Fjala e zëvendëskryeministres, njëherësh Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku:
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar kolegë, Artan, Liburn,
Shumë faleminderit që jeni këtu sot.
Të nderuar Ambasadorë dhe pjesëmarrës në këtë ditë të rëndësishme për Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe padyshim për Republikën e Kosovës.
Takimet tona ndërqeveritare janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit dhe kjo jo për thjesht arsyen protokollare, por sepse përpjekjet tona të përbashkëta janë tashmë rritur në numër dhe për më tepër ato janë strategjike dhe do të kenë një ndikimin domethënës në përmirësimin e jetës së qytetarëve të tre vendeve tona. Bëhet fjalë për reforma të domosdoshme në fushën e tregtisë së lirë, të projekteve ndërlidhëse të infrastrukturës, të transportit dhe të telekomunikacionit, kaq të dobishme për ekonomitë dhe për shoqërinë tona, që na nxisim të gjejmë mënyra të reja bashkëpunimi mes administratave përkatëse.
Para pak ditësh, në Samitin e Tiranës mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, Korridori VIII, aksi që ndërlidh kompleksin Portual Durrës – Porto Romano me Portet Bullgare në Detin e Zi, duke kaluar përmes Maqedonisë së Veriut, u miratua si një prej korridoreve kyçe të Bashkimit Evropian. Kjo ka qenë një betejë e gjatë për të thënë të drejtën, na është dashur të gjithëve ne që të kërkojmë të ndikojmë në vendimmarrjen e Bashkimit Europian, duke e konsideruar korridorin e VIII-të jo vetëm një korridor ndërlidhës infrastrukture, por një korridor i cili rrit sigurinë jo vetëm për vendet tona, por për të gjitha vendet anëtare të NATO-s.
Është një projekt për realizimin e të cilit ne kemi nisur këtë bashkëpunim prej kohësh dhe ka qenë një bashkëpunim 3 palësh. Kemi firmosur edhe një marrëveshje në vitin 2021 mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe të shikosh sot që më në fund kemi arritur të tërheqim vëmendjen e Bashkimit Europian sinqerisht është një arritje e përbashkët për të cilën unë përgëzoj edhe kolegët.
Ky është pikërisht një shembull se çfarë mund të arrijnë vendet tona kur kanë një qëndrim të njëjtë, kur bashkërendojnë forcat e tyre dhe padyshim kjo është po ashtu arsyeja përse Shqipëria, dëshiron ta modernizojë infrastrukturën e saj detare, duke marrë në konsideratë jo vetëm nevojat tona për zhvillim, por nevojat e të gjithë rajonit.
Po në kuadër të ndërlidhjes rajonale në mbledhjen e dy qeverive mes Shqipërisë dhe Kosovës në qershor të këtij viti ne kemi nënshkruar një marrëveshje për bashkëfinancimin të studimit të fizibilitetit për linjën hekurudhore Tiranë-Prishtinë. Një projekt i shumëdëshiruar nga shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës që tashmë është bërë realitet. Ky është projekti i parë me bashkëfinancim midis dy qeverive dhe një projekt që duket të jetë i suksesshëm, pasi siç themi edhe ne dita e mirë duket që në mëngjes dhe tashmë kemi mbyllur fazën e parë të kësaj gare të hapur ku kanë marrë pjesë kompani Europiane dhe ndërkombëtare të cilat kanë një “know-how” të jashtëzakonshëm në ndërtimin e hekurudhave dhe tani po kalojmë në fazën e dytë për vlerësimin e ofertave ekonomike.
Në ndërkohë linjat hekurudhore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës fqinje, gjithashtu krijimi i porteve të thata të Prishtinës dhe të Strugës si pjesë integrale e këtij projekti strategjik që do të prezantohet sot, do të jenë jo thjesht zona logjistike, ato do të transformohen jo vetëm për aktivitetin ekonomik të vende tona, por dhe pejsazhin ekonomik rajonal në tërësi, duke e kthyer portin e ri të Durrësit një nga portat më strategjike të Mesdheut.
Pas një pune 2 vjeçare, ku kemi kryer projekt-fizibilitetin atë ekonomik dhe teknik, vlerësimin e impaktit mjedisor që ka qenë një nga paketat më të rëndësishme të të gjithë punës së bërë, ne të gjitha këto i kemi bërë me ndihmën e një prej kompanive lider në fushën e projektimit inxhinierik të porteve, Royal Haskoning, të cilën nuk kemi lënë rast pa e përmendur pasi ndihemi krenar që në krahun tonë punojmë me kompani të këtij niveli, me kompani europiane të cilat e kanë lënë gjurmën e tyre në historinë e ndërtimit të porteve dhe të zhvillimit të tyre. Kështu që ne tashmë jemi gati të prezantojmë rezultatet e kësaj konsulence ekselente inxhinierike dhe financiare për ndërtimin e Porti të ri të mallrave të Durrësit, në zonën e Porto Romanos.
Eric Smit, drejtuesi i Projektit do të prezantojë të gjitha dobitë e këtij investimi transformues, por do doja fillimisht të ndalesha në disa komponentë thelbësorë:
Përmes dy investimeve madhore, nga njëra anë Porti tregtar i Durrësit në zonën e Porto Romanos dhe nga ana tjetër Ballina ujore dhe Marina e Jahteve e Durrësit, ne po ndërtojmë në fakt një kompleks portual Durrës-Porto Romano, tërësisht të modernizuar, ku të gjitha terminalet dhe infrastruktura detare janë në pronësi shtetërore dhe ku një autoritet shtetëror, Autoriteti Portual i Durrësit është ai që do të mbikëqyr dhe do të organizojë të gjitha aktivitetet e operatorëve dhe të koncesionarëve.
Projekti që do të paraqesim sot në trajtën e tij më të re, vjen si rezultat i të gjitha hulumtimeve gjeologjike dhe hidrografike dhe i projeksioneve ekonomike dhe tregtare për vendin dhe rajonin deri në vitin 2050. Është një program, është një projekt strategjik i cili do të mbulojë nevojat për kapacitetet e volumet maritime të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës dhe pse jo dhe vendeve të tjera të rajonit që do të kenë dëshirë të operojnë përmes këtij porti për katër dekadat e ardhshme.
Duhet të theksoj se nuk bëhet fjalë për një kopje, më të madhe të portit të Durrësit, kjo është diçka që unë dua ta theksoj, pasi e dëgjoj shpesh. Synojmë një investim me faza, një investim totalisht të ri. Një investim modern i cili do ti përgjigjet kërkesave të katër dekadave të ardhshme, si dhe një teknologji e cila nuk është aplikuar deri më tash në të gjitha portet e rajonit.
Vizioni ynë është që ti mundësojmë industrisë së transportit detar në Shqipëri një hapësirë zhvillimi pa kufizime urbane dhe pa problematikat mjedisore apo të sigurisë më të cilat kjo industri përballet sot në portin e Durrësit.
Në këtë investim prej 390 milionë eurosh, ku pritet të punësohen 1500 vetë, një vëmendje të posaçme i është kushtuar ndërlidhjes rrugore dhe asaj hekurudhore, me një hekurudhë të brendshme e cila lidh të gjitha terminalet dhe me 8 kilometra hekurudhë e cila e lidh portin e Durrësit në Porto Romano me hekurudhën qendrore, pra atë të Tiranë-Durrës duke i dhënë akses kështu si për linjat që do të ndërtohen në veri të vendit dhe për linjat që do të ndërtohen në juglindje.
46% e vlerës së këtij projekti do të mundësohet nga Qeveria Shqiptare, ndërkohë që 54% do të jetë financim që do të sigurohet nga kompania ndërtuese, pasi këtë instrument kemi zgjedhur me konsulencën e Royal Haskoning dhe kjo kompani sigurisht do të dalë përmes një gare ndërkombëtare dhe kjo kredi do të rimbursohet nga Autoriteti Portual i Durrësit pa ndikuar në Buxhetin e Shtetit.
Në fund të janarit 2023, sipas gjithë punës që po bëjmë me Eric Smit dhe me Royal Haskoning ne do të jemi të gatshëm për të lançuar garën ndërkombëtare, e cila do të jetë e hapur për të gjitha kompanitë që kanë treguar një interes të veçantë. Ndërkohë që procesi i kësaj gare, sipas gjithë parashikimeve tona do të mbyllet në korrik të 2023.
Ky investim ka marrë me të drejtë vëmendjen e shumë kompanive ndërkombëtare dhe aktiviteti i sotëm është një mundësi e parë që, përmes misioneve diplomatike të akredituara në vendin tonë, të komunikojmë në mënyrë transparente me palët e interesuara, operatorët dhe institucionet financiare, brenda ekosistemit më të gjerë ndërkombëtar të porteve dhe industrisë detare.
Nuk është rastësi që këtu sot kemi edhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, edhe Ministrin e Kosovës, sepse kompleksi Durrës – Porto Romano, siç thashë është një kompleks që i përket të treja vendeve tona.
Duhet pasur parasysh që përveç këtij prezantimi zyrtar sot, i cili padyshim do të ketë edhe element të shumtë teknik, ne do të bënim një ftesë për të gjithë trupin diplomatik që në javët në vijim, para fundit të Janarit ku do jetë dhe momenti i lançimit të garës ndërkombëtare ne mund të kishim një seancë, sesion të hapur me të gjitha kompanitë e interesuara, me prezencën e Autoritetit Portual të Durrësit, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe padyshim Royal Haskoning për ti dhënë atyre një pamje më të qartë teknike dhe financiare, të instrumentit financiar sesi ne mendojmë ta zhvillojmë këtë projekt dhe për ti përgatitur kështu në mënyrë transparente dhe të barabartë për garën ndërkombëtare që do të hapim në fund të janarit 2023.
Për ta bërë realitet këtë dimension rajonal, duhet të punojmë edhe më shumë për të rritur sigurinë logjistike dhe efiçencën e transportit të mallrave mes vendeve tona. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të sigurojmë qëndrueshmëri ekonomike për qytetarët tanë dhe të bëhemi vende me kontribut të qenësishëm dhe të rëndësishëm për Bashkimin Europian.
Shumë faleminderit për vëmendjen. Unë do ftoja Eric Smit që të fillonte dhe të bënte prezantimin e shumëpritur të këtij projekti për ti bërë kështu të qartë të gjithë të pranishmëve se kush do jetë rrugëtimi që ne do kemi në të ardhmen.
Faleminderit!