Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro prezantoi sot aktivitetet e kalendarit kombëtar të Vitit të Pyjve, siç është shpallur viti 2024. Gjatë komunikimit publik me kryetarët e bashkive, ku mori pjesë edhe ministri për Shtetin dhe Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, ministrja Kumbaro u shpreh se objektivat e vitit të pyjeve janë pjesë e një programi të gjerë aktivitetesh që parashikon më shumë se sa mbjellje pemësh.
Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro adresoi gjithashtu problematika të menaxhimit të ekonomive pyjore për sa i përket administrimit nga ana e bashkive, ku në 33 bashki të vendit nuk ka asnjë plan mbarështimi.
Në këto dy vite monitorimi shumë të detajuar që Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka bërë në secilën nga bashkitë, fatkeqësisht, rreth 8 vite nga kalimi i pyjeve në administrimin e bashkive rreth tetë vite nga kalimi i pyjeve në administrimin e bashkive, dhe katër vite pas hyrjes në fuqi të ligjit për Pyjet, na rezulton se më shumë se gjysma, pra 33 bashki nuk kanë asnjë Plan Mbarështimi.
Ka bashki që gjatë gjithë periudhës 8 vjeçare që administrojnë pyjet, nuk kanë asnjë shpenzim si zë investimesh në fondin pyjor. Prandaj përfshirja dhe mirëkoordinimi në nivelin më të lartë të të gjithë aktorëve që nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve, tek Drejtoritë Pyjore nëpër bashki, Fakulteti i Shkencave Pyjore, shoqatat,
grupet vullnetare e përfaqësues të biznesit është hapi i parë që “Vitin e pyjeve” ta kthejmë në një plan kombëtar e jo të bëjmë mbjellje sporadike sa për të thënë që po mbështesim vitin e pyjeve. Dhe puna më e rëndësishme këtu u takon bashkive jo vetëm në përcaktimin e hartave, pyllëzimet, rigjenerimet e vegjetacioneve pyjore por në planifikimin e modeleve të menaxhimit”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Nga ana tjetër, ministrja Kumbaro përmendi edhe rastet inkurajuese të 13 bashkive të vendit për investime në fondin pyjor gjatë vitit 2023. “Dua të veçoj modelin e bashkisë së Tiranës që ka investuar gradualisht çdo vit në planet e mbarështimit sipas prioriteteve të planeve të mbarështimit dhe duke i vënë burimet njerëzore në funksion të këtyre prioriteteve. Dhe ka ndërtuar sot një ndërmarrje publike si biznes publik të qëndrueshëm që prodhon ekonomi, të ardhura, mban vetveten dhe investon. E dyta bashki me performancë më të mirë është bashkia e Elbasanit që sivjet me të ardhurat e nxjerra nga ekonomitë pyjore po investon jo vetëm në pyje, por edhe në teknologji siç janë hidrantet pyjore në ato ekonomi pyjore më të rrezikuara nga zjarri e ndjekur më pas nga Korça, Përrenjasi, Kukësi, Devolli, Librazhi, Poliçani, Vau Dejës, Gramshi, Patosi”, vijoi ministrja Kumbaro duke theksuar modelin e Shkodrës që për këtë vit ka investuar më shumë në fondin pyjor se sa të ardhurat e nxjerra nga ekonomitë pyjore dhe duke ftuar të gjitha bashkitë të bëhen pjesë e kalendarit të aktiviteteve, por edhe bizneseve që shfrytëzojnë pasuritë pyjore, për t’i kompensuar ato.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku u shpreh se përveç rolit jetik të pyjeve në situatën ku gjendet Shqipëria dhe gjithë globi sot, ato janë edhe një burim ekonomie. Ai prezantoi edhe programin mbështetës përbashkitë, i cili u jep zgjidhje disa prej problematikave më akute të lidhura me ekonomitë pyjore. “Problemi tjetër që duhet të adresojmë bashkarisht është bashkërendimi më i madh I punës mes bashkive në ccështjet e administrimit të ekonomive pyjore, duke pasur më shumë koordinim me njëra-tjetrën”, u shpreh ministri Mazniku.
Përveç aktiviteteve pyllëzuese, Kalendari Kombëtar i Vitit të Pyjeve, përfshin edhe aktivitete në ditët mjedisore, aktivitete edukuese me shkollat, projekte në kuadër të pyjeve që nga ngritja e sistemit të monitorimit e deri tek pajisja me mjete për mbrojtjen nga zjarret.