Ministrja e Shëndetësisë prezantoi vendimet e qeverisë edhe për vaksinimin anticovid, ndryshimet në ligjin e barnave dhe hapjen e rrugës për pilotimin e autonomisë spitalore në Spitalin Memorial të Fierit.
Këshilli i Ministrave ka marrë disa vendime të rëndësishme sot që lidhen me fushën e shëndetësisë dhe të mbrojtjes sociale. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije vendimet që lidhen me mbulimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për nënat me më shumë se 3 fëmijë, vaksinat anticovid, ndryshimet në ligjin e barnave dhe hapjen e rrugës për pilotimin e autonomisë spitalore në Spitalin Memorial të Fierit.
“Do të mbështeten gratë, të cilat kanë më shumë se tre fëmijë, dhe njëri prej fëmijëve është deri në moshën 5 vjeç dhe ku të ardhurat familjare mujore nuk i kalojnë 100, mijë lekë të reja. Kjo është një politikë sociale, e cila synon që të njohë si vite pune periudhën e kujdesit të fëmijës në 5 vitet e para të jetës. Do të mundësohet nga fillimi i vitit tjetër me buxhetin e vitit 2023, njohja e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore për 5 vitet e rritjes së fëmijës, së tretë, katërt e kështu në vazhdim, do të mbulohet nga buxheti i shtetit”, bëri me dije Manastirliu.
Një tjetër vendim i qeverisë, për të cilin Ministrja Manastirliu dha detaje, është amendimi i marrëveshjes me kompaninë Pfizer për vaksinat anticovid.
“Vijmë në këtë akt normativ me një amendim të katërt të marrëveshjes bazë me kompaninë Pfizer për të siguruar që dozat të cilat ne i kemi parablerë dhe që pas ardhjes së furnizimit të parë kemi një riskedulim, ku rreth 700 mijë doza do të jenë doza të vaksinave të adaptuara apo vaksinave përforcuese, të cilat janë të adaptuara sipas varianteve BA1, 2, 4 dhe 5, duke garantuar kështu vaksinimin në vazhdim edhe përgjatë periudhës së dimrit dhe me dozat përforcuese”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë foli edhe për projektiligjin që u miratua në Këshillin e Ministrave “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.105 të vitit 2014 për barnat dhe shërbimin farmaceutik”.
“Nëpërmjet këtyre ndryshimeve dhe shtesave që ne sjellim përafrohemi më shumë me direktivën e Bashkimit Europian përsa i përket qoftë cilësisë edhe sigurisë së barnave që hyjnë, apo tregtohen apo edhe prodhohen në Republikën e Shqipërisë. Kemi vendosur instrumenta të reja të këtij ligji për të bërë të mundur që të kemi një akses më të madh në trajtimet terapeutike të barnave inovatore për të gjithë qytetarët shqiptarë. Duke vendosur një instrument të ri sikurse është instrumenti i marrëveshjeve të posaçme, do të garantohet kosto-efikasiteti i barnave, duke mundësuar që për barnat e mbrojtura nga patentat, të mund të ketë edhe marrëveshje të posaçme për të garantuar më shumë akses”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu ka prezantuar dhe një vendim që i hap rrugën aplikimit të autonomisë spitalore i cili do të pilotohet si fillim në Spitalin Memorial Rajonal të Fierit.
“Vendimi i Këshillit të Ministrave që është miratuar sot vendos mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Spitalit Memorial Fier, si aplikues i autonomisë spitalore menaxheriale duke përfituar direkt sipas një dispozite të veçantë që kemi vendosur edhe në ligj. Ky spital do të fillojë aplikimin e autonomisë menaxheriale e më pas edhe të asaj financiare për t’i hapur rrugë edhe për spitalet e tjera për të aplikuar këtë sistem të ri të menaxhimit, të administrimit. Dhe që synon të ketë dhe të garantojë më shumë akses, më shumë cilësi, më shumë përkujdes në sistemin tonë shëndetësor dhe posaçërisht në atë spitalor, duke krijuar mundësi dhe duke optimizuar burimet tona, qofshin ato njerëzore, qofshin ato financiare kombëtare të ahëndetësisë dhe posaçërisht asaj të sistemit spitalor”, tha Manastirliu.