Ministrja e Arsimit dhe Sportit foli për masat për përmirësimin e procesit të Maturës Shtetërore, për planin e masave për testimin Pisa, si dhe përfshirja për herë të parë në testimin ndërkombëtar Talis.
Ministria e Arsimit dhe Sporteve prezantoi sot Raportin Publik mbi arritjet e nxënësve në maturën shtetërore në nivel kombëtar. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu tha se do të forcohen masat në lidhje me administrimin e procesit të maturës shtetërore, teksa e vuri theksin te programet e rëndësishme që do të nisin këtë vit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
“Përpjekjet tona janë përqendruar dhe fokusuar në përmirësimin dhe sigurimin e procesit të administrimit të maturës shtetërore dhe vlerësimit për sigurimin e një procesi transparent, cilësor dhe meritokratik për çdo maturant. Kemi përgatitur modele për çdo lëndë dhe në këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, do të shpërndahen testet model për çdo lëndë që në muajin janar, për të bërë të mundur që edhe mësuesit, por edhe nxënësit, të kenë më shumë kohë në dispozicion për më shumë përgatitje për sa i përket modeleve për çdo lëndë për maturën”, tha Ministrja Manastirliu.
Pjesë e diskutimit të Ministres së Arsimit ishin dhe rezultatet e Shqipërisë në “Pisa 2022”. Manastirliu shprehu vendosmërinë për të përmirësuar rezultatet e nxënësve shqiptarë në testet ndërkombëtare. Ajo tha se Ministria e Arsimit ka hartuar një plan ambicioz, që përfshin analizën e shkollave pjesëmarrëse, përgatitjen e përmbajtjes së testimeve në gjuhën shqipe, trajnime për mësuesit dhe nxënësit, hartimin e modeleve të pyetjeve të testeve, dhe përmirësimin e testeve të provimeve kombëtare për klasat e V dhe IX.
“Ne kemi hartuar një plan ambicioz me synim përmirësimin e rezultateve të Shqipërisë në testimin e ardhshëm Pisa 2025. Ky plan synon të fillojë zbatimin e menjëhershëm nga ky muaj, me hapa konkretë që bëjnë bashkë të gjithë aktorët në fushën e arsimit dhe një ndërveprim maksimal i agjencive tona deri te shkolla, njësia bazë, aty është fokusi dhe qëllimi ynë. Dy janë drejtimet kryesore ku do të fokusojmë punën tonë. E para, nisja e procesit të rëndësishëm për ne, modernizimi i kornizës kurrikulare. E dyta është programi kombëtar për zhvillimin profesional të mësuesve, të cilin ne tashmë e kemi projektuar dhe do ta shpallim brenda muajit janar. Janë 4000 mësuesit të shkencave, gjuhës dhe TIK, të cilët do trajnohen përgjatë vitit 2024 në metodat efektive të mësimdhënies”, tha ministrja.
Manastirliu tha se për herë të parë do të ketë një vlerësim edhe për mësuesit. Për herë të parë Shqipëria do të bëhet pjesë e sondazhit ndërkombëtar “Talis 2024”.
“Ky vit ka edhe një tjetër sfidë që është përfshirja për herë të parë në sondazhin ndërkombëtar Talis 2024, sondazhi ndërkombëtar për mësimdhënien. Ka filluar puna nëpërmjet një plani veprimi nga agjencitë tona të arsimit parauniversitar, që ne deri në muajin prill të kemi parapërgatitje edhe nëpërmjet testeve pilot. Fakti që ne përfshihemi për herë të parë në këtë vlerësim ndërkombëtar është jo vetëm një sfidë për ne, por edhe një garanci më shumë, sepse përmes procesit të vlerësimit të sondazheve apo të gjithë vëzhgimeve që bëhen edhe në rang ndërkombëtar ne na klasifikojnë me vendet e tjera dhe shohim se ku jemi në krahasim me rajonin dhe vendet evropiane”.
Në prezantimit të arritjeve të Maturës Shtetërore 2023 rezultoi se në provimet e Maturës Shtetërore të vitit 2023, shkalla e kalueshmërisë ka shënuar një rritje të ndjeshme, arritëm 99.02%, krahasuar me vitin e kaluar ku ishte 98.71%. Rezultati më i lartë u arrit në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa rezultati më i ulët ishte në Matematikë. Numri i nxënësve që morën pjesë dhe kalueshmëria për secilën lëndë ishin të lartë: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi 99.60% kalueshmëri, Matematikë 98.57% kalueshmëri, Gjuhë e Huaj 98.71% kalueshmëri, dhe Lëndë me Zgjedhje 99.19