Në Ditën e Kujtesës Kombëtare për Martirët dhe Viktimat e Regjimit Komunist, Autoriteti i Dosjeve në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, bënë prezantimin e platformës digjitale “Edukim mbi Diktaturën”.
Në një postim në rrjetet sociale Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka cituar një shprehje të Winston Churchill në simbolikën e 20 shkurtit, dita që shënoi fundin e diktaturës, për të dëshmuar vlerën e njohjes sa më të mirë, të saktë dhe të paanshme të historisë.
POSTIMI I PLOTË I MINISTRES:
“Një komb që harron të kaluarën e tij nuk ka të ardhme!” – Winston Churchill
Sot, në Ditën e Kujtesës Kombëtare për Martirët dhe Viktimat e Regjimit Komunist, së bashku me Autoritetin e Dosjeve prezantuam platformën digjitale “Edukim mbi Diktaturën”, e cila do t’i shërbejë nxënësve dhe mësuesve të njohin më mirë, me saktësi dhe paanshmëri, periudhën e komunizmit dhe pasojat që ky regjim i solli njerëzimit.
Aktivitetit i dha më shumë vlerë ekspozita e punimeve të nxënësve, ku paraqitej mënyra se si e perceptojnë dhe imagjinojnë ata historinë e regjimit komunist.