Ministri i Brendshëm Taulant Balla prezantoi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, për mirë-menaxhimin e një qendre pritëse për migrantë nga vende të treta, gjatë mbledhjes së Komisionit për Sigurinë Kombëtare.
Drafti i paraqitur në Komision emërtohet projektligj “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”.
Ministri vuri në dukje disa detaje kryesore të marrëveshjes, të tilla si shpenzimet financiare ngritjen dhe menaxhimin e qendrës, kohëzgjatja e funksionimit të saj, numri total i shtetasve që do të pranohen në territorin e Shqipërisë, rregullat e qëndrimit në qendër, dhe çështje të tjera me karakter teknike. Balla theksoi se përmes këtij protokolli synohet të intensifikohen marrëdhëniet në fushën e menaxhimit të flukseve migratore të parregullta.
“Objektivi është krijimi i një kornize bashkëpunuese për ngritjen e një Qendre Pritjeje të migrantëve të parregullt në territorin shqiptar. Kjo Qendër do të ndërtohet tërësisht nga pala italiane, me shpenzimet e qeverisë italiane”, tha ai.
Duke folur për rëndësinë e marrëdhënieve me Italinë dhe rëndësinë e shprehjes së solidaritetit mes vendeve mike, Balla u shpreh se “Protokolli ka rëndësi jo vetëm për konsolidimin e miqësisë me Italinë, por mirëmenaxhimi i flukseve të migrantëve të parregullt, është një çështje me interes edhe për ne. Shqipëria është vlerësuar nga vendet e BE-së, si një vend që ka bërë hapa konkretë në mirëmenaxhimin e flukseve të migracionit të paligjshëm”.
“Nëpërmjet këtij protokolli, – sqaroi Balla – Këshilli i Ministrave merr përsipër të vendosë në përdorim, të përkohshëm, qeverisë së Republikës së Italisë, një sipërfaqe pasurore shtetërore, për ngritjen e strukturave ku do të akomodohen emigrantët e parregullt që kërkojnë të hyjnë në Itali. Nuk bëhet fjalë për cedim të ndonjë pjese të territorit, pasi ajo mbetet pjesë e territorit të Republikës së Shqipërisë, por është dhënie e të drejtës së përdorimit të përkohshëm të sipërfaqes së përcaktuara paraprakisht në marrëveshje”, – nënvizoi Ministri i Brendshëm.
Duke dhënë detaje teknike rreth marrëveshjes, Balla tha se “ne ruajmë të drejtën e përtëritjes së protokollit në fund të afatit 5-vjeçar. Të gjitha shpenzimet për zbatimin e këtij protokolli, i përkasin palës italiane, e cila do të paguajë çdo kosto shtesë që mund të vijë si rezultat i zbatimit të këtij protokollit. Pala italiane ka detyrim për t’i akomoduar ata migrantë, vetëm brenda strukturave të ngritura në sipërfaqen e caktuar, si dhe për t’u kujdesur dhe garantuar se ata do të mbeten brenda këtyre strukturave. Është përcaktuar qartësisht që numri i migrantëve që mund të strehohen në të njëjtën kohë, në territorin shqiptar, nuk mund ta kalojë kuotën 3000 persona.
Ligji italian përcakton një periudhë kohe prej 28 ditësh brenda së cilës shqyrtohet kërkesa e tyre. Pas marrjes së vendimit, pozitiv ose negativ, çdo shtetas që ndodhet në këtë qendër, do të kthehet në Itali. Në rast daljeje të paautorizuar të migrantëve, bëhet shoqërimi i tyre pranë strukturave të ngritura dhe administruara nga pala italiane,” shpjegoi Balla në diskutimin e tij.
“Elementët me interes të Protokollit janë, numri total dhe hyrja në territorin e Shqipërisë, e migrantë, nuk do ta kalojë asnjëherë shifrën 3000. Migrantët do të akomodohen në Qendrën e Pritjes për të kryer procedurat e aplikimit për azil dhe pas mbylljes së tyre, do të nxirren jashtë territorit shqiptar. Brenda qendrës, pala italiane kontrollon çështjet e sigurisë dhe të rendit. Pala shqiptare do të angazhohet të garantuar sigurinë në perimetrin e jashtëm si dhe gjatë transportit të migrantëve nga njëra zonë në tjetrën. Migrantët nuk do të lejohen të dalin jashtë zonës së caktuar, e theksoj, asnjëherë, gjatë gjithë kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në territorin shqiptar,” vuri në dukje gjithashtu ministri.
Duke u ndalur specifikisht në çështjet e kostove të kësaj qendra, Balla tha se “çdo shpenzim për infrastrukturën, ato shëndetësore, për sigurinë, pra edhe ato që do të kemi ne si Polici e Shtetit, do të mbulohen 100% nga pala italiane, madje edhe çdo shpenzim tjetër që sot nuk mund të parashikohen, përshirë shpenzimet gjyqësore që mund të lindin, përfshirë kostot e përfaqësimit gjyqësor të migrantëve”.