Fjala e ministres Balluku në prezantimin e flotës së gjelbër të Autobusëve Elektrikë:
I dashur Piter,
I nderuar ambasador Zingraf,
Një nga bashkëpunëtorët tanë më të ngushtë, si timin, ashtu edhe i Erionit, përsa i përket punëve të mira që ne bëjmë për komunitetin, nisur këtu nga sektori i ujit, ai i transportit dhe i energjisë. Unë do ti uroja Kristianit jetë të lumtur dhe ne shqiptarët themi ‘të trashëgoheni’ dhe Kristian dëgjoje gruan, sepse gratë ca gjëra i dinë më shumë dhe siç tha dhe gruaja jo fjalë të gjata, na i lë ne fjalët e gjata, politikanët që s’dimë si ti shkurtojmë. Ju teknikët duhet të shkoni më shkurt.
Është kënaqësi të jemi të gjithë këtu sot së bashku me Erin, kemi punuar shumë për projektin e transportit dhe fakti që kemi një pikë lidhëse të përbashkët i cili është kthyer në një arkiv të historikut të transportit në Tiranë të 20 e më shumë viteve të fundit na bën që të kemi atë sinergjinë që Eri tha. Një bashkëpunim të ngushtë midis Bashkisë së Tiranës, si bashkia ku transporti publik është i rëndësishëm, duke qenë se bashkitë e tjera e kanë në përmasa më të vogla, Elbasani apo Durrësi , për Tiranën është vital transporti urban publik dhe midis Qeverisë e cila padyshim synon të aplikojë disa politika të rëndësishme qoftë kjo për lëvizshmërinë, por nga ana tjetër edhe përsa i përket ambientit.
Mua, si Ministre e Energjisë dhe Transportit, nuk më bie shumë fjala të flas për ambientin, pasi ajo që ministria ka në portofol është mënyra sesi ne duhet të zhvillojmë transportin në Shqipëri, sigurisht duke impaktuar ambientin jo për mirë. E njëjta gjë ndodh edhe me energjinë, pavarësisht se ne prodhojmë energji të rinovueshme, megjithatë aty ku ndërtohen parqet, hidrocentralet, parqet fotovoltaike apo hidrocentralet, sigurisht kanë dhe impaktet e tyre mjedisore. Megjithatë për shkak të sinergjisë së shkëlqyer që ne kemi brenda Qeverisë, bashkë me Ministren Kumbaro dhe bashkë me Erionin, ne punojmë çdo ditë që çdo investim që ne aplikojmë në transport apo në energji, sektorin e ujit dhe kudo tjetër të ketë në bazë një kujdesje të plotë për ambientin. Shqipëria është një vend të cilin Zoti e ka bekuar me diell, me det, me lumenj, me male, por që padyshim ne duhet të punojmë për ta ruajtur pasi një pjesë e mirë e të ardhurave e këtij vendi vijnë nga turizmi.
Kemi këtu parasysh atë që tha Erioni, matshmëria e tij për efektet e pandemisë ishte me shtimin e popullsisë me 32 mijë beba të rinj. Kështu që kjo është një gjë e mirë e pandemisë, por nga ana tjetër pandemia na tregoi qartazi sesi është të jetojmë pa makina. Në ditët e para ishte shokante të shikoje rrugët bosh, por më pas filluam të shijonim ajrin dhe mënyrën sesi i jetuam ato ditë, apo ato muaj duke ecur në këmbë apo duke përdorur biçikletat. Shqiptarët dikur, i referohemi gjithmonë holandezëve, por harrojmë prindërit tanë. Në çdo shkallë pallati kishte biçikleta të lidhura. Shqiptarët lëviznin vetëm me biçikleta kryesisht dhe me transportin publik urban. Pra ndoshta ne e kemi bërë para se ta bënin holandezët në ’73-in. Shkodra ka qenë një qytet i mbushur me biçikleta. Sot e kësaj dite ka shumë biçikleta, kështu që nuk ka nevojë ti referohemi holandezëve se kemi qenë vetë pionierë të biçikletave. Por, çfarë ndodhi? Në një shprehje të lirisë të detyruar për 50 vjet që të bënim çdo gjë në komunitet, të hipnim në të njëjtin autobus, të kishim të njëjtën biçikletë, të vishnim të njëjtën këmishë, vendosëm që secili të kishte nga një makinë. Madje familja që ne sot e themi që janë nën skemën e ndihmës ekonomike, përpara se të kujdeseshin ndoshta për vazhdimësinë e jetës së përditshme, kujdeseshin që të kishin një makinë. Unë shpesh, tek e flas me trupin diplomatik, them se kjo ishte një mënyrë e shprehjes së lirisë së shqiptarit që tashmë ata mund të bënin atë që donin.
Por vitet kanë kaluar dhe ky tranzicion na ka mësuar shumë gjëra. Na ka mësuar se çfarë duhet të bëjmë për të përmirësuar jetën tonë, si duhet të sillemi për të qenë pjesë e një komuniteti dhe padyshim sot unë mendoj që shumë qytetarë kudo që jetojnë e kanë kuptuar që transporti publik është shumë i rëndësishëm. Është i rëndësishëm sepse kushton më pak. Është i rëndësishëm sepse ndihmon përmirësimin e ajrit. Siç u tha deri tani si është më mirë, të qarkullojnë disa autobusë apo 200 mijë makina. Kështu që ne sot jemi koshientë se çfarë duhet të bëjmë, por detyra që i lind Qeverisë është që të incentivojë këtë sektor përmes paketave të ndryshme për ti bërë qytetarët më sensitiv ndaj blerjes së automjeteve elektrike apo për të incentivuar bashki të cilat sigurisht kanë nevojë për mbështetjen buxhetore të Qeverisë qendrore për të krijuar flotet e reja hibride apo elektrike.
Ne kemi bërë përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor një punë të madhe. Duhet falenderuar Blendi Gonxhe për të gjitha angazhimin e tij dhe të skuadrës së tij përsa i përket incentivimit të automjeteve elektrike. Padyshim ju i dini dhe Eri i përmendi, por unë dua të përmend fakte të rëndësishme.
Që prej vitit 2019 DPSHTRR rimburson çdo tarifë regjistrimi për herë të parë për mjetet elektrike duke zeruar tarifat e kontrollit fizik, leje qarkullimi kombëtare, certifikatë pronësie dhe targa. Në total një tarifë prej 7500 lekë për çdo mjet të gjelbër mbulohet nga DPSHTRR. Po ashtu një tjetër ndërhyrje stimuluese për mjet e gjelbërta është ulja e TVSH-së nga 20% në 6%, siç kemi bërë edhe me turizmin.
Këto masa kanë bërë që linjat ndërurbane që operojnë në sektorin e transportit publik të ketë sot më shumë autobusë elektrik dhe kjo tendencë të jetë në rritje të vazhdueshme.
Ne i bëjmë thirrje qytetarëve që duhet të lënë automjetet e tyre private në shtëpi, ti mbyllin, të marrin biçikletën apo të përdorin transportin publik. Por, që të përdorin transportin publik një qytetar i cili është drejtues automjeti, pra ka një automjet privat duhet që ne ti ofrojmë kushtet e duhura që ai të hipë në autobusë. Pra në qoftë se automjetet të cilat përdoren për transportin publik janë të marxhinuara, janë të viteve që nuk mbahet mend që kur, që vetë që ai do ta përdorë shikon atë tymin që ato nxjerrin nga pas atëherë nuk i bëhet të hipë në atë autobus. Në rast se flotat e shërbimit të transportit urban do të jenë flota të reja që do të ofrojnë këtë shërbim në mënyrë cilësore, siç qytetarët shqiptarë e meritojnë, atëherë padyshim të gjithë do të fillojnë të provojnë sesi është më mirë të marrësh transportin publik dhe të shkosh në punë apo të përdorësh automjetin dhe të lodhesh për ta parkuar dhe të paguash për parkimin, e të paguash për naftën që çmimi rritet çdo ditë dhe nuk është as në dorë të Qeverisë dhe as në dorë të Bashkisë së Tiranës, çmimi i naftës ashtu siç të gjithë e dimë.
Megjithatë unë do të ndalem edhe tek disa facilitete të tjera që përmes DPSHTRR-së, Qeveria Shqiptare po aplikon. Për herë të parë ne kemi krijuar një platformë elektronike. Platforma “e-transport”, një platformë bashkëveprimi midis autoritetit përgjegjës , shoqërisë së transportit, agjencisë së transportit dhe terminalit të udhëtarëve, me synim përmirësimin rrënjësor të eksperiencës së udhëtimit në Shqipëri. Për herë të parë platforma “e-transport” do të menaxhojë dhe monitorojë fluksin e udhëtarëve në linjat e transportit ndërqytetas për gati 50 milionë bileta udhëtimi në vit, prej nga përfitojnë qindra agjenci, mijëra të punësuar e miliona pasagjerë.
Në fazën e dytë të projektit ne do të krijojmë një mundësi dixhitalizimi për implementimin e biletimit elektronik përmes platformës kombëtare të “e-transportit” me akses online për qytetarët dhe sidomos për turistët. Turistët vijnë në Shqipëri dhe duan të dinë sesi pasi arrijnë në Rinas ata mund të shpërndahen kudo përmes transportit publik. Kjo ndoshta është pa e vështirë në ditët e sotme për t’u bërë, por nëse marrim të gjithë strategjinë e zhvillimit të transportit, atë strategji që Qeveria po implementon dhe që ne së shpejti do të kemi produktet e para të projekteve që kemi nisur, siç është treni nga Tirana në Rinas, nga Rinasi në Portin e Durrësit dhe nga Durrësi në Tiranë, pra një tren i cili do të bëjë pasagjerët dhe udhëtarët e ajrit mos të përdorin më automjetet, mos ti parkojnë më ato në parkingjet e Rinasit dhe të paguajnë një tjetër biletë për në javë që mund të mungojnë. Kështu që të gjitha këto komponentë të bëra së bashku, transporti urban brenda Bashkisë së Tiranës, asaj të Durrësit, transporte green, miqësore me ambientin, së bashku me linjat hekurudhore mjaft të rëndësishme që njihen si transportet më efikase përsa i përket financave të qytetarit, por edhe më miqësore me ambientin do të krijojnë një strategji të re, të implementueshme dhe të aksesueshme nga të gjithë qytetarët, si për shkak të çmimit të biletës, ashtu edhe për shkak të emetimit të ulët në transport.
Ju të gjithë e dini që në Republikën e Shqipërisë i vetmi ementim që ne kemi i CO2 vjen nga transporti. Industria jonë kryesisht është e bazuar mbi energjinë elektrike, problem ky për sektorin që unë mbuloj pasi konsumi i energjisë elektrike është shumë i lartë duke qenë se nuk përdoren burime të tjera alternative në industri, por nga ana tjetër nuk kemi emetime të CO2, përveç transportit që është prodhuesi kryesor i këtij ementimi.
Duhet thënë që Qeveria pavarësisht vështirësive që ka pasur në tre vitet e fundit, fillimisht me pandeminë ku ne u munduam të kompensonim me paga të gjithë aktorët të cilët kontribuojnë në transportin publik edhe tashmë në kushtet e emergjencës për shkak të luftës në Ukrainë, brenda Paketës së Rezistencës, Qeveria Shqiptare ka vendosur një shumë të rëndësishme për kompensimin e litrit të naftës për çdo automjet që ofron shërbim publik të transportit. E kemi bërë këtë sigurisht për qytetarët tanë , sigurisht për ti dhënë frymëmarrje edhe kompanive të cilat operojnë në këtë fushë, por ajo çka ne kemi bërë duhet të konsistojë në mbajtjen e çmimit të biletës, ashtu siç tha Eri, në një nivel të pa lëvizur. Pra ne kompensojmë me 100 lekë çdo litër naftë pasi nuk duam që të ketë një impakt rritje në çmimin e biletës duke nxitur kështu që qytetarët ta përdorim gjithmonë e më shumë transportin publik në shkëmbim të përdorimit të automjeteve private të cilat sot konsumojnë një naftë më të shtrenjtë nga dje.
Duhet thënë gjithashtu që projekti i Bashkisë me GIZ për kthimin e tre linjave më të rëndësishme në Tiranë në linja elektrike është në tjetër projekt për t’u përgëzuar nga të gjitha ato projekte që ne prej vitesh zhvillojmë me GIZ-in apo dhe me KFW, që siç e thashë dhe në fillim të fjalës sime janë projekte të cilat kanë konsistuar gjithmonë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, në përmirësimin e çdo dite të jetës së tyre dhe janë mjaft të rëndësishme.
Por unë do thoja edhe një fakt tjetër për të cilin duhet të jemi të qartë dhe duhet ta ndajmë dhe me njëri tjetrin pasi kërkohet analizë në këto momente edhe përsa i përket investimeve në automjetet e gjelbërta. Sot në të gjithë botën po mundohen që të ripërdoren automjetet ekzistuese dhe të kthehen dhe të motorrizohen në mënyrë elektrike pasi edhe kostot ulen, pra është një riciklim i automjeteve ekzistuese dhe kjo është diçka që Bashkia e Tiranës, që GIZ, mund ta ketë parasysh për dy arsye. Një, për shkak të problematikave që flotat e reja kanë në dorëzimin e tyre prej disa vitesh dhe e dyta, sigurisht edhe për shkak të efiçencës financiare.
Dua ju uruar të gjithëve punë të mbarë dhe duke ju siguruar që Qeveria Shqiptare ka një fokus të veçantë tek transporti miqësor me ambienti, pra tek ai green që ne quajmë, duke pasur parasysh të gjithë rëndësinë që transporti publik ka në Bashkinë e Tiranës ne do të jemi këtu për t’ju mbështetur dhe për të incentivuar çdo nisëm të mirë e cila i siguron qytetarëve tanë një lëvizshmëri me kualitet, por nga ana tjerët i siguron Shqipërisë një ajër më të pastër, një ambient më të mirë si rrjedhojë e bën vendin turistik më interesant në Ballkan.
Shumë faleminderit për vëmendjen.