Porti i Durrësit, është një nga infrastrukturat më të rëndësishme portuale, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë rajonin, pasi shërben si porta kryesore hyrëse për mallrat në Shqipëri dhe Kosovë, gjithashtu dhe për tranzite për Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë dhe anasjelltas.
Mbingarkesa e krijuar për shkak të rritjes së fluksit të mjeteve dhe të kontenierëve ka sjellë dhe rritje të numrit të skanimeve nga Skaneri, te cilat arrijnë dhe në 330-350 mjete në ditë, duke shkaktuar vonesa të zgjatura në këtë proces.
Për të diskutuar mbi lehtësimin e procedurave dhe përmirësimet që mund të bëhen në të ardhmen për ta shndërruar portin e Durrësit në një port modern, efikas dhe në shërbim të zhvillimit ekonomik, Kryeministri Rama u takua sot me përfaqësues tëkompanive të transportit, në Portin e Durrësit, ndërkohë që nis së shpejti ndërtimi i portit të madh modern, në Porto Romano.
Ky takim u zhvillua në vijim të një takimi të mëparshëm që këta sipërmarrës patën me Ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj, drejtues të Policisë Kufitare, si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, lidhur me ecurinë e skanimit në portin e Durrësit.
Në përfundim të takimit, u nënshkrua marrëveshja mes Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorisë sëPërgjithshme të Policisë së Shtetit për “Një shtesë në Urdhrin e përbashkët të dy drejtorive për miratimin e rregullave “Për bashkëpunimin për kryerjen e procedurave dhe veprimeve tëpërbashkëta të autoriteteve të Policisë dhe Autoriteteve doganore.” – nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Z. Gent Gazheli dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Ilir Proda.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Ju falënderoj për praninë edhe për këtë mundësi, edhe sepse është momenti që të bëjmë këtë ndryshim dhe paraprakisht duke e nisur këtu nga fundi që mos të harroj, ne kemi në Shqipëri një startup, i cili është mbështetur nga programet tona dhe operon në portin e San Franciskos nga këtu dhe ka bërë goxha punë të dobishme atje me një ulje shumë të ndjeshme të kostove. Kështu që, ne folëm me ministren, se ministria i ndjek programet e Startup-eve dhe do ta sjellim këtu, që do t’ju bëjë juve një prezantim se si operon në portin e San Franciskos dhe pastaj në bashkëpunim me Portin e Durrësit do shikojmë mundësinë që ta adoptojmë edhe me ju. Është ekzakt e lidhur me çfarë u tha tani në fund, por tema për të cilën jemi këtu kryesisht është tema e skanerit, edhe unë dua ta ripërsërisdiçka që e kam thënë shumë kohë më parë dhe i qëndroj po të njëjtës gjë, që ky është po një koncesion më i gabuar i mundshëm që mund të imagjinohet. Një koncesion kompleti atipik, të cilin ne e kemi trashëguar.
Nuk e kemi pasur të mundur ta godasim për shkak të faktit që,ashtu si është kopsitur do të na krijonte një kosto shumë të lartë në arbitrazh. Jemi munduar ta vëmë në shfrytëzim dhe të lehtësojmë koston mbi ju dhe kemi bërë një negociatë atëherë që e kemi ulur nga 45 euro në mos gaboj në 22, por gjithsesi mbetet një koncesion i gabuar totalisht, sepse skanimi i kamionëve nuk është nevoja juaj, është nevoja e shtetit.
Pra shteti bën skanimin e kamionëve për punën e vet, jo për punën tuaj. Për çështje të sigurisë, për çështje të luftës kundër kontrabandës, po kjo është detyra e shtetit, s’është detyra juaj, në kuptim që shteti s’mund të thotë: – Unë do bëj detyrën time, ti më jep lekët mua që të bëj detyrën time. Ndërkohë që shteti i merr ndërkohë paratë nga taksat dhe me ato mund të bëjë gjërat e veta.
Kështu që, se diktojmë për koncesione, por ata që na venë gishtin ne për koncesione kanë bërë këtë lloj koncesioni absurd. Ndërkohë që ne kemi bërë koncesione të cilat i shkojnë në favor qytetarëve. Pra vërtet kemi bërë një Partneritet Publik Privat po themi për sterilizimin e pajisjeve mjekësore, por nuk ia kemi ngarkuar pacientëve që të paguajnë. Vërtet kemi bërë për analizat laboratorike, por nuk ia kemi ngarkuar pacientëve që të paguajnë. Pra janë partneritete të cilat japin një shërbim shumë më të mirë dhe në ndërkohë paguhet private në një afat shumë më të gjatë, në pamundësi që këtë gjë ta bëjë shteti menjëherë.
Ndërkohë që këtu jemi përpara një situate që do të zgjasë deri në 2030, e dini shumë mirë afatin. Por ama ajo që ne sot mund të bëjmë dhe do ta bëjmë është që duke pasur parasysh tanimë një kurikulum të kompanive të huaja, duke pasur parasysh natyrën e aktiviteteve tuaja, duke pasur parasysh kontributet tuaja, jo thjeshtë në ekonomi në tërësi, por kontributet tuaja si taksapagues dhe të gjitha bashkë. Ne do të fillojmë të operojmë jo më në bazë të kontrollit 100 %, por kontrollit në bazë risku. Pra, nga 100 dalje nga porti, vetëm në 10 raste do të bëhet skanimi.
Është një shifër e arsyeshme si fillim, pastaj mund të shkojmë edhe në më pak dhe të kalojmë në një skeme që të jetë jo transparente në kuptimin që të mos jetë e ndarë me ju, por në një numër më të vogël kontrollesh, por ama kontrolle të befasishme që bëhen vetëm për të parë në bazë gjithmonë risku, ose sinjalizimi nëse ka probleme ose jo. Se e vërteta është që përtej kostos marramendëse që ka ky lloj koncesioni për gjithë operatoret, e ka të mirën dhe duhet ta themi këtë, e ka ulur në mënyrë të ndjeshme kontrabandën, etj, etj.
Kështu që sot, unë i thashë, madje fola me Drejtorin e Doganës dhe i thashë ne nuk kemi çfarë të shkojmë të flasim, kjo është një gjë për t’u bërë. Ta bëjmë fakt edhe mesa di do firmoset edhe diçka këtu që e bën fakt këtë gjë. Edhe nga sot juve të keni këtë lloj regjimi, pastaj për pjesën e shoferëve ky është një problem ju e dini më mirë sesa unë. Ky është një problem shumë më i madh sesa problemi i Shqipërisë. Ka dhe vende të tjera që po e kalojnë këtë hall me profesionistët dhe me shoferët posaçërisht, sidomos për këtë lloj pune që ka një stres dhe ka një lodhje të veçantë.
Pagat ju i keni rritur në mënyre të ndjeshme, siç e the 1500-2000 euro. Mbase duhen rritur dhe akoma se nuk e di, se s’më takon mua të them se sa duhen bërë dhe sa i kanë konkurrentët. Ndërsa përsa i preket shkollës ne jemi të gatshëm që të ndërtojmë një bashkëpunim menjëherë. Mund ta ndërtojmë me Ministrinë e Infrastrukturës, mund ta ndërtojmë me portin në bashkëpunim me Autoritetin Portual bashkë me ju dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë si shkollë profesionale. Një shkollë që nuk është shkollë tipike në kuptimin që hajde rri 4 vjet aty, po është një lloj shkolle ku merren kurse të caktuara të cilat iu vlejnë shoferëve tuaj për gjithë ato procese që janë speciale në rastin tuaj. Dhe nuk është thjeshtë çështja merr kamionin dhe shko diku tjetër, por duhet të njohësh edhe gjithë këto procese që thatë.
Kështu që ne këtë e bëjmë pa diskutim. Na duhet thjeshtë që ju të jeni pak proaktiv në sensin që të bëni një propozim konkret: si e shihni këtë strukturë, sa njerëz duhen, çfarë mendoni ju se kërkohet nga pikëpamja e shtetit dhe pastaj ne do ta marrim, do ta shohim me strukturën e arsimit profesional që kemi në Ministrinë e Ekonomisë, bashkë me ministren e Sipërmarrjes, edhe ta bëjmë nuk ka problem fare.
Shyqyr nuk është një mbledhje që kemi probleme në kuptimin që s’merremi vesh, kështu që do bëjmë këtë firmosjen dhe ta bëjmë fakt këtë gjë që folëm. Është rast konkret për ta bërë fakt. Ndërkohë që, ne kemi bërë për hir të vërtetës në dijeninë time një masë të madhe lehtësimesh të burokracisë së hyrje daljeve. Sot dogana është komplet tjetër nga ç’ka ishte. Megjithatë në rast se ka akoma element të natyrës burokratike që ju mendoni se mund të hiqen dhe nuk cenojnë ekuilibrin e detyrave. Se ju keni detyrë të dilni shpejt, të shkoni të shkarkoni, të fitoni, të vini të ngarkoni, të ikni, të shkarkoni, të fitoni. Ne kemi detyrë t’iu ruajmë ju. Është një çikë si më e ngatërruar kjo detyra jonë, kështu që t’ju ruajmë nga të dyja aspektet, t’ju ruajmë edhe nga ana e shëndetit të kompanisë, por t’ju ruajmë edhe se mos cenoni shëndetin e shtetit. Janë të dyja bashkë se shkojnë bashkë këto.
– Faleminderit zoti Kryeministër. Përafrimi me legjislacionin e BE dhe linjëzimi me praktikat më të mira sot në botë, në BE kasjellë që së bashku me Drejtorin e Policisë kemi dakordësuar që të ulim, të kryejmë kontrollin fizik nëpërmjet analizës së riskut nga 100% në 10%. Jemi këtu sot bashkë me Drejtorin e Policisë për ta nënshkruar këtë marrëveshje.
Kryeministri Edi Rama: Edhe diçka tjetër që dua të shtoj, ju e dini, por thjesht për t’ju dhënë një informacion. Ne do të ndërtojmë portin e ri që do të jetë ultra modern me të gjitha llojet e elementëve të një porti të standardeve ndërkombëtare që ndërtohet nga e para, se portet nga e para përgjithësisht janë ndërtuar dhe ndërtohen jashtë Evropës. Në Evropë nuk para ka të tillë. Kemi marrë një ekspertizë absolutisht prestigjioze ndërkombëtare, është bërë procesi i seleksionimit të parë, pra faza e parë është kryer, në dijeninë time tani hyhet në fazën e dytë për të përzgjedhur përfundimisht fituesin. U bë një rikthim i procesit sepse kërkesa e mbikëqyrësit qe kemi, Royal Haskoningjanë shumë, shumë strikte dhe u kthye gara. Tani ka prodhuar rezultatin dhe tani është faza ku kompanitë që kanë kaluar fazën e parë do të kryejnë çfarë parashikon gara për fazën e dytë dhe do të dalë dhe fituesi. Momenti që del fituesi do bëhet negocimi i kontratës, do lidhet kontrata dhe do të fillojë ndërtimi i portit që do jetë një infrastrukturë krejt tjetër dhe pastaj aty edhe nga pikëpamja domethënë e teknologjisë do jetë niveli më i lartë i teknologjisë. Nuk do t’i lëmë asgjë mangët atij porti sepse do kemi aty, sipas të gjitha gjasave, edhe një komponentë ushtarake që do përdoret nga NATO, kështu që besoj ditët më të mira janë të gjitha përpara edhe për sektorin tuaj.
– Tani, dy shqetësime kryesore që kemi ne, me drejtorinë e Doganave, ligjet janë të përsosura po nuk i zbatojnë këta. Edhe ligji territorial në doganë. Fola me drejtorin dhe më la një takim. I dyti është zgjerimi i shesheve të trageteve për eksportin. Është urgjente. Dhe e treta është puna e policisë. Nuk na lënë dy policë gjatë ditës që të ndodhen aty që ne të përpunojmë. Na thonë hajde në orën 7.
A e di, ti zonja ministre që një qytetar i Durrësit të vijë në port do lekë ti? A e di që këtë e ke bërë me urdhër? Do lekë. Është turp të vijë një nga jashtë, futet të paguajë 600 lekë të bëjë një zhdoganim. Po transport është edhe kjo, se unë jam shofer do futem. Paguaj 600 lekë e të futem në port. Kjo s’bën sens.
Kryeministri Edi Rama: Ça është kjo e 600 lekëshit për t’u futur në port?
– Paguajnë të gjithë pa përjashtim kamionistët.
Kryeministri Edi Rama: Po në fakt, këtu ky nuk është bulevard, pra nuk është si në bulevard që po i vë tarifë të ecë njëri. Këtu nuk vihet për të ecur, këtu vihet për të marrë shërbime dhe gjithë kjo infrastrukturë dhe kjo gjithë strukturë funksionon edhe mbi bazën e tarifave që mbledh dhe kështu e kanë gjithë portet e botës, nuk është puna se po bëhet vetëm këtu. Kështu qe tani nëqoftëse ti na gjen shembuj portesh të tjera..
-Bari, në Bari asnjë lekë.
Kryeministri Edi Rama: Një sekondë se po na çove në Bari ne mendojmë një çikë më larg se te Bari këtu është lule në krahasim me Barin. E them këtë se kam pasur rastin të shoh dhe Barin dhe Ankonën dhe Triesten kur jam marrë me këtë punë, atëherë kur ishte historia e scanit. Tani gjithsesi, të gjitha këto po ajo gjëja që unë 1000% , jo 100% dakord me ty, është te policia. Policia nuk mund të thotë hajde në 7 se policia është funksioni i këtyre, nuk janë këta funksioni i policisë. Nuk e kuptoj ç’do me thënë “hajde në 7”, drejtor. Policia është këtu që të garantojë që operacionet vazhdojnë pa ndërprerje dhe siç i duhet këtyre jo siç e mendon policia se kur do punojë ai. Megjithatë ajo që tha ministrja është thelbësore. Problemi ynë kryesor në mënyrë të vazhdueshme, pra, koordinimi i njësive është problem më vete
Njësitë, mos të bëjmë thotë njëri “unë po bëj punën time”, tjetri “unë po bëj punën time”, ndërkohë puna për të cilën ato të dyja, apo të treja, apo të katërta janë, – është puna juaj, nuk është punë në vetvete. Se po të mos jeni ju këtu s’ka nevojë as për polici, as për doganë.
Dogana është këtu se jeni ju, policia është këtu se jeni ju. Duhet të jetë në funksion të punës që bëni ju.
-Pika kufitare qoftë për imbarkimin e Anconës qoftë për imbarkimin e Barit hapet vetëm tre orë përpara nisjes së tragetit. Pra nëse nisja është në 10 të darkës, policia Durrës-Bari në darkë e hap në orën 7 dhe kjo është fakt, prej vitesh.Është i pamjaftueshëm orari se fluksi i mjeteve është rritur. Drejtoria e doganave ka bërë një reformë para disa vitesh dhe sektori i vlerave në gjithë doganat e Shqipërisë është mbledhur në një degë të posaçme në Tiranë. Për mua kjo reformë e ka bërë nul kompetencën territoriale, që do të thotë një subjekt Tirane nuk ka më sens të jetë i detyruar të shkojë të bëjë doganë në Tiranë, të bëjë tranzit nga Porti i Durrësit të shkojë të bëjë tranzit në Tiranë kur analizën e asaj praktike doganore e bën i njëjti doganier në drejtorinë e vlerës në Tiranë. Kjo ndodh në të gjitha pikat kufitare hyrëse, ku subjektet që kanë mbi dy ton ngarkese janë të detyruar që të bëjnë një praktikë tranziti nga Durrësi për të shkuar në Tiranë ose në një rreth tjetër. Kjo sjell 1-2 ditë vonesë për çdo mjet.
Kryeministri Edi Rama: Në e-Albania e ke në xhep doganën, e ke aty, bëj operacionin ulur aty pa lëvizur fare dhe bëhet praktika. Në xhep e ke, ta ka sjellë në xhep shteti. Hap tani e-Albanian, po qe se funksionon e- Albania nuk do flasësh më për sot. Nëse nuk funksionin e- Albania merr shofer drejtorin e doganave.
-Një problem tjetër që kemi ne transportuesit është monitorimi i marrëveshjes CEM nga drejtoria e Doganave përsa i përket transportuesve të huaj. Transportuesit e huaj për të ardhur për të bërë ngarkesën në territorin shqiptar duhet të kenë leje të posaçme transporti që është marrëveshja Cem që përfshin 50 e ca shtete, por nuk mund ta përdorin Shqipërinë si vend fundor për të mbyllur librin e Cemtit dhe vend fillestar.
Kryeministri Edi Rama: Janë shumë teknike këto. Nëse keni gjëra të tilla kaq teknike, mirë është të uleni me drejtorin. Nuk duhet të vijnë këta tek ty, duhet të vish ti tek këta, Gazhel. Uluni një ditë, merrini të gjitha me radhë. Duhet ardhur këtu, duhen marrë gjithë këto detaje e të zgjidhen.
–Është e vërtetë hapja e E Albania-s, se jo më larg se para 6 ditësh e kam të vërtetuar nga një subjekt. Në emër të transportuesve të agjencive doganore shqiptare që mbështesin transportuesit shqiptarë dhe të huaj, falënderojmë doganën që vitet e fundit ka bërë një hap të madh e cilësor në problemet teknike doganore. Ka dhe probleme të përditshëm që kërkojnë zgjidhje, por janë probleme teknike të tonat.
Një risi e mirë bashkëpunimi të mallrave të Shqipërisë e Kosovës të partneritetit të përbashkët, një zhvillim i madh që ka afruar bizneset e Kosovës, është hapja e zyrës doganore direkt në portin e Durrësit apo Porto Romano, por problemi i vetëm është që duhet të zgjidhet problemi i tranzitit doganor nga pikat nisëse nga porti Durrësit, deri në pikën fundore në Kosovë.
Kryeministri Edi Rama: Gjëja që ekzaktësisht po mendoja,ndërkohë që po flisnit, duke pasur parasysh që ka agjenci që s’kanë zyra etj, se këtu shërbimi i bëhet importuesve dhe eksportuesve që shkojnë në Kosove. Atëherë pse duhet të jetë agjenci doganore pa zyrë që vjen dhe thotë jam me Kosovën ndërkohë që agjencitë tona doganore ne i kemi këtu dhe e bëjnë atë shërbim. Atëherë për çfarë arsye Gazhel duhet të ketë kaos këtu? Se e kam marrë këtë ankesë, e kam marrë dy herë, një herë me shkrim dhe po e shikoja përpara se të vija këtë temë. Por këtu ka dhe një problem tjetër që kjo kthehet në një kanal që bëhet kanal spekulimi këtu në Shqipëri. Është problem, kështu që, kjo gjë duhet të zgjidhet urgjentisht. Dhe deri kur të bëhet rishikimi i plotë i asaj marrëveshje plus dhe është dhe pjesa e gjithë sistemit që ne po ndërtojmë, sistemi i tranzitit me digjital etj, duhet pezulluar ajo marrëveshje dhe duhet të funksionojë me agjencitë tona. Nuk kanë rëndësi, për ne janë njësoj, si të Shqipërisë dhe të Kosovës janë njësoj, por ama duhet të kenë zyrën, duhet të kenë taksa, duhet të kenë punonjësit e jo në ajër. Jemi shumë dakord. Në 24 orë kjo duhet zgjidhur, duhet mbyllur kjo, i duhet hequr aksesi të gjithë atyre që e bëjnë.
Ndërkohë, e fundit që kam unë është që na duhet patjetër një kontribut i juaji përsa i përket konkurrueshmërisë së portit. Çfarë dua të them? Domethënë, cilat janë gjërat që ne duhet të konsiderojmë nga pikëpamja e këtyre që po flasim dhe nga të tjera që ju me siguri i keni dhe po të uleni e t’i mblidhni të gjitha bashkë për ta bërë portin sa më konkurrues nga pikëpamja e tarifave, nga pikëpamja e kohës, duhet të vëmë targete shumë ambicioze për kohën dhe këtu nuk mund të diskutojmë policia etj. Duhet të vënë targete shumë ambicioze, duhet të krijojmë një rregullim të përgjithshëm këtu në port, drejtor, që t’i shërbejë edhe transferimit në Porto Romano që kjo bëhet me këtë shpejtësi e kjo bëhet me atë shpejtësi. Ambicia duhet të jetë sa shpejt e nxjerrin një kamion e jo “hajde nga ora 7”. Vërtetë ambicia duhet të jetë që ta bëjmë sa më shpejt çdo gjë.