Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit ka prezantuar këtë të premte TEA (Tourism Events of Albania), kalendarin digjital të turizmit, një platformë e mirëorganizuar e programeve turistike, kulturore, dhe artistike që u shërben turistëve të zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë.
Me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, ky eventi prezantues u mbajt në mjediset e Piramidës së Tiranës, qendra e re e Inovacionit dhe Teknologjisë.
Në fjalën e saj, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se tashmë Shqipëria ka një menu të plotë turistike që përveç bukurive të natyrës e mikpritjes, ofron edhe ngjarje kulturore që nuk duhen humbur.
“Na ka munguar një menu e plotë e Shqipërisë turistike që përveç diellit të plotë, detit mesdhetar, ushqimit të jashtëzakonshëm, hireve të trashëgimise kulturore, bukurive natyrore, njerëzve më të dashur të rruzullit, ofron dhe shumë zbavitje, kënaqësi estetike, talente artistike, festa e ngjarje të verteta kulturore, që nuk duhen humbur”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Kryeministri Rama nga ana e tij tha se ky aplikacion është fryt i një pune të gjatë dhe tashmë është i aksesueshëm nga kushdo.
“Sot mund të themi që kemi një kalendar kulturor dhe artistik të të gjithë Shqipërisë turistike i cili është i aksesueshëm nga kushdo përmes një aplikacioni të thjeshtë, informues dhe sipas meje me shumë shije. Ne besojmë shumë që Shqipëria është përtej ujërave të mrekullueshëm të detit, përtej majave magjike të maleve, përtej luginave dhe bukurive natyrore në tërësi dhe arsyet për ta vizituar Shqipërinë turistike janë shumë më tepër se sa kaq”, u shpreh kryeministri.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u kërkoi edhe operatorëve të telefonisë mobile që ta përfshijnë si njoftim në mesazhin SMS që u dërgohet vizitorëve të huaj të cilët hyjnë në territorin e Shqipërisë.
Ky kalendar turistik digjital është realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedsit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit në koordinim me institucione te tjera si Ministria e Kulturës, dhe të gjitha bashkitë e vendit.
Agjencia Kombëtare e Turizmit është institucioni përgjegjës për krijimin e kalendarit dhe përzgjedhjen e eventeve që do të jenë pjesë e tij. “Kemi mbledhur mbi 1110 evente, që nga festat lokale të fshatrave malorë e bregdetarë deri në festat apo festivalet e qyteteve, kryeqytetit tonë, Tiranës, duke krijuar një databazë të fuqishme, më pas kemi strukturuar formatet e eventeve që do t’i përshtateshin audiencave turistike”, sqaroi Drejtoresha e AKT, Zana Çela.
Këtë sezon veror turistik, nga ana e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ka pasur prioritet pajisja e vizitorëve të huaj me informacion turistik për Shqipërinë që në pikat e kalimit kufitar. Për 5 muajt e parë të këtij viti, janë regjistuar rreth 2.4 milionë vizitorë të huaj që kanë hyrë në Shqipëri ose 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.