Prezantohet Projekti i Kampusit të Akademisë së Futbollit të Manchester City, në Durrës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Prezantohet Projekti i Kampusit të Akademisë së Futbollit të Manchester City, në Durrës

U prezantua sot Projekti i Kampusit të Akademisë së Futbollit të Manchester City në Durrës, vepër e arkitektit italian Marco Casamonti, e cila lançohet si pjesë e zgjerimit të vazhdueshëm të klubit, krahas tetë shkollave të futbollit të Manchester City, në nivel global.

Akademia, do të përdorë metodologjinë e stërvitjes së Manchester City për të ofruar edukim futbolli të klasit botëror, duke u kthyer kështu në një mundësi tw artë për fëmijët dhe të rinjtë e talentuar, por edhe për futbollistët profesionistë për t’u stërvitur dhe për t’u promovuar në botën e madhe të futbollit.

Po ashtu, duke nisur nga dita e sotme  admiruesit e artit të futbollit guardiolian, do të kenë mundësi të shohin nga afër trofetë e fituara nga Manchester City gjatë sezonit futbollistik 2022-2023 (të cilat erdhën në Amfiteatrin e Durrësit si pjesë e programit të Akademisë së Futbollit të Mancity në Durrës), – të ekspozuara në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për praninë tuaj këtu në këtë moment të rëndësishëm, i cili është një tjetër stacion i një rrugëtimi të filluar disa kohë më parë, kur unë personalisht e kam takuar CEO e Manchester City-t. Një ndër njerëzit më gjenialë që kam pasur fatin dhe privilegjin të njoh, Khaldoon Al Mubarak të cilit i kërkova të konsiderojë mundësinë e çeljes së një akademie të Manchester City në Shqipëri dhe më pas, së bashku me Anin, ne shkuam në Manchester për të diskutuar konkretisht mbi këtë ide dhe për ta kthyer këtë nga një ide, në një projekt.

Dua të falënderoj, në mungesë, Khaldoon, i cili është tanimë një mik i mirë për mbështetjen dhe për konsideratën me të cilën e trajtoi këtë kërkesë tonën, në ndërkohë që mund ta merrni me mend fare lehtë sesa shumë kërkesa ka Manchester City për të shtrirë rrjetin e akademive të veta të futbollit dhe nga ana tjetër, më vjen shumë mirë që ne arritëm, jo vetëm të kemi një kontratë për ta ndërtuar këtu këtë akademi, por edhe të kemi një ekskluzivitet për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor me një kusht të kontratës që në rast se në të ardhmen do të hapet një stacion tjetër i Manchester City, bashkia e Durrësit do të jetë partnere edhe atje.

Dua ta falënderoj Anin sinqerisht, për përkushtimin dhe për këmbënguljen me të cilën e ka mbështetur këtë projekt sepse ky është një projekt kompleks që nuk bëhet dot vetëm dhe nuk bëhet dot thjesht dhe vetëm nga një entitet.

Dua të falënderoj Elirën për gjithë udhëheqjen e vështirë në aspektin juridik pasi në fund të fundit, qëllimet e mira dhe dëshirat e mira duhen përkthyer në marrëveshje të qëndrueshme juridike dhe ne tanimë e kemi një të tillë me “City Group” dhe dua të falënderoj patjetër edhe presidentin i cili ka qenë qysh në krye të herës jo vetëm dashamirës, se i takon të jetë dashamirës pa kushte kur vjen fjala për futboll, por edhe i gatshëm për ta mbështetur projektin me të gjitha ato që mund të bëjë Federata dhe natyrisht, kryesorja në këtë pikë është që Federata të promovojë këtë projekt dhe të ndihmojë me të gjitha klubet e futbollit në Shqipëri, por edhe me klubet e futbolliy në rajon  ër të kthyer sytë dhe për të trokitur në derën e kësaj akademie ku, faktikisht, ne duam që të mblidhet ajka e talentit që ka ky vend qysh në moshë të vogël në këtë sport që është sporti më popullor në botë.

E tha presidenti, dua ta përsëris dhe unë që një shtysë frymëzuese për këtë projekt ka qenë Pablo Zabaleta, i cili është një agjent i Manchester City brenda në strukturën e Fedetarës Shqiptare të Futbollit dhe jam i bindur që çdo sekret të Federatës sonë ia përcjell Khaldoon-it me korrektesë sepse, siç ma ka treguar edhe Pablo, Manchester City është një komunitet, një bashkësi njerëzish që edhe kur varin këpucët e futbollit në gozhdë, mbeten pjesë e atij komuniteti dhe Pablo ka qenë frymëzues në aspektin e rëndësisë së madhe që ka ky projekt, jo thjesht për topin e futbollit, por për kulturën sportive që sjell, për kulturën e komunitetit që sjell dhe patjetër edhe për modelin dhe standardet që sjell që do të jenë shtysë shumë pozitive edhe për të tjerët që janë të angazhuar në terrenin e futbollit shqiptar, me shkolla, me akademi, me klube për fëmijët e kështu me radhë.

Ajo që pastaj është qershia mbi tortë dhe këtu, të paktën presidenti mua do më kuptojë menjëherë, që i morëm Marco Casamontit një projekt pa lekë. Kjo është kulmi dhe Marco me shumë kënaqësi, në fakt, të paktën kështu u duk në telefon kur ja thashë se fytyrën nuk ia pashë, tha “Regalo? Okej, Regalo”, dhe të marrësh një dhuratë nga Marco, nuk është diçka e lehtë, besomëni!

Përtej shakasë që në këtë rast është shumë më tepër se gjysma e të vërtetës, Marco është vlerë e shtuar sepse na jep mundësinë që të kemi një kampus të një ekselence arkitektonike dhe funksionale të sprovuar jo vetëm tek stadiumi ynë kombëtarë që tanimë është e qartë për të gjithë se është një ndër stadiumet më të bukur të Europës, pavarësisht se i vogël në kapacitet, por me kampusin e Fiorentinës të realizuar mbi projektin e Marcos, që është kampusi i parë, realisht i parë, serioz dhe i këtij shekulli të ri në aspektin e parametrave, të standardeve, të cilësisë në Itali. Italia ka një futboll shumë të madh, por edhe më të madh se futbollin ka burokracinë dhe për këtë arsye edhe stadiumet janë në atë gjendje që janë dhe kampuset sportive janë në atë gjendje që janë. E rëndësishme është që ne të kemi këtu një kampus ekselence në të gjitha aspektet.

Me të njëjtën ambicie që bëmë stadiumin, së bashku me Federatën dhe falë partneritetit me një sipërmarrës që tregoi vërtetë aftësi të jashtëzakonshme në aspektin teknik, të bëjmë edhe këtë kampus dhe të bëjmë të gjitha impiantet e tjera që vijnë me radhë.

Jemi sot, aktualisht, të angazhuar me tre projekte stadiumesh; stadiumin e Durrësit, stadiumin e Korçës, stadiumin e Vlorës të cilat janë në proces pune nga arkitektët që dolën fitues nga konkurset dhe do të jenë tre vlera të tjera të shtuara në zinxhirin e stadiumeve që po ndërtojmë, krah për krah me Federatën e Futbollit dhe në këtë rast edhe më bashkitë e këtyre qyteteve dhe në ndërkohë, nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me futbollin, por ka lidhje pikërisht me rritjen e hapësirave për rininë, për fëmijët, për tu marrë me sport, por ka lidhje dhe me fuqizimin e mëtejshëm të imazhit të Shqipërisë si një vend ku mbijnë e do të mbijnë gjithmonë e më shumë ekselencat ndërkombëtare.

Kemi hyrë në diskutime për të sjellë pranë akademisë së Manchester City akademinë e Rafa Nadal një akademi tenisi e cila shpresoj dhe besoj që do t’i bashkëngjitet kampusit të Manchester City, kuptohet me gardh të ndarë se për të vënë gardhe në Shqipëri kemi plot autorë që mund t’i gjejmë që nga Shijaku i presidentit deri tek Porto Romano që ndjek kryetarja e bashkisë, por me një energji të shtuar dhe me funksion komplementar si një destinacion sporti, aty ngjitur është dhe universiteti.

Kështu që, e gjithë ajo zonë do të kthehet nga një kënetë e dikurshme në një zonë shumë atraktive në shumë aspekte dhe shpresoj shumë që siç patëm sukses me Anin, me Manchester City-n do kemi sukses dhe me akademinë e Nadalit për ta sjellë në Durrës dhe për të vazhduar më tutje me të tjera projekte dhe me të tjera ide që deri dje për hir të së vërtetës dukeshin komplet të paimagjinueshme jo më të mundura dhe që sot janë gjithnjë e më të mundura sepse sot Shqipëria nuk është më ajo që ishte deri dje, një vend që kur e dëgjonin ju dilnin përpara fantazma frikash dhe pasigurish, por është një vend që kur shqiptohet në emër menjëherë tërheq vëmendje në të gjitha nivelet, në të gjitha fushat, nga të gjithë ata që e dëgjojnë dhe kjo është vlera e shtuar që kemi arritur të krijojmë dhe mbi të cilën do vazhdojmë të ndërtojmë më tutje Shqipërinë e 2030.

Edhe një herë shumë faleminderit të gjithëve dhe dua të falënderoj edhe drejtuesit e Manchester City dhe ata që janë të pranishëm këtu me keqardhjen që akoma nuk kemi hapur një shkollë të gjuhës shqipe në Manchester dhe mbase nuk u morëm vesh, por me sigurinë e plotë dhe me garancinë e plotë që ne ndihemi shumë afër dhe ndjehemi realisht shumë të privilegjuar për këtë nder që na bëhet.

Këto kupa janë pjesë e një turi që Manchester City organizon për këto trofe nëpër botë, janë ndalur sot këtu dhe janë në dispozicion të gjithë atyre që do duan t’i shohin nga afër deri në 7 pasdite në këtë holl kryesor të Kryeministrisë dhe në njëfarë mënyrë e plotësojnë me një prezencë shumë të mirëseardhur të gjithë këtë kontekst pozitiv dhe këtë kontekst frymëzues për të vazhduar më tej. Urime edhe drejtorit të fondacionit me të vetmen vërejtje që harroi kryetaren e bashkisë kur bëri listën e folësve, por nuk ka problem se me Anin e kemi zgjidhur që kur s’jam unë, Ani flet dhe për mua, kur jam unë, unë flas dhe për Anin kështu që jemi në rregull në simbiozën kryetar bashkie dhe deputet i qytetit.

Shumë faleminderit!

Previous “Forcojmë pasaportën shqiptare”, Ministri Hasani: Së shpejti, tre përfaqësi të reja diplomatike në Kenia, Indi e Indonezi