Poli i drejtësisë, Shtëpia e re e institucioneve të Drejtësisë

U prezantua sot programi për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë, një pol i ri urban i godinave të sistemit të drejtësisë, si domosdoshmëri për mbështetjen e mëtejshme të pushtetit gjyqësor.

Kampusi i drejtësisë përbën investimin më të madh dhe më modern të shtetit shqiptare në funksion të një qëllimi të vetëm, ofrimin e drejtësisë për të gjithë, me kapacitete bashkëkohore për trupën gjyqësore dhe stafet mbështetëse dhe hapësira lehtësisht të aksesueshme për përftimin e drejtësisë nga qytetarët.

Kampusi i drejtësisë është sipërmarrja më e sofistikuar arkitekturore dhe inxhinierike e realizuar ndonjëherë. Ngritja e shtëpisë së re të institucioneve të Drejtësisë synon modernizimin e dimensionit fizik dhe hapësinor të institucioneve të drejtësisë shqiptare për të mundësuar vazhdimin e realizimit të objektivave të saj, në kushte dinjitoze, transparente dhe bashkëkohore, të denja për një shtet të drejtë, transparent, eficent dhe thellësisht europian.

Dita e sotme, ku mori pjesë edhe Kryeministri Rama së bashku me ministrin e Drejtësisë Lamallari shërbeu si dëgjesë përmbyllëse me përfaqësuesit e gjyqësorit përpara shpalljes së konkursit.

 

* * *

 

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Pak a shumë është e qartë panorama e këtij rrugëtimi që kemi vendosur të bëjmë edhe për t’i dhënë Shqipërisë një qendër të re drejtësie, e cila të jetë jo vetëm një qendër që të garantojë të gjitha kushtet dhe standardet për ata që punojnë aty, por edhe të jetë një tjetër vlerë e shtuar për kryeqytetin, për Shqipërinë nga pikëpamja arkitektonike.

Një arkitekt i famshëm thotë ‘’ne formojmë ndërtesat, ndërtesat po na formojnë ne’’ dhe po të kesh parasysh se në ça ndërtesash jemi formuar ne, e kupton dhe pse ne jemi pak si ndërtim gjysmë me leje e gjysmë pa leje, në mënyrën si mendojmë e si funksionojmë. Kështu që është shumë e rëndësishme që të bëjmë diçka që t’i rezistojë kohërave dhe ndërkohë që të adresojë më në fund gjithë këtë problematikë komplekse që ka sistemi në aspektin e kushteve. Për fat të keq, trashëgimia në këtë drejtim është goxha problematike për të gjithë, jo vetëm për sistemin e drejtësisë. Ne sot e gjithë ditën kemi një numër të konsiderueshëm institucionesh të cilat janë qiramarrës në godina dhe hapësira private.

Kemi filluar një proces që do të na çojë drejt zgjidhjes përfundimtare të kësaj problematike, hap pas hapi, me Korporatën Shqiptare të Investimeve, duke marrë të gjitha pronat shtetërore që janë ende në Tiranë apo në vende të tjera, edhe në copa të vogla dhe duke i vënë në dispozicion të këtij interesi publik, gjë që faktikisht ka ndryshuar komplet qasjen e qeverisë. Nuk bëjmë më asnjë shitje apo dorëzim të një copëze në favor të i investitorëve privatë në Tiranë, po përkundrazi kërkojmë që shteti njësoj si pronarët privatë të përfitojnë nga ato dhe në këtë mënyrë, kemi disa projekte qe tanimë janë drejt finalizimit të kontratave për të përfituar në disa vite zyra dhe sipërfaqe për të ushtruar funksionet administrative të pushtetit ekzekutiv.

Ndërkohë që në rastin e Qendrës së re të Drejtësisë unë mendoj që është pak më ndryshe dhe nuk mund dot ta fusim në këtë proces, por duhet ta financojmë drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit. Është pa diskutim financimi më i madh që mund të jetë bërë ndonjëherë për infrastrukturën administrative në Republikën e Shqipërisë, por besojmë shumë që është i duhuri dhe sot, janë krijuar mundësitë dhe janë, sipas këndvështrimit tim, përmbushur edhe një sërë arsyesh për ta bërë këtë, sepse jemi në një proces kur pas një reforme shumë rrënjësore në drejtësi, duhet të vazhdojmë secili dhe secila palë të bëjnë detyrat e veta. Dhe ndërkohë që detyrat tuaja i dini dhe i bëni ju, detyra jonë është që të vazhdojmë ta mbështesim sistemin dhe të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që sistemi të funksionojë me kushtet dhe me standardet më të larta, gjë që nuk mund ta themi sot, po të kemi parasysh se na çfarë kushtesh punojnë gjykatësit, në çfarë kushtesh punojnë prokurorët, në çfarë lloj zgëqesh e kthinash zhvillohen proceset, edhe sesa mbrapa është sistemi edhe në aspektin e teknologjisë.

Do doja të thoja diçka këtu sepse besoj që është shumë e rëndësishme të kuptohet si duhet, po nuk u kuptua si duhet nuk ka për të pasur asnjë progres te qenësishëm në vënien në dispozicion të sistemit të teknologjisë. Siç ne e kemi bërë për sa i përket funksionimit të pushtetit ekzekutiv dhe po vazhdojmë të bëjmë.

Mënyra sesi ne e kemi arritur këtë, është duke ndërtuar një rrjet njerëzish të cilët kanë formimin e duhur profesional dhe të cilët funksionojnë si një tërësi për të zhvilluar teknologjinë në institucione

Çfarë duhet të them me këtë? Ishim në një situatë shumë të rënde ku çdo institucion bënte modelet e veta, bënte sistemin e vet dhe faktikisht bënim shumë shpenzime dhe kishim një rezultat shumë qesharak sepse ishte ndërtuar një sistem kioskash që nuk ndërvepronin me njëra tjetrën dhe duke krijuar një rrjet njerëzish që funksionojnë në bazë të një vizioni të përbashkët dhe duke qendërzuar të gjitha të dhënat e nevojshme për të bërë që sistemi të ndërveprojë kemi arritur tani të kemi komplet një qasje tjetër.

E njëjta gjë duhet të ndodhi edhe në sistemin tuaj. Kemi pasur një vonesë katastrofike me menaxhimin e çështjeve gjyqësore sepse nuk merreshim dot vesh se si duhej bërë qasja ndaj sistemit. Dhe ajo që ne thoshim ishte shumë e thjeshte. Gjuha duhet të jetë e njëjta pastaj librat janë të ndarë. Nuk mundet dot që në emër të pavarësisë së sistemit të drejtësisë të ndërtohet një sistem teknologjik i pavarur tërësisht sepse nuk flet dot me sistemet e tjera dhe gjithë ato të dhëna pastaj që i duhen sistemit për të procesuar nuk i proceson dot.

Duket qesharake, është qesharake, por për këtë konflikt konceptual humbëm vite të tëra dhe u dogjën fonde të tëra sepse nuk arrinim dot të merreshim vesh në këtë pikë.

Këtu një rol të rëndësishëm sigurisht ka qeveria e gjyqësorit dhe duhet ta bëjë, duhet ta luajë këtë rol, por ndërveprimi me sistemin tërësor të Republikës së Shqipërisë është i domosdoshëm. Të gjithë e marrim ujin nga i njëjti burim, por secili e hap dhe e mbyll rubinetin sipas nevojës së tij. Nuk mundet dot që në emër të pavarësisë të kërkojmë secili hidrocentralin e vet për të marrë energjinë dhe secili ujësjellësin e vet për të marrë ujin. Ky është koncepti dhe kjo është shumë e rëndësishme për të garantuar që ky projekt që kemi të jetë një projekt që edhe nga kjo pikëpamje të funksionojë.

Arsyeja që unë besoj që ne do bëjmë gjënë më të mirë të mundshme është pikërisht se siç ju e dini dhe e patë, procesi ka rreth 6 muaj që ka filluar dhe është i gjithi i ndërtuar në marrjen e informacionit të drejtpërdrejtë nga të gjithë përfaqësuesit kryesor të institucioneve për të vënë përpara nesh në funksion të detyrës së projektimit të gjitha nevojat.

Dhe mbas këtij prezantimi, siç tha Delina do bëhet një tur i dytë nga ana e agjencisë së planifikimit për të parë së bashku me ju dhe me këdoqoftë tjetër që është i përfshirë se çfarë sipas jush duhet riparë në këtë plan të përgjithshëm që pastaj do kalojë në konkurs ndërkombëtar.

Ne kemi fatin që të kemi në Shqipëri në funksion të transformimit, përqendrimin më të madh të arkitektëve më të njohur ndërkombëtar që mund të gjesh sot në botë, në kuptimin që kaq shumë arkitektë të punojnë në të njëjtin vend me projekte nuk i gjen dot në një vend tjetër, ata punojnë në shumë vende, por jo kaq shumë të përqendruar në një vend dhe konkurset tona janë të standardeve më të jashtëzakonshme ndërkombëtare përsa i përket qasjeve kreative të arkitektëve dhe pastaj sigurisht do të duhet që të kalojmë në fazën e zbatimit.

Hapësira që juve patë, që është imagjinuar si vendi ku do të ndërtohet kjo Qendra e re e Drejtësisë, është një hapësirë që do të kërkojë dhe shpronësim për interes publik, shpresoj që gjykatësit që do të trajtojnë pastaj shpronësimet të mos i japin dorës për t’i rritur dëmshpërblimet siç e bëjnë zakonisht, se në fund të fundit janë të njëjtat para që kërkohen edhe për të rritur pagat. Kështu që edhe për të bërë këtë Qendrën, edhe për të bërë tjetrën dhe tjetrën, pra nuk është se janë shumë arka të shtetit edhe një arkë nuk e afekton tjetrën, është një arkë e vetme.

Ajo që dua të theksoj përpara, se sa natyrisht ta merrni fjalën sipas dëshirës për të thënë nëse keni diçka lidhur me procesin e deritanishëm është që sot ne i kemi krijuar disa mundësi që nuk i kishim përpara 10 vitesh ose përpara 5 vitesh. Por nga pikëpamja e volumit të investimit, ky është një investim i jashtëzakonshëm. Është realisht shumë i madh si financim, po të marrim parasysh shpronësimin, plus investimin, plus gjithë çfarë do të duhet për ta mobiluar dhe për ta bërë atë vend, një vend ku çdo prokuror dhe çdo gjykatës kur të hyjë të ndjehet njeriu më i nderuar i kësaj Republike edhe kur sheh muret, jo thjesht kur mendon vetë se çfarë do të thotë të jesh prokuror apo gjykatës. Po edhe muret, edhe mjediset, edhe hapësira e zyrës, edhe, edhe, t’ia thonë atij apo asaj çdo mëngjes – je i privilegjuar nga ky shtet dhe nga kjo Republikë, sepse është privilegj të bësh punën që ti bën, ky është qëllimi. Dhe për këtë qëllim, ne do ta bëjmë këtë sforco, sepse për ne kjo është një përpjekje që nuk ndalet dhe nuk kthehet mbrapa, pavarësisht surprizave që ju na bëni herë pas here, por që janë pjesë e jetës dhe janë pjesë edhe e proceseve tuaja të brendshme, janë pjesë edhe e rritjes së një sistemi të ri që kërkon kohën e vetë për tu kolauduar.

Edhe për ta mbyllur ky është rasti ideal që të gjithë ne së bashku, duke qenë se edhe ju jeni përfshirë tani, të shkojmë në paraburgim për shpërdorim detyre.

Shumë faleminderit!

 

***

 

Sokol Sadushi, kryetar i Gjykatës së Lartë: E kam si koment, por ndoshta mund të jetë edhe si një lloj pyetje. Besoj se në këtë pol të ri të drejtësisë, e kemi të veçuar gjykatën e lartë besoj nga të gjithë gjërat e reja.

Kryeministri Edi Rama: Do të jap unë përgjigje, kjo është e vërtetë që  ne kemi vlerësuar një projekt nga sistemi që fola më parë, që duke i vendosur në dispozicion një pjesë të tokës në një zhvillim privat dhe duke kërkuar mbrapsht si pronar –shtet një pjesë të ndërtimit dhe është e vërtetë që kemi kaluar edhe lejen e ndërtimit, mos gabohem, për një godinë administrative që presupozohet qe mund të jetë Gjykata e Lartë.

Ndërkohë që, në planin që patë, është një alternativë që gjykata të jetë në kampusin aty, por kjo është diçka që, si dhe të tjera që mund të dalin këtu, që duhet diskutuar dhe duhet kanalizuar përfundimisht. Për ne nuk ka asnjë , madje po ta marrim nga pikëpamja thjesht financiare, hiqet një pjesë në shpenzimin e përgjithshëm sepse në rastin konkret, aty ne nuk shpenzojmë asnjë lekë, por marrim mbrapsht hapësira për Gjykatën e Lartë, në rast se do të mbetet aty. Pra, është një gjë që do ta diskutojmë edhe do të bëjmë gjënë e duhur, më të mirën. Nuk është se e kemi ne fiksimin. I kemi parë të gjitha ato praktikat siç e patë dhe në bazë të atyre praktikave edhe për të maksimizuar efektin e gjithë këtij procesi edhe duke pasur parasysh që nuk i kemi pafund ne mundësitë, pronat në qytet etj, është bërë ky propozim, po sigurisht që patjetër mund të vazhdojmë me atë, se ajo është një proces ndërkohë. Aty leja është dhënë si godinë administrative, gjë që është e hapur pra mund të shfrytëzohet dhe për Gjykatën e Lartë, në rast se do të biem dakord në fund për këtë version ose mund të shfrytëzohet për funksione të tjera të zgjidhura. Besoj nuk është problem domethënë.

 

– Unë doja të vlerësoja shumë pozitivisht këtë proces që ka nisur, seriozitetin e tij. Është një proces vizionar dhe i përgjigjet nevojave tona. I vetmi shqetësim që unë kam, që e kam biseduar dhe me ministrin, është që duke pasur parasysh afatet, të cilat do të duhen për zhvillimin e projektit deri në përfundimin e tij, do të duhet të marrim parasysh edhe nevojat që do kenë këto institucione deri në pikën finale, të cilat patjetër kërkojnë zgjidhje të parakohshme, unë kam parashtruar sidomos problemin e prokurorisë së Shkallës së Parë të Tiranës që ka të njëjtën problem si gjykata e Apelit, ku ndoshta në 2-3 vite, ne do të kemi pamundësinë aty, të funksionimit normal të saj.

 

Kryeministri Edi Rama: Nuk diskutohet që ky është një projekt qw do kërkojw ca vite dhe nëse gjithçka do shkojë sipas planit, për të qenë shumë realist, duke pasur parasysh nga përcaktimi i fituesit tek projekti i detajuar dhe tek procesi për të zgjedhur kush do ta ndërtojë do duhet që të mendohet fillimi i 2028 si momenti kur do fillojë ndërtimi. Dhe normalisht, pa 3 vjet të mira për të qenë gjithmonë nëse çdo gjë shkon sipas parashikimit, ajo nuk përfundon, kështu që sigurisht midis ditës së sotme dhe asaj që ne po projektojmë së bashku është një 5 vjeçar pa diskutim.

Gjithsesi, është një zgjidhje përfundimtare, afatgjatë, serioze, dinjitoze etj. Nuk hyjmë këtu në çfarë po mendojmë edhe për Durrësin apo për Fierin, janë disa pika të tjera që duam t’i zgjidhim me korporatën shqiptare të investimeve dhe janë mundësitë për ta bërë këtë atje.

Dhe në ndërkohë për sa ju përket këtyre problematikave tani aktuale që ju keni se 5 vjet nuk janë pak, do bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë siç themi, se nuk kemi se çfarë bëjmë tjetër se është si historia e vdekjes së Mao ce Dun. U mblodhën gjithë kinezët në sheshin e Kombinatit Metalurgjik dhe prisnin të ndodhte diçka. Drejtori i metalurgjikut nuk dinte ç’të bënte dhe merr në telefon Komitetin Qendror i thotë “më kanë dalë gjithë kinezët”, ishin 2000. “Më kanë dalë kinezet në shesh”, thotë, – “s’di çfarë të bëj me këta”. Mirëpo ftohja kishte filluar dhe ai i komitetit qendror i thotë do pyes më lartë. Ky priste, kinezet poshtë, ai mbasi kalon një farë kohe e merr prapë i thotë, “çfarë të bëj i thotë se kinezet nuk ikin nga sheshi” dhe i thotë, “nga lartë nuk përgjigjet njeri, bëni siç keni bërë herët e tjera”. Kështu që do bëjmë siç kemi bërë herët e tjera. S’kemi çfarë bëjmë tjetër, do përpiqemi.

Në ndërkohë, ka diçka që është paksa si të thuash nga pozicioni im të paktën, shqetësuese. Nuk e di sa reale është ajo nevoja për ato numra njerëzish që shtohen e shtohen, por duhet parë me kujdes edhe një herë dhe besoj që në këtë rast do ishte mirë që kjo xhiroja e dytë e konsultimeve të bëhej pak më ndryshe, jo thjesht secili flet për veten e vet dhe thotë dua të shtoj kaq e dua të shtoj aq. Që të kishim një lloj racionalizimi se kemi parë ca gjëra që nuk na duken normale në pjesën e rekrutimeve në sistemin tuaj.

Kemi parë gjëra me nën këshilltare, me 270 njerëz, është paksa shqetësuese kjo gjë dhe krijohet ideja që është pak si s’janë leket tona, leket e shtetit janë punë e madhe shumë, hajde se po shtojmë ca njerëz, po punojmë ca njerëz, po marrim ca njerëz.

Tani lekët nuk janë as tonat as tuajat, por janë të shtetit dhe janë po ato. Nëse sistemi abuzon me faktin që jemi ta pavarur, duam të kërkojmë, duam të shtojmë, duam të bëjmë. Se po shikoja para se të vija këtu edhe se sa vazhdon të paguajë shteti për ata që kanë ikur nga vetingu, është një histori tjetër më vete, edhe ata marrin një pjesë të këtyre zyrave, të këtyre sallave. Sikur për shembull shteti të mos paguante gjykatësit që kanë ikur nga vetingu akoma, ne mund t’ua jepim juve ato para dhe ju mund të merrnit me qira hapësira shumë të mira për këto funksionet tuaja, por i marrin ata akoma edhe sot që flasim. Dhe ka akoma gjyqe, janë akoma në gjyqe që pretendojnë të marrin para për të vazhduar të paguajnë për shkak se janë larguar nga vendi i punës. Këto janë gjëra që të gjitha bashkë shkojnë në një tërësi parash që pastaj i rëndon.

Faktikisht sot ne paguajmë në mos gaboj, flas vetëm si qeveri, si pushtet ekzekutiv, paguajmë mbi 10 milion euro qira në vit. 10 milion euro qira në vit, në 2 vjet bëhen 20, në 3 vjet bëhen 30. Sigurisht që janë funksione për t’u kryer, po ndërkohë shpresojmë dhe besoj që duke ndërtuar gjithë këto zyra, do mundemi më në fund që të paktën që qeverinë të mos e kemi me qira, se është qesharake.

E njëjta gjë vlen edhe për sistemin tuaj, nuk mund të jetë një sistem që jeton me qira, por në këtë periudhë që jemi duhen gjetur mundësitë që juve të punoni dhe të përmirësoni ato kushte që janë, se për të ndërtuar të rejat do kohën e vet. Kështu që e kuptoj shumë mirë shqetësimin dhe do të vazhdojmë ta shofim me shumë prioritet në mënyrë që në ndërkohë që presim të ndërtohet kjo qendra e re funksionet të kryhen dhe të kryhen edhe më mirë se ç’kryhen sot.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha: Nevojat që drejtësia ka, që janë shumë urgjente, më në fund po shikohen me seriozitetin e tyre. Unë mendoj që ky është një lajm i mirë për drejtësinë shqiptar dhe për vendin dhe do të doja ë ishte ashtu edhe për institucionet arsimore të cilat përgatisin të gjithë këtë korporatë të madhe të juristëve.

Kryeministri Edi Rama: Tani, ne po bëjmë dhe disa struktura të reja me universitetin, që nga inxhinieria tek gjeologjia, janë struktura realisht me të gjitha, por kjo është jetike në shumë aspekte dhe është strategjike për dekadën e ardhshme dhe për dekadat që vijnë, ndërkohë që, patjetër do të kishim dashur ta bënim më parë, por më parë as mund të imagjinonim dot që të financonim nga buxheti i shtetit një operacion të tillë. Edhe sot nuk është e lehtë, por kemi përshtypjen që do të arrijmë ta mbulojmë me financim nga buxheti i shtetit dhe ne nuk kemi bërë akoma një llogari të saktë, por një llogari e përgjithshme, duke pasur parasysh shpronësimet që në atë zonë, nuk janë aq të lehta nga pikëpamja financiare dhe investimin, këtu flasim për një shifër afër 100 milionë euro, kështu që është një operacion që nuk është bërë asnjëherë në Shqipëri, por duhet patjetër, sepse nuk mund ta shtyjmë në pafundësi këtë gjë, aq më tepër qe nuk i kemi pasur mundësitë, tani i kemi, kemi mundësinë të sforcohemi më saktë dhe do ta bëjmë patjetër.

Ajo që unë do ju kërkoja, është vetëm që të kemi një, siç ka ndodhur edhe më përpara, të kemi një përgjigje përfundimtarë nga ju. Domethënë një kolaudim mbi bazën e këtij dokumenti që keni për të thënë çfarë duhet mbajtur parasysh ose dhe për të parë një çikë atë pjesën e personelit që shtohet e shtohet. Mund të jetë absolutisht legjitim, unë nuk di ta them por duhet parë sepse është puna që çdo person që shtohet, shtohen metrat katrorë dhe shtohen metrat katrorë, shtohen shpenzimet. Nëse është e domosdoshme dhe ashtu duhet të jetë, është ok, por nëse është thjesht që po shtojmë, ne kemi maninë në pushtetin ekzekutiv të shtojmë kur bëjmë organigramat, kur bëjmë reformat e strukturave. Sot që flasim nuk ka asnjë ministri, asnjë të vetme që i ka të gjitha vendet e organigramës të plotësuara për shkak se është shërbimi civil, për shkak se janë konkurset, për shkak, për shkak.

Dhe ka ministri që kanë 20%, 30% të organigramës të paplotësuara me personel. Mirëpo për të funksionuar, funksionojnë, pra nuk është se 30% që mungon i jep një 30% efekt negativ në performancën e institucionit.. Aq më tepër që besoj që duke qenë shqiptarë dhe ju dhe duke qenë se edhe ju punoni me shqiptarët siç punojmë dhe ne si shqiptarë që jemi, besoj që nuk e keni të vështirë ta ndani me mua bindjen që disa punojnë, disa komentojnë dhe disa flenë nëpër zyrat e shtetit, besoj. Kështu duhet të jetë dhe tek ju ma ha mendja, por edhe nëqoftëse rrinë zgjuar të tërë, prapë ndoshta nuk kanë nevojë të shtohen aq shumë, por kjo është një gjë që do ta shikoni vetë, thjesht ne duam të dimë ekzaktësisht numrin përfundimtar, që kur të nxjerrim dokumentet e konkursit, të kërkojmë ekzaktësisht një numër si një sipërfaqe që i përkon nevojave.

Ndoshta do duhet ta theksoj se ku e kemi  ne planin. E preka pak, por mbase përciptas. Pra paralelisht me këtë projekt që siç thashë do financohet nga buxheti i shtetit, unë do dëshiroja qe të hapnim dhe një proces tjetër me Korporatën Shqiptare të Investimeve për të bërë të njëjtin identifikim të nevojave.

Ne kemi sigurisht një listë, por për të bërë identifikimin në mënyrë të detajuar siç është bërë në këtë rast, edhe jashtë Tiranës, por jashtë Tiranës do operojmë me mekanizmin e bashkëpunimit me sipërmarrjen. Pra do të gjejmë terrene që janë shtetërore dhe në këmbim të terreneve do të marrim mbrapsht gjithë ato asetet që na duhen. Na duhet gjykata, ndërkohë na ndërtoni gjykatën dhe ndërkohë ndërtoni për veten tuaj, pra dy terrene gjithmonë.

Kështu që këtë gjë do ta bëjmë në rrethe sepse s’kemi mundësi që të vazhdojmë me buxhetin e shtetit në mënyrë të njëtrajtshme.

Dhe për sa i përket pastaj pjesëve të tjera  ky nuk besoj që është instanca për të diskutuar gjëra të tjera. Unë besoj që kjo tryezë është shumë e vlefshme për të gjithë, por edhe për publikun për të pasur një ide të qartë se kur do ketë mundësi që të ketë në dispozicion gjykata që janë mikpritëse në kuptimin e infrastrukturës, kushteve, por nëse ka sipas jush arsye dhe nevojë që ne të bëjmë diskutime të natyrave të tjera ku ju doni të na komunikoni si qeveri shqetësime, nevoja, probleme, ne jemi në dispozicion dhe mund ta bëjmë këtë në çdo kohë dhe në çdo format që ju dëshironi.

Unë ju falënderoj shumë për këtë pjesë.

***

Kryeministri Edi Rama: Unë besoj që nuk them ndonjë çudi, nëse them që na 4-5 vitet e ardhshme ndihmësi ligjor nuk do të ekzistojë më si profesion, se do të jetë inteligjencë artificiale. Thuhet se jo vetëm ndihmësi ligjor, po edhe të tjerët, por flasim për ndihmësin ligjor dhe nëse ju doni që ne të punojmë me një projekt për ndihmësin ligjor me inteligjencë artificiale, unë ju siguroj që brenda një viti, ju do keni një ndihmës ligjor që të jetë në një nivel shumë më të lartë se gjithë ndihmesat ligjor që keni, për shkak se do të dijë shumë më tepër, por që të imagjinosh zyrat e gjykatave të mbushura me ndihmësa ligjorë në 2030, do të thotë që të mos mbash në konsideratë faktin që transformimet deri në 2030 do të jenë të atilla që edhe gjykatësit për një pjesë të madhe të punëve nuk do të jenë më njerëz, do të jenë inteligjencë artificiale, për një pjesë të madhe të punëve.

Sot që flasim ne i kemi parë, sepse në proceset tona na duhet që t’i ndjekim këto zhvillime dhe t’i shohim modelet. Ne kemi parë modelin e ndërmjetësimit që po pilotohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është diçka spektakolare, funksionon në 95% të rasteve. Pra, dy palë që janë për të shkuar në gjyq ose që janë në gjykatë marrin, ofertën që paraqiten tek ndërmjetësuesi, që është inteligjenca artificiale, s’është person dhe ndërmjetësuesi i jep opsionet, duke iu sugjeruar që të bëjnë marrëveshje dhe ta mbyllin këtë punë me marrëveshje. Dhe në gjithë procesin e ndërmjetësimit, që zgjat më pak sesa çerek ore, pastaj vendimin ata e marrin më mbrapa, po çerek ore ai përballë, që s’është njeri fare, i thotë, ti e ke të humbur, por ki parasysh që plus humbjes do të duhet të marrësh avokat për këtë lloj çështje, avokati kushton kaq, këto lloj çështjesh në këtë shtet marrin kaq kohë dhe në fund fare, por jo vetëm që do t’i paguash këtij paratë, por do kesh shpenzuar dhe kaq. Atij tjetrit i thotë, – ti e ke të fituar, por ki parasysh që për ta fituar të duhen kaq vjet, do të duhet të paguash kaq, do të duhet të shkosh këtu, do të duhet të bësh atë. Kështu që në fund fare i thotë: – Unë po iu jap shifrën merruni vesh, jepi kaq këtij dhe ik dhe këtij tjetrit merr kaq dhe mos prit fare. Dhe kur i sheh janë fantashkencë po ndodhin.

Kurse ndihmësi ligjor, ne kemi parë një ndihmës ligjor dhe ajo përmbajtja e tij ishte 366 vjet pune, pa asnjë ditë pushimi. Tani parafytyroni të keni një ndihmës ligjor që ka 366 vjet që punon, edhe që i di sa di edhe sa mund të të informojë lidhur me këtë gjë. Kështu që duken si gjëra që janë larg, nuk janë larg fare dhe patjetër që do vijnë edhe këtu. Kështu që unë nuk po them që tani hiqjani të gjithë metrat katror ndihmësave ligjor, po mbajeni parasysh edhe këtë fakt.