Berlinit dhe po e mbyll duke dhënë një shembull: Kur ishim në Berlin në Samitin e Berlinit, që ne e vlerësojmë shumë Procesin Berlinit sepse pa Procesin e Berlinit, nuk do të kishte lindur Ballkani i Hapur, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, rifirmosën gjëra që i kishin firmosur më përpara. Unë nuk pashë aty asnjë marrëveshje që ne nuk e kishim firmosur më parë në Ballkanin e Hapur dhe nuk di asnjë marrëveshje të Ballkanit të Hapur që nuk është në kornizën e Procesit të Berlinit, është thjesht kalimi nga një ditë ku vjen Kancelari, vijnë të gjithë të tjerët dhe bëhet një diskutim mbi ku jemi dhe ku duam të shkojmë, tek të gjitha ditët e tjera deri herën tjetër kur do vijë prapë kancelari ose kur do shkojmë ne atje më saktë, në këtë rast kancelari do vijë në Tiranë, për të jetësuar gjërat që vendosëm dhe bëjini vetes vetëm një pyetje; pse deri kur nisi Ballkani i hapur nuk kishte realizuar asnjë marrëveshje? O, i themi në nga anët tona, 0. Dhe pse procesi u akselerua?
Se për këtë është Ballkani i Hapur, pastaj se kush do të shohë në këtë proces kinezë dhe rusë dhe marsianë, është i lirë t’i shohë, nuk ka asnjë problem. S’ka asnjë problem. Ndërkohë që, Ballkani i Hapur është një rrugë, e cila i bën më të lehta rrugës dhe ato situata ku vjen dita që të thonë pa kushte, pa diskutime, pa “jo, ta shohim’’, “hajde firmos se ndryshe, je jashtë’’. Pse duhet lënë vetja deri në këtë pikë? Këtë e kam pyetje retorike, por nuk e kam përgjigjen.
Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç: Ja do të tentoj që të përgjigjem shkurtimisht. Ju e dini qëndrimin tim personal lidhur me Open Balkan.
Open Balkan, ka jetësuar Procesin e Berlinit dhe është mirë që e ka jetësuar dhe kemi nënshkruar. Mali i Zi e ka sjellë në qeveri dhe shpresoj që do ta ratifikojë në seancën e ardhshme. Kur është fjala për këtë seancë, ne planifikojmë në qershor të organizojmë një takim jo formal. Ky nuk është takim i Open Balkan, por ky është takim për partneritetin rajonal.
Ju e dini se kësisoj takimesh qeveritare do t’i bëjmë dhe me qeveritë e tjera të rajonit.
Do të ishte mirë që nëse rrethanat politike, pra do ta shohim çka do të jetë më nxitëse, është situatë krejtësisht e paparashikueshme nëse mund të mbajmë një takim jo formal, të tentojmë të sjellim gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor që të krijojmë një atmosferë siç e kemi ne sot këtu.
Ky është obligimi dhe interesi ynë.
Është interesi i këtij shteti që në fqinjësi të ketë një harmoni sa më të madhe.
Besoj se dhe të tjerët e kanë këtë interes, por definitivisht për qeverinë e Malit të Zi kjo përfaqëson interes. Nëse do të ketë samit të ri, ne dhe në atë të mëparshëm kemi marrë pjesë, kurrgjë aty nuk ka të re, por gjithsesi mbetem tek qëndrimi që çdo bashkëpunim rajonal në të vërtetë i kontribuon paqes dhe stabilitetit dhe që nga kjo nuk mund të dhemb koka.
Koka mund të dhemb vetëm nëse nuk kemi komunikim, nëse njeri-tjetrin e shikojmë si armiq, si një konkurrencë jo të shëndoshë, atëherë gjithmonë do të gjendemi në problem. Dhe të përgjigjem lidhur me pyetjen e dytë, lidhur me gjykatën kushtetuese, unë para së gjithash dëshiroj t’i lavdëroj të gjithë deputetët që kanë zgjedhur tre kandidatë. Unë dua të them që është një ditë e madhe në të gjitha aspektet, edhe në aspektin europian se kemi kaluar një shkallë të madhe edhe se më vjen keq që nuk janë zgjedhur 4 gjykatës por gjithsesi dëshiroj t’i uroj tre gjykatësit që janë zgjedhur dhe dëshiroj të them qëndrimin tim personal, se nuk mund të besoj se Partia Demokratike Socialiste nuk ka votuar për pjesëtarin e minoriteteve sepse PDS sigurisht me disa partnerë do të kërkojë përkrahjen e pakicave për zgjedhjet presidenciale dhe dëshiroj të them që më vjen shumë keq që ai gjykatës i katërt që mbas rrethanave të rastit është shqiptar nuk ka arrit ta ketë përkrahjen e Partisë Demokratike Socialiste.
Gjithsesi uroj gjithë të tjerët që janë zgjedhur posaçërisht kolegët që kanë votuar dhe për kandidatin e katërt dhe shpresoj që në votimin e përsëritur që do të jetë për një muaj kur të krijohen kushtet, të fitojë gjykatësin e katërt, përkatësisht të shtatin e Gjykatës Kushtetuese. Ende nuk është bërë një vit nga zgjedhja e kësaj qeverie dhe përkundër asaj në ekonomi është kaluar çdo kufi. Në luftën kundër krimit të organizuar është tejkaluar çdo kufi. Ne këto i kryem në një periudhë më të shkurtër se një vit dhe jemi të obliguar të krijojmë një agjendë të re për periudhën vijuese.
I uroj të gjithë ministrave, të gjithë deputetëve, të cilët e kanë njohur, e kanë përkrahur këtë dhe shpresoj sinqerisht se për krejt rajonin dhe për Malin e Zi janë duke ardhur ditë më të mira. Ne të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë. Gjithçka që mund të ndryshojmë është në të ardhmen, pra mund ta ndryshojmë të ardhmen.
Jam i bindur se nëse do të hapim këtë lloj vibrimi do të ndryshojmë të ardhmen tonë, shumë më mirë sesa ishte deri tani rasti.
Kryeministri Edi Rama: Këtu bëhet fjalë për hidrocentrale që i përkasin asaj periudhe që tha Dritani, e shkuara që nuk e ndryshojmë dot. Kështu që, ne faktikisht jemi gjendur përpara faktit të kryer dhe kemi bllokuar të tretin. Nuk e di sa ju ngushëllon. Kemi trashëguar të njëjtën situatë në shumë vende të Shqipërisë, duke filluar nga lumi i Valbonës që është një nga perlat e rajonit tonë, ku faktikisht ishin planifikuar dhe kishte filluar procesi për 12. Ne mundëm të bllokojmë të gjithë të tjerët, por jo atë që ishte gati në përfundim. Duke vazhduar me Vjosën. E keni dëgjuar sa shumë zhurmë është bërë për Vjosën, ndërkohë që ne jemi e para qeveri që ngriti çështjen e mbrojtjes së Lumit Vjosa, e ngritëm vetë ne. Nuk pritëm të vinin nga Europa të na thoshin “ky është lumi i fundit i egër i Europës”. Po pse mbeti ky ”i fundit, i egër” se ata i zbutën lumenjtë e tyre apo jo?
Dhe i kthyen nga tigra në mace shtëpie. Ne na mbeti tigri në derë dhe ne sidoqoftë kemi marrë masa që Vjosa të shpallet Park Kombëtar dhe së shpejti do të bëjmë dhe ceremoninë për këtë.
Kështu që, për këto hidrocentralet që folët, dy i kemi peshqesh nga e shkuara, por kemi peshqesh nga e shkuara plagë më të renda ne në këtë rajon, kështu që duhet t’i përballojmë me buzëqeshje dhe duhet ti përballojmë me Ballkan të hapur se me Ballkan të vrenjtur nuk përballohet e shkuara por të kthehet prapë në portret dhe nuk të vjen njeri afër se thotë: këta jetojnë në të shkruarën. Ç’punë kemi ne me këta?
Kemi ngritur dhe grupet e punës më thonë, por unë kur vjen puna te grupet e punës nuk bëj komente se e keni parasysh se ka një shprehje që thotë: nëse nuk do të zgjidhesh një problem, ngri një grup pune.
Faleminderit shumë!