Politika e re e pagave, një tjetër hap drejt Shqipërisë 2030

Projektbuxheti i vitit 2026, do të reflektojë politikën e re të pagave që e kombinuar me rritjen e përgjithshme si rezultat i rritjes së pagës minimale për të gjithë, i shton gati 100 milionë euro, qysh në vitin e parë 2026, shumës që do të vihet në dispozicion të rritjes së fuqisë blerëse të të gjitha kategorive shoqërore.

Lidhur me këtë aspekt, Kryeministri Rama bëri sot të ditur fillimin e praktikës së indeksimit vjetor, edhe për pagat e punonjësve të sektorit publik, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel vendor, të cilat do të korrektohen çdo vit në bazë të inflacionit.

Kryeministri njoftoi se rritje pagash do të ketë për mbi 10 mijë punonjës shërbimi, të cilët do të përfitojë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj; për specialistët e administratës publike me një rritje prej 5 mijë lekë të reja në muaj, ndërsa mësuesit do të përfitojnë rritje page me 3 mijë lekë të reja më shumë në muaj.

Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit vjetor, do të fillojë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë, për mjekët e përgjithshëm, mjekët në spitale dhe infermierët, duke siguruar për ta rritjet e pagave përkatëse. Po ashtu, edhe për punonjësit e policisë së shtetit, përveç indeksimit, do të ketë rritje për vjetërsinë në punë, të vlerësuar sipas gradave.

“Shqipëria tanimë është në një nivel tjetër dhe ky fakt do të bëhet çdo vit dhe më i prekshëm në jetën e përditshme të njerëzve tanë, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, të njerëzve që jetojnë me punë.” – u shpreh Kryeministri Rama.