Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu prezantuan një tjetër masë për rritjen e sigurisë përgjatë vijës bregdetare të Golemit.
Në rreth 5 km vijë bregdetare, janë vendosur stenda me pajisje moderne të ndërhyrjes së shpejtë në rast rreziku në det. Në plazhin e Golemit, merr jetë kështu një ide e projektit të mbështetur nga ambasada e Polonisë në Tiranë, për të vendosur disa pajisje shpëtimi, që përdoren nga kushdo.
Pajisja quhet “Stenda e Jetës” dhe përfshin kamerdare shpëtimi, një sistem sinjalizimi zanor dhe sistem ndriçimi të integruar, që alarmon duke tërhequr vëmendjen e pushuesve në rast rreziku për jetën e një qytetari në ujë. Duke i bërë bashkë këta elementë e duke i pajisur me bateri të karikuara me energji diellore dhe sistem elektronik kontrolli e njoftimi për shërbimet e urgjencës, jepet alarmi menjëherë për rrezikun.
Ministria e Brendshme siguron ndërkohë një prani të shtuar të forcave të sigurisë, të cilët së bashku me stafin e mjekëve kontribuojnë në sigurinë e pushuesve dhe reagim të menjëhershëm jetëshpëtues.
Urgjenca Kombëtare dhe stafi i saj, të trajnuar për reagim të menjëhershëm dhe efektiv në situata kritike, janë të gatshëm për të ndërhyrë kurdoherë që është e nevojshme. Gjithashtu, Qendrat Shëndetësore verore pranë plazheve dhe stafi shëndetësor vijojnë të ofrojnë mbështetje dhe këshilla mjekësore për të siguruar një sezon pushimesh të sigurt dhe të qetë.