Porti Tregtar në Porto Romano, fjala e zëvendëskryeministres - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Porti Tregtar në Porto Romano, fjala e zëvendëskryeministres

Fjala e zëvendëskryeministres, njëherësh Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë takimit me përfaqësuesit e kompanive të interesuar për ndërtimin e portit në Porto Romano:

Të nderuar të pranishëm

Të dashur miq

Ju uroj mirëseardhjen në këtë takim të rëndësishëm konsultativpërsa i përket një nga projekteve më të rëndësishme për republikën e Shqipërisë ndërtimit të portit të ri komercial në zonën e Porto Romanos. Jemi këtu pas një pune përgatitore voluminoze, përmes një konsulence ndërkombëtare nga Royal Haskoning, të cilët gjej rastin që ti falënderoj, të gjithë skuadrën, sidomos Eric, i cili përveç detyrës na ka dhënë një suport të jashtëzakonshëm gjatë gjithë kësaj periudhe duke dalë edhe jashtë formatit të konsulencës pasi na është dashur shpesh herë që të ndryshojmë apo të adresojmë dhe kërkesa të reja në projekt.

Gjithashtu duhet thënë që tashmë kemi përmbyllur të gjitha fazat e rëndësishme të studimeve paraprake, analizat ekonomike, rilevimet inxhinierike, vlerësimet sociale ato arkeologjike, duke qenë se ndodhemi në zonën e Durrësit dhe padyshim të gjitha studimet mjedisore që janë një pjesë e rëndësishme dhe e pandarë e të gjithë projekteve tona prej vitesh tashmë. Që të gjitha këto studime përcaktojnë standardet më të mira të fushës dhe këtu i referohem praktikave të gjithë pranuara nga BERZH dhe Bashkimi Europian.

Strategjia e qeverisë shqiptare për infrastrukturën detare dhe portuale është shumë e qartë dhe përmblidhet në tre qëllime kryesore.  Ato janë modernizimi i infrastrukturës në kompleksin portual të Durrësit, në zonën e Porto Romanos, aty ku do të vendoset porti i ri, një zonë totalisht industriale, një zonë ku parashikohet, jo vetëm shërbimet portuale, por edhe një zonë e lirë ekonomike e cila do të lidhet me një hekurudhë prej 4 kilometrash dhe ku parashikohet që sipërfaqja në dispozicion të jetë 60 hektarë për një zhvillim ekonomik të pakufizuar. Së dyti, zhvillimi i logjistikës dhe transportit detar si shtyllë e ekonomisë blu dhe e treta pozicioni i Shqipërisë si një vend strategjik në ndërlidhjen ekonomike dhe zinxhirin e furnizimit të Europës Juglindore.

Ashtu siç ne kemi bërë publike porti i Porto Romanos nuk do ti shërbejë vetëm Republikës së Shqipërisë por në momentet që sot po flasim, flasim me dy marrëveshje zyrtare të lidhura midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës për ngritjen e dy porteve të thata respektivisht në Strugë dhe në Prishtinë. Por, sigurisht duke pasur parasysh që këto janë vetëm marrëveshjet e para dhe ne do të jemi të hapur për ti shërbyer edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor të cilat do të shikojnë me fizibilitet të gjithë operimet e tyre përmes portit të Durrësit.

Duhet të kemi parasysh që katër vitet e fundit na kanë dhënë një mësim shumë të rëndësishëm sesi situata të paparashikueshme më parë siç ishte rasti i pandemisë apo i krizës së krijuar nga agresioni rus në Ukrainë mund të afektojnë  të gjithë zinxhirin furnizues global dhe padyshim lindin një sërë pyetjesh. Të gjitha vendet europiane sot janë përballë këtyre dilemave, si do të furnizohemi me mallra bazë dhe energji në të ardhmen? E kemi burime të diversifikuara dhe të sigurta që na mbrojnë nga krizat dhe inflacioni? A mjaftojnë kapacitetet përpunuese dhe depozituese të mallrave dhe hidrokarbureve që kemi në dispozicion? A kemi teknologjinë dhe burimet e duhura njerëzore duhura për të qenë konkurrues? A kemi ndërlidhjen e duhur dhe të mjaftueshme të interland?

Portet janë infrastruktura kritike ku këto sfida bëhen dita ditës edhe më të ndjeshme dhe në kohë krizash qeveritë e përgjegjshme bëjnë pikërisht këtë, investojnë në infrastrukturë kritike për t’ju përgjigjur kërkesave të tregut vendas dhe atij rajonal për disa dekada në vazhdim.

Po e bëjmë këtë me aeroportet që tashmë kemi dy aeroporte ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë dhe jemi afër dorëzimit të aeroportit të tretë, një aga aeroportet më të mëdha rajonal, atij të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. E kemi bërë këtë me sistemet tona rrugore dhe padyshim kemi nisur prej disa vitesh intesivisht bashkëpunimin me Bashkimin Europian për të ngritur ose për të ri modernizuar dhe ringritur, rrjetin tonë hekurudhor, i cili do të jetë një nga instrumentet mbështetës të zhvillimit portual për atë që ne po diskutojmë sot.

Për Shqipërinë dhe në këndvështrimin tonë për të gjithë Europën juglindore përgjigjja e këtyre sfidave kalon përmes projekteve të tilla pra, si porti i ri i Durrësit në zonën e Porto Romanos, një investim ambicioz, jo vetëm nga vlera monetare dhe përmasat, por edhe më shumë nga ndikimi i pritshëm në ekonomi dhe në gjeopolitik. Nëse marrim për referencë portet e Europës së Veriut ekspertët e fushës janë të mendimit se një port konkurrues është në gjendje të kontribuojë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë deri në 3% të prodhimit bruto vendas në ekonominë e një vendi detar.

Në këtë këndvështrim porti aktual i Durrësit nuk merr dot notën kaluese në kushtet që jemi sot. Përmes kompleksit të ri portual Durrës-Porto Romano dhe me një autoritet portual i cili mbikëqyr të dyja portet edhe portin e marinës së jahteve, pra portin ekzistues, i cili transformohet në një port modern të marinës së jahteve, edhe portin e ri i cili do të ndërtohet, një port komercial modern, që të ndërtohet në zonën e Porto Romanos.

Disa shifra që ilustrojnë përmasat e kësaj ambicie realiste të qeverisë shqiptare janë se një investim që ne parashikojmë sot, por që edhe mund të tejkalojë këtë parashikim, është rreth 390 milionë euro, një hapësirë që nga 80 hektarë që kemi sot, do të jetë 450 hektar në dispozicion të portit të ri. Një thellësi kanali prej 16 metrash për të ofruar përpunimin e anijeve të mëdha që deri sot nuk kanë pasur mundësi që të përpunoheshin në zonën e Durrësit. Një terminal i ri kontenierësh, i cili trefishon kapacitetet aktuale dhe mundëson automatizimin e proceseve. Një park logjistik në formën e një zone të lirë ekonomike prej 60 hektarësh, i cili do të lidhet me kalatat e portit të ri përmes një hekurudhe 4 kilometra dhe më pas do të lidhet me hekurudhën qendrore atë që ne e kemi nisur ndërtimin që është hekurudha Tiranë-Durrës, për tu lidhur më pas me hekurudhën e korridorit të 8-të apo me hekurudhat që do aksesojnë veriun, siç është ajo Vorë-Hani Hotit apo hekurudha Durrës-Prishtinë.

Dy terminale logjistike, porte të thata në Prishtinë dhe në Strugë, ashtu siç e përmenda më parë dhe çfarë është e rëndësishme për tu përmendur një bazë autonome detare për forcën tonë detare dhe për forcat aleate që aderojnë në NATO. Ky është një nga aspiratat që ne kemi. Kemi hyrë në diskutime me selinë qendrore të NATO-s. Kemi bërë prezantimin tonë atje, bashkë me Royal Haskoning dhe shpresojmë shumë që të kemi një miratim për shtimin e këtij projekti edhe me facilitetet e NATO-s, që do ti jepte zonës së Porto-Romanos siç thashë jo vetëm një vlerë të jashtëzakonshme ekonomike, por edhe një vlerë gjeopolitike.

Kështu që sot me të vërtetë ndjehem e lumtur që gjendemi të gjithë së bashku në këtë tryezë dhe numri i shumtë i vizitorëve tregon interesin e madh për këtë projekt dhe ne kemi vendosur që këtë projekt ta ndërtojmë në një bazë transparence, duke nisur nga përzgjedhja e konsulentit tonë, e cila u bë me një garë ndërkombëtare dhe kështu të gjitha hapat në vazhdim. Ndoshta kjo është hera e parë që një projekt i këtij përmase sot po ndahet me partnerë dhe me kompani të mëdha europiane, por dhe ndërkombëtare dhe do të kthehet për ne padyshim në një shembull për të gjitha projektet e tjera.

Unë ju falenderoj shumë.

Previous Nisma “Toka në Shkollë” / Ministrja Kushi: 850 shkolla në të gjithë vendin kanë hapësirat e duhura për këtë nismë që zhvillon aftësitë kultivuese të nxënësve